…Dava Nikolli prezantohet në vëllimin “Vjeshtë mendimesh“ e patëmetë, mbi të gjitha në rindërtimin historik që do të magjepsë lexuesit!

 

-Autore: Dava Nikolli

-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha

-Kopertina Helena Mehuka

-Botim i parë

 

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë

në bazë të liçencës poetike.

 

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rruga Mihal Grameno Pall. 2 Ap. 7

Cel.: 068 22 190 16

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Nikolli, Dava

Vjeshtë mendimesh : (tregime-ese-rrëfime) / Dava Nikolli ;

red. Vjollca Shurdha. – Tiranë : Ada, 2024.

168f. ; 20cm

ISBN: 978-9928-398-87-1

1.Letërsia shqipe 2.Proza

821.18 -3

 

Parathënia

Vjeshtë mendimesh

 

Arrin një moment në jetë ku ndalet për të bërë analizë të thellë vetvetes, karshi gjithçkaje që na rrethon e kemi përjetuar. Jeta kalon para sysh në ato çaste shpejtësisht si një film me metrazh të shkurtër. Në vëllimin “Vjeshtë mendimesh“ të shkrimtares Dava Nikolli e kaluara, e tashmja dhe e ardhshmja paraqiten në formë autobiografike e në formë jo të njëtrajtshme duke u nëntitulluar në tregime, ese, rrëfime! Në faqe të parë shpaloset një dramë shumë prekëse familjare titulluar “Joana“! Protagoniste është vogëlushja Joana  “fajtore” e pafajësisë së saj, e dashurisë për prindin. “Fajtore” e dëshirës për përkëdheljet  atërore që i duhen rezervuar moshës së saj të mitur. Indinjimi s’ka kufi për keqtrajtimin nga ana e babait , vetëm për faktin se kjo vogëlushe “guxoi” të afrohej ta përqafonte…teksa ai  po dëfrehej e zgërdhihej paturpësisht me “zonjëzat“ e Facebook! Nuk di ku qëndron ndërgjegja e një prindi të tillë e shumë syresh. Duhet të japin jo vetëm dashuri pa kushte bimëve të zemrës por edhe të përjetëshme, të padiskutueshme. Në vend që t’u shëndrisin sytë, t’u shkëlqejë buzëqeshja e t’u qeshet zemra kur kanë pranë njomzakët e tyre,i dëbojnë pa mëshirë për disa mashtruese të social network!

“Iu bashkëngjit shoqërisë së internetit. Asaj shoqërie që nuk e njihte, as nuk e njihnin. Joana ishte vetëm nëntë vjeçe,kur ai iku nga sytë këmbët. Ajo e ndjeu shumë mungesen e të jatit. Përditë me sy të përlotur nga dritarja, e veshët nga dera. Shikonte çdo kalimtar se mos ndalonte e troket në derë. E përvëlonte malli çdo ditë e më tepër për babën”!

Braktisur nga kush duhet t’i mbronte autorja paraqet rimëkëmbjen e komplet familjes nga vështirësitë e jetës . Vazhdon autorja të çimentohet në këtë lëmì letrare falë pasionit të saj të të shkruarit. Rritet gjithashtu edhe dëshira për të na bërë të ëndërrojmë, reflektojmë e të guxojmë! Njeriu duhet të mësojë edhe nga natyra, çdo bukuri natyrore krijohet më vete pa u cmirosur me tjetrën! Damari poetik shpërthen në tregimin -VJESHTA- ku e mbyll:

“Kjo periudhë e shkurtër e vjeshtës frymëzon këdo, madje edhe ata që nuk janë poetë! E kush nuk është i ndjeshëm, ndaj këtij rituali të bukur, dhe të mrekullueshëm, që e bën vetë natyra? Në kët’ ritual të vjeshtës, poeti nuk sheh vetëm shkëlqimin e ngjyrave të ndezura, por edhe melankolinë e tyre të padiskutueshme!Vetë natyra,ka ciklin më të çuditshëm dhe hyjnor! Ajo bashkë me ndryshime në petkun e saj, ndryshon edhe gjëndjen shpirtërore të njerëzimit!

Në tregimin për mësuesin e parë shkrimtarja shprehet përmallshëm e trishtueshëm, për kohën kur i kushtohej vetëm familjes, miqësisë së pastër dhe respektit! Dhimshuri për atë njeri intelektual e tejet njerëzor të cilin sistemi e kishte dënuar me ”internim” si shumë të tjerë që “guxonin“ të mbronin një ide të tyren. Komplet familja madje edhe far e fisi paguante atë ”faj” me degdisje!

