Autor:Faik Xhani
Titulli i librit:Babaxhani
Redaktore:Flora Agolli
Korrektor Letrar:Eda Miri
Sponsor:Pëllumb Mila
Arti Grafik:
Persiana Treni (Fjerca)
© Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Botimet “ADA”
Shtëpia botuese “ADA”.
Adresa:Rr. Nasi Pavllo Nr. 20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, Dhjetor 2016

Në vend të hyrjes
Në lumin e jetës, herë të shtruar e melodioz e
herë të rrëmbyer e kapriçoz, na ndodh të ndeshemi
me tipa të qetë, të shpenguar, të hovshëm,
tekanjozë, të heshtur e fjalëshumë, siç na ndodh të
etikojmë kohët dhe brezat, si bie fjala, “brezi i
humbur”, “brezi i sakrificës”, “brezi i qejfit” etj.
Jeta është një univers, që na përfshin totalisht
brenda kontureve të saj, duke na bërë të meditojmë
e filozofojmë rreth saj dhe rreth atyre që na
rrethojnë, duke përfshirë dhe unin tonë, që, dashje
pa dashje, e vendosim në fokus të këtyre
perceptimeve filozfiko-jetësore.
Këto po përsiatja me mendjen time, teksa
sillja ndërmend obligimin tim për të shkruar diçka
për Seit Milën, shkrime që duke pasuar njëri-tjetrin
morën trajtën e një libri.
Duke kërkuar për të gjetur një fjalë nyje, një
fjalë çelës, një fjalë kyçe, për të përmbledhur atë
që është unike dhe krejt vetjake në persanlitetin e
Seit Milës, befas më erdhi në mendje fjala
“babaxhan”.
Është një fjalë, që ndoshta nuk e përmbledh
dhe fokuson krejt personalitetin e tij, atë shtrirje
të gjerë e të thellë që ky indidvid, tashmë
tetëdhjetëvjeçar, konturon në karakterin, shpirtin,
mendjen dhe cilësitë më të spiktura të unit të tij.
Por është një fjalë që thotë shumëçka dhe e
vendos këtë person në qendër të një investigimi
human, ku dalin në pah cilësitë më esenciale të
karakterit, shpirti i tij i pasur në ndjesi dhe
përjetime, çiltërsia, zemërbardhësia dhe butësia
e një shpirti të dëlirë.
Nëse i referohemi Fjalorit Etimologjik të
Gjuhës Shqipe, fjala “babaxhan” ka këto tre
paradigma shpjegimore gjuhësore:
1. Shpirtmirë, i patëkeq, i çiltër e i dashur; i
shtruar dhe i thjeshtë. Buër r (Plak)
babaxhan, Grua (plakë) babaxhane.
2. I shëndoshë e i fuqishëm; i aftë e guximtar,
që çan vetë në jetë e që u del zot edhe të
tjerëve. Malësor babaxhan.
3. Përd. em. Sipas kuptimeve të mbiemrit
(për njerëzit). Fytyrëbabaxhani. Sjelljebabaxhani.
Qeshte si babaxhane.
Thënë ndryshe, fjala “babaxhan” është një
cilësor që shpreh veti pozitive, jo vetëm të pamjes
së jashtme të njeriut, por dhe të botës së
brendshme, të cilësive shpirtërore, të moralit dhe
filozofisë jetësore, të karakterit dhe prirjeve
esesnciale të një individi në raport me veteveten
dhe të tjerët.
Këtë cilësor ta jep dhe ta përmbush gjithçka
në portretin fizik dhe shpirtëror të Seitit; pamja e
tij e jashtme, me atë nënqeshjen plot sqimë e
mirësi njëherësh, gjestet e ngadalta dhe
kuptimplote, ajo e folur e qetë dhe e shtruar, si
rrjedha e një ujëvare të ëmbël, psikologjia e pritjes,
sipas parimit të dibranit, “mat shtatëherë e pre
njëherë”.
Ajo që mund të themi në rastin e Seit Milës,
duke e nënvizuar si njësoj “postulati”, është fakti
se tek ai si person, pamja e jashtme, babaxhanllëku,
harmonia, paqa dhe dëlirësia, përputhen me
thellësitë e shpirtit të tij, me ato thellësi ku
projektohen dashuria për punën dhe vlerat,
respekti për tjetrin, bujaria, shpirtmirësia,
fisnikëria, gadishmëria për të ndihmuar të tjerët
etj.
