E SHTUNA POETIKE

Në rubrikën e përjavshme “E SHTUNA POETIKE”, këtë javë vjen një emër tjetër i njohur i poezisë, ILIRIANA SULKUQI.

Po plas!…

Po plas, po plas,
përse nuk shpika
rrota gjigande sa Dashuria…
Si një bujkrobe do e tërhiqja
gjithë Amerikën tek Vendlindja…
Po plas, plas që askund s’jam-
as ku kam lindur,
as ku do vdes…
Që s’bëra dot një varg të malltë
dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.
Po plas, po plas,
kujt t’i rrëfehem
që m’troket ikja n’ rrëz’ të veshit,
as bardh, as zi s’më mbeti vargu,

një oqean m’ ndau nga Deti…
Po plas…po plas…
Që dhe një dorë-
shtatë breza nerv,
shtatë malle varg,
një firmë s’e hedh as për shkronjë,
një firmë s’e hedh as për një varr…
Po plas….Po plas
si në legjendë:
« …Plasnë si poçe me verë… »

…ndaj syhapur…
malli qenka dhe i bukur..
edhe pse të than si eshkë…
Jeta vetë na qenka –mall
Ndaj syhapur çdokush vdes.

i thashë lotit…

Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,
Lotin intim ma shanë e vranë…
I pata thënë lotit tim-
përballë botës mos i dil…
Është kohë e keqe, një Zot e di,
do të të thajnë pa dalë mirë…
Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…
Si djal’ plangprishës
pa mua shkoi…
Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,
kthehet sërish lodhur e tretur…
Lutet e lutet mardhur e ngrirë
përmbi qerpik nga pritja djegur…
I kisha thënë, i pata thanë:-
S’i duhet botës një lot që qan…

Mbrëmë fjeta me poetin

Mbrëmë fjeta me Poetin
ju betohem: për qiell e për tokë,
nëse tradhti ky akt e ka emrin,
shpirti juaj, shpirtin ma dënoftë …

Po, po, mbrëmë me Poetin fjeta
në një shtrat-fjalëvarg,
nënkresë, një krah prej shpirti.
mbulesë, tis fryme – mërgatë …

Fjeta, por fjeta a s’fjeta,
s’di, a bëra dashuri? …
Mbi gjoks të Tij kokën mbështeta
i brengosur si unë dhe ai …
Më fal, O Zot, në mëkat bëra,
i ngjita buzët me të Tij …
Sikur vërtetë të ishim bashkë,
do ishin tretur dhjetë qirinj …

Vetëm për një kthim

Vetëm për një kthim do të jetoj,
për pak smog nga qyteti im,
për një nënë që ëndrrën belbëzon,
për një varr që prehet në vetmi,
për një lule që ka zënë të thahet.
për një zog që dimri po e ngrin,
për një gjuhëz lëçitur që foshnje.
për një lot tretur nën qerpik.
Vetëm për një kthim do të jetoj !…
vetëm për një muzg …
për një agim …

Dashuritë e mia

Një dashuri tepër e fshehtë,
një dashuri pa fjalë e shëtitje
më mësoi se bota për-rreth meje,
ishte përrallë fëmije….
Një dashuri, që s’e jetova,
që më dha veç dhimbje…
më mësoi se brenda vetes,
bota s’paska vetëm lindje…
Jetova një dashuri,
që e jetoj për gjithë jetën,
dy herë vura kurorë-nëne,
që të jetoj të vërtetën….
(Shkurt, 2000)

Unazat

Unazë,
Në gishtin e katërt të ujnazës,
Në gishtat e tjerë-nga dy e nga tri…
Unazë,
varur gjer në çarje, te veshët,
rreth fytit, varësja- unazë,
unazë që të mbyt….
Unazë,
Byzylyku flori apo serm,
zinxhir prej unaze
Dhe rripi në mes…
Unazë,
perimetri i tryezës sime,
cikël unaze një jetë e tërë…
Po shpirtin?
(Oh shpirti!),
Si mund ta shpëtoj
Nga unazat?!

Mështekna

Buzët më humbën mes buzëve…
Gishtrinjtë
Mbi tastierën e brinjëve…
Trupi
Si një grusht i mbledhur….
Mështeknë
më thuaj, moj,
si e ruan kaq vjet virgjërinë?

Më thanë….
Më tha Era:
Qaj, lotët t’i fshij unë!….
Më tha Zoti:
Fli, ëndrrën ta përkund….
Më tha Zëri:
Zgjohu, të t’puth në buzë…
Po ti a më fole?
Të ndjeva në gjumë….
Kredo poetike….
Bëj të fshihem te jë natë,
Vjen një ag e sytë m’I hap…
Zë të fshihem tek një gotë,
Më kujton një tjetër botë…
Pa , kur fshihem te poetët,
Jam te Zoti me Profetët…

Të vij sonte, apo? …

Të vij sonte,
apo nesër,
a pasnesër, duke gdhirë…
a me Hënën, në të mehur,
a me Diell n’perëndim?…
Të vij sonte,
në të ngrysur,
me qirinj në Galaktikë,
a me Yllin e Mëngjesit
që i bëhem Zgjim me zgjim?
Të vij sonte
apo sonte,
dhe me Hënë, dhe me Diell,
dhe me yjet në një shportë
dhe me zemrën sa një qiell?…
Të vij nesër
a nxitimthi,
me një shkronjë që më flet shqip,
dhe me Zotin që më lindi
dhe me zë – prelud- në shpirt?…
Të vij sonte
apo nesër,
a me ëndrrat që s’u prekën,
a me fjalët që s’u folën,
a pas – kurrë, në këtë shekull?
Të vij sonte,
apo sonte?
a, pas vetes së përdjegur?…

Dhe thotë një këngë…

Për dashurinë jap shpirtin
Për urrejtjen-dashuroj
-autorja-

Dhe thotë një këngë e bukur brenge:
“çomë ku të duash taksixhi”
dhe ndal atje ku ndalet loti,
dhe lotin tim mos e rrëfe!…
Dhe ndal atje ku digjet heshtja,
ku shpirti flaket nga një trill,
ku mbyllen sytë, ku rreket zemra,
ku trupi preket nga një “xhind”…
Ku tokë e qiell të përndezur,
përdigjen si një Vetëtimë,
ku Zoti zbret, ngjallen të vdekur,
ku nata ditës i bëhet flirt…
Dhe thotë ofshama, dalë nga nata:
çomë, ku të duash Dashuri,
mbi shtatë palë qiej, me shtatë hëna
qëndisma trupin me qirinj!
(Nju Jork, Gusht, 2007)

Eseninit

Ku më gjete , që më zhveshe,
Gjer në palcë të trupit tim?
Me ty puthem, qaj me vete…
Unë jetime, ti jetim…
Të “rrëmbeva” një beriozë…
Për inat, më zhvirgjërove…
Kanë kaluar vite plot,
ende flas me muzën tënde…

2018-04-01T20:14:31+00:00