Poeti nuk shkruan vetëm që të pëlqehet. Ai shkruan kur e do emocioni, frymëzimi i tij, jeta. E jeta nuk është prehje por shqetësim e gëzim njëkohësisht. Poeti i jep atyre vlera të reja. Ketu qëndron e bukura e poezisë. Sot do sjellim para jush një poet të konsoliduar në lirikën e tij.

 

 

AGIM BAJRAMI

PËRJETIME POETIKE 7

 

GRUA

Ti më puthe lehtas këtë mbrëmje
Si një dhuratë që vjen papritur
Ç’e vetme je për këto gjëra
Sa herë qe unë jam i mërzitur

E ke një shqisë më shumë nga mua
Tek më kupton me një vështrim
Përndryshe s’mund të quhesh grua
As lumturi e shpirtit tim

Unë natyrisht s’të refuzova
Mes zymtësisë ku isha strukur
Ku ka më mirë se të të puthë
Kaq mrekullisht një grua e bukur

Buzë mbrëmja befas shtyu perdet
Dhe muzgu vetë u davarit
Një dritë mu duk se ndriu rreth meje
Sado që mbyllur kisha sytë

Atë çast ti vije erë deti
Aroma pemësh s’di se çfarë
Mërzia krejt harruar mbeti
Se ti me buzë e kishe “vrarë”

S’mu desh aq gjatë të shmang hutimin
T’a vesh vetveten me gëzim
Ti di të puthësh jo veç bukur
Por dhe ta shndrrosh atë në frymë

 

ATA

 

Ata qëndrojnë nën një ballkon
Pranë njëri tjetrit kokat strukur
Une s’mund ti ndjej se çfarë po thonë
Por shoh se qenkan shumë të bukur

Ajo me flokë si grurë i bërë
Që pret të korret për çdo çast
Unë si dalloj ç’janë duke bërë
Por që po puthen,unë vë bast

Ai i gjatë si një poemë
I hovtë, i vrullshëm si përrua
Nuk mund t’ju them ç’fjalë po këmbejnë
Por di që shpesh i thotë: Të dua

Nga sytë e vajzës ndjej një dritë
Që ndizet, shuhet herë mbas here
Unë s’ja shoh mirë se mi vret sytë
Por di që ngjan sa dhjetë ylbere

Të dy mbështjellë me tis mesdite
Dhe me pak drojë që hiqet zvarrë
Unë ende s’shoh flakë që të ndizen
Por ndjej nga larg një si erë zjarr

Ata qëndrojnë nën një ballkon
Pa pyetur hiç ç’thonë njerëzija
Unë nuk i njoh, por të gjithë thonë:
Ata. .., janë vetë dashuria

 

LIQENIT TË STRUGËS

 

E verdha e vjeshtës zë të zbutet
Dhe mbetet pas në tatëpjetë
Përbrenda meje befas futet
“Madhëria”e tij, liqeni mbret

Ca valë nga larg ma bëjnë me duar
Një varkë e bardhë më buzëqesh
Unë vetë, nuk di ti kem njoftuar
Por ato prapë e morën vesh

Drejt tyre këmbët shkojnë nxituar
Ti përqafoj, ti përshëndes
Ne jemi treshe e preferuar
Dhe s’lëmë njeri t’na hyjë në mes

Tashmë do jemi bashkë ca ditë
(S’ka gjë se dielli ngjan i mekur)
Në sy t’i shkrijmë gjithë kaltërsitë
Siç bën çdo “liqenor” i thekur

Na pret një mal me aventura
Xhirot pa fund, netët pa gjumë
Birra e ftohtë atje tek ura
Ku Drini nis të bëhet lumë

Me gjeth dhe ujra i rrethuar
Dhe zëra rosash çamarroke
I dehur bëhesh pakuptuar
Por asnjëherë s’ndjen dhimbje koke

 

E ku të lë ky ujë i kaltër
Të ndihesh keq qoftë një minutë
Mjafton të çikesh me të pakëz
Dhe thellësitë në gjak ti fut

