TË PAHARRUARA NGA HELMESI

TË PAHARRUARA NGA HELMESI
(Monografi)
Autor: Zeni Bilimani
Redakor: Faik Xhani
Recensente:Adivie Hoxha
Korrektor Letrar: Mevlud Buci

Art-grafik: ADA Lushi
Kapertina: Grafika ADA
Të gjitha të drejtat autori

Sponsorizoi Vitorie Isufi

Botimet: “ADA”

ISBN 978-9928-223-53-1

CIP Katalogimi në botim BK Tiranës
Bilimani, Zeni
Të paharruara nga Helmësi : (monografi)
Zeni Bilimani ; red. Faik Xhani.
Tiranë : Ada,
272 f. : me foto ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-53-1
1.Studime sociale 2.Helmës (Skrapar)
908(496.562-22)

FJALA E AUTORIT

Helmesi një fshat i vogël për nga numri i popullsisë, por i madh dhe i rrallë në tradita dhe histori. Ai mbështetet në gjoksin e vargmaleve të Linzës, Llokovzes deri në ulje të “Varrit të Djalit” në kufirin me Skraparin dhe Korçën. Është një fshat midis gjelbërimit të drurëve shekullorë, bardhësisë së majave me borën e përhershme nga të cilat buron ujë i freskët dhe i ftohtë brisk. Një vend të rëndësishëm zë pllaja mijëravjeçare si një qylym shumëngjyrësh i qëndisur nga duartë e vajzave punëtore. Qëndron aty shekullor e krenar dhe duket sikur të thërret me zërin e ëmbël dhe me gjoksin e hapur bujar.
Në këtë peisazh të bukur e magjepës natyrorë të pllajës, lëndinave e maleve rrethorë nga buzët e pleqëve të urtë e të mençur dhe nga rrënojat e themeleve të vjetra nën ledhe e dhera shpaloset historia e brezave helmesllinj.
Dhe unë, Zeni Bilimani, biri i këtij fshati, prej shumë kohësh jam përpjekur dhe kam hedhur me sa kam mundur diçka nga historia e ndritur e këtij vendi të bekuar për të cilin jam shumë krenar.
Mendoj se nuk kam thënë gjithçka, por jam përpjekur të vendos dhe unë mbi fletën e bardhë bukuritë e natyrës së virgjër, historinë e lashtë dhe të ndritur të Helemesit dhe helmesllinjëve, traditat e tyre, mundin e djersën, trimërinë dhe bujarinë e tyre.
Krisi pushka dëgjoi bota/ Helmeslinjtë si trëmb lufta/ Si shkëmbejtë e kanë qëndresën/ Shumë të shtrenjtë e ruajtën besën/ Në shtatë Çelsa e ruajtën sekretin/ Ruajtën shtabin dhe Enverin/ Në shtatë e në shtatdhjetë/ Lidhën besën me vdek/ Pionier, i ri e plak/ Lirinë vulosën ndër dej e gjak/ Si breshëri ia lëshuan plumbat/ Si ortek ia lëshuan bombat/ Por s’u tundën helmesiotët/ Çdo armiku i kallën datën/ Gjithçka flet për trimëri/Gjithçka dhanë për liri/ Një fshat plot nderë e lavdi/Një oaz me atdhetari/ Një meteorë në histori…/
Një pjesë të mirë të këtij libri e zen edhe fisi Bilimani, një fis që ka një histori dhe veprimtari jo të paktë luftarake e patriotike. Në libër lexuesi do të gjejë plot shkrime për aktivitetin dhe veprimtarinë luftarake e patriotike të helmesllinjëve ku një rol jo të vogël ka luajtur edhe fisi Bilimani e veçanërisht babai im, Novruzi.
Unë vetëm sa kam selitur në historinë dhe ndihmesën e Helmesit dhe helmsllinjëve, gjithmonë me dëshirën e mirë për të dritësuar diçka nga ai komunitet dhe me sinqeritet e zemërgjerësi mirëpres çdo vërejtje e pasaktësi.
Libri ndahet në 4 kapituj: Kapitulli i parë shpalos një vështrim të përgjithshëm mbi pozitën gjeografike të fshatit Helmes, toponominë, lëvizjet demografike, traditat e shquara patriotike e luftarake të helmesllinjve, veprintarinë e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL Shqiptare, arsimi e kultura, ngjarje të vërteta, por të padëshmuara etj.
Kapitulli i dytë trajton helmesllinjtë në Luftën Nacionalçlirilmtare si dhe konributin që ka dhënë, midis tjerve dhe Novruz Bilimani, një luftëtar trim dhe patriot i madh për kohën.
Kapitulli i tretë pasqyron disa kontribute e vlerësime të përgjithshme dhe pemën gjeneologjike të fisit Bilimanaj. Me detaje pasqyron jetën dhe aktivitetin e Zini Bilimanit të gërshetuar me mjedisin shoqërorë e miqësorë, një helmeslli i ndershëm e punëtor i vendosur dhe i përkushtuar për të rrezatuar tek lexuesit dhe brezat dashurinë për atdheun e punën, ndërgjegjen e lartë, shpirtin e vetmohimit dhe të sakrificës.
Kapitulli i katërt përmbledh krijime të autorit, kyesisht poezi, disa fjalë të urta si dhe disa këngë nga treva e Skraparit, kryesisht kushtuar luftëtarve trima, patriotëve të thekur, dëshmorë dhe Heronj të Popullit.
Në sintezë jam munduar që dhe unë të vendos një gur themeli në historinë e bashkëvendlindasve të mi aq të dashur e aq të respektuar.

