E Marte 09 Tetor 2012 17:48

Bisedat e mia me Kafkën

Shkruar nga  landi
Vleresoje kete njoftim
(1 Vota)

 

Franc Kafka, gjeniu i paraqitjes

tè dobësisë e dhimbjes njerzore


 

 

Krijuesi nuk mund të fitojë vlera universale, né qoftè se vendos me ndërgjegje të tejkalojë dhe mohojë një pjesë të mirë të vetvehtes. Kështu ka ndodhur me gjithë artistët e krijuesit e mëdhenj, veprat e të cilëve kanë fituar statusin e të qënit pasuri universale. Një format i tillë krijuesi është padyshim dhe Franc Kafka.

Vepra e Franc Kafkës është një ndër piramidat e letërsisë së përbotëshme, megjithse sa qe gjallë nuk e kuptoi dhe përfilli njeri, përjashtuar shokët e tij të ngushtë, pa të cilët ndoshta vepra e tij do të kishte shkuar humbur. Dhe shokët e tij janë të paktë, mjaftojnë e teprojnë gishtat e një dore për ti numëruar.

Kryeshoku, sigurisht që është Maks Brodi, të cilit Kafka i lë testamentin për të botuar veprën e tij pas vdekjes. Kontribut të vyer kanë dhënë dhe Oskar Baum, Feliks Velsh e Dora Diamont. Por shoku më special i Kafkës, padyshim që ishte djaloshi adoloshent Gustav Janouch (Gustav Januk), kujtimet e tè cilit po i sjellim pèr herè tè parè né gjuhèn shqipe.

Maks Brod kontribuoi të bënte të njohur krijimtarinë letrare artistike të shkrimtarit, ndèrsa Dora Diamont atë dokumentare ( Ditaret ), Gustav Januku i paraqet publikut në një situatë të veçantë, rreth 25 vjet mè vonè, me bisedat e tija brilante një pjesë të mendimit filozofik të shkrimtarit të madh.

Vepra e Franc Kafkës ishte aq origjinale, aq e freskët dhe e aq patakuar më parë, sa kritika e kohës nuk ditèn çfarë të bënin me të dhe e patën më të lehtë ta linin pas dore, dmth ta injoronin. Nuk është për tu çuditur, pothujse gjithmonë kështu ka ndodhur me krijuesit e jashtzakonshëm: vepra e tyre me vlerë ka qenë telash i madh për kritikën. Gjithmonë përballë gjeniut, mediokrit, për ta kaluar lehtè e pa probleme, bëjnë kompromis mes tyre, dhe kompromisi më i suksesshëm është heshtja rreth tij.

Ndèrsa Franc Kafka nuk ka ndërmend të presë kritikën. Ai ndjen e kupton se nuk ka kohè pèr tè humbur dhe shkruan e shkruan: kur nuk ka inspirim pèr letërsi artistike, shkruan ditaret e tij dhe atje pa mèshirè e kompromis, bën pacientin e kirurgun me vehten. Një kritik i ashpër e i pakompromis, sa nuk mund ti gjendet shoku në historinë e letërsisë. Ai merret me vehten, përqëndrohet intensivisht aty dhe zbulon se dobësia e dhimbja e tij njerzore, është shkaku madhor që e detyron të shkruajë.

Megjithë organizmin i tij shumë delikat, Franc Kafka shfaq një forcë të jashtzakonëshme kur vjen puna të merrte penën pèr të shkruar. Franc Kafka njeri e krijues, është shembull i gjallë i madhështisë e heroizmit njerzor, i cili e  bën vehten copë copë për të nxjerrë në dritë atë çfarë fsheh brenda saj. Kafka është një shembull i rrallë i vetshkatrrimit me ndërgjegje të plotë, i shkuarjes kundër jetës thjesht biologjike, i refuzimit të një jete të qetë ë kënaqësive personale njerzore, me një qëllim të vetëm: në shèrbim të artit të tij.

