…Vëllimi poetik i Sokrat Kotheres dallohet për një tematikë të pasur duke prekur e trajtuar në rrjedhën e tij spontane e të natyrëshme motive nga më të ndryshmet, me një ndjenjë drithëruese me ngjyra të gjalla, figuracion origjinal, stil lakonik me fjalë të kursyera, të zgjedhura e të sakta si dhe me larmi ritmike e strofike….

Titulli: Kryefjalët e shpirtit tim
Autor: Sokrat Kotherja
Redaktor: Ahmet Mehmeti

Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Botimi i parë, 2019
ISBN: 978-9928-296-65-8

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
www. botimetada.com
Cel: 068 22 190 16

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Kotherja, Sokrat
Kryefjalët e shpirtit tim : poezi / Sokrat Kotherja ;
red. Ahmet Mehmeti. – Tiranë : Ada, 2019
ISBN 978-9928-296-65-8
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

P O E Z I A Q Y T E T A R E E S O K R A T K O T H E R E S

Si mund të thuash se ke jetuar kur s’ ke nje histori për të treguar, thote Dostojevski. Kurse per Tuqididin, historia është filozofia në shembuj. Për poetin Sokrat Kotherja filozofia poetike e jetës tingëllon kështu: “Të gjitha realitetet / Kanë jetuar / Si ëndrra një herë, / Vjen një ditë / Ëndrrat bëhen jetë / Përpjekja njerëzore i ushqen / Ajo si frymë e shenjtë/ / I kthen ëndrrat / Në materie shumë shpejt”.
Poeti Sokrat Kotherja e kaloi gjithë jetën e vet midis fëmijëve si mësimdhënës i përkushtuar me gjithë qenien e tij dhe i pa ata se si ndiheshin e si integroheshin me botën, diellin, token, lumenjtë:
“Në shpirt e ndiejn / Të mirën dhe të keqen / Mallin dhe urrejtjen / Ata vetëm lumturi sjellin / Dielli i mirëpret / Kur hyn e del, / Lumenjtë ndalen, / Toka lëvizjen pret”.
Është pikërisht kjo jetë aktive që e ka frymëzuar poetin ta ketë temën e edukimit të brezit të ri si një nga motivet më frymëzuese në krijimtarinë poetike. Motivi i dashurisë për arsimin dhe brezin e ri i ka rrënjët në trashëgiminë atdhetare të rilindasve dhe luftës së tyre kundër megaliideistëve fqinjë si ç ishte njeri nga më të shquarit prej tyre, Petro Nini Luarasi për të cilin ai do shprehet: “Erërat e diturisë / Me brryle shtynë / Injorancën tuaj / Megalomanë” (“Atë natë”).
Autori punën e mësuesit e krahason me ate të heronjve: “Mësuese e dashur e klasës së parë / Tu mbush koka me tela rrezear / Ta shtuan këta tela ty bukurinë / Binjake më dukesh me një heroinë” (Mësueses së klasës së parë). Dhe duke u përqëndruar tek motivi i dashurisë poeti ynë e shtrin domenin e saj përveç tek nxënësit e kolegët mësues deri tek zemra e madhe e popullit të vet: “Për dashurinë, më të bukur lëndinë / Se zemra e popullit tim nuk kam gjetur / Për prehjen e trupit, shpirtit / Përveç folesë së shqipeve nuk kam zgjedhur” (Unë).
Në poezine e Sokratit koncepti i dashurise zgjerohet pa cak, në gjithë anët e atdheut: “Mëngjeset e fshatit / Më kanë hyrë në shpirt” pohon ai. Dhe në këtë atmosferë dashurie poeti ndihet i lumtur, i mrekulluar, arrin jo vetëm ta shohë por edhe ta prekë lumturinë, ajo shkëlqen me praninë e saj në zemrat e njerëzve: “Nuk është e vërtetë që lumturinë / S’e prek dot me duar / Ajo thellë në sy të ndrin /Ajo thellë në zemër rri zgjuar” Metafora të shprehura kaq natyrshë e kaq thjeshtë dëshmojnë për talentin e rrallë të një mjeshtri të fjalës poetike si SokratKotherja.
