Lulishtarët e atdheut

Titulli : Lulishtarët e atdheut
Autor: Luan K. Çipi

Përgatiti për botim: Roland Lushi

ISBN 978-9928-223-63-0
Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, mars 2017

NË VEND TË HYRJES

Shumëkush, kur vendos të botoj një libër, mendon për emrin e librit, e lidh atë me një bosht në përmbajtje dhe i jep një gjini apo fizionomi të përafërt (roman, novelë, tregime, përshkrime udhëtimi, etj.) Unë, këtë radhe nuk arrita të respektoj emërtesën e ndonjë gjinie letrare, po thjesht e formova këtë libër me një cikël shkrimesh të krijuara në një periudhe kohore të përbashkët, pa pritur që të bëj të tjera shkrime dhe më pas t’i ndaj ato në gjini, me mendimin se jam në moshën 83 vjeçare dhe nuk e parashikoj të rroj më tej, sa ndofta t’i arrijë kësaj dite.
Titullin e librit, dikush nuk e pëlqeu, duke e konsideruar një metaforë, që direkt të kujton burat me kazma e lopata të latërzhyer me baltën e luleve, kur unë ata i përfytyroj si burra shteti me penë e pushkë, që mundohen të lulëzojnë Atdheun e tyre te dashur, që vuan nën zgjedhë e padituri.
Pjesën kryesore të librit e kam rezervuar për disa nacionalistë, që konsiderohen edhe të dyzuar, po që janë dalluar për atdhetari, si antifashist (dhe antikomunist) edhe pse gjatë jetës së tyre, diku edhe mund të kenë gabuar.
Siç dihet historikisht, qoftë dhe për demagogji është thënë, se nazistët nuk i shpallën luftë dhe nuk e shkelën Shqipërinë si pushtues, po kalimin në të, e quajtën “dobi strategjike”. Është e vërtetë që “Qeveritë Shqiptare” të 43-44.ës ishin pro Gjermane (aleate) dhe në kabinetet e drejtuar nga Mustafa Kruja, apo Rexhep Mitrovica, shërbyen si Ministra edhe burra të shquar, si Bahri Omari, Ago Agaj dhe Qazim Koculi. Në shkrimet e mia këtë bashkëpunim të tyre (që dikush e quan kolaboracionizëm) unë e konsideroj gabim dhe faj, jo tradhti, duke arsyetuar: kë tradhtuan ata, që u munduan, mandej sakrifikuan e rrezikuan veten të qeverisnin vendin, në kohë luftash të përgjakshme dhe acarimi maksimal dhe njëkohësisht ta mbanin Shqipërinë të pavarur në atë rrokopujë? Qeveritë e asaj kohe mandej, edhe më mirë se qeveritë shqiptare nën sundimin e Italise Fashiste, ishin edhe më shumë Shqiptare dhe të pavarura, se kishin nën drejtimin e tyre edhe ushtri të vetën, mandej edhe Ministri të Jashtme Shqiptare (ç’ka nën Duçen, si mbretëri nën perandori, nuk i kishin).
Me këtë logjikë, shtyhem për analogji dhe më tej: edhe Qeveria Komuniste pasuese, po nën tutelën Jugosllave dhe Sovjetike, u krijua dhe veproi, mandej u vu në pozicion kundërshtues me ish aleatët Anglo-Amerikanë
Në këtë kuptim dënimi kapital, qoftë dhe mohimi tërësor i veprimtarisë atdhetare të shumë nacionalistëve, për shkak të ndonjë gabimi momental, ose të imponuar nga rrethanat historike, duke menduar për kohën se bashkëpunimi në drejtime të caktuara bëhej për të evituar dëme të mëdha, mua më është dukur i nxituar dhe shpesh i gabuar dhe i qëllimshëm, ose i marrë për interesa vetjake ndonjëherë hakmarrëse personale, apo klasore e deri partiake. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se shumë prej nacionalistëve dhe të gjithë ata që përshkruaj unë në këtë libër, u rigjykuan në njëfarë mënyre, në kohën e Demokracisë dhe jo vetëm u falën por edhe u dekoruan me tituj e grada superiore. +Ky mendim përfshin jetëshkrimet përmbledhëse të atdhetarëve si më poshtë:
Qazim Kokoshi, një nga ish firmëtarët e Pavarësisë, Kryetar Bashkie në Vlorë, përkrahës i FanNolit, dënuar me vdekje nga Zogu, internuar nga Gjermanët dhe Italianët dhe vdekur në burgjet komuniste, duke e dënuar, si në gjallje të tij ashtu edhe pas vdekjes;
Safet Butka, ku gjen gjithçka të mirë njerëzore: traditën e Atdhetarisë, mbartur nga paraardhësit me pikë kulmore babën e tij, Sali Butka; kulturën dhe arsimimin superior, “dojç kulturë”; kontributin e tij direkt për arsimimin dhe kulturën e popullit, duke qenë deri drejtor dhe protagonist me peshë në Liceun e Korçës, Normalen e Elbasanit, Institutin Tregtar të Vlorës, Normalen e Gjirokastrës dhe Gjimnazin e Tiranës; krijues, studiues e botues librash; antifashist i orëve të para dhe i burgosur e internuar prej tyre; luftëtar për liri e prijës ushtarak direkt në disa aksione gjurmëlënëse kundër pushtuesve Italian e Gjerman dhe hero e trim i pashoq, pse si asnjë tjetër (siç kishte premtuar) vrau veten, për të shuar gjakderdhjen vëllazërore dhe luftën civile;
