Trokitja e saj ishte e ndrojtur. Shkruante në facebook ca statuse, që nuk ishin gjëra të rëndomta e vogëlsira të kota e vanitoze, por kishin esencën e prozës së shkurtër artistike. Në ato pak rrjeshta kishte botë, kishte ravijëzim karakteresh, kishte detaje njerëzore që të ngrohnin. Dhe ishin detaje nga jeta e përditshme, që mbase secili nga ne i sheh, por nuk i kap për t’i futur në art….

 

Vjen në këtë fundgushti botimi më i fundit i shtëpisë botuese “ADA” vëllimi me tregime ”Një zë në park” i Vita Blloshmi Kozeli.

 

Redaktor e korektor letrar: Ndue Lazri

 

Kopertina: Gjergj Kola, piktor, Itali

 

Botimi i parë, 2019

ISBN: 978-9928-296-49-8

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

©Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall 32. Ap. 7

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2019

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

 

Të gjitha librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kozeli (Blloshmi), Vita

Një zë në park : tregime / Vita Kozeli (Blloshmi) ;red. Ndue Lazri. – Tiranë : Ada, 2019

112 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-296-49-8

1.Letërsia shqipe 2.Tregime dhe novela

821.18 -32

 

KËNGËTARE E DETAJIT NJERËZOR

 

Trokitja e saj ishte e ndrojtur. Shkruante në face book ca statuse, që nuk ishin gjëra të rëndomta e vogëlsira të kota e vanitoze, por kishin esencën e prozës së shkurtër artistike. Në ato pak rrjeshta kishte botë, kishte ravijëzim karakteresh, kishte detaje njerëzore që të ngrohnin. Dhe ishin detaje nga jeta e përditshme, që mbase secili nga ne i sheh, por nuk i kap për t’i futur në art.

Tek bisedonim një ditë në chat, i thashë pse nuk provonte që ato statuse t’i kthente në tregime. Tek e vonoi përgjigjen, m’u duk sikur nga larg ndjeva skuqjen e saj prej një autoreje të ndrojtur.

-E kam menduar, por nuk kam patur guxim,-tha pak me vonesë.

-Provoje një herë e do shikosh që do ja dalësh,-i thashë përsëri.

Pas disa ditësh, po me atë ndrojtje, që me sa duket e karakterizon gjithmonë, më dërgoi një tregim. Ishte i shkruar në mënyrë spontane, me një sinqeritet befasues. Të dukeshe sikur gjendeshe në të njëjtat situata me personazhet e saj, bisedoje me ta e shkriheshe harmonishëm në ngjarjet e jetën e tyre. Tregim i shkurtër, që lexohej me një frymë, pikërisht për atë thjeshtësi me të cilën e shkruante autorja, për ato karaktere që të duken sikur i njeh prej kohësh e të shpalosin një pjesëz apo një episod të jetës së tyre. E ti merr pjesë me ta, entuziazmohesh apo vuan bashkë me ta.

Kjo ishte Vita Blloshmi, e cila më shkruante nga ishulli i bukur i Sardenjës, ku jeton prej vitesh bashkë me familjen e saj. I thashë ta publikonte në fb tregimin e saj. Trokiti sërish me ndrojtje, por reagimi i miqve dhe i lexuesve qe i mirë, i sinqertë, inkurajues. Pas tregimit të parë erdhën të tjerë, që trokisnin më të sigurtë e më të vendosur. Disa prej tyre filluan të botoheshin edhe në portale internetike e në gazeta të ndryshme. Dhe vlerësimet nuk mungonin edhe nga miq e krijues që kishin publikuar disa libra. Kësisoj lindi libri i parë me prozë të shkurtër i autores Vita Blloshmi.

Tani, në pozicionin e një kolegu me Vitën, kam në dorë librin e saj të dytë, të cilin autorja ma ka besuar për redaktim. Më shumë se redaktim do ta konsideroja një bashkëpunim artistik midis nesh, që libri i saj i dytë të jetë jo më një trokitje e ndrojtur, por një hap më i sigurtë e më cilësor në krijimtarinë e saj.