Metafora përdoret me mjeshtëri edhe kur ai shkruan poezi peisazhi si kjo me titull “Edhe pranvera qesh”: “Mos u duket çudi / Dhe pranvera qesh /Ajo ngjan me nuset / Gjelbërimin ka stoli / Të qeshura ka lulet”
Një figurë tjetër e preferuar e poetit është edhe krahasimi, i cili përdoret shpesh sipas gjedhes popullore: “Atje midis pyllit / Bie në krah të bandillit / Vajza e bukur / Si rrezja e yllit”. Edhe krahasimi I zgjatur (similituda) përdret me mjeshtëri nga autori, i cili krahason rënien e gjetheve kur thërret: Kështu do të shkunden / Prej kokës së njerëzve / Mendimet e errta, / Mendimet e trishta”.
Similituda i shkon shume bukur edhe motivit atdhetar, e kombinuar me metoniminë dhe simboliken etnike. Ja si i kundervihet autori armikut serb “me urë zjarri në dorë” në poezinë “Bozhuret”: “Si çdo lule në Kosovë / Me miliona farëza / Lëshojnë në tokë / Si breshër, si borë” .
Vëllimi poetik i Sokrat Kotheres dallohet për një tematikë të pasur duke prekur e trajtuar në rrjedhën e tij spontane e të natyrëshme motive nga më të ndryshmet, me një ndjenjë drithëruese me ngjyra të gjalla, figuracion origjinal, stil lakonik me fjalë të kursyera, të zgjedhura e të sakta si dhe me larmi ritmike e strofike.
Këto si dhe veçori të tjera të kompozicionit poetik të Sokratit e tërheqin lexuesin drejt zbulimit të perlave nga më të bukurat në një shtrirje kohore qe përfshin pamje nga tre sisteme shoqërore: para Luftës së Dytë Botërore, gjatë Diktaturës dhe në Tranzicionin aktual.
Nga kjo pikëpamje kjo vepër letrare është një gjedhe (model) se si e sheh autori historinë me sytë e artistit dhe si e ndjen ai çdo dukuri te kësaj bote duke reaguar artistikisht me mjetet figurative të fjalës së zgjedhur. Në vazhdën e poezisë më të bukur të trashëgimisë kombëtare kjo lloj poezie sjell nota të reja qytetarie me motive sociale si varfëria, kurbeti /emigracioni, pasurimi i beftë i pushtetarëve dhe politikanëve në kushtet e një shteti pa shtet (korrupsioni), papunësia, jeta e mjerë e pensionistëve dhe shtresave të tjera në nevojë etj.
Por poeti nuk evidenton vetëm anët e errta të realitetit. Ate e tërheqin dhe e emocionojnë edhe pamjet madhështore ose delikate, siç shprehet ai: “Syri herë mbetet tek një kreshtë / Herë ngulet tek një pulëbardhë” kur ndeshet me madhështine e “Aortës së Matit” në hidrocentralin e Shkopetit ose e entusiazmojnë ndërtuesit e Cerrikut “Që rritin qytetin / E përkëdhelin si fëmijë” …/ lenë fytyrën e tyre / Në fytyrën e tij” , etj. Vlen të theksohet këtu se Sokrat Kotherja është poeti i parë në historinë e këtij qyteti që ka dalë nga bankat e gjimnazit të Cerrikut.
Me zërin e tij në poezinë shqipe poeti i drejtohet “Tokës së dashur” me krenari: “Përqafuam agimet e trëndafiltë / Dhe shaluam kuajt e ëndrrës / …Mbi ty mbollëm / Lulet më të zjarrta të zemrës” kurse si një triumf të fundshekullit të njëzetë në historinë tonë kombëtare trumbeton arritjen më të madhe në poezinë “ Kosovarët”: “Mblodhën dritën e syve / Mblodhën ëndrrat e tyre / Që të mos i mungojë kurrë / Kosovës së përflakur / Kosovës së pavarur / Shpresa për të ardhmen”.
Duke përfunduar së lexuari vëllimin poetik të Sokrat Kotheres i sheh dhe i ndjen frymëzimin dhe besimin e tij në këmbënguljen njerëzore për realizimin e ëndrrave më të bukura përmes dritës së diturisë.

Ahmet Mehmeti
Elbasan, 2019