Duke përkthyer bagazhin artistik dhe kulturor në gjuhë poetike, autorja krijon degë pas dege pemën gjenealogjike të ndikimeve dhe referencave, nga e cila mvaren frytet e saj poetike. E së fundmi vjen sërish me një libër të bukur poetik nën logon e shtëpisë botuese “ADA”

Titulli: SHTEGËTIM ZANASH
-Poezi-
-Autore: Dava Nikolli
-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha
-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

ISBN: 978-9928-296-98-6
Përgatiti për botim: Roland Lushi
© Të gjitha të drejtat janë të autores

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +355 68 221 9016
Tiranë, mars 2020

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Nikolli, Dava
Shtegëtim Zanash : poezi / Dava Nikolli ;
red. Vjollca Shurdha.
– Tiranë : Ada, 2019
168 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-98-6
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Parathënia e librit “Shtegëtim Zanash”

Në vëllimin “ Shtegëtim Zanash“ të autores Dava Nikolli kemi të bëjmë me një simbolistikë të pasur dhe mesazhe jetike. Projekti i temave të krijimeve përbën mundësinë për të rilexuar dhe reflektuar në punën e poetes jo vetëm si poezi, por memoriale të gëzimeve, emocioneve, vuajtjeve e hidhërimeve, të pranuara me dhimbje pa humbur forcën jetësore. “Rendin nga njëri cep në tjetrin, kësaj bote./Udhëtojnë zanat…/s’ua ndalon kufinjtë njeri! / Vuajnë për gurin e shenjtë të kësaj toke, /që shpirti i tyre një ditë e kërkon përmbi! “Arsyeja dhe ndjenja janë dy binarë që karakterizojnë poezitë. Mvartësuar nga ngjarjet shpesh thellësisht të ndryshme poetja herë ndjek diktatin e arsyes e herë impulset e zemrës dhe shpërthen në:
“Ah, ju zana mali që më kundroni! /M’i merrni ëndrrat m’i dërgoni në Atdhe. /Dita muzgut i ngjan këtu, a më dëgjoni? /Ditë me diell ka veç vendlindja atje! “Me aftësi vëzhgimi dhe mençuri poetja paraqet një portret të mprehtë dhe depërtues të një bote konvencionale, e vëmendshme ndaj realiteteve, edhe të minutës së jetës së përditshme, por edhe e pabindur për çdo aludim ndryshimi. Autorja nuk e konsideron si tepricë romantiçizmin por në këtë vëllim një nga figurat që i japin një gjallëri të parezistueshme janë ZANAT, “Prej bjeshkëve të mia, u nisën shtegëtim Zanat e Malit. /Mes dhëmbëve të hienave shtegëtuan, /natën pa hënë ecën në të panjohurat male. /Rrugë e pa rrugë…veç udhëtuan!”
Kujtimet e të dashurve, të tokës, të historisë e origjinës i japin kuptim, ngjyrë, vlerë poezive ndaj autorja i ka kushtuar çdo moment të ekzistencës së saj mënyrës së riprodhimit të mirësisë, gjetjes së paqes e devotshmërisë. E pa mbyllur plaga e shpirtit për humbjen e të dashurve të zemrës. Qëndron e strukur ajo plagë e pashërueshme, si një llavë vullkani përvëlon brenda me ndjenjën më njerëzore teksa zëri i brendshëm i flet me gjuhën e Atit të shtrenjtë:”Kudo që të jesh o bija ime, /puno të mbetesh njeri i mirësisë. /Respektoi të gjithë njerëzit padallim. Vetëm kështu i shërben shqiptarisë…”
Si të gjithë mërgimtaret i digjet shpirti për vendlindjen!. Arrin në pikën kulminore të mallit në poezinë “KE LISI I KODRËS! “Pasditeve, ktheheshim pranë lisit të bekuar, /nën kurorën e tij, qetë pushonte shpirti. /Sot pas kaq vitesh se si më erdh’ në varg, /ma ndezi flakë shpirtin e përmalluar”!
