STINA E QERSHIVE

Titulli : Stina e qershive

Autori : Bledar Koçi

Redaktor: Demir Gjergji

© autori, 2018

Botimi i parë, 2018

ISBN: 978-9928-244-86-4

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 13.5x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2018

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Koçi, Bledar Stina e qershive : poezi /

Bledar Koçi ; red. Demir Gjergji.

– Tiranë : Ada, 2018

72 f. ; 13.5×20 cm.

ISBN 978-9928-244-86-4

1.Letërsia shqipe   2.Poezia

821.18 -1

 

Pjergull pjekur

 

Bledar Koçi vjen përsëri…

Me ndjesinë dhe mbresat që të ka lënë libri i parë i tij, ti, i dashur lexues, e pret këtë ardhje me padurimin për të zbuluar motive, peizazhe, ndjenja, situata, karaktere, figura, “sekrete”, vargje me rima plot muzikë, ritme të zhdërvjellët të ardhur bukur nga tradita e prozodisë shqipe.

Nis dhe e lexon këtë ardhje, pra, librin e dytë të këtij poeti të sinqertë, plot ëmbëlsi e atmosferë interesante, të krijuar shpesh mbi një reliev të virgjër malesh, njëherësh edhe mbi një reliev shpirti të trazuar. Që në titull (“Stina e qershive”), libri i shpall natyrshëm këtë që thamë. Dhe ndërsa nis e udhëton poezi pas poezie në të tre ciklet e tij, që përbëjnë një mozaik si ai i peizazheve vjeshtore të vendlindjes së autorit, ndjen dhe bindesh se pritja e paduruar ka qenë plotësisht e përligjur.

Përtej sinqeritetit dhe qashtërsisë si cipa e dëborës së virgjër, që ke gjetur në librin e parë: “Pyesni zogjtë”, në këtë përmbledhje, gjen një poet me kërkesa më të larta artistike dhe mjeshtërore. Sheh, se Bledi, vjen tashmë i pjekur, “i përpunuar”, jo si frut apo prodhim tjetër i natyrës, që kalohet nëpër konvejerët e industrisë për t’u bërë “më i shijshëm”, më i bollshëm”  dhe më “i paraqitshëm”, jo “gjenetikisht i koduar” e “i klonuar”, por i pjekur, si ajo pjergulla mbi lisat e vendlindjes së tij, që vjeshta e bën më të ëmbël, më të shijshme, më të ushqyeshme dhe prej nga del rakia e rrallë e Skraparit.

Poezi me forma më të larmishme, vargje me strukturë më të shkathët e me të saktë, deri te arkitektura e vështirë e vargut të lirë, mbi të cilin, sot abuzohet në mënyrën më të papërgjegjshme, aq sa shpesh quajnë poezi me varg të lirë një përshesh me fjali të thërrmuara eseje. Poeti Bledar Koçi, gjithnjë kërkues këmbëngulës ndaj asaj që krijon, di (ka mësuar tashmë), se poezia duhet të nusërojë në çdo “gjymtyrë“ të saj, në çdo “lëvizje” e “qëndismë”, në çdo figurë e shprehje, ashtu si nusja që bëhet veç një herë nuse në jetë.

Tashmë Bledari e di, se nuk mjaftojnë vetëm ndjenja e mallit, e trishtimit, loti, dhimbja, zemërimi, krenaria, kënaqësia, triumfi për të përcjellë një emocion si mision të poezisë. Ai tashmë e ka kuptuar, se emocioni artistik (poetik) duhet të vijë, së pari nga mendimi e thellë, nga gjendja e krijuar, nga mesazhi i përcjellë.

Dhe ti, lexues i dashur, duke kujtuar mbresat dhe përshtypjet nga libri i parë, e kupton tashmë, se poezia e këtij autori ka kaluar nga sinqeriteti deri në naivitet, nga metrika, ndonjëherë deri në vargëzim të thjeshtë, nga peizazhet si qëllim më vete, ose nga dashuria, si sundim i ndjenjës mbi arsyen, në një shkallë të mëtejme metafore, në kërkesa të tjera artistike.

Për të qenë më konkret, po sjellim disa vargje nga njëra prej poezive më dinjitoze të këtij libri:

 

“Ne mbetëm atje,

Anë rruge, një strehëz,

Ku varej një degëz

Me hire blerimi

Dhe qiej trazuar

Të derdhur mbi ne

Me shira të valë

Në çast përmallimi.”

(ATJE)

 

Fillimi i kësaj poezie me vargje të kursyer, të ndërtuar mbi një figuracion në funksion të qëllimit, krijojnë një imazh sa “të rëndë”, aq edhe tronditës për lexuesin nën pushtetin e imazhit të një çasti ndarjeje që sjell kaq dhimbje e pikëllim.

Këtë regjistër të ligjërimit poetik, Bledari e ka tashmë, thuajse në të gjitha poezitë, të çfarëdolloj motivi apo hapësirë-kohe qofshin.

Ndërsa në librin e parë, tek poezitë për vendlindjen, lexuesi i një niveli të afërt me autorin do të gjente ndonjë ton folklorik me tingëllim arkaik, në këtë përmbledhje ai vjen sqimatar me tendenca moderne për poezinë, e çdo tematike apo sfere qoftë ajo.

Dhe çka që të gëzon më shumë është, se poezia e tij i shmanget modernizimit “digjital e industrial”. Ajo mbetet poezi në truallin e vet lirik, të qartë dhe larg ekzibicioneve moderniste shterpa.

Me një fjalë, shfaqet si ajo pjergulla e pjekur që pret të vilet për t’u bërë verë për etjen e dashurisë dhe të miqësisë.

Kështu vjen përsëri Bledar Koçi poet.

Demir Gjergji

2018-04-09T17:09:18+00:00