Jeta e Seit Milës është një rrugëtim drejt lirisë
së zgjedhjes së një alternative, që përmbledh nën
një vektor të vetëm jetësor, atë thënien profetike,
me kumt të asaj njerëzore aq dhe hyjonre: “Bëj për
tjetrin, atë që do të dëshiroje që tjetri të bënte për
ty”.
Ky definicion ka bërë që rruga e tij në një jetë
që jo gjithmonë ka rrjedhur në një shtrat të qetë e
harmonik, të jetë një rrugë e bardhë, me ëndrra të
bardha, me sfida të bardha, të cilat janë bërë pjesë
e kredos së kohës së tij dhe brezit të tij.
Jeta e Seit Milës nuk është jeta e ndonjë heroi
romantik, nga ata që përshkruhen me tone idilike
dhe sentimentale në rrëfimet e shkrimtarëve tanë,
ku shpesh ndodh që jeta e gjallë, njeriu me botën e
tij plot dhimbje e trazime, pra vetë realiteti,
kamuflohen e mbulohen me dëngje frazash
stereotipe dhe ilustrative të pakuptimta.
Jeta e tij është një jetë e thjeshtë, e jetuar
bukur sipas mënyrës së tij, që edhe në këtë moshë
të shtyrë të pleqërisë vazhdon të krijojë vlera për
të tjerët.
Në kohën kur shokët e tij, ose rrinë në shtëpi,
të mbuluar me batanije dhe në mbretërinë e
ilaçeve, ose ata më në gjendje të mirë fizike jepen
pas dominave dhe kafeneve të lira, Seit Mila
vazhdon të kontribuojë shoqërisht dhe me pasion
për shtresën e pensionistëve, ku me punë të
palodhur e përkushtim shembullor, na tregon
rrugën nga duhet të ecë një veprimtar, qoftë dhe
në moshën e tij, për të qenë sa më i vlefshëm për
njerëzit dhe kohën e tij.
Pa asnjëlloj vetëlëvdimi apo mburrje, me atë
thjeshtësinë brilante që e ka karakterizuar gjatë
gjithë jetës, Seit Mila vazhdon të na befasojë me
sjelljen e tij të përkorë e dinjitoze, me dhuntitë e
shpirtit dhe mendjehapjen, me dashurinë për
punët dhe kontributet shoqërore.
Ai është një nga më aktivët në Shoqatën e
Pensionistëve, duke marrë pjesë në të gjitha
veprimtaritë e shumta të saj brenda e jashtë
Tiranës, por edhe duke kontribuar sipas mudësive
të tij modeste me vlera financiare për mbarëvajtjen
e punëve të saj.
Në gjurmët e Seit Milës do të ndeshësh
gjurmët e një njeriu të përkushtuar, me një dashuri
të virgjër për njerëzit dhe shoqërinë, për virtytet
dhe vlerat, për atë pasuri të thellësive të shpirtit
human, që ende mbijeton tek njerëz si ai dhe
shokët e tij, që e kanë mbartur jetën në shpinë e
në shpirt, me dhimbje e mungesa, si një Gur Sizifi
dhe nuk e kanë lënë të marrë rrokullimën mitike,
por e kanë mbrujtur me frymën dhe gjakun e tyre.
Ky libër nuk flet për një akt heroik të bujshëm
e sfidant, me ata me të cilët është mbushur dëng
letërsia ilustrative memoristike, por me aktet e një
pasnjëshme të SeitMilës, për të ruajtur të pacënuar
thelbin e jetës njerëzore. Ata janë më të befta dhe
më kuptimplote se ato të Robin Hutit, Konti Monte
Kristos etj.
Në vijimësinë e një jete të jetuar bukur e
thjesht dhe që vazhdon të induktojë nxitje
pozitiviste për shoqërinë, ne do të zbulojmë një
botë të pasur shpirtërore, një bashkëshort
shembullor, një baba model, një gjysh unik, një
shok të denjë, që nuk të braktis kurrë…Thënë
ndryshe, do të takojm e njohim babaxhanin e
vërtetë.
Të shkruash për Seit Milën, do të thotë të
zbulosh hap pas hapi jetën e një njeriu të thjeshtë,
botën e tij, idetë, vizionet, projektet e realizuara
dhe ato të mbetura në udhë…por që ndjekin,
shijojnë e përngjasojnë me jetët e shumë kujtë, ku
çdo kush ka cfarë të pëlqejë dhe të përvetsojë.
Të shkruash për Seit Milën do të thotë të
shkruash për vetveten, për atë pjesë të vetvetes,
që do të doje të ishe dhe për rrugëtimin drejt së
cilës asnjëherë nuk është vonë…