Perendia e vetme e Kafkës ishte arti i tij. E konsideronte vehten me fat që kishte mundësi të shprehej sa e si duhej, vetèm në formè e mënyrë artistike dhe kur flet diku në ditaret e tij se „ beson në diçka qëndrueshme e të pashkatërrueshme brenda tij “, patjetër e ka fjalën për artin e tij, perèndinè e vetme. Kafka është i qartë dhe i bindur se ajo gjë nuk ishte dogmë, por i vetmi mjet, e vetmja nevojë për të tejkaluar, jetèn e zakonèshme, mungesèn e familjes, kohèn e madje dhe vehten. Dhe vèrtetè ndodhi kèshtu, vetëm me artin e tij ai mundi të tejkalonte vehten, mundi të transformonte përditëshmërinë banale në një plan fantastik, të vizatonte të pazakonshmen, të jashtzakonshmen në një plan krejt të zakonëshëm e normal. Vetëm kështu ai mund të spostonte te tashmen e ngrirë në një të ardhme artistike joshèse, vetèm kèshtu mundi qè jetën ta shëndërronte në njè vepër artistike tè mrekullueshme.

Diku në ditaret e tij, Kafka shkruan për vehten:

 

„ Nuk jam i paisur me asgjè, nuk përmbledh në vetvehte, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, negativiteti më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj “

 

Franc Kafka inteligjent si rrallè kush, kupton shpejt se ku qëndron forca e tij e vërtetë, dhe me ndërgjegje e vë organizmin e vet në shërbim të krijimit të botës së tij, botës kafkiane. I përqëndron gjithë energjitë e tij drejt artit që kërkonte me forcë të shpërthente te ai dhe jeton aq intensivisht në shërbim të këtij misioni sa nuk e lë vehten me ndërgjegje te shpërqëndrohet në gëzimet që jeta  i ofron një njeriu normal. Refuzon me vendosmèri, pa hezituar asnjè herè një jetë të  qetë që i siguronte bashkëpunimi me të jatin, tregëtar i pasur, i cili nga ana e tij kishte varur te i biri i vetèm gjithë shpresat qè njè prind e fabrikuar krejt ëndërrat që një njeri me shpirt tregtari mund tè bëjè për të birin.

 

II

 

 

Franc Kafka ishte njeri super i ndjeshëm jo vetëm për gjendjen e tij personale humane por dhe më gjërë. Si mund tè themi ishte megjithmend një i huaj i pashoq, në tërë kuptimin e kësaj fjale, për krejt pjesën tjetër të qënies së tij, që nuk kishte të bënte me njeriun, artin e krijimtarinë artistike.

Alkimia kafkiane e dobësisë dhe dhimbjes njerzore, distilimi tyre gjatè një jetë të tërë, dhe pse ajo qe një jetë e shkurtër, bënë që vepra e Kafkës të fitojë përjetsinë.

Kafka njeri e kishte shumë më të lehtë ta administronte fatin e tij, duke pranuar apo dhe thjesht duke e ndihmuar projektin që kishin menduar prindrit e tij për të, sidomos i ati. Por jo, nuk ishte thënë të ndodhte kështu.

Në „ Letër babait „ ai sqaron gjithçka lidhur me këtë temë. Edhe se një gjë tepër e vështirë e komplekse kur vjen puna për të sqaruar mardhëniet në familje. Mund të jetë ndryshe e vèrteta, sigurisht pa dyshim, por Kafka gjithë përgjegjësinë pèr kètè gjè e merr për vehte. Gjendjen në opozitë, gjendjen mbi gjemba në familje, ai e përjeton dhe e tregon si fajin i tij eskluziv, si pamundësi për tu sistemuar aty, si një i përzënë sepse nuk kishte forcën dhe aftësitë e duhura për tu sistemuar si donte babai i tij.

Ndërkohë që nga njëra anë Kafka refuzonte, apo nuk guxonte të hynte në botën familjare, në botën e tregëtisë, interesit, ai gati në mënyrë instinktive përqafonte vetminë e tij, mangësinë e tij dhe dalngadalë filloi të prgatisë projektin përkatës.

Projekti i tij ishte i pakonceptueshëm për kohën. Projekti i tij ishte mitizimi i njeriut të dobët, e sidomos i dhimbjes së tij. Deri në kohën kur kafka mori formè tè plotè si krijues, jo vetëm në jetë por dhe në letërsi respektohej pa hezitim, pa mèsyshje, vetëm miti i heroit, miti i fitimtarit, miti i njeriut që kërkon me këmbëngulje e me çdo çmim fitoren, arritjen e qëllimeve të jashtëme, mundjen e armikut dhe gjithë kush tjetër i del para.