Autorja nëpërmjet vargjesh shpreh në një farë mënyre gjendjen shpirtërore të shumëkujt. Me vlerat e saj të forta morale të pahumbura në asnjë mënyrë e në asnjë peripeci të jetës poetja është sigurisht dirigjente e një civiliteti. Nuk mungojnë temat me ngjyrë politike, meditime, impresione, ku duke ndjekur kronikat i shndërron ato në krijim si një dëshmi civile: “Janë munduar t’na ndalin udhëtimin. /U thashë: Keni harruar o të mjerë! /Askush s’ua ndal shqiponjave fluturimin. /Ato s’janë sorra, as zvarranikë me vrerë! ”Si në një hartë dizenjohet gjeografia poetike duke nxjerrë në pah nëpërmjet shkrimesh, ndjenja e vlera humane të pacënuara. Hap një skenar ku ve në akt inteligjencën e qytetarinë e saj, pa zbukuruar realitetin e pa e trasfiguruar atë për asnjë hir. Me qetësi i drejtohet njerëzimit, duke iu referuar gjithmonë aktualitetit me ngjyrat e së vërtetës përkujton e rilind personalitetin e njeriut, ndaj shprehet: ”Të gjithë e dimë se nuk ka përsosmëri mbi tokë./E përdreq pas përsosmërisë vrapojmë. /Ndaj na lodhin ëndrrat në kët’ botë. /Lodhet shpirti kur larg udhëtojmë, /Pastaj ulemi diku në cep të ditës… /e përmallshëm ditët tona numërojmë!Librin e karakterizon një leksik i pastër, i qartë dhe i saktë në komunikim. Është në të vërtetë një vëllim i plotë, ku përfshin koleksione poetike. Përshkrimet në progres, duke përfshirë përgjigjen e shquar mbi aktualitetin dhe letërsinë, paraqesin një pikë kthese në lidhje me neorealizmin që karakterizon bashkëkohoren. Mund të shprehem bindësisht se poetja Dava Nikolli tejkalon gjithmonë identifikimin artistik në mënyrë shumë të lartë, inçizive e koinçize. Shpesh paraqitet me një tekst rapsodik që bashkon duke kapur të gjitha jehonat dhe zhurmat e shoqërisë shqiptare. Në disa krijime është e vështirë të vendosësh kufirin e ngushtë midis ironisë dhe largpamësisë. “Eh! Si qenka pagëzuar kjo botë, /që të vuaje njeriu, nga njeriu. /Të gjallë njëri-tjetrin e fusin në tokë, /me djallin mbret fiton Brutziu!” Poezinë civile e ngjyros me motive dhe qëndrueshmëri, me një pasion që e bën ftohtësinë dhe pavendosshmërinë mjet për të arritur ngrohtësinë maksimale. Tregon realitetin e ftohtë të vorbullës politike-historike në mënyrë lineare duke paraqitur saktë atë me një listë ngjarjesh. Përshkruese e jashtëzakonshme e vërtetësisë në krijime dhimbja dhe emocioni flasin vetë, shprehur nga një mori aspektesh. Eksperimentalizmi dhe realizmi i artit të saj poetik kanë gjetur një sintezë. Një vepër gjithëpërfshirëse ku poetja nuk interpreton, por tenton të ketë një dialog të vazhdueshëm me lexuesin artdashës të saj. Faktikisht, poetika e saj diktohet nga aktualiteti, ku për të gdhendur horizontin në njëfarë mënyre vazhdon të kërkojë përgjigje; për këtë vetngre pyetjen: Deri kur? “Nëpër stacione të botës, /fluturojnë zogjtë e shqipes përditë./Braktisën frymëmarrjen e tokës, /me mjegullen e huaj i ajrosin mushkëritë! ”Në këtë botë të madhe zhgënjimi vazhdon poetja ”Nëpër stacione të botës, /zbresin edhe zogjtë e shqipes Arbëri. /Me thasë ëndrrash ngarkuar, /në kërkim të