Nga botimet më të fundit të shtëpisë botuese “ADA”

 

Titulli: JETË FLUTURE – POEZI

Autore: OLIANA DADOLLI

 

Redaktor letrar: Eris Rusi

 

Struktura grafike realizuar: Grafika “ADA”

 

©Të gjitha të drejtat i përkasin autores

ISBN: ISBN 978-9928-296-84-9

 

Botimi i parë, 2019

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, dhjetor 2019

 

Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë Botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Dadolli, Oliana

Jetë fluture : poezi / Oliana Dadolli ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2019

92 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-296-84-9

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1​

 

Dy fjalë për lexuesin

 

“Vrapo, arratisu, vrapo, fantazi e mbijetuar deri më sot. E etur për të të zhdukur, bota civile të është vënë nga pas, nuk do të të japë më paqe” – thotë shkrimtari italian Dino Buzzati. Ky mendim, përngjason me, një thirrje për ndihmë në këtë botë të sotme që rri e huaj ndaj së bukurës dhe artit, ku njerëzit nuk shohin dot përtej fizikes, sepse nuk duan; nuk iu bën përshtypje bota shpirtërore, ose i kalojnë shpërfillës sikur krejt ekzistenca e tyre të jetë e plotë edhe pa magjinë e ëndërrimit. Letërsia ndihmon te ripërpunohet, rishkruhet dhe rindërtohet jeta jonë shpirtërore. Nën këtë dritë, libri “Jetë fluture” që lexuesi merr sot në duar nga krijuesja Oliana Dadolli përkon me dëshirën që zëri intim i shpirtit të shndërrohet në diçka të gjallë, me ritëm, që të përfshin dhe të nxit të afrohesh me ëndrrën dhe përmallimin. Zakonisht, për letërsinë thuhet që nuk të lejon të ecësh, por të lejon të mbushesh me frymë dhe me këtë nevojë për frymëmarrje, ekziston përherë mundësia që të dëgjosh zërin e shpirtit, i cili rrëfen, të nxit përbrenda dhe kumbon për t’i thënë gjithë botës se ti ekziston:

 

 

RRËFIMI I SHPIRTIT

 

Dyer që mbyllen,

Të plasaritura,

Të vjetra,

Të zbrunjta

Nga pesha e kohës!

 

Krak-krake që therin

Më shumë se vuajtja,

Qelqe që plasin,

Çelësa që në mes thyhen…

 

Ndaj unë rrëfej!

Me cicërima zogjsh,

Pulitje sysh,

Melodi loti,

Këngë heshtjeje,

Poezi – harruara,

Përpëlitje shpirti!

 

Unë rrëfej,

Më flet shpirti!

 

Një shpirt që flet i përkundur në flatrat e fluturës, që është poezia, jeta, mistikja dhe drita që ngroh ekzistencën tonë. Poezitë në këtë libër shndërrohen në diçka të gjallë që bëhet e prekshme dhe të nxit emocione gjatë leximit.  Në këtë mënyrë, vetë eksperienca private, individuale e autores, prek ndjesi që janë tek çdo lexues, ku kujtohet e djeshmja dhe jetohet e sotmja, ku ajo që pritet të vijë është misterioze dhe e mbushur me emocion, por edhe me ankth, ku bota universale, di të zbresë deri në individi fillikat dhe të komunikojë me shpirtin e tij.

Përfytyrimi që krijohet nga leximi i këtij libri, është ai i njeriut që pret e nuk vonon që gjysmëhëna të zbresë prej qiellit e të mbushë me dritë shtëpizën e pritjes, pastaj muret e zhveshur të dhomave të plotësohen me figura që ngjajnë të njohura, janë miqtë tanë, të afërmit tanë, njerëz që i kemi për zemër dhe që na kanë dhënë emocion, që ishin aty, brenda nesh, të futur në shtëpizën tonë të shpirtit,  por që nuk i shihnim dot. Dhe ajo dritë e zbehtë gjysmë-hëne e çliruar nga qielli i poezisë, arrin të na i tregojë. Poezia  “Ad Infinitum”, këtë lloj ndjesie të zgjon:

 

Një herë kam dashur t’i numëroj yjet,

Strukur në dritaren e dhomës,

Nëpër xham,

Vizatoj forma me to

Si dëshira të paplotësuara!

 

Ç’dëshira mund të ketë një fëmijë?

Që di vetëm të numërojë,

Di veç rrugën e Kumtrit,

Afërditën e Yllin Polar?