Është një tufë tregimesh të ngrohta e me aroma gati të harruara, si ajo buka e çerepit, për të cilën na merr malli. Autorja nuk rend pas temash të mëdha e të zhurmshme, as pas manierizmave moderne në të shkruar. Ajo është si një vajzuke që rend në livadhin e madh e të blertë, duke mbledhur ato lule që tërheqin vëmendjen e saj, mbase më pak të dukshme se të tjerat, por jo më pak të bukura e aromatike. Personazhet e saj janë njerëz nga më të zakonshmit, por që herë-herë shpalosin një botë të jashtëzakonshme që të çarmatos me thjeshtësinë e njëherësh madhështinë e saj. Diku të tërheq një nënë fshati, e cila shpalos aq bukur bujarinë e saj ndaj ish komshinjve që kanë vite ikur nga fshati e malli i kthen të vizitojnë shtëpinë e vjetër, tek e cila gjejnë vetëm rrënojat (dukuri e dhimbshme që vërehet gjithnjë e më shpesh në fshatrat e vendit tonë), diku një juriste e re, që përgatitet profesionalisht në heshtje, që disi nëpërkëmbet nga kolegët e saj ezuberantë, por në momentin e duhur ajo di të dalë në dukje e të befasojë me përgatitjen e saj e diku tjetër një nënë që nxjerr nga sënduku i vjetër shaminë me aromë trëndeline e ia dhuron së bijës pasi i ka treguar atë botë të tërë dashurie që përfaqësonte për të ajo shami e thjeshtë.

Tregimet e Vitës janë përgjithësisht me dy apo tre personazhe. Shumë prej tyre kanë si motiv dashurinë. Në disa është dashuria romantike, diku dashuria e parealizueshme, diku tjetër dashuria e madhe që bën të kapërcesh hapësira ndërkontinentale e diku tjetër dashuria e tradhëtuar për motive meskine. Në ndonjë tregim dashuria vetëm sa ravijëzohet pak e mbetet si kujtim i vulosur në një puthje që tretet nëpër vite e diku si një flakë që ndizet në një çast marramendjeje e pastaj shuhet nga vrasja e ndërgjegjes.

Këta janë personazhet e tregimtares Vita Blloshmi Kozeli. Lexuesi e gjen veten në shumë prej tyre, sepse ata janë njerëz të zakonshëm si ne e jo heronj romanesh. Pikërisht kjo gjë e bën prozën e shkurtër të Vita Blloshmit më të dashur, tërheqëse, të lexueshme e të këndshme. Vita di të tregojë, di të të marrë përdore e të të shpalosë copëza jete, të të shpjerë andej nga bredhin e marrin frymë personazhet e saj, e ti si lexues ndjen frymëmarrjen e jetës.

Në këto fjalë të prezantimit të librit të ri të Vita Blloshmit, titulluar “Një zë në park”, nuk jam ndalur të evidentoj vlerat e tij, sepse dëshiroj që ti, i dashur lexues, t’i zbulosh vetë, duke e shfletuar këtë libër faqe pas faqeje.

Lexim të këndshëm.

 

NDUE LAZRI

Gazetar, Bolonjë-Itali

 

GJERDANI QË THUR VITA…

 

Të njohësh prozën e Vita Blloshmit do të thotë:

-Të shijosh një rrëfim babaxhan e të sinqertë.

-Të hysh brenda në ngjarje.

-Të ndjesh emocionin njerëzor.

-Të të përshkojë humanizmi që di ta përcjellë ajo.

Tregimi i shkurtër, i çiltër, pa komplikacione të kota….Këta janë gurët e çmuar në gjerdanin që thur Vita. Dhe nuk ndihem me faj kur i them:- Ti do jesh një gjyshe e mrekullueshme, që do tregosh aq bukur, duke edukuar nipat e mbesat që do vijnë.

Urime për më shumë, Vita Blloshmi!

 

Ilir Magjistari

Shkrimtar

 

STIL E GJUHË ORIGJINALE

 

Shkrimtarja Vita Blloshmi vjen me librin e saj të dytë me tregime “Një zë në park”, duke vënë firmën e saj bindshëm në gjininë e prozës. Ajo ka krijuar tashmë emrin dhe stilin origjinal të saj

Duke qenë një njohëse e shjkëlqyer e realitetit, ajo fiton epërsinë e gjetjes së tematikave të larmishme dhe grumbullimin e materialit emocional, që e mban lexuesin kureshtar deri në fund të rrëfimit. Vita ka vizatuar në kujtesën e saj gjithë jetën shqiptare të viteve të diktaturës, ndërthurur me tranzicionin dhe jetesën në emigrim në Itali.

