PRIVATIZIMI I PANAIREVE TË LIBRIT

PRIVATIZIMI I PANAIREVE TË LIBRIT

Sot, kur klima e libri dhe atmosfera e leximit, sa vjen e bëhen më të acarta, panairet e librit, të krijojnë përshtypjen e fishekzjarrëve festivë që të ngrohin sadopak e të japin një ndjenjë shprese, edhe pse të përkohshme.

Historia e panaireve shqiptare të librit zë fill, si shume dukuri dhe veprimtari të tjera, pas nëntëdhjetës. Kjo histori natyrisht ka plot ngjarje që lidhen sa me daljen me bujë të titujve të rinj nga letërsia shqiptare apo edhe nga ajo e përkthyer botërore, po aq edhe, me afirmimin e shtëpive botuese apo të autorëve. Nëse do të bënim një vrojtim të secilit prej këtyre panaireve, menjëherë themi se më i rëndësishëme ka qenë dhe vazhdon të mbetet ai i Tiranës, ndërsa po të shihnim cilësinë dhe masivitetin e tyre, me keqardhje themi se kjo ka ardhur në rënie. Sidomos këta 4-5 vitet e fundit, kjo rënie ka qenë e rrokullimtë, çka vërteton atë që thamë në krye të këtyre radhëve

E prapëseprapë, autorët vazhdojnë të shkruajnë, botuesit vijojnë të botojnë dhe panairet, si shfaqja më e përshtatshme dhe si ura më e fortë midis librit dhe lexuesit, vazhdojnë vullnetshëm të organizohen, duke sjellë nga viti në vit jo vetëm botime të reja, por edhe risi formash në paraqitjen e librit, qoftë në arkitekturë e pavijoneve, por sidomos në larminë e veprimtarive që organizohen gjatë ditëve të tyre.

Por, le të ikim nga pamja e përgjithshme dhe të futemi pak në detajet e organizimit të tyre. Kush i organizon? Ç’kritere ndiqen në pjesëmarrjen e shtëpive botuese? Kush janë të vegjlit dhe të mëdhenjtë aty (e kemi fjalën për botuesit, por edhe për shkrimtarët)? Pyetja e fundit nuk do ndonjë mundim për t’ia gjetur përgjigjen. Mjafton të kujtosh sipërfaqet e pavijoneve të secilës shtëpi botuese, pozicionin që ato zënë, publicitetin që u bëhet dhe e merr vesh. Kështu, edhe për autorët. Kohët e fundit, sidomos, ka rënë në sy një reklamim këmbëngulës i librave sidomos në ekrane. Dhe ai që ka pasur bërryla më të fortë në këtë garë ka qenë libri politik apo botimet e autorëve që janë njëherësh edhe njerëz të medies, kurse librat dhe autorët e tjerë, me zor gjejnë ndonjë dritare për të ngritur lart kopertinën e librit të tyre.

Por le të kthehemi pak te dy pyetjet e para, përgjigjja e të cilave nuk është aq e lehtë të merret. Nuk është e lehtë, sepse në çdo panair libri që hapet (në Tiranë e kemi fjalën), vizitori dhunohet nga reklamat e sponsorëve, katalogët plot ngjyrë e letër luksoze etj, por askund nuk gjendet qoftë edhe një tabelë e vogël, ku gjithsekush prej atyre që hyjnë në festën e librit, të marrë informacion mbi transparencën e organizimit të tyre, të dijë, për shembull, se mbi cilat kritere rezervohen pavijonet, se sa i kushton secilit botues pjesëmarrja në panair, se si bëhet ndarja e vendeve, dhe, mbi të gjitha: ç’bëhet me të ardhurat që vilen nga një panair? A shkojnë të gjitha për sallën, apoooo….?

Po afron nëntori dhe Panairi i radhës i Librit në Tiranë është në përgatitjet e tij. Nëse do të takonim botuesit shqiptarë brenda dhe jashtë “shtetit amë“, do të shfaqnin mendime nga më të ndryshmet, me zë të lartë apo nën zë, dikush do të thoshte se “Panair është marrë me tapi”, se ndarja e vendeve për botuesit bëhet sipas parapëlqimeve apo miqësive, se “peshku i madh edhe këtu e ha të voglin”, se mediet që do të merren me panairin përzgjidhen më parë prej organizatorëve, se çmimi i metrit katror për Panairin, kushton sa frëngu pulën. Thuhet e çfarë nuk thuhet, ndërkohë që panairi po afron…

Edhe pse klima e librit është e acartë, kemi një shpresë se këtë vit gjërat do të jenë më transparente, falë edhe vullnetit të qeverisë për të zhdukur informalitetin nëpërmjet kasave fiskale etj… që në Panair edhe kjo kërkon një zgjidhje. Kemi shpresë, por edhe dyshojmë se “traditat e mbrapshta” në Shqipëri është vështire të braktisen. Se ujqit privatizues të panaireve të librit, do të gjejnë skuta të tjera për të gjuajtur gjahun e majmë të fitimeve… Dhe këta “ujq”, që si çdo ujk, më mirë di të bëjë llogari se sa të lexojë letërsi ka rrezik të vazhdojnë të angullijnë në këtë dimër të librit e të letërsisë në përgjithësi, dhe kështu, panairet e librit, në vend që të jenë tempuj të shpirtit të autorëve dhe dëshirës së virgjër të lexuesve të kthehen shumë shpejt në varre masivë librash!!!

OBELISK

2018-03-27T22:40:07+00:00