I kalon tangjent,

Pa hyrë thellë në kuptim!

 

 

Yjet si lodra që zbresin në duar,

Që djegin e falin lumturi,

Hapësirë e qiellit si jeta jonë,

Pa asnjë re, si pafajësi!

 

Yjet janë gjithmonë atje,

Në mesnatë shkëlqejnë më shumë,

Ndriçimi i largët që mallin tret,

Ngadalë, i heshtur, vjen pranë tek unë!

 

Qielli i mbushur me mallin e largët, kujtesa e së mirës që fle brenda yjeve, larg, një lloj ndjesie që të nxit të gjurmosh përbrenda e ta kuptosh se nëse nuk arrin të lexosh dot yjet e qiellit, nuk je tjetër veçse i papërfillshëm përballë universit të pafundmë. Në këto vargje ne kemi një kohë të pakohë, që nis me yjet që kanë qenë përherë atje, vazhdon me kuriozitetin e fëmijës të cilit gjithçka i duket shndritëse dhe magjike, e më tej shtyhet pa dhimbjen e të rriturit, që mallin e ka hapësirë të zbrazët, si qiell pa yje, përbrenda vetes.

Përballë kujt jemi të pafuqishëm e nuk i rezistojmë dot, nuk e kontrollojmë dot, nuk e mposhtim dot? Përballë kohës, ngjan sikur thotë Oliana, e në fakt akti i kujtesës është një proces sa i dhimbshëm, aq edhe i rrezikshëm, sepse me ta kthyer kokën pas, ndjesitë tona kthehen edhe në brengë, edhe në nostalgji. Koha e poezisë gjithmonë shndërrohet dhe bëhet e përhershme, siç duhet të jetë gjithçka që ka një domethënie universale për njeriun.

“Jetë fluture”, si titull i zgjedhur për këtë libër, në thelb është edhe një simbolikë e të mirës që mbyllet brenda një brishtësie të bukur, në një krijesë që të kënaq syrin siç është flutura. E tillë ngjason të jetë edhe mënyra se si Oliana e sheh ekzistencën e saj: të tërhequr, që më tepër mendon, mediton dhe dëshiron të mbetet pas kuintave, përballë skenës së madhe, të rrëmujshme, ku të gjithë luajnë role dhe mbajnë maska që i bëjnë të duken groteskë e të shëmtuar:

 

GROTESKE

 

Ti femër

Që majë takave rri kokëlartë,

Me flokë krehur,

buzë e sy lyer në ar,

Ti femër          

veshur me bizhu si një muze,

Gishtat rënduar

nga unazat e shtrenjta e pa vlerë,

Qëndron para si një hokatare,

E pasuruar me frymën që s’të përket!

 

Që mbase kurrë s’do jetë e jotja

As në këtë e as në atë jetë!

 

Gjithmonë e mjerë, brenda një maske

Sa qesharake, aq e gjorë, groteske,

Ti femër që muzgu të duket i kaltër,

Nuk do mësosh dot kurrë

            Nga lumturia e të tjerëve!

 

Figura të tilla, groteske, që vrapojnë me babëzi pas gjërave që shkëlqejnë dhe blihen shtrenjtë, që mendojnë se bota materiale është gjithçka e që për të përfituar, nuk ngurrojnë të bëjnë keq e të harrojnë çdo lloj vlere njerëzore, janë të kudogjendura sot në shoqëri.

Njerëz që vendosin maska, që flenë me maska, që guxojnë të bëjnë gjëra të paimagjinueshme, vetëm për kënaqësi të vogla, meskine, e që pastaj ecin kryelartë në rrugë, pa e ditur që shpirti i tyre nuk çliron dot dritë, por një hije të zbrazët, sepse e zbrazët është jeta që ata jetojnë.

Në këtë kontekst, edhe dashuria është një ndjenjë e cila zhvlerësohet, nëse nuk lidhet me përjetimin fisnik, me ndjenjat që burojnë nga zemra dhe janë të pastra e të ngrohta, siç duhet të jetë në thelb gjuha e zemrës që flet me një tjetër zemër.

I tillë vjen zëri i Oliana Dadollit me këtë libër, ku në poezi të ndryshme mund të ndeshen nuanca të jetës, brenda një meditimi midis të shkuarës dhe të tashmes, me një mozaik emocionesh që kanë në thelb njohjen e shpirtit, të asaj drite të mrekullueshme që poezia arrin ta reflektojë, herët a vonë, mbi secilin prej nesh!

 

Dr. Eris RUSI

Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e Re”

Korçë