PËRJETIME POETIKE Nr. 11

PËRPARIM  HYSI është poeti që përthyhet dhe sikur del nga tri prizma të Lirikës Botërore: nga ai, ROBERT BËRNS, ESENIN dhe HAJNE, por i veshur stilistikisht me ngjyrat e arta të gjuhës së madhe SHQIPE, duke u përmasuar saktësisht si ata.

 

  

PËRJETIME POETIKE Nr. 11

PËRPARIM HYSI

 

Nuk ka moshë dashuria

 

Nuk ka moshë dashuria

Kështu flet e shkruan një plak

Sado ardhur pleqëria,

Ende i nxehtë imi gjak!

 

Shoh një sy e më bie syri

Shoh një buzë e goja lëng

Mendja mua ende s’më hyri

Koka seç ma bën tëng!

 

E më del tym nga koka

Mendjen dot nuk e mbledh

Shkon “ajo” e tundet bota

Teksa del, syrin ma hedh.

 

Po unë “bukën” s’e ha thatë

Nisem, sulem pas asaj

Ende vetes s’i them mjaft

Ta mohoj, s’e kam kollaj.

 

 

Moj fqinjë e bukur

 

Moj fqinjë e bukur, të lutem që të më falësh

Nuk është as e ndershme dhe nuk ka moral

Por ja që nuk është e mundur, kur me ty përballesh

Që sytë të mos i ngul, me neps si djall!

 

Jo  se jam djall, por kam një shpirt të brishtë

Para së bukurës, sado plak, zë përulem

Të lutem, mos m’u zemëro, se faj nuk kam hiç

Në më mbetën sytë, falëm, të lutem.

 

Fajin e ka syri yt i madh dhe me bisht

Dhe, tek përballesh me mua, sikur më shpon

Zë më shfaqet nepsi i djalërisë

Dhe kur? Në  këtë moshë të vonë.

 

Dhe…dhe

 

Dhe sytë bojëqielli, dhe buzët ngjyrëshegë

E humba, i mjeri, nga “dy mollët” mbi degë

Një trup i hollë, pothuajse fidan

Më nget një”kollë”, më”mbyti”,aman!

 

Të gjitha “nishanet” si me porosi

Dhe marr alarmet në pleqëri.

Dhe, nëse harroj qoftë njërën nga këto,

Në faqen e dheut, më mos më kërko.

 

Se qe, kush qe, por shkoi dhe iku

Dhe shkroi kështu, se qe “vapë korriku”.

 

Zemra ime

 

Si pirate zemra ime

Si, pak fshehtas, zë sulmon

Nga një mike tek një mike

Një për një i dashuron.

 

S’ju gënjej  e kam dhënë prova

Se nuk pata veç një mike

Tash u plaka dhe u “lodha”,

Porse zemra rri në pritje.

 

Për t’u sulur si “pirate”

Sa tek njëra, tek një tjetër

Plaç, moj zemër, që s’u plake!

Plaça unë që jam i vjetër!

 

 

E fshehta  e dashurisë

 

E fshehta e dashurisë është si një alfabet

Që, pa ia shpjeguar kujt, lexohet

Sado që këtë të fshehtë, kërkon ta mbash sekret

Duket sikur nga të gjithë shikohet.

 

Se zë e skuqesh në  mjedis

Sikur të kesh bërë një faj.

E “fshehta” mend bërtet”biss”

Ta fshehësh, nuk është hiç kollaj.

 

Sa më tepër që do ta mbulosh,

Aq më tepër del në mejdan

Sa e lehtë është që të dashurosh

Aq e vështirë që ta mbulosh me “jorgan”.

 

 

Nesër

 

Ti më the:- Po të pres nesër!

(nesër,- the,- unë jam vetëm!)

Nuk e di, për një të”vjetër”

Nesër zgjat,pothuaj, një shekull!!!

 

Se do pres që të vijë nata

Po do pres, sa të zbardhë dita

Zbraza detin me lopata

Sepse syrin hiç  s’e mbylla.

 

Ja, ku erdhi: zbardhi dita

(Tash e di që ti je vetëm)

Shkallët dy nga dy i ngjita

Jam “djalosh” dhe jam bërë “tjetër”.