E verdha shkon në pyll të fshihet
Se këtu vetveten nuk e gjen
Me skeptër valësh ngado shtrihet
Madhëria e tij, mbreti liqen

 

KATËR KARRIKE NË BREGDET

 

Katër karrige në bregdet
Dhe një tryezë e bardhë në mes
Këtu kanë qënë ulur katër pleq
Kur mbrëmja yjet në qiell i ndez

S’kanë pasur kohë të flisnin gjatë
Për dhimbje kockash edhe shpine
Veç sa kanë cikur gotat pak
Nën një qetësi të thellë intime

Një varkë e vogël befasisht
Me gjuhë velash i ka ftuar
Ata mbi të kanë humbur sytë
Dhe psherëtirë pak të hutuar

Pastaj pa zhurmë duke u mbajtur
Mbi të kanë hypur pa u ndjerë
Se nga kanë shkuar, ku kanë vajtur?
Le t’ua thonë vetë, një tjetër herë

M’ erdh keq që s’qesh me ta dhe unë
(Ky është një rast që s’përsëritet)
Se kur janë kthyer më kanë thënë
I kishin hedhur përtej vitet

Si kishin më ballet me rrudha
Gushat me dhjamë, e sytë e mpirë
A thua një artist i shquar
Mbi ta talentin kishte shkrirë?

Askujt nuk i kujtohej mosha
Bastunet që në duar mbanin
Unë s’them se ngjanin si djelmosha
Por dhe si pleq ama, nuk ngjanin

Ju mos pyesni: Si e qysh?
Prej detit pret, gjithfarë magjish!

STOLA VJESHTE

 

Tani veç pluhur kanë mbi vete
Dhe ndonjë inicial të shuar
Dashnorët që ata i gdhendën
Janë larguar

Një dridhje e lehtë ua kaplon trupin
Megjithëse ende nuk fryn erë
Afrimi i reve është i dukshëm
Dhe ajri ngjan paksa i verdhë

U zbrazën udhët, bulevardet
Përrenjtë e njerzve pambarim
Shtatori është një muaj i vakët
Me rënie gjethesh dhe trishtim

Prandaj ka nisur ti “hajë” malli
(Një mall prej stolash padyshim)
Të ndjejnë mbi trup ca prekje vajzash
Dhe djemsh të shkrirë në përqafim

Ata kanë qënë çaste të bukur
Të vetmit çaste të vërtetë
Të mbash mbi gjoks dashnorë të lumtur
I tillë do ndihesh, edhe vetë

Tani veç pluhur kanë mbi supe
Por të shëmtuar s’ngjajnë aspak
Ata janë stola dashurie
Dhe bukurinë e kanë në “gjak”

 

TI

 

(Replikë me dikë që s’dua tja zë emrin me gojë)

Ti vure “dorë” sërish mbi gruan tënde
Mbi atë që kokën në gjoks ta mban çdo natë
Nga grushtet e tu ajo ende ka dhimbje
E tretur prej plagëve në shtrat

Ti godite sërish mbi atë që të ka puthur
Të godasësh mbi puthjet është mëkat që nuk falet
Se sheh që dhe qielli nga kjo u ka rrudhur
Dhe shiu nuk denjon më të ndalet

Ti godite sërish mbi gjysmën tënde
Duart që godasin vetveten, s’janë duar po kthetra
I zoti i tyre mund të jetë një i çmendur
Ose një fosil i kohëve të vjetra

Ti godite sërish mbi gruan tënde
Ajo mund të të falë, por unë asnjëherë
Të prekësh një grua do të thotë ke fyer Evën
Dhe Adamin ke prekur në nder

Ti dje vure dorë mbi një engjëll
Rënkimi i saj trishton dhe retë
Kalendari i kohës lëviz si në mjegull
Dhe veten rikthen në mesjetë

 

REKUIEM PËR BABANË TIM TË VDEKUR

 

Tashmë s’kam forcë ti bie më derës
Të t’pyes mes drojes: A ke fjetur?
Ndonëse zë shtrydhem hera herës
T’ja fsheh vetvetes që ke vdekur