Abaz Ermenji, me veprimtarinë e tij jetësore, rezulton model korrektese, se qysh më 7 Prill 1939, (profesor i historisë në Liceun e Korçës), i priti me armë okupatorët italian, ndërsa më 28 Nëntor 1939, demonstroi në krye të rinisë Korçare, kundër fashistëve italian. Më vonë u burgos nga fashistët, u internua në Itali dhe kur u kthye, luftoi direkt, si pushtuesit Italian edhe ata Gjerman, pavarësisht se ishte gjithnjë në pozicionin e një nacionalisti antikomunist. Këtë e dëshmojnë dhe misionarët Anglezë dhe Amerikanë, që deri e përkrahën dhe e ndihmuan materialisht.
Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939 aqsa duhej thënë se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, dhe kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i parë komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canit”. Mandej edhe në Konferencën e Mukjes, përfaqësoi Frontin Nac.Çlirimtar
Muharrem Bajraktari, atdhetar dhe luftëtarë që është rebeluar sa herë që ka menduar se interesat kombëtare po rrezikoheshin. Ai ju kundërvu edhe Zogut, megjithëse ishte në detyrën e komandantit të përgjithshëm të xhandarmërisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi, ai ka organizuar rezistencën e armatosur për çlirimin e Shqipërisë. Ai ka kërkuar përkrahjen dhe mbështetjen e Anglo-Amerikanëve duke bashkëpunuar me emisionet aleate që vepronin në Shqipëri.
Qazim Koculi, udhëheqësi ushtarak i Luftës se Vlorës me 1920, është një tjetër legjende trimërie dhe mençurie, për të cilin është thëne: “Me vrasjen e Qazim Koculit, italianët likuiduan njeriun guximtar, të fuqishëm, më revolucionar dhe më të rrezikshëm që kishte Shqipëria, heroin e epopesë së Vlorës dhe ndofta shpëtimtarin potencial të Shqipërisë. Ai ka qenë njeriu më i kualifikuar për me i pri popullit për një luftë deçizive kundra italianëve.. Me një Kocul të gjallë nuk ishte çudi që fati i Shqipërisë të kishte marrë tjetër rrugë.”
Sami Koka, ish Zv. Shef i Shtabit të Ushtrisë Zogiste, që kryesoi bisedimet dhe kundërshtoi kompromisin për pushtimin paqësor të Shqipërisë nga Italia fashiste, ish prefekt në Prizren, Dibër e Strugë dhe Shefi Shtabit të Ushtrisë Shqiptare gjatë okupimit Gjerman edhe pse përfshin fajin e pjesëmarrjes për disa muaj në shërbim të një Qeverie Kuislinge, (për çka Samiu u dënua, jo si kriminel, ndryshe do pushkatohej nga komunistët), është e mbushur me veprime pozitive në shërbim të Atdheut, nisur që nga dekorimi i tij në Luftën e Parë Botërore; në përpjekjet e tij për të konsoliduar e forcuar Ushtrinë dhe Shtetin Shqiptar; në qëndrimin korrekt e pa u kompromentuar, në bisedimet para intervencionit Italian dhe këmbënguljen për ta pritur me luftë okupatorin; si prefekt në Kosovë; si veprues aktiv për të mos dërguar 3 divizione me ushtarë Shqiptar si mish për top në Stalingrad dhe përfundimisht, duke refuzuar drejtimin e luftës kundër partizanëve në Operacionin e Dimrit, etj..
Perlat Rexhepi, heroi i popullit Shqiptar, u bë i njohur në Shkodër e në mbarë Shqipërinë, me aktin e tij sublim, krahas shkodranëve Jordan Misjes dhe Branko Kadies, kur ranë heroikisht në fushën e betejës, luftë të pabarabartë me fashistët Italian. Ai, pranoi vetësakrifikimin, i rrethuar tradhtisht në vendstrehimin e vet, plagosur, djegur e shkrumbëzuar, duke mohuar me neveri, thirrjen mëshiruese për dorëzim e shpëtim. .
Bajo Topulli, në periudhën plotë ngjarje kur jetoi, punoi e luftoi, si vëllai më i madh në çiftin Bajo e Çerçiz Topulli, dhe të 13 vëllezërve të tjerë të tij, u shqua midis luftëtarëve trima antiturk të kohës, po edhe si një njeri i ditur, mësues, administrator dhe udhëheqës.
Materialet e tjera të librit kanë më së shumti karakter publicistik dhe mendoj se nuk ka nevojë për shpjegime.
Lexues të dashur, ju uroj lexim të këndshëm.
AUTORI

2018-02-15T13:24:03+00:00