PËRJETIME POETIKE 5

 

Në rubrikën “PËRJETIME POETIKE” që tashmë ka hapur shtëpia botuese “ADA”, do të sjellim herë pas here poezi autorësh të ndryshëm.

Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues… Kushdo merr atë çka do prej saj… thotë Xh. Stejnbek.

Kështu ndodh edhe me një poezi a me një cikël poetik.

Këtë herë vjen me poezinë e tij në këtë rubrikë, një mik i shtëpisë botuese “ADA”

 

AGRON  SHELE 

PËRJETIME POETIKE 5

 

 

 

 

 

***

 

Ti je toka dhe qielli

mbrujtje e gjakut ku njeriu lind

bekim i marrë në zjarr Prometeu

thinjë që përulur puth! 

 

Në këtë kohë

 

Në këtë kohë,

ku regëtima shiu dëgjohen pemëve të zhveshura

nga shtjellat e qiellit të bronxtë

dhe kokrramat e korbave ngjyer në të verdhë

vetem një pemë drejton trupin

parkut të boshatisur,  veçuar

e derdhur rrënjësh murnajës gri,

si vetë koha që gjegj pëshpërimat

e zogjve të fundit,

që s’ dinë ç’ është braktisja

e strehë të vetme kanë një qiparis.

 

Në këtë kohë

mendimet humbasin

dhe vështrimi ligështohet

në ngjyra të zbehta

mbetur

tatuazh në lëkurë

i prekjes së një stine të dikurshme

rrethuar  gjerdanit yjëzuar

me smeralde fshehur

blusë më të thellë shpirtit!

 

… dhe më pas

një fijëzim përthyer prizmit ngjyrë nga kisha e vjetër

xhamash akrelinë

mbushur mërmërima të murgjërve shkuar

tingujve heshtje të kambanores që nuk dëgjohet më

dhe statujës ngritur me krahë të kryqëzuar

në pritjen e faljes së mëkateve të mëdha

a përndjekjes së demonëve stampuar frikshëm kupolës më të lartë

me sy të djallëzuar

e ngulitur

tek më e shenjta engjëllorja Magdalenë.

 

 

E bardha dritë

 

E bardha dritë,

zgjuar ujëvarave të shpirtit tim,

endur krahëve të zogut fluturim

si dikur…

paqyrim i jetës së rilindur trazim

si sot…

robuar vargjesh të dlirtë rrebelim.

 

E bardha shpresë,

farfurimë e jetës kolorit pa mbarim

telajo e hapur ngjyrash shkëlqim

e bukur

si ëndrrat e netëve pa kthim

shkrepëtimë,

e yllit të djegur përvëlim.

 

E bardha fjalë,

ngritur poltroneve të larta mendim

gdhendur orakujve të lashtë besim

derdhur,

valëmuzash dejesh poetikë

mbetur,

horizontesh përflakur perëndim.

 

E bardha jetë,

pasqyrë e copëzuar fatesh kryqëzim

det i thellë i brengave rrëmbim

si bora…

shkrirë rrezes së parë harbim

si gjethja…

përhumbur vjeshtës drithërimë.

 

Ne poetët !

 

Ne poetët!

… e fjalës dhe dhimbjes së tokës.

Akreonë të ditëve trazim.

Zogj furtune ngritur rrebelim.

 

Ne poetët!

…e fjalës dhe muzës së shpirtit.

Flakë pasioni djegur lartësish.

Lule parë çelur në thëllim.

 

Ne poetët!

… e fjalës dhe kohës drithërimë.

Gjethe vjeshte këputur tinëzisht.

Blerim pranveror rikthyer sërish.

 

Ne poetët!

…e fjalës dhe agut të bardhë.

Krahë avioni tretur kilometra kaltërsish.

përpirës resh qiejve të grisur.

 

Ne poetët!

…e fjalës dhe pathirrmës ëndërr.

Shkrepëtimë yjesh feksur harbim

dhe pikëz e shiut netëve trishtim.

 

Ne poetët!

…e fjalës dhe humbjes meditim.

Telajo e hapur gjurmë ngjyrash rrëzëllim

Shtegëtarë të quajtur “Kozmopolitë”.

 

 

Në parkun “Sivenston”

 

Në parkun “Sivenston ” është qetësi,

heshtje,

shkreti,

stola të përhumbur kohës herezi,

liqenit të ngrirë dhe flatrave harruar

të mjelmave të bardha tretur shtegëtim .

 

Në parkun “Sivenston ” është ftohtë,

fshikullin,

fryn erë,

borë që prek me fjollëza të kristalta,

kërcëllimë hapash, të ngadaltë çapa

gjurmëhije kufijsh të stërgjatura;

 

Parku “Sivenston” vizion i thyer,

kryqëzim botësh,

pritje regëtimash,

trajta hireoglifesh piktuaruar buzëve

mirazhe e ëndrra copëzim kujtimesh.