Bashkohësi i tij i famshëm, nobeli Herman Hese, kur ka thëne një herë se  „ Nuk besoja se shpesh herë duhet më shumë kurajo për të mos bërë heroin se sa e kundërta „ pa dyshim ka patur parasyshë dhe jetën e sidomos veprën e Franc Kafkës.

Kafka e njohu thelbin e njeriut, sepse njohu vehten e tij shumè shpejt. Ai kuptoi se në themel të qènies sè tij nuk qëndron gjë tjetër, përveçse një tension i përjetshëm kundërshtishë e

përplasjesh forcash të kundërta. Kafka njeri e artist vazhdonte të transformonte vehten dhe gjatë këtij transformimi vizitonte gjithmonë e më shumë shpirtin e tij. Atij i ndodhte pèrditè ajo që i ndodh një njeriu të zakonshëm kur fillon e i dhemb një organ i trupit të tij i sèmurè, por me përmasa të tjera, me përmasa madhështore. Njeriut i dhemb një organ fizik i trupit të tij dhe vetëm atherë kujtohet e bëhet i ndërgjegjshëm se filan organ eksiston dhe duhet dëgjuar se çfarë po kërkon të  thotë me ato sinjale tè çuditèshme. Dhembja fizike njeriun e zakonshëm jo vetèm e bën të vuaj, por njëkohësisht e detyron dhe të rritet psikologjikisht pak nga pak.

Kafka kupton pèrditè e mè shumè se njeriu i dobët, njeriu që dhemb është një mëkatar pa faj. Ai nuk mund të guxojë, ose guxon por ndryshe nga kuptimi klasik i kësaj fjale. Njeriu që dhemb e ka më të lehtë të sillet me vehten si burracak, sepse e din se sa herë i duhet tè luajè, do të humbë.

Në veprën e Kafkës vërtetë dominon ankthi, por ankthi këtu nuk është aspak ndjenjë meskine. Ankthi kafkian është ankth ndryshe. Njerzit e botës kafkiane nuk kanè nevojè tè presin qè të hedhin vështrimin drejt të ardhmes, për tu ndjerë në ankth. Jo, ata lindin të plazmuar me ankth. Heroin kafkian e torturon natè e ditè mendimi se mos bëhet barrë pèr tè tjerèt, pèr jetèn, dhe lufton me mish e me shpirt që kjo gjè të mos ndodhë. Ankthi i njeriut kafkian është i thjeshtë, por dhe i tmerrrshëm: ai mund tè shprehet krejt natyrshèm me pyetjen e pafajshme: „ Mos nuk jam i nevojshëm? “ Dhe ky ankth zgjidhet në dy menyra ose  shkrihet si qiri nè mundèsinè pèr tè mos vendosur, ose vetvritet nè pasivitet tè plotè.

Kafka është i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm jo vetëm për atë çfarë bën kur shkruan e mendon, por sidomos për atë  që është, atë që  ndjen se është. Nuk shqetsohet tu japë domethënie veprimeve të veçanta, por mënyres të jetuarit.

Franc Kafka vetëm pasi arriti tè njohè vehten e tij, vetëm pastaj ishte i sigurtè qè të krijojë artistikisht njeriun si qenie e papërkryer, qè nuk mund tè pèrsoset kurrè e si e tillë i mbetet vetèm njè detyrè: tè pèrpiqet e të luftojë për ta tejkaluar vehten. Njeriu në fakt është shumë larg asaj që kujton se eshtë. Vepra e Kafkës përpiqet dhe arrin të zbërthejë kètè gjendje paradoksale të njeriut. Për fat të keq njeriu nuk është i bërë, njeriu është i mangët. Njeriu gjatë jetës së vet mund të bëjë vetëm një gjë: të përpiqet ti japë domethënie sa mè shumè tè jetè e mundur asaj.

Gjendja personale e Kafkës kishte ngjashmëri të madhe me gjendjen shoqërore të kohës kur jetoj ai. Negativin e kohës së tij ai e shihte nè detaje, mè mirè se sa shohin njerzit e zakonshëm një fotografi me ngjyra. Kafka  është ndoshta krijuesi i parë që kapi, perceptoi ngrirjen e jetës së përditëshme dhe çveshjen e njeriut e reduktimin e tij në një gjë pa vlerë. Njeriu në veprën e Kafkës nuk shkon aspak drejt përsosjes por drejt gjymtimit.

 

 

III.