 

E kur hyra (ndodhi sot)

E të mora ty në krah

Sot është bota, tjetër botë

Për të dy: tjetër dynja.

 

 

Kur ikën…

 

Kur ikën nga mikja me të cilën “flirtove”

Të duket vetja si diçka ke vjedhur

Të plotë dashurinë nuk e shijove

Dhe zë gjykon veten si “mendjerrrjedhur”.

 

Se pas të ndjek hija e moralit

Të duket vetja sikur ke bërë blasfemi

Hija e moralit? Më keq se sa e djallit

Nuk të lë morali  të shijosh dashuri.

 

Kështu vazhdon dhe në shekullin XXI- një

Jemi “pasagjerë të mesjetës mbi trena modernë”  *

Sado që për iks-mike lemza të zë

Morali të nxjerrë gjuhën made in thashë e them.

 

 

* varg i Kadaresë.

 

 

Të tregoj?!

 

Të tregoj se ç’fsheh përbrenda

Nuk e bëra dot.

Buzën tënde aq ma kënda

Këtë e them sot.

 

Që s’e putha, atëherë dihet

S’kam si e mohoj

Por dëshira ime s’ fshihet

Prapë e dëshiroj.

 

Por, mjerisht, ti ike larg

Unë mbeta në pritje

Shpirti imi  u bë plagë

Veç për ty, moj mike.

 

Edhe pres që të vish prapë

Të them, çfarë s’të thashë

Të shërohet shpirti plagë

Nga buza- ilaç.

 

Dhe vjen papritur

 

Dhe vjen papritur si mes mjegullash

Portreti yt zë dhe më ravijëzohet

Kur më ikën sytë e për çfarë t’i dua vetullat

O ZOT si ndodhi? O dhimbje a durohesh?

 

Kështu ka ndodhur dikur në djalëri

Kur detit ne i hynim në këmbë

Por pse vjen e më shfaqesh tani

Kur dhe protezat i kam të vënë?

 

Brenga zë e më pushton

Siç më pushtoje me mall dikur

Ah,se ç’mall! Zemra më sëmbon

Por pse më bëhet sikur jemi bashkë, sikur..

 

 

 

Në dashuri

 

Në dashuri kurrë nuk e njoha tradhtinë

Kam qenë një mik besnik

Ashtu si Çifuti që ruante florinë

Për dashurinë dhe jetën kam vënë  në rrezik.

 

Kam rrezikuar dhe  ca si tepër

Kurrë një mike s’kam përfolur a dorëzuar.

O besojeni ju një burrë të vjetër

Që gjatë jetës shumë ka dashuruar.

 

Për femrat gjithmonë  kam patur e kam respekt

Dhe kurrë nuk fal askënd që për to flet keq

Dashuria e femrave e mbush tonën jetë

Dhe kush i përbuz, të vejë  mu në dreq!r

 

 

 

 

Dhe me vete bëj çudi

 

Prej kohësh ju kam dashur (ju dua dhe tani)

S’do mend: pak me veten bëj çudi!

Si  është e mundur që të të dua kaq shumë

Sikur një ditë pa ty… dhe më zë më shkumë.

 

E gjeta sekretin.Tani mirë e di:

Ti je NËNA e fëmijëve të mi!

 

5 korrik 2017

 

Thuhet

 

Thuhet që EVA e mashtroi ADAMIN

Dhe burrat përsëri mbetën “ADAMË”

Se prapë mashtrohen, vazhdojnë avazin

Pas grave “vrapojnë” e janë si në alarm.

 

Sado që ka shumë prej tyre që hiqen burra

Gjasme nuk pyesin fare për gratë

Janë ca më keq: para grave si pula

Këtë e ka treguar historia… gjatë.

 

Për gratë janë falur mbretërira

Dhe perandorë para grave në gjunjë

Mbushur historia me dashuri- marrina

EVAT ADAMËT, kur duan, i çojnë për “ujë”.

 

I kapin prej veshësh si fëmijë çamarrokë

Dhe lozin  me burrat ashtu si duan vet

Do thoni këto vargje  i shkroi një “marrok”

Por ja tek deklaroj: po them një të vërtetë.

 

Marrë nga libri

“Nuk ka moshë dashuria” i Përparim Hysi

Botim i shtëpisë botuese “ADA”

2019-07-13T18:46:59+00:00