 

Parku “Sivenston” humbëtirë e pamatë

bardhësi,

trill fatesh,

fërgëllimë zemre, drithmë e acart

mes reve dhe netëve pikërim të akullt

dremit poshtë pyllit zhveshur fillikat.

 

 

Menhiri i bardhë!

 

Menhiri i bardhë ka mbetur atje,

fshehur pas murnajës dhe dimrit egërsi,

pas perdeve të dëborta dhe kohës herezi,

pas kthinave të maleve humbur perëndim.

 

Menhiri bardhë është po atje,

mes viteteve dhe jetëve kaluar tinëzisht,

mes hapave të endur gjer në fëmijëri,

mes mallit dhe dhimbjes time shpirtërisht.

 

I bardhi menhir harruar atje,

ndoshta pas akullit të veriut thëllim

a tretur hungërimës së ujkut tërbim,

kohë të pakohëve të fateve trazim!

 

I bardhi menhir, fjetur atje

poshtë cohës se qielltë, yjesh psherëtimë

zbritur dhe thyer dejesh drithërimë

ngjitur gjer në re, si në shenjtërim.

 

 Sa larg dhe sa afër

 

Sa larg dhe sa afër,

me gjymtyrë të mbetura kohëve trishtim,

endur shtjellave gri të pakumtimësië

tek e përshpirtshmja mllef dhe marrëzi.

 

Sa larg dhe sa afër,

ne poseduesit e lirisë angshtim

kufijve dhe horizonteve të humbura

udhëkryqeve të fateve trazim.

 

Sa larg dhe sa afër,

magjisë rishfaqur vegim

te etshëm pas krenarisë boshe

dhe rrugëve tona pa kthim.

 

Sa larg dhe sa afër,

prekjes së ëndrrës më të bardhë

tek e nesërmja shpresë dhe nganjëdhim

tek e dlirta thjeshtësi, madhështim .

  

Apokalips

 

Zogj,

të hapësirave të pafundme të qiellit

rebus të yjeve përshkënditje drite,

këngërimë e soneteve më të vona mbrëmjesh

pasthirrmë e zjarrit dhe dritës së shpirtit.

 

Si gjethja e fundit e degës së vjeshtës

valvitur në qiellin e vrenjtur rënkim

pas drithmës së ftohtë,

akullt që afron

dhe borës së parë që tokën e zbardhon.

 

… dhe shkojmë pakuptimësisë së hapave nxituar

drejt kujt,

…a hiçit që pret tjetërsim

avitjen e muzgut të hirtë si vetë nata

natës pa hënë,

territ të pa fund.

 

Të gjithë drejt portës së rëndë rendin

me makthjet,

mëkatet,

dhe mendjen trazuar

satelitë të rrethit dantesk rrotulluar

… ndoshta në agun e shkëlqimit Beatriçe.

 

dhe i hirti pluhur vellon ka stisur,

vello harrese

vel i perdes hekur

burgosur ndjenjash tretur largësisë

së jetëve që shkojnë

dhe jetëve që vijnë.

Dhe rendin e rendin kështu frymët tona

nga ushtat dhe shpatat

tek armët dhe bombat

fjala dhe ligji kapërcen baronët

kryqëtarët e rinj

ikuizitorë modernë.

 

Dhe fati e deshi të soset ky mallkim

në dhimbje a në paqe,

të bëhet si flijim

për atë që koha e fshin pa përtim

për atë që jeta stinët përtërin.

 

 Botë e grisur

 

Botë e grisur,

faqe meriadianësh gjer në shformësim

hapësirash memorie prerë ngutësisht

Kohë e njeriut,

skllav dhe padron i fateve të tij .

 

Botë e krisur,

kristale hirëzuar reve galaktikash

nga pika e lotit dhe dhimbjes së tokës,

për jetën,

humbur udhëkryqesh nga pesha e kohës.

 

Botë e egër,

rrëmbyer tinëzisht skutave të errëta

nga demonët e përbindshëm të shpirtrave fatalë,

të etur,

për gjakun e shpezit të bardhë.

 

Botë e madhe,

zvogëluar retinave të mjegullta angushti

dhe zemrave që rrahin për hegjemoni

Faqe paralelesh ndezur në zjarrmi

nga përskuqja e kozmosit djegur eremi

 

Botë e thellë,

ngritur përmbi psalte, trajta huazimesh

…a kultesh deshifruar në gjuhë perëndie.

 

 Kohë e relikeve …!

 

Relike të vjetra,

shenjtëruar vitrinash reklamime,

prej syve ithtarë

dhe hijesh të prera sfondesh gri

Humbur udhëkryqe imazhesh,

a forma centaurësh pakuptimësi

Verbuar prej shenjave të “unit”

dhe ngjyrimeve kortezhë në çmendi.