E gjitha kjo jetë midis dy shtetesh i ka dhënë hapësirën e domosdoshme që tregimet e saj të kenë shpirt, personazhe të dashur, të besueshëm dhe rrëfim të natyrshëm, aq sa të duket se jeton dhe je pjesë e ngjarjes.

Vita nuk harron tabanin popullor, shprehjet dhe frazeologjia e saj, gjuha e pasur, e mbajnë afër lexuesin.

Vita Blloshmi, tregim pas tregimi, libër pas libri, mbetet një tregimtare befasuese dhe e dashur për ne.

 

Drita Lushi

Poete, prozatore

Tiranë.

 

SPONTANITET E EPILOGJE TË BEFTA

 

Narracion koherent, spontan, i lirshëm dhe dinamik, pa sforcime dhe pa retush; dialog i rrjedhshëm; konflikti dhe intriga mbajnë gjallë kërshërinë e lexuesit dhe e gjithë struktura e tregimeve ndërtohet me një gjuhë të mirëorganizuar, pa ngarkesa dhe tepri fjalësh,por përmes një fjalori të kuptueshëm për çdo nivel lexuesi. Vita Blloshmi nuk priret për dekoracion të frazës,por e shpreh gjithçka thjeshtësisht bukur dhe qartë, jo se e anashkalon formën, por, sipas saj, shijen estetike lexuesi duhet ta përftojë mbi të gjitha përmes mesazhit që përçon tregimi apo krejt vëllimi me tregime.

Këta elementë, shoqëruar me larminë e tematikës shoqërore, përbëjnë kuintesencën, tipologjinë identifikuese të prozatores Vita Blloshmi. Mund të hasen edhe tregime me epilog disi të beftë dhe dilematik në pamje të parë, por autorja mbase e ka bërë në mënyrë të vetëdijshme një mbyllje të tillë për ngasje dhe dritare të hapura e të lira interpretimi nga ana e lexuesit. Rrallë e tek në tregime të veçanta ka dhe cazë frymë kuteliane të rrëfenjave, në elementin e digresionit,por e padëmshme,sepse autorja shfaq origjinalitetin e saj.

Nga vëllimi i parë “Vajzat rriten” në vëllimin e dytë “Një zë në park”, Vita Blloshmi ka rritur dhe forcuar profilin e saj si krijuese e prozës së shkurtër.

 

Bujar Xh. Rama

poet, publicist

 

SHKRIRJE E LEXUESIT NË BOTËN

E PERSONAZHEVE

 

Është interesante si gërshetohen kujtimet e personazhit të autores Vita Blloshmi, si të marrin me vete dhe të bëjnë të ndihesh në të tjera kohëra. Mjafton të mbyllësh sytë dhe pejsazhe e ngjarje të mrekullueshme të dalin përpara, krisma pushkësh, puthje të fshehta, drithërima e mornica, që, për një çast, i përjeton sikur po ndodhin sot, tani, në këtë çast. Dhe kjo falë penës së mprehtë dhe kërkuese të shkrimtares, teknikës perfekte, magjisë së fjalës e fjalorit të ngjyrshëm.

Është kjo arsye që na krijon afërsinë me personazhet e me botën e tyre. Tashmë Vita po e afirmon gjithnjë e më tepër veten si tregimtare inteligjente dhe vazhdon të na humbasë në botën e personazheve të saj, që duket sikur dalin nga mjegulla dhe ulen brinjë më brinjë apo këmbëkryq bashkë me lexuesin, si në një marrëveshje të heshtur.

Nuk mundemi të mos i urojmë asaj dhe atyre një vazhdimësi e, pse jo, një ditë të gërshetohen edhe në një roman, pasi mendoj që pjekuria e saj artistike ka arritur nivelin e duhur.

 

Fatmir Gjata

Poet

 

SUBJEKTE E PASAZHE QË FTOJNË KINEASTËT

 

Përmes situatash e personazhesh, që gjithësecilit do t’i pëlqente të gjendej, të mishërohej apo ta shihte veten në to, tregimet e Vita Blloshmit të bëjnë të jetosh në çdo moshë rininë që nuk perëndon kurrë. Secili nga ne lexuesit gjen diçka nga e djeshmja apo nga e sotmja e vet. Kineastët gjejnë gati “ciak-et” e xhirimeve të nesërme.

Urime Vitës për librin e saj të ri.

 

Hasan Bulçari

regjisor, poet