HOMAZH SUBLIMITETI E ATDHETARIE

Libri “Të paharruara nga Helmesi” i autorit Zeni Bilimani vjen si një gonxhe e bukur në piedestalin e lirisë. Ai i ndrit Helmesit, Skraparit dhe gjithë Shqipërisë.
Është një libër modest, që vjen si homazh sublimiteti dhe atdhetarie në kohën kur 1.5 milion shqiptarë enden rrugëve të botës dhe mijëra të tjerë dita-ditës po i kthejnë shpinën atdheut.
Helmesi i vogël, me zemër të madhe. Helmesi bujar e besnik, që bëri histori. Helmesi oazi natyrorë me njerëz të vendosur që i thanë jetës ik dhe që morën vdekjen në sy, për hirë të interesave të mëdha.
Në momentet më të vështira, kur gjithë Shqipëria digjej nën plumba e bomba nuk u tutën, nuk u sprapsën, nuk u dorëzuan, ditën më së miri të shtrëngojnë radhët, të mbjellin optimizmin e shpresën, të shprëndajnë aromën e molekulave të së ardhmes dhe të lirisë anë e mbanë Shqipërisë.
Një nga ata xixëllonja që i ndritën rrugën lirisë është edhe autori, Zeni Bilimani, atëhere fëmijë, aktualisht invalid, komunist i vendosur dhe i palëkundur, i cili me vlagën e shpirtit na ka sjellë në libër qiellin e yjeve të atdhetarizmit të Helmesit, që për kohën u bë një flakadan madhështor që ndriçoi rrugën e lirisë për gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë.
Vijnë të paharruara dhe të freskta një sërë bëmash, vendimesh, një sërë shërbesash, ndihmesash që të lënë pa fjalë, të freskojnë memorien, të krenojnë e të motivojnë për shërbime e ndiihmesa dinjitoze ndaj popullit e atdheut.
Libri shpalos një vargmal dashurie, atdhetarie, trimërie, bujarie, besnikërie, sakrificash deri në sublimitet për interesa madhore, për paqe e liri.
Ndër majat e këtij vargmali atdhetarie e patriotizmi mbetet familja Bilimani, nga e cila Novruzi, Nuriu, Metullaja, Zenepja, Nurihana e deri tek më vogli, Bilimani i ri, përbëjnë modelin më të mirë, një llojë xhevahiri njerëzor që u ndrit gjeneratave të reja për jetë e mot, një det kontribuimi e shërbesash që rrezaton krenari e solidaritet për paqe e liri, për qytetrim, zhvillim e progres.
Libri shërben si një obelisk nga ku ke dëshirë të kalosh e të shijosh çdo çast, çdo imtësi, çdo bëmë e histori nga ku mëson se si duhet të jetosh, se si duhet të sakrifikosh dhe me siguri nuk je i humbur, përkundrazi i vlerësuar e i nderuar.
Ky libër modest mbetet si një gonxhe e rrallë bukurie erëmirë që shpërndan anë e mbanë nektarin shijues, që mbush më së miri mushkëritë dhe neuronet e çdo qenie njerëzore.
Provojeni ta shijoni, lexim të këndshëm!

FAIK XHANI

2018-02-15T13:27:33+00:00