Autori : DENILU
Titulli:Qiell i “grisur”
Kopertina nga piktori: Agim Sulaj
Redaktimi& Korrektimi : Oltjona Selamaj
Botimi i parë, 2017

Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 13.5x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, prill 2017

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Luca, Ded N.
Qielli i “grisur” : epigrame / Denilu ;
red. Oltjona Selamaj. – Tiranë : Ada, 2017
112 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-81-4
1.Letërsia shqipe 2. Epigrame
821.18 -193.2

Parathënie

Një ditë të ftohtë janari, ku dëbora kishte mbuluar ballkonin e shtëpisë sime, këtu në Athinë, dhe këmbët i kisha akull, sepse në shtëpinë ku banoj, në apartament me dyzet hyrje, nuk paguajnë të gjithë për të pasur ngrohje me kalorifer (dihet kriza ekonomike, që ka mbërthyer Greqinë).
Hapa facebook-un dhe gjeta një mesazh nga shoku i shkollës Ded Nikoll Luca, i cili më kërkonte të shkruaj parathënien e një libri të fundit të tij.
Megjithë të ftohtin, zemra mu ngroh dhe ndjeva temperatura të më ngrihet në gjithë trupin. Është një gjë e madhe të të kujtojë një shok i vjetër, ose më saktë, të kujtosh shoqërinë e shkollës dhe të jetës konviktore, vite të cilat kanë qenë për mua, më të bukurat e jetës, mbushur me mall, dashuri e emocione të papara e të paprovuara më parë.
Aty, shoku të bëhej vëlla, shoqja e klasës, motër, pedagogu, i miri prind.
Unë kam shkruar për ato vite:

-’’ Mosha e jetës konviktore,
vite që s’ harrohen kurrë,
më mori jeta për dore,
nga fëmi, u bëra burrë.’’….etj.
Por të më falë lexuesi, se nuk kam qëllim të promovoj shkrimet e mia, pasi penën këtë rradhë, e mora të shkruaj për Dedën. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, dyzet e dy, fytyren e tij, e kam të skalitur në kujtesën time, pra, e mbaj mend shumë mirë. Deda ishte me një trup të gjatë për moshën, flokun e zi me fytyrë të imët, në të cilën krijoheshin dy gropa të vogëla në faqe, kur buzëqeshte, gjë e cila e bënte më simpatik.
Pasion të madh, kishte për fiskulturën, ndaj dhe shpesh rendte në fushë, duke vrapuar, por edhe si gjimnast, në paralele, nuk dukej keq.
Spikaste zgjuarsia në karakterin e tij, por edhe humori, nganjëherë edhe ironik, në kuptimin e mirë të fjalës, por jo fort i ‘’shtruar’’ në studim, ashtu si ndonjëri nga ne, që ndonjë nga shokët na thumbonin me nofkën: ‘’peshkop i librave’’
Shumë nga nxënesit, kishin talent në muzikë, në vizatim, në regjizurë por mesatarja e pergjithëshme, përfshi edhe lëndet e pergjithëshme.,i morën në qafë, mbasi nuk u jepej mundësia të shkonin, qoftë dhe me konkurs në shkollën e lartë.
Kjo, një kërkesë absurde e sistemit, viktimë e së cilës u bë edhe Deda.
Mbas shkollës së mesme, ai fillon të botojë për herë të parë në revisten ‘’Hosteni’’, si dhe ndonjë tekst kënge në anketat muzikore, si dhe tekstin e kengës :’’Zbukurohet qyteti im’’, pjesmarrës në festivalin e 21 të këngës në R.T.SH, kënduar nga Parashqevi Simaku.
Nuk fitova ndonjë çmim, siç pohon edhe vetë Deda me humorin që e karakterizon, por fitova Florën, shoqen e jetës.( Kuptohet sa të preferuar ishim ne punonjësit e kulturës nga femrat, vajzat e fshatit..)
Ishte periudha, kur, jashtëzakonisht e vështirë të botoje, d.m.th, të gjenin rrugën e botimit ide të tilla, siç kishte Deda në krijimet e tij, prandaj i mblidhte, dhe me nje dëng dorëshkrimesh e fletoresh, i hipi gomones dhe zbriti në brigjet e Italisë. Vitet e para të emigracionit, si për çdo mërgimtar, ishin shumë të vështira.
Me vullnetin e hekurt që e karakterizon dhe etjen e madhe për ‘’gram’’, siç i themi ne nga fshatrat tona, shkon e vjen në Shqipëri dhe mbaron studimet me korespondencë, për psikologji.(Ka botuar po tek “ADA” 5 libra psikologjik)
Gjithë ato dorëshkrime, që kishte mbledhur, si “lepuri frikacak”, dje, në kohën e regjimit komunist, i kishte sistemuar poshtë krevateve në disa kuti kartoni. Në vitin 2014, boton librin e parë domethënës: “A ka jetë në tokë?!”. Dedën, që tani e tutje, lexuesi do ta njohë me emrin e shkurtuar, Denilu, ka kapur ‘’drerin për brirësh’’, i thonë në gjuhën e popullit, ka rrëmbyer të drejtën dhe lirinë e të shkruarit dhe nuk hesht, nuk ndalet, pa i kaluar njëqind libra.
Këtë e vërteton më së miri numri i shumtë i botimeve, deri sot numëron 32 libra dhe ka gati për botim dhe 8 të tjerë.Për t’ ju përshtatur edhe në gjuhën e humorit të Dedës, do të shtonim :’’ Nga një ferrë e vogël, doli një lepur i madh ‘’. DENILU, duke dëgjuar e respektuar këshillat e shkrimtarit të madh humorist Dionis Bubani, që i pat thënë mes të tjerash :’’Ti Ded të shkruash shkurtimisht….’’,zgjodhi si më rezultativ zhanrin e epigramit.
Kjo, nuk është e lehtë, pasi me pak rreshta duhet të shprehësh mendime, ide, konkluzione të mëdha, duke ruajtur njëkohësisht bukurinë e vargut me rimë.
Denilu, në epigramet e tij, flet me gjuhën e zemrës
Ai, merr nektarin nga shumë thënie popullore të mençura, i pasuron me gjuhën dhe stilin e tij, pa i zbehur dhe ulur vlerat, por perkundrazi, ja shumfishon.
Vargjet e tij, kanë përmbajtje të thellë, kanë peshë, japin mësime për jeten, kanë mendime dhe konkluzione filozofike, por edhe shkencore…
Ai, si intelektual, ngre zërin, për probleme sociale të shoqërisë së sotme, për papunsinë, per varfërinë, e cila rritet dita-ditës, për kriminalitetin, për imoralitetin, për drogën, për mungesën e shërbimit shëndetësor, për pabarazinë, për të drejtat e njeriut, etj. Si artist, të mos harrojmë se ka mbaruar shkollë artistike dhe ka marrë mësime për dramaturgji.
Kritikon disa telenovela turke, që sillen rreth të njëjtit strumbullar dhe kanë si motiv, dëshirën për hakmarrje, pa përmendur një regji të dobët. Si qytetar dhe patriot, shqetësohet për përmasat që ka marrë korrupsioni, për
problemet e drejtësisë dhe transparencës, për fenomenet e rrushfetit dhe tarafllëkut, por edhe për klasën politike, që i ka hedhur popullit litarin ne grykë.
Dënon me forcë tradhëtinë dhe hedh idenë për bashkim. Si çdo emigrant, e gërryen malli për atdheun, i mungon vendlindja dhe njerëzit e afërm, miqtë e shokët, por shpirti, siç e thekson, i ‘’ulërin’’ kur ndihet i huaj, në vendin e vet.
Denilu, është njeri me botë të pasur shpirtërore dhe si çdo artist, edhe ai është me ndjenja. Epigramet e tij, ‘’kullojnë mjaltë ‘’ për prindërit, kujtimi i të cilëve, nuk largohet brigjeve të shpirtit të autorit, për bashkëshorten Flora, që mban hapur dritaret e dashurisë, për fëmijët, nipërit dhe mbesat. Janë të shumta letrat, që i dërgojnë lexues të ndryshëm, që kërkojnë ndihmën dhe këshillat e tij, si psikolog, për probleme serioze, që kalon shoqëria sot, familja, çiftet e reja. Ai u jep përgjigje shkencore, të studiuara, bashkëkohore për dashurinë e sinqertë, për xhelozinë, për seksin, per marëdhëniet mes të rinjve, për raportet e nuses me vjehërren, midis prindërve e fëmijëve, për respektin, për moshen e tretë, etj.
Kështu lexuesi, do ta njohë e kujtojë Denilunë, si një poet, mjeshtër i epigramit, një krijues mjaft rezultativ, me një gamë të madhe problemesh, qe ngre vargu i tij, por edhe zgjidhje, nga një penë me bagazh. Denilu, është figura e një krijuesi dhe njeriu të kompletuar, është model i një luftëtari të vendosur, që lufton me jetën dhëmb për dhëmb dhe i rrëmben asaj çastet më të bukura.
Babai i pesë fëmijëve, të cilët e kanë bërë të lumtur, rrethohet me dashuri nga nipër e mbesa. Ky djalë nga Miloti, i veshur me tiparet dhe virtytet më të larta të malësorit, nuk është lakmues dhe nuk synon përfitimin material, pasi siç pohon edhe vetë, ..’’asgjë nuk ka fituar nga librat e botuar, përkundrazi, ka shpenzuar dhe rezervat’’.
Me Dedën u gjetëm në facebook. pas 40 vjetësh dhe zbrazëtinë e asaj kohe, mundohemi ta plotësojme tani. E nxjerrim mallin me mesazhe, komente, fotografi, por edhe me premtimin e madh, se një ditë do të takohemi dhe do të çmallemi ‘’për së mbari’’. Deri atëherë kush e di sa do ketë arritur numri i librave të botuar. Unë, në këte fillim viti, i uroj nga zemra :’’ Edhe 100’’…

Me mall, dashuri e respekt, shoku i shkollës së kulturës

Leonard Bixhili