LADY

Lady nuk është delikatesë porcelani! Nuk është sipërfaqe që qepet e shqepet sipas dëshirave, joshjeve, vizionit të rrobaqepsit amator-njeri. Lady është përfaqësi e një personaliteti unik, që ka në përmbajtje të gjitha ngjyrat e ylberit. Është kordoni që sjell krijesa nga gjaktrupi i saj, duke i dhënë botës vazhdimësinë… thotë autorja tashmë e mirënjohur Pranvera Drita Gjoni në esenë përcjellëse të librit të saj më të fundit “LADY”, që vjen edhe këtë herë nën logon e shtëpisë botuese “ADA”

Titulli i librit: LADY
Autor: Pranvera Drita GJONI
Kopertina: Ana GASHI
Redaktor & Korrektor: Pranvera Drita
Sponsor: Ana & Ergys GASHI ( fëmijët e mi)
© : Autorja

Përgatiti për botim: Roland Lushi
ISBN: 978-9928-296-15-3

Formati: 13.5 X 20.5
Botimet ADA
Shtëpia Botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall. 32 Ap.7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, maj 2019

ESE
Lady

Artikulon Lady në vetëvete, apo dhe me zë në hapësirë, e sytë naiv kërkojnë të shohin zonjën elegante larë në parfum “trezor” që lëshon aromë ndjellëse hijes që lë pas. Veshur me fustan “Versaçe” që përshfaq zonjat e kohës barokiane me shërbëtorë nga pas, sëcilës me përkushtim të kushtëzuar, i rregullojnë detajet kur era ia lëviz ecjes së saj prej perëndeshe. Melodia e takave të saj që kompozon asetin e zonjës. Që krijon imazhin e udhërrëfyeses perandoriake të shumëshikuar, adhuruar, admiruar…, ekzemplar që publikohet revistave të modës e bëhet “shkollë” e gjeneratës në rritje, për t’i “vjedhur”, huazuar, a ngjarë sadopak me mjetet artificiale që teknologjia sot prodhon pa rezervë…
Këtu fillon gabimi që përfundon në faj! Lady nuk është delikatesë porcelani! Nuk është sipërfaqe që qepet e shqepet sipas dëshirave, joshjeve, vizionit të rrobaqepsit amator-njeri. Lady është përfaqsi e një personaliteti unik, që ka në përmbajtje të gjitha ngjyrat e ylberit. Është kordoni që sjell krijesa nga gjaktrupi i saj, duke i dhënë botës vazhdimësinë. Është metodika që sjell revanshin e të mbijetuarës me sakrifica sublime. Është Zonja që bukurinë natyrore e shumëfishon dimensionalitetit të përkushtimit, vetëmohimit, diturisë, urtësisë, inteligjencës, ambicjes për të qenë lidër i kulluar në mbarëvajtjen familjare, shoqërore, kulturore, politike…
Në gojët e shtypit komercial, Lady ka humbur virgjërinë! Është shformuar në një plastikë, ku çdokush mundet ta vesh e zhvesh sipas oreksit. Ta ndërtojnë e ta shëmbin, ta ngjitin në karrierë e ta masakrojnë, ta pagëzojnë ëngjëll e ta demaskojnë djall… dhe kjo si derivat i një shoqërie dekonstruktive, i një familje të vakët ku patriarkaliteti sundon me të gjitha mjetet korruptuese, dhunuese, dekompozuese, ndaj Zonjës që mundohet të dal nga burgu i urdhëresave pa moral, pa ushqim kontributi, pa karakter bilateral… e natyrisht, media si konsumatori më nevralgjik e shfrytëzon imazhin e saj të krijuar artificialisht, frikën e saj për të triumfuar me çdo kusht, duke e shtyrë të humbasë gjithë pasurinë natyrore e të qënit Zonjë në botën e saj shpirtërore e konformiste në shoqëri…
Fatmirësisht, ekzistenca e Zonjave “de fakto” është fari i qëndresës. Gjurmët e tyre janë gdhendur në celoluid të kohërave, si individë që proçedurojnë ligësitë e gjinisë së vet dhe asaj mashkullore. Janë ato zëra që meditojnë në heshtje, flasin kur duhet, revoltohen kur logjika s’mund të pajtohet, s’njohin përuljen, pazarllëqet, frikën, dështimin, zbrapsjen…
Por, janë pak, shumë pak në këtë amulli përbindshash, ku rregulli i xhunglës edhe në këtë shekull s’ka pësuar rënie. Shton në proporcion të zhdrejtë mazhorancën e të friksuarës, të dështuarës, të dhunuarës, të fajshmërisë e të diskretituarës… duke e shndërruar Zonjën në një medalje të mjerimit psiko-fizik. Dhe kjo si e vetmja formë për ta trajtuar atë si shollë këpuce, për t’i lehtësuar vetes pushtimin kategorik të saj, e për të ruajtuar të paprekur konceptin skllavërues të gjinisë së brishtë…
Metastazat kanceroze të mediokritetit, fshehin mjeshtërisht elegjitë që luhen brenda mureve. Brenda tyre dhimbjet pikturojnë disfatën e lumturive të rreme, që konvertohen jashtë tyre me kufoma të shformuara në shabllone që i ngjajnë kukullave me bateri, që sapo t’u shtypësh butonin ndërsocializohen derisa tutori e rishtyp atë përsëri për t’i rikujtuar brutalisht limitin-mjaftueshëm.
Pushteti fizik, sjell pushtimin organik të mbarëjetës. Inferioriteti është makina dhunuese si e përveçmja trofe që përdoret në marketingun e nderit të blasfemimit. Në emër të forcës krijohen tragjeditë komediane si shpërblim për qënien e shkelur, duke i marrë nëpërkëmbë gjithçka të bukur që një grua jep prej magjisë së saj gjithëtokësore, të përndritshme, gati-gati hyjnore të paarritshme…
Lady-të ushtrojnë energjitë diellore për ta vrarë inkuizicionin, kamuflazhin, vartësinë, superioritetin, ashpërsinë. Për t’i dhënë botës besimin e mirëkuptimin, e një jete që ka nevojë për zotërinjë. Sëbashku të krijojnë unitetin e përsosmërisë së vlerave, e jeta të vallëzojë në duete ekuivalente, duke zhbërë njëherë e përgjithmonë, distancën tmerruese ndarëse mes frymës e trupit.

Pranvera Drita Gjoni

2019-05-04T19:42:47+00:00