3 gojë, të pangopurat e jetës sime

Autore: Bukurije Bushati
Korrektore: Klaudia Malaj
Redaktore: Klaudia Malaj
Piktura e kopertinës: Elona Marikaj

© 2016 Bukurije Bushati
Të gjitha të drejtat të rezervuara

Botimi i parë, 2016

ISBN: 978-9928-223-26-5
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 13.5x20cm

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, tetor 2016

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Bushati, Bukurije
3 gojë, të pangopurat e jetës sime :
ese poetike /
Bukurije Bushati ; red. Klaudia Malaj.
Tiranë : Ada, 2016
76 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-26-5
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Është freskuar e mira ime. Era përplaset mbi xhamin e dhomës duke hedhur mbi të me forcë pikat e shiut që duket sikur thyhen duke rënkuar nën dhimbje. Drita e neonit që vjen nga jashtë duket e zbehtë nën shiun e rrëmbyeshëm dhe e bën të frikshme këtë natë. Po e përshkruaj për ty këtë tablo. Ku je? Çfarë bën këtë mbrëmje? Nuk di gjë për ty dhe kjo mosdije më vret. Ndjej të ftohtë.

Mos më humb galaktikash,
nuk të ndjek dot,
larg këtij dielli,
gjithçka bëhet e ftohtë!

Po ngrihem t’i ve dy dërrasa stufës. Televizori mbi komodinën e vjetër, përballë divanit poshtë së cilës kam vendosur një katruve me grykë të gjerë mbuluar me një tas alumini, po jep lajmet. Ti nuk e di. Kam filluar të mbajë ullinj për një uri të vogël para mbrëmjes. Jam i vetëm dhe mundohem të kursej sa më shumë edhe pse ti më qortoje gjithnjë për këtë zemra ime. Zjarri u gjallërua. Ngre gjuhët e flakës, që lëshonin dritë nëpërmjet tre të çarave që ndodhen në derën e sobës. Zjarri brenda meje është pothuajse i fikur. Ai kërkon frymën tënde të ndizet e të flakërojë nëpër shpirtin tim…..

2018-02-28T17:28:01+00:00