PËRJETIME POETIKE Nr 9

Herë pas here në këtë rubrikë do të përcjellim poetë qe kanë botuar te shtëpia botuese “ADA”

Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues…
Kushdo merr atë çka do prej saj… thotë Xh. Stejnbek.
Kështu ndodh edhe me një poezi a me një cikël poetik.

Këtë herë vjen me poezinë e saj, Mario Çaçi.

 

Ashtu siç thotë në një koment  mikja ime Lida Lazaj,  që kjo rubrikë nuk është më e re  do të doja të shihej nga ju si një mundësi për njohje reciproke të krijimtarisë suaj dhe jo thjesht si punë “Qoke” për të bërë një Like.

 

Në botëkuptimin e një djaloshi të ri ndodh që të mos ketë dot mbrëmje që trembin dhe errësojnë, por të kërkohet përtej fjalës, në një perceptim që di të japë shumëçka por jo zymtim. Të gjithë e bëjmë ndonjëherë këtë. Kthehemi përkundrejt asaj që ka qenë dhe është jeta jonë, drejt emocionit, pranë atyre që iu kanë dhënë formë ditëve tona, i kanë bërë ato të hijshme, të qeshura, të ngrohta, të dashura.

 

 

PËRJETIME POETIKE Nr 9

MARIO ÇAÇI

 

MALL VJESHTE

 

U tretën tej kujtimet e brishta,

në thellësinë e zbehtë të shpirtit

E djeshmja, e pikëlluar,

Nuk zhurmon më dot pranë meje!

 

S’do të ndodhen më atje,

Ditë të ëmbla përqafimesh,

kur të zgjova atë mëngjes

me gjethe vjeshte nëpër ëndrra.

 

Përlote ti gjithçka

si një vesë në një mëngjes,

hodhe përmbi botë kristal

mallin e tretur në vjeshtë.

 

Nën gjethina u krijuan perla

që dikur ishin kujtime,

veç një fëshfërimë ndjehet

nëpër gurë, nëpër pemë.

 

Tej larg në horizont

e pamort shpres’ e mjerë

me ngjyrat e qiellit të paskajshëm

kërkon perlat nën dritën e zbehtë!

 

ZGJIM

 

U përtërit muzika në sallën madhështore

ku njerëzit me maska nuk i njohu kurrë

trak-truk hapa, mermeri po zgjohet

me shandanët varur, të plakur gjithë pluhur.

 

Hijet po shohin magjepsur prej tyre

Vallëzim rinor pa luajtur ndonjëherë!

Nga ç’kohëra po vijnë hapat e heshtur

Në këtë botë të çmendur, botë e mjerë!

 

Ja shandani plot dritë përhap

në pikturën murale që vjell veç ngjyra

i gjen ato hapa të stërkalin ajrin

me ngjyrë fushash dhe blunë e qiejve.

 

Muzika vazhdon përjetësisht në sallë

jehon gjithmonë për kënaqësinë e tyre

i shtron kohërat në mermerin e bardhë

trak-truk hapa… ku mungoj veç unë!

 

MËNGJESET E HUMBURA

 

(Tani ëndrrat, nën qepalla i flenë)

 

Ajo lindi për të hapur krahët

me shpirtin e dëlirë nga drita qiellore

shkëlqimi i syve si vesë mëngjesesh

i shkreptiu në zemër ëndrrat vashërore!

Derdhi bukurinë çdo stinë e mot,

smeraldet e syve ndër pellgje i ngrinë

freskinë, rrezet e diellit ia morën

pastaj në perëndime, të thinjur e shtrinë!

 

Ajo qëndron nën ujëvarat shekullore

me flokët pezull mbi ujin që zhurmon,

përhapin mes malesh jehonën e humbjes

të ëndrrave të vajzës kur mëngjesi agon!

 

31 DHJETOR

 

Të putha!

Të putha këtë ditë të fundme

Me vitin që bëhet i largët,

Gati që të ikë,

E ti e përndritur

Si ngjyra fishekzjarrësh

Po çliron nga kurmi

Vetëm bardhësi!

 

Të putha,

Të putha këto çaste të fundme

Zili ta ketë e ardhmja

Këtë Vit që klith!

Mbi fytyrë ca ëndrra,

Në gjoks ndjenja jonë,

Presim diçka tjetër

Të heshtur unë dhe ti!

 

JAM GATI PËR MËNGJESIN E FUNDIT

 

Si violinë vajtuese në rrënoja qyteti

dëgjohej vajtimi në kullën e mbretit.

Vesa mëngjesore në trekëmbësh do e gjente

dënuar për herezi, vasha qante e këndonte.