 

 

Franc Kafka jetoj pak, ai vdiq pa mbushur akoma dyzetenjë vjeç. Përshkoi një jetë intensive. Jeta e tij është vepra e tij. Kush ka lexuar veprën e Kafkès nuk e ka hiç të vështirë të konstatojë se jeta e njeriut është një rrezik i qartë pèr tu pèrballuar. Siguria e njeriut, sidomos siguria morale e tij, por dhe ajo fizike janë thjesht një mit. Dhe kjo për asgjë tjetër, por thjesht sepse njeriu nuk din çfarë të bëje me jetën e vet. Njeriu nuk e di ku ka pikën e dobët dhe atë të fortë të tij, ose dhe nëse vjen një ditë dhe e zbulon këtë gjë nuk është i aftë të vërë në shërbim të jetës së tij forcën, vullnetin, inteligjencën e lirinë e tij edhe po tè donte, sepse  njeriu nuk jeton i izoluar.

Franc Kafka është shembull, njè shembull unik i administrimit të kohës si vlerë. Tre vlerat themelore të kohës: atè si vlerè, si pervojè dhe si vlere kreative e qèndrimore; ai i shfrytëzoi në mënyrë të përkryer. Vlerën e kohës si eksperiencë, si përvojë ai shfrytëzoi duke treguar mrekullisht atë që i ndodhte atij, përvojën e tij si njeri e krijues. Vlerën kreative të kohës, ai e dëshmoi duke e bërë që të eksistojë qè tè mbijetojè me aktivitetin e vullnetin e tij si krijues dhe vlerën e kohës si qëndrim ai e dëshmoi me përgjigjen e tij në rrethana ti jashtzakonëshme e kritike, siç ishte sëmundja e tij e pashërueshme.

Shpirti i tij i delikat, shpirti i tij i ndjeshëm ndjente, kuptonte  intensivisht e thellë gjëra e simptoma të pakapëshme për njerzit e zakonshëm. Gjithë këto ai i pasqyron artistikisht në ditarët e veprat e tij letrare, dhe si mendimtar një pjesë të mirë në bisedat e famëshme që vazhduan katër vjet rrjesht me muzikantin slloven, Gustav Januk.

Franc Kafka ishte jo i zakonshëm dhe si njeri. Gustav Janukut, atherë shtatëmbëdhjetë vjeç, shkrimtari i famshëm e bëri për vehte qè në fillim me personalitetin e tij njerzor.

Franc Kafkës i mjaftonte vehtja e tij, pena e letra për të mbushur kohën, sepse  krijuesit gjenial i mjafton vetvehtja për të mbushur heshtjen dhe vetminë që e rrethon. Gjeniu kundron i shkëputur botën dhe nuk i bën përshtypje, e nuk i kushton rëndësi zhurmës e opinionit. Nuk ka nevojë për shoqata e parti, nuk ka nevojë të fluturojë  me tufën siç bëjnë patat. Atij i mjaftonte shpirti i tij, talenti e arti që i vlonte. Menjëfjalë ishte një pasanik, thjesht sepse nuk kishte nevoja.

Fjalët e filozofit gjenial të lashtësisë, Sokratit, i shkojnë shumë për shtat në mënyrë të veçantë Kafkës: „ Nevojtar për shumë pak gjëra, ai ndihej si një perendi “. Talenti i tij i jashtzakonshëm e ndërgjegjsoi të zgjidhte dhe ai zgjodhi, zgjodhi kufizimin e nevojave që nuk kishin lidhje me artin, zgjodhi sakrifikimin e përditshmërisë siç e kuptojnë njerzit e zakonshëm nè favor tè artit. Jeta e tij mund të përkufizohet si jeta e një njeriu që kërkonte të merrte nga ajo sa më pak të ishte e mundur, e nga ana tjetër ti jepte asaj maksimumin e mundshëm.

Franc Kafkës i shkonte shumë mirë të bisedonte me vehten sepse ishte intelektual i klasit ekstra. Asnjë bashkbisedues, asnjë dialog, nuk mund të zevendsojë monologjet e gjeniut. Dialogut, dhe atij më cilësorit, i mungon thellsia e mendimi që përçon monologu. Në fund të fundit inteligjenca e gjenialiteti nuk shkojnë dhe aq dakord me shoqërinë, sepse sa më i pasur të jetë personaliteti dhe shpirti i njeriut aq më pak ka nevojë për shoqërinë, si lundër për të kaluar liqenin. Kush kultivon mendimin, i beson atij dhe nuk i pëlqen shoqëria e sidomos urren turmat e sallonet mondane. Intelektuali nuk ndalet ti japë barë kush zë rrugën i pari.