instiktit, të fjalës Liri! ”Konsideroj poeten Dava Nikolli artiste inovative, origjinale dhe të shkëlqyeshme sepse njeh dimensionet dhe aspektet e ndryshme të shprehjes artistike. Duke pasur një kureshtje intelektuale të pangopshme që shpesh nënkupton edhe pikëpamjeve, lexon e lexon vazhdimisht e gjithçka. Nuk pajtohet me shprehjen. “Unë nuk lexoj autorë të tjerë ose nuk më ndikojnë”. Ky lloj izolimi i “artë” me një aludim arrogance mjerisht është i përhapur, dhe si rezultat shpesh disa krijues paraqesin lexuesit, shkrime që dalin nga stilolapsa të mbushura me imazhe të abuzuara, apo përpjekje të ngathta në poezinë civile. “Filozofia thotë: “Pak e sak”/Ngjishe mirë brumin poetik./Vetëm atëherë krijimi është jetëgjatë,/kur vet vargu të të duket magjik” Poezia është një art që duhet të transmetojë diçka që i bën të qetësojë o shqetësojë shqisat, pra të na japë një pikë tjetër vëzhgimi. Prandaj, poezia e poetes Dava Nikolli është një vështrim “tjetër”, një lojë me këndvështrime të reja nga të cilat mund të shihen gjërat, situatat, emocionet, duke i kthyer ato në arkitektura fjalësh teksa ekstrapolon rregulla themelore në të shkruar. Kjo ndodh sepse autorja përpos dhuntisë, vrojton e ndjek gjithçka pa pengesa stili. Penën e mban në dorë si një instrument që mund të regjistrojë intuitat dhe konsideratat me një disponueshmëri për të bërë diçka revolucionare me hapësirë mendore. Në imagjinatën e saj përgjatë krijimeve të njëpasnjëshme në këtë vëllim, poeten e përçon mendimi të fluturojë larg, nëpër erë, në mes reve, mbi ajrin e ëmbël të mëngjesit. Në vesën kristal të agut i pëshpërit ëndrrave, të cilat dalin nga brendësia e shpirtit të saj, dhe si një këngë misterioze i bashkohen profumit të jetës. Netëve të gjata përpiqet të ngazëllejë ëndrrat, duke iu shtrënguar shpresava për t’iu shmangur lotëve. Të shtrira në bregun e heshtjes, mendimet komunikojnë dhe e çojnë nëpër gjurmët e jetës . Me ngarkesë të fortë emotive fryma kërkon ngrohtësinë në një qiell të kthjellët për të ngrohur sadopak brendinë e akullt. Impliçitamente duke i përshtatur fjalën poetike së mirës e së keqes bën një bilanc në itinerarin e jetës. Preferencat ndaj krijimeve përbëjnë vetë-portretin e një artisteje të madhe, të një poeteje që synon të dëgjojë pasionet e t’i trasferojë ato në letër. Bukurinë në këtë vëllim e simbolizon me metaforën Zanë, shtegëton me to duke mos dalë jashtë cakut të kufijve të surreales. Poezinë sinqerisht e personalisht e konsideroj një koncept absolut. Nëse kjo vlerësohet e klasifikohet për hir patriark, gjeografik o grupim nuk e konsideroj të tillë por thjesht shkarravitje…një mbështetje e lehtë simpatie e kurioziteti por kurrë ART! Autorja i jep poezisë vlerën e duhur, në shprehje dhe në mënyrën sesi e ofron atë, pa e detyruar a sforcuar aspak personalitetin e saj. Skedon e konfronton me origjinalitetin çka shkruan, ndaj forca e ritmi janë gjithmonë funksionale me tekstin. Duke përkthyer bagazhin artistik dhe kulturor në gjuhë poetike, autorja krijon degë pas dege pemën gjenealogjike të ndikimeve dhe referencave, nga e cila mvaren frytet e saj poetike.

Vjollca Shurdha
Poete-Shkrimtare –Përkthyese
Itali