Epigrami dhe evropa

Autori : DENILU
Titulli : Epigrami dhe evropa
Redaktimi : Dorjana Sterkaj

Kopertina Agim Sulaj… Karikaturist dhe piktor.

Botimi i parë, 2016
ISBN: 978-9928-223-27-2
Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 13.5x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, shtator 2016

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Luca, Ded N.
Epigrami dhe Evropa : epigrame / Denilu ; red.
Doriana Sterkaj. – Tiranë : Ada, 2016.
108 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-27-2
1.Letërsia shqipe 2.Epigrame
821.18 -193.2

Të jesh karikaturist si Agimi po ashtu edhe epigramist si Denilu duhet të kesh një formim dhe diapazon të madh kulturor. Të dy këta artista të satirës e kanë diapazonin e nevojshëm dhe u qoftë për hajër bashkëpunimi i tyre. Epigrami mbetet rruga e tij e ndritur dhe Denilu po ecën kryelartë. Shtypi shqiptar i fillimeve të regjimit të diktaturës, i vuri një rëndësi të jashtëzakonshme karikaturës. Dhe jo shumë larg, në 25 gusht të vitit 1945 u botua dhe numri i parë i revistës “Hosteni”, i cili në atë kohë doli si një suplement i gazetës Bashkimi. “Hosteni”, në vitin 1970, arriti 25 mijë kopje dhe kjo nuk ishte pak për një vend të vogël si Shqipëria. Sipas bisedës me Dedën bashkëpunimin e tij me revistën “Hosteni”, e nisi në vitin 1982, në moshën 25 vjeç. Gjatë komunizmit nuk ka botuar asnjë libër. Deda në moshën 56 vjeç, emigrant në Itali dhe babai i 5 fëmijëve, i shtyrë dhe përkrahur nga poetja Rregjina Sterkaj, botoi librin e parë me poezi tek “ADA” me titull, “A ka jetë në tokë? Për tre vjet rresht po tek kjo shtëpi botuese “ADA” Denilu boton 24 libra, dhe dorëshkrimet për librat e tjerë janë të shumtë. Po e lë pas të shkuarën dhe po flas për të sotmen. Politikanët e sotëm t’a kërkojnë epigramin satirizues apo karikaturën vetë. Kur atyre nuk u bëhet karikaturë ata ndihen të lënë pas dore. Dikur nëse si ndërmarrje apo individ të bëhej ndonjë karikaturë e pësoje keq. E kundërta ndodh sot. Nëse dikush nuk të satirizon me epigram apo karikaturë tregon se nuk je askushi, pra nuk je i modës. Ky libër me epigrame që redaktova ka vazhdimësinë e nivelit Denilu dhe nuk mund ta veçoj nga librat e tjerë që janë botuar. Më pëlqeu si libër dhe nuk kam ndërmend të komentoj asgjë, pasi Denilu ka lindur për epigramin. Humori që përfaqësohet nga disa dukuri, buzëqeshja, e qeshura, gajasja, nuk është vetëm tendosje e cepave të buzëve drejt veshëve, dukja e bardhësisë së dhëmbëve, tingulli i zërit që shkruhet “hahahahaha”, por diçka më e bukur, më e këndshme, që ndodh brenda shpirtit si një ndjesi që harron, zhduk, godet, përhap, spërkat, mbulon e zbulon njëkohësisht një grumbull ndjesish, që, të përziera së bashku krijojnë një koktej emocional që të shijon, të dalldis, të çlodh, të zbërthen e të eksiton. Humori me të qeshurën e tij është gjithçka. Triumf. Fitore. Kënaqësi. Është bota që ndalon përpara këmbëve të tua e ti nuk e përfill fare rrumbullakësinë e saj me të qeshurën tënde rrafshuese. Në çastin që ti qesh, me siguri që bota e ka ndalur rrotullimin e saj. Në profilin e tij facebook, ku Deda i publikon në seri epigramet, klikoj shpesh dhe shprehem “Mjerë ata që nuk dinë të qeshin”. Edhe të qeshësh, duhet të dish. Nuk është e lehtë. Por jo e pamundur. Humori është privilegj i të mençurve.

Dorjana Sterkaj

2018-02-28T17:40:38+00:00