 

“Jam gati për mëngjesin e fundit!

Drita e diellit lehtë do më shtyjë si erë.

Jam gati të shkoj drejt së pafundmes

si zogjtë që puthin qiejt në verë.

 

Bota ku jetova shpirtin më krijoi

për bukurinë e përjetshme që s’njeh kufij,

Kambanoret do lajmërojnë lirinë tuaj

me tingujt e dëlirë gjith’ ëndrra t’ju vij.

 

Po shoh yjësitë nga dritarja e vogël

tek pluskojnë mbi detin që më thërret

më tërheqin valët e natës me hënë

ku erërat përkund kaltërsia që zbret.

 

Ti djalë i imët qelinë më përgjon

flokët të përkëdhel si foshnjë e pafajshme

s’je zgjuar mëngjeseve, si ky që agon

ku ëndrrat të flenë, mbi vaj të këngës sime!

 

Mëngjesi im, zemrat e njerëzve do ndriçojë.

Freskia e yjeve mbërriti mbi trupin e ngrohtë.

Arsyeja do ngrihet mbi shekujt e ftohtë.

Lotët po treten mbi buzëqeshjen time!”

 

Kambanat po bien!

Shkundën errësirën nën këmbët e tyre.

Njerëzit gëlojnë nën dritën që i zgjoi

Po fillojnë Përgatitjet!

 

AVUJ MËNGJESESH

 

Fshehtas si avulli desha të afroj

cipën e ëmbël të buzëve mbi faqe

lehtë të të puthja dhe të krijoj

shenja puthjesh si hieroglife.

 

Ti heshte, e asgjë nuk ish si më parë,

As unë që deri dje jetoja për ty,

Ti heshte, e puthja më nuk u dha,

E gjora jetë, që tallet me ne kështu!

 

Mendova për këtë çast kundërshtie,

Por një mëngjes do gjendesh e vetmuar

S’ do të ndjesh më, as epsh as puthje

mbi faqe dorën si ta kesh kaluar.

 

Do kërkosh atë çast kushedi

ngrohtësinë e buzëve të mia,

Me vete do psherëtish, me siguri:

Të më puthë, e dua,

në buzë do ta lija!

 

BOTA E MADHËSHTISË

 

Ti mund të ndryshosh botën!

Jo të gjithë botën e njerëzve,

është shumë e madhe për ty.

As botën e atyre që të rrethojnë

dhe pse ëndrrat njëlloj kumbojnë!

 

Por përsëri

Ti mund të ndryshosh botën!

Jo botën e madhështisë,

por të sarkazmës së gjallë,

të zhytur në tragji-komedinë

e buzëqeshjes ironike.

 

Ndoshta pra,

Ti mund të ndryshosh botën!

Në rolet epike të rënies tënde

nga supet të kullon vreri i botës

dhe një çast heshton, për të gjetur frymë.

 

Ti mund të ndryshosh botën!

Por stuhinë e krejt frymës

Brenda vetes e mban si suvenir!

E nëse gulçon drejt tyre

a nuk do të marrosesh njëlloj me ta?!

 

Ti mund të ndryshosh botën!

Por tërhiqesh lehtë për jetën,

për pafajësinë e yjeve në qiell,

që mbajnë në këmbë ëndrrat

e të bëjnë të heshtësh, të qash!

 

Ti nuk e ndryshon dot botën!

As aq sa duhet, as edhe një çast!

Ndaj kapërdin ndër vena

të keqen dhe të mirën egoiste,

dhe gjithçka humbet, më kot

e pafat!

 

BRENGË E LARGËT

 

Një natë e errët për pusi

mbante vesh trokat e kalorësit.

hije e bëri në erën e zezë

vashës t’i dërgonte lajmin e zi.

 

Ajo priste me kokën tek xhami

sikur përgjonte luftën milje larg.

Sytë i zhyste në pusin e natës

frymëmarrja e fundit iu tret në gjoks.

 

“Unë vij nga vendi ku njerëzimi vritet

nga tokat e largëta ku shpirti i shkoi

me perëndimin e diellit lehtë venitet

këto fjalë të fundme për ty i shkroi”.

 

Letra e mekur në tokë u shtrua

era e vodhi në natën llahtar,

Ajo mbeti mal që dimrave vuan

me qiririn e ftohtë si një diell acar.

 

Ai pret gjithmonë nën mëngjeset e arta

nga dorë e saj, një lule përmbi eshtra!

Në rrjedhën e lotit nëpër natë u terr,

lëngimi i fjalëve të shpirtit dashuror!