Franc Kafka diku në bisedat me djaloshin inteligjent Januk e krahason vehten me „ sorrën e qymyrxhiut Teihhof “ . Franc Kafka, po, mund të krahasohet me një shqiponjë të vetmuar që mediton mbi një shkrep mali të  thepisur, ose ose dhe me një korb që i pëlqen të rrijë i vetmuar në një degë lisi, sepse tufa e sorrave e mërzit me zhurmën e palaçollëqet që bëjnë shumicën e kohës.

Franc Kafka ishte aristokrat i mendimit, fund e krye. Ai nuk honepste banalitetet e vulgaritetet, por nga ana tjetër dëshmonte mirësi, e sjellje njerzore me njerzit që e meritonin dhe njëri nga këto ishte dhe djaloshi Januk, që pastaj, njëzet e kusur vite më vonë i bëri të njohur njerzimit vlerën e Kafkës si filozof e mendimtar.

Franc Kafka është shkrimtar i dhimbjes universale. Jo pak e konsiderojnë atè si prototipin e shkrimtarit pesimist. Por të mos harrojmë se pesimizmi i Kafkës është një pesimizëm origjinal. Pesimizmi i tij nuk ka një gram humor të  keq, pesimizmi i tij (në se mund ta quaj kështu), nuk të mërzit, nuk ta bie në majë të hundës, nuk e bën depresiv lexuesin inteligjent. Pesimizmi i Franc Kafkës, është pesimizëm i „mirë“, është në fund të fundit i kthjelltë, sepse ai u çjerr maskën iluzioneve dhe zbulon i paanshëm mjerimin real të shoqërisë njerzore. Pesimizmi kafkian dhe koncepti realist i njeriut i bën optimistët të rrinë me këmbë në tokë, ta shohin realitetin ashtu si ai është. Veprën e Franc Kafkës duket sikur e ka shkruajtur një profet, një profet që nuk ka pasione, nuk ka nevoja duke përjashtuar  artin e tij.

Kafka njihet si shkrimtari i situatave ekstreme ku njeriu i zakonshëm gjendet pa asnjë faj, koshient e inkoshient, i akuzuar. Prokurori i personazheve kafkianë është burokracia, jo thjesht  tè burokracisè shtetèrore, por tè burokracisè  qè vetè koha  e shfaq. Njerzit janë në dorë të autoritetit absolut, nuk kanë mundesi e as shpresë të dinë pse jeta e tyre duhet të kalojë, dhe pse kalon në gjendje absurde.

Personazhet e Kafkës janë të ndaluar të jenë të lumtur, janë te destinuar të mos jenë të lumtur dhe kërkimi i kësaj gjëje nuk është gje tjetër veçse humbje kohe. Heronjtë kafkianë nuk mund ta bindin vehten për të bërë minimalen: të paktën të prekin iluzionin e lumturisë se janë duke sakrifikuar të tashmen e tyre për atë që vjen më pas. Një arsye tjetër mund të jetë dhe dyshimi i tyre i përjetëshëm “ se nuk janë të nevojshëm “.

Në veprën e Franc Kafkës nuk eksiston lumturia, por vetëm motive që e bëjne njeriun detyrimisht të ndjehet fajtor. Fajtor pa qënë në fakt. Fajtor sepse nuk beson dhe ndërkohë që nuk arrin të bëjë  asgjë përballë mjerimit të shoqërise, mjerimit shumëplanësh. Dhe njeriu ardhur në këtë stad, nuk ka nga ja mban, nuk mund ti shpëtojë instinktit të vetshkatrrimit.

Nuk ka dallim realja nga surealja në narrativën e Kafkës, gjithçka vjen e rritet, bëhet e qartë e lakuriq jeta, ngjarjet. Githmonë ka të drejtë autoriteti, prindi, familja koha edhe kur nuk ka. Njeriu është gjithmonë i kërcënuar, gjithmonë në ankth.