Një mal me gjëra po më bindin
Se ti tashmë je veç kujtim
Këto këpucë prej dhimbjesh që s’lëvizin
Dhe që s’premtojnë më kurrë rikthim

Dhe gjurmë e zërit tënd të lodhur
Që vjen kaq thellë si nga një hon
Më thonë se gjëma paska ndodhur
Se ti mes qiejsh udhëton

Në vëndin tënd tani e tutje
Do kem veç mallin, babë dhe shok
Mbretëria e Hadit është hajdute
Të merr, dhe kurrë s’të nxjerr mbi tokë

Një “Akeron “mes nesh do rrjedhi
Me valë kufomash, tmerr dhe gjak
Ku hungërin vetëm Cerberi
Dhe varka e Karontit plak

Megjithatë seç kam një ndjenjë
Që ne do shihemi sërish
Ti ishe aq i mirë baba
Sa dhe vetë vdekja u mëdysh

Ndaj ndonjëherë mund të të lejojë
(Të bëjë një përjashtim )
Të flasim prapë për plagët tona
Që këtu s’njohin mbarim

Nuk kam më forcë që ta shtyj derën
Të t’pyes si u ke gdhirë?
Tashmë ti je një stinë prej ere
Dhe unë, një lot i ngrirë

 

LIBËR I GRISUR NË RRUGË

 

Libër i grisur në mes trotuarit
Nën këmbë kalimtarësh të vonë
Më duket se shoh rropullitë e shkrimtarit
Dhe vdekjen e tij që rënkon

Me fletët zverdhur, zhubravitur
Ca gërma qajnë me zë plot drojë
Nga sytë e tyre unë jam rritur
Ndaj më vjen turp, mbi to të shkoj

Një jetë të tërë në gjoks të mbajta
Me ty harroja çdo trishtim
Çdo fletë e jotja ish një flatër
Të dilja jashtë burg – ankthit tim

S’ mendoja kurrë që të shihja
Të shtrirë pa jetë, në këtë vend
Të zhveshur keq nga shenjtëria
Nga ky absurd që po na çmend

Se njoh atë që të ka grisur
Por pamja e jote ma rrëfen
Inkuzitorët drejt nesh janë nisur
Disa nga ta mes nesh i gjen

 

Libër i flakur me neveri
Me baltë dhe llum keqas përlyer
Nuk më vjen keq më shumë për ty
Por për heronjtë e tu të fyer

SËRISH

 

Sërish u zura sot me mbrëmjen
(Ne ishim miq të mirë mes nesh)
Ajo ka kohë që më sheh shtrembër
Qysh kur harrova që të qesh

Sërish, sërish këtë mëngjes
Në lloto u rrahën dy idiotë
Unë thashë njëherë t’ju hyj në mes
Po prapë mendova: Është e kotë

Sërish ca krisma ndjeva mbrëmë
Me siguri dikush është vrarë
Një ulërimë nëne si gjëmë
Që shkulte flokët duke qarë

Sërish hashash me dhjetra ton
Që edhe ajrin e ka dehur
Me skafë, tragete dhe avione
Në sy të ditës pa u fshehur

Sërish një miku im poet
U ngjit mbi vinç për t’u flijuar
Jetonte nën një urë, kaq vjet
Por dhe andej e kanë dëbuar

 

Sërish ministri i korruptuar
U fut në “sqetull” nga partia
Për të s’ka pranga nëpër duar
Gjersa në gjunjë është drejtësia

 

Sërish qyteti im i gjorë
U gjend përmbytur këtë natë
Se një i “fortë” mbi kolektorë
Ka ngritur vilë dhe pallat

Sërish, sërish veç lajme gri
Në veshët e turmave pa mend
Ndaj shpesh në ajër pyetjen ngrij:
Kur do ta bëjmë Atdhe, këtë vend?

Marrë nga libri “SËRISH” i AGIM BAJRAMI.

Botim i shtëpisë botuese “ADA”

2019-07-09T09:01:01+00:00