 

LUNDËRTARI

 

Përjetë ti ngele lundërtar

në të paanshmin det

netët me stuhi dhe yjësi i kalove

Mëngjeset të jepnin dritë edhe jetë.

 

Ëndrrat t’i shkriu kripa e ujërave

vetëm erërat të jepnin shpresë

të shtynin mes dallgëve drejt horizontit

ku gjithnjë pyesje: vallë ç’mund të jetë?

 

Asnjëherë nuk gjete çfarë kërkoje,

por sekretin tënd unë e di!

Të kërkosh atë që ke dëgjuar

ta prekësh dhe të vazhdosh sërish.

 

Pra vazhdo atje ku je nisur

ku shkuma e dallgëve flokët spërkatin,

Ke kohë akoma në detin e trazuar,

e mëngjese me diell që shpirtin përflakin.

 

Do ndjesh ndoshta mallin e stinëve

në limanet e qeta ashtu si atëherë,

ku ëndrrat e brishta si rëra e bregut

i ruajtën gjurmët që u nisën përherë…

 

DASHURI EGJIPTIANE

 

Ndodh që vitet më rëndojnë mbi supe

si të isha një varr i lashtë,

ku ruhet brenda një shpirt i patretur

Dhimbja, kujtimet, tek-tuk ndonjë fjalë!

 

Si piramidë me gurë të myshkur

yjet rrëfimtarë pres çdo natë,

në piramidën ku më kanë futur

t’i japin flakë trupit të bardhë!

 

Ku është koha që do shërojë

trupin e tretur që shpirtin shkundi ?

Të ngrihet pra si Faraon Egjipti

nga fjalët e Saj që vitet ia humbi…

 

DELIR

 

Vjen një ditë prej së largu

Fosfori shkëlqen nga trupi që tretet

Puthjet ëmbëlsojnë përjetësinë e shekujve

Në yjësitë pafund shpirti do të mbetet.

 

Vallë, çfarë mëkatesh do lesh pas në rrugë?

A është faj që sytë e saj shkëlqejnë?

Ti dashuroje sa zemra të të mundë

Dhe vitet harro, në djall le të venë.

 

Ç’pret më nga koha që ka mbetur?

Mos duro më ditët, se veç orë ke.

Ai vështrim ty prangat t’i ka hedhur

Ndaj dhe prit me një shpresë të re!

 

DHE VJEN NJË DITË

 

Dhe vjen një ditë, vjen

Kur koha më nuk ka kuptim,

E trishtë dhe heshtur të mbulon,

Sa të humbasësh në harrim!

 

Lamë pas një rrugë të gjatë

mijëra ditë e mijëra net,

pa mundur të bëjmë dot gjë,

Në këtë gjumë, që veç vret!

 

Kjo ditë e mbushur me zbrazëti,

Sa keq, e ndjej, po vjen tani!

 

ËNDËRRIMI I BRISHTË

 

Në verbëri të gjeta ty,

nëpër dëborë dhe mjegull,

kërkove ëmbël në shpirtin tim

rrugën e ngrohtë drejt zemrës!

 

Sa shpejt u zhduke krejt,

sikur të ishe vetë bardhësia,

më le në zemër këtë mall të ri

ndër gjurmët e dëborës mbetur!

 

Diell e acar kjo ndjenjë për ty,

Një ëndërrim i brishtë mes nesh,

Ndër akuj shoh fytyrën tënde

Që buzëqesh si diell i trishtë!

 

Era e Jugës fryn lehtë mbi ne,

dëborën tret pa rënë në sy,

mes akullnajash unë kam ngrirë,

Më bëj një shenjë të vij tek ty!

 

VDEKJE EDHE JETË

 

Nuk më ngroh pa ty

jeta,

As ditë-mbrëmjet

në vetmi,

E bukura ka kuptim

pranë teje

Dashuria s’ka vend

për trishtim!

 

Kur jemi të dy pranë

e dashur,

Gjërat e thjeshta më

janë magji,

Nga vdekja do kthehesha

po ta doje,

Ta puthja diellin

sërish!

 

Si retë që në verë

diku humbasin

sa dua të humbas

mes ëndrrash të dy,

të dremit lehtë

mbi supin e brishtë

e zjarret t’i lë,

të më djegin me ty.

 

Do rikthehem, pastaj,

më beso!

Të tregoj për udhën

që pata marrë njëherë,

Ti do më buzëqeshësh

si dritë e tretur,

E unë do të puth

I marrë, si përherë!

 

Marrë nga libri “Puthja pagane” i Mario Çaçi

Botim i shtëpisë botuese”ADA”

 

2019-07-11T16:54:14+00:00