 

Ritual i së djeshmes

dhe të sotmes pësëri…

Demarsh i dhimbshëm frymash

dhe ëndrrrash të grisura “vegjëli”

Kohë relikesh…

Kohë e pazakontë e atdheut tim.

 

  

Poezisë!

 

Shumë rendin të kapen pas teje

o e magjishmja poezi

dhe shumë të tjerë humbasin vargëzimesh

pas etydesh dhe rimash simfoni.

 

Shumë…,

e më shumë humbasin psaltit tënd

drithërohen klithmave zjarr

shpërthejnë vullkanet e shpirtit trazim

dhe dergjen pikave, lot- meditim.

 

….dhe unë rend sot pas teje

valëzimesh dallgë të muzës perëndim

kapem pas ankthit të yjeve pasthirrmë

dhe agut që jetën e shndrin.

 

… dhe fjalës së shenjtë që ujvarat zgjon

stërkalash ngritur ajrit shkumëzim

O Zot ! Falma hyjninë e madhështisë

që ëndrrat e harbuara të prekin lart hyjnitë.

 

Të derdhem fjalët e pashtershme të poetit

mbi honet e magmës përvëlim

të zbardhë terret e jetës njerëzore

jetës, plang e angshtim.

 

Shumë rendin të kapen pas teje

o e magjishmja poezi

çmenden rrugëtimës së fjalës më të shenjtë

rrugëtimës për tu ngjitur gjer tek “ty” .

 

 Poetit!

 

( Në ditën ndërkombëtare të poezisë )

 

Kur e terrta natë shtrin krahët ngadalë

e rrugët fillikate lahen zbehtësisë

një sy i pagjumë mbetet tek një yll,

a mjegullës së fshehtë, shpërndarë si tis

mendjes trazuar në të thellat vegime

gjurmëve jetë derdhur nëpër muzgje

shkrirë sot në pendën e një pene,

që fjalët lumë rrjedh nëpër deje.

 

I endur kështu, përflakjes dritë

e shkronjave ngjyra, memories kohë

tek një qiparis shpresën ka varur,

që kryet i ngre përherë drejt qiellit

aty ky lindin e shuhen ylberët,

ku dielli përshfaq të bukurën ditë,

ku retë gri mbledhin stuhitë

e shkrepëtijnë me zjarr perëndish.

 

Djegur e tretur, si i fundit qiri

për atë që shkon e të nesërmen do vijë,

për shtegun e thiktë të një udhëtari

rendur e gremisur fatit të trishtë

kufijve harresë të pemës gjymtuar

e filizash të rinj në pritje për tu zgjuar

dallgëve përplasur gjer në oshëtimë

drithmës së tokës, si në psherëtimë.

 

 

S’ mbaron këtu, ky çast i klithtë,

pas ëndrrash fshehet tjetër botë

ardhur beftas, nën vello yjesh

shkarkon si shi, lotë meteorësh

e muza derdhur horizonteve

rishtas prek në shenjtërim

të bardhat gërma, pulsit rrahin

e gjer në dhimbje, regëtijnë…

 

 Sot

 

Sot,

tjetër dritë prek muzat e shpirtit,

tjetër ditë përthyen koloritët ngjyrë

ashtu,

mes mjegullave psherëtimë

një rreze e vetme

çan akujt harresë

dhe ringjall

shpresën e kohëve

dhe kujtimeve të së shkuarës dikur.

 

Sot,

prapë i endur pas teje

dhe dhimbjes së thellë në gji,

për ëndrrat

dhe detin e thellë,

që lahej syve blu.

 

Sot,

prapë sot mbetem tek ty

telajo e hapur

e të kaltrit qiell

dhe perëndimit endur

përflakjes,

së ditës pa kthim.

 

Sot,

me flokët ndër duar

dhe kokën

rrëmbyer paskthinave fshehtësi

jam unë,

poeti dhembshuruar pas vjeshtës

dhe gjethes

në të fundit jetë amshim.

 

 

Sot,

tjetër zjarr përndrit

dhe ringjall

orakujt e të lashtit besim,

për atë

Helenën e “Trojës” shkatërrim

fytyrë

e përskuqjes gjak

të derdhur dejeve rrëmbim.

 

Sot,

ringrihemi mbi të shkuarën

dhe të sotmes,

për të kapërcyer

kufijtë e pakuptimësië

për të nesërmen,

që pret

dhe vjen ashtu

e lirë

pa kufij

përjetë në ardhmëri.

 

Përzgjedhur nga libri “KUR HESHTJA FLET” 

Botim i shtëpisë botuese “ADA”

 

2019-07-05T17:09:56+00:00