154 Sonete

Ai i kushtoi plot 154 sonete dashurisë, të cilat u botuan në vitin 1609. Ndaj edhe soneti anglez quhet shpesh soneti shekspirian. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj të dashur miq që mozaikut të botimeve te shtëpia botuese ADA, i shtohet me një shqipërim profesional nga Maksim RAKIPAJ botimi i këtyre soneteve.
BOTUESI

Ja kushtoj mbesës sime
Hera Dashamir Rakipaj

William Shekspir
154 Sonete
me shqipërimin e
Maksim Rakipajt

Botimi i parë, 2016
ISBN: 978-9928-223-13-5
Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 13.5x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, shtator 2016

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Shakespeare, William
154 sonete / William Shekspir ; shqip.
Maksim Rakipaj. – Tiranë : Ada, 2016
160 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-13-5
1.Letërsia angleze 2.Sonete
821.111 -193.3

Dy fjalë në vend të pasthënies

Prej vitesh shqipërimi i poezive më të zgjedhura nga fondi i poezisë botërore është bërë “hobby” im i parapëlqyer. Lexoj dhjetra, ka raste qindra poezi në ditë që të përzgjedh një syresh për ta dhënë në shqip. Kështu, duke lundruar në internet hasa në italisht një poezi të Shekspirit; gërmova më tej dhe e gjeta në anglisht, qe soneti numur 90:
“Then hate me when thou wilt; if ever, now; “…etj., Më rrëmbeu menjëherë, i gjeta në web me shënimet përkatëse të autorëve britanikë dhe jo vetëm prej tyre, madje edhe të përkthyera në anglishten e sotme, gjë që ma lehtësoi mjaft punën. Veprat e një gjeniu si Shekspiri, afërmendsh janë përkthyer në të gjitha gjuhët: prej kohësh ka sjellë dramat e Tij në shqip Noli i madh, një prej shekspirianëve të pranuar botërisht, por jo sonetet. Sa për sonetet, i gjen të përkthyera në frëngjisht, rusisht, gjermanisht etj., në përkthime që i qëndrojnë besnikë autorit dhe rregullave të shkrimit të soneteve; gjë që nuk mund ta thuash për sonetet e përkthyera në italisht, edhe nga pena të njohura, si p.sh., Ungaretti me 43 përkthime dhe Montale vetëm tre; por të plota në italisht i ka sjellë Alberto Rossi që përktheu gjysmat dhe Giorgio Melchiori gjysmën tjetër. Por pa respektuar metrikën e sonetit.
Sonetet u shkruan prej vitit 1595 deri në vitet e para të 1600-ës. Nuk do të merrem këtu me diskutimet e zhurmëshme rreth autorësisë; disa studiues shprehen se i shkroi Francis Bacon; disa të tjerë, nisur nga përsëritjet e shumta dhe niveli jo në lartësinë e gjuhës së dramave të tij, thonë se i shkroi dikush tjetër për të diskredituar emrin e madh që pat bërë Shekspiri. Por nuk më interesojnë aspak këto teori (ka dhe të tjera); sido të jetë, sonetet janë me emrin e Tij dhe ai emër meriton nderim.
Pse janë 154 sonete? Bëra një llogaritje, në një sonet janë 14 vargje herë 11 rrokje baraz 154 rrokje. Pra një Sonet për Sonetet, që vetëm Ai mund ta shkruante.
Struktura shekspiriane e soneteve është kjo: janë tre strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rima ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG, gjë që e bën lehtësisht të dallueshëm prej strukturës së soneteve të Petrarkës.
Pata dëshirë të sjell në shqip 154 Sonetet e të madhit Shekspir në lartësinë që Noli pruri rreth një shekull më parë tragjeditë dhe komeditë e Shekspirit; i vetëdijshëm që nuk mund të matesh me titanët, gjithsesi unë u përpoqa ta bëj.

Shënim – Sonetet i kam shqipëruar
gjatë viteve 2013 – 2016 Maksim Rakipaj

2018-02-28T17:36:54+00:00