Franc Kafka është një nga shembujt lapidar të njerzinit që hetoi mbi vehten, zbuloi vlerat dhe u cfilit me ndërgjegje për të materializuar ato në artin e krijimtarinë e tij. Ndërsa vepra e tij èshtè një shembëll brilant se çdo qenie njerzore, o rastësisht o domosdoshmërisht i jepet rasti e mundësia për tu bërë një fillim. Linda e tij, ardhja e tij në jetë duhet konsideruar si një ftesë që bashkë me kostitucionin e tij fizik të sjellë  diçka të re. Kushdoqoftè  ajo.

 

 

 

VI.

 

 

Franc Kafkës i qëlloi të njihej me djaloshin Gustav Januk dhe të diskutonte me të katër vitet e fundit të jetës së tij. Është jo vetëm e jashtëzakonëshme por dhe e çuditëshme sjellja e djaloshit Januk ndaj Kafkës. Në kundërshtim me opinionin e kohës, kur numëroheshin me gishtat e dorës ato që shihnin në shkrimet e Kafkës, dorën e një gjeniu të letrave, djaloshi Januk, mezi priste rastin të takohej me të dhe menjëherë pas bisedës, sapo shkonte në shtëpi merrte penë e letër dhe regjistronte me një korrektesë e vullnet jo të zakonshëm fjalët akoma të freskëta të bashbiseduesit të tij fenomenal.

Megjithse ky liber “ Bisedat e mia me Kafkën” nuk ka anën formale të ditarit, ai fare mirë mund të konsiderohet një ditar special i Kafkës, një ditar i çmuar për këdo që don të informohet sidomos mbi anën shpirtërore të shkrimtarit të madh.

Po kush është Gustav Januku?

Ai njihet më shumë si kompozitor muzike, sidomos i muzikès të lehtë por dhe si autor i shumë librave me temë muzikën. Lindi në vitin 1903 në Maribor të Sllovenisë dhe vdiq në Pragë më 1968. U transferua në kryeqytetin çek kur ishte vetëm pesë vjeç dhe kreu studimet aty e mè vonè dhe në Vjenë. Gjatë luftës së dytë botërore mori pjesë në anën e rezistencës. Një vit pas përfundimit të luftës, në vitin 1946, e arrestojnë. Arrestimi i tij mbështetet nga akuza fallco bërë ndaj tij nga funksionarë karrieristë të pushtetit të vjetër. Gustav Januku kalon kështu një kalvar të tmerrshëm,13 muaj burg preventiv në burgun special të Pankracit, deri sa në mars të vitit 1947, lirohet sepse konsiderohet i pafajshëm.

Gustav Januk bën burg kot, fiton pafajsinë por ndërkohe gjatë burgimit bëhet i ndërgjegjshëm për vlerat e jashtzakonëshme të prozës kafkiane. Në periudhën me të vështirë të jetës së tij, pikërisht kur pësoi në kurriz të vet burgun real e absurd dhe si pasojë një depresion të madh fizik e mendor, kuptoi në themel shkrimtarin Franc Kafka, me të cilin ai  kishte kaluar katër vitet e fundit të jetës.

Vetëm gjatë përvojës sé tij personale të gjallë, si i burgosur pa faj, ai e kuptoi se si ndjehej shkrimtari i madh në jetë. Ankthi jo më larg se një çast nga vdekja, persekutimi i pashembëllt, vulgariteti burokratik, kaosi i konceptuar si inteligjencë, me një fjalë gjithë temat e trajtuara nga Kafka, bëhen përvoja e tij e zakonëshme e çdo dite që kalon në burg. Dhe Gustav Januku, atëkohë burrë i pjekur, merr një zotim nëse del gjallë nga ferri i tij real. Të gjejë shënimet e braktisura ku kishte regjistruar bisedat e tij të famëshme me Kafkën dhe ti botojë.

Një muaj pasi lirohet libri ishte gati për botim.

Në qershor të vitit 1947 bisedat e tij me Kafkën bërë dekada më parë botohen e ribotohen. Pastaj libri përkthehet pothuaj në gjithë gjuhet e botës.

Suksesi është i plotë.

Nga Petrit Sulaj

 

Informacione shtese

  • Autori:
  • Redaktor:
  • ISBN:
  • Nr i Faqeve:
  • Shtepia Botuese: Botimet ADA
  • Cmimi:

Shto nje koment

Make sure you enter the (*) required information where indicated.
Basic HTML code is allowed.

Reklama

Zona e Perdoruesit

| + - | RTL - LTR

Kalendari

« Tetor 2014 »
hen MAR MER ENJT PRE SHT DIE
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31