“Kuptova përse ai vuante kaq shumë sa nuk i qeshte fytyra as buza kurrë,dhe përse ishte në at’ zonë,kaq larg nga familja e tij! O Zot! M’u rrënqeth shpirti për vuajtjet, që kishte kaluar dhe po kalonte! Ai bisedonte me babën tim,…E fshehur pas një ndërmjetse thuprash, e dëgjova për të gjitha vuajtjet shpirtërore, të mësuesit tim! E kisha parandjerë se diçka të rëndë kishte ai njeri i mbyllur dhe i heshtur. I vetmi “krim” që ka kryer im vëlla është, dashuria e tij me të bijën e një kulaku! O Zot, çfarë krimi makabër për kët’ familje të thjeshtë e të varfër vlonjate!”

Nuk mungon trajtimi i temës psikologjike si në “Vëmendja është ilaç i domosdoshëm për fëmijët“ në “Stresi është më i keq se kafshimi i gjarpërit” etjer! Autorja nuk e quan psikologjinë vetëm një çështje shkencore në studim të procesit mendor, por edhe një problem të rëndësishëm shoqëror që luan një rol të dorës së parë në formimin e vetëdijes e  në zhvillimin e jetës:

“Kudesi dhe vëmëndja, janë ushqimi i jetës sidomos për fëmijët! Pa këto dy komponentë, asnjë fëmijë nuk bën jetë normale! Vëmëndja për fëmijët, është vitamina që nuk gjëndet në anjë farmaci të botës! Dhurojani fëmijëve tuaj sot, që të mos shkatërrojnë të tjerët nesër,me depresivitetin e tyre! Familja është bërthama e shoqërisë!”

Xhelozia, cmira dhe egoizmi; vese  të dëmshme  në strukturën njerëzore i gjen kudo. Madje është vështirë të dallohen sepse ndërthuren me të gjitha tiparet, të mbara e të mbrapshta  veshur me petkun e miqësisë janë tepër të pranishme në jetën e përditshme. Dëmtimet  janë vërtetë fatale nëse nuk merren masa o zbulohen në kohë. Këtë e gjejmë të shtjelluar imtësisht në tregimin “Dy zemra që duhen ska intrigë që i ndan”

Vetkënaqësinë e zbrazët, krekosjen e kotë e shtirjen idiote  të disa personave nga ana e të dy gjinive e gjejmë të trajtuar në krijimet me tituj:

“Meshkujve nuk u mjafton një partnere”, ”Ai dhe dashuria dy vija paralele pa pikë takimi”, “Ai iku nga sytë këmbët”,“Më intereson e sotmja” “Më mirë të mos më kishe treguar” ku intriga e gënjeshtra paraprijnë karshi çdo forme tjetër sentimentale! Vetpërmbajtjes,  dinjitetit të madh, të viktimave të këtyre prototipave ijep një shpjegim; përgjegjshmërinë, respektin ndaj vetes e personave që rrethojnë për të ecur përpara! Me vetëdije që jeta i ka vënë përpara një prove të vështirë…vetëmëshirimi nuk ka vend në persona dinjitoze. Në krijime të tjera si në “Mjerimi i kohës moderne i ndan njerëzit për së gjalli e për së vdekuri“  “Ëndërr e përgjysmuar” etjer…prek temën e dhimbshme e plagën globale të emigracionit të çdo kohe, me periudha intervalesh. Shkaqet janë të shumta, pasiguri, anomali. Emigrimi mbetet gjithsesi një plagë e pashëruar i çdo lloj forme qoftë! Njerëzit janë gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja të jetesës jo vetëm politikisht! Nuk mungojnë tema të ngrohta rinore e gërshetim ndodhish të ndryshme me përfundim pozitiv! Ndër temat më tronditëse të vëllimit; ndërrimi i sistemit në atë kohë titulluar “Kjo nuk është demokraci“! Autorja përshkruan ndodhi që dhembin deri në asht, duke paraqitur një panoramë tragjiko-historike! Teksa lexoja më erdhi ndër mend një thënie  e  -Carlyn Warner- “Vite më parë, përrallat filluan me “Njëherë e një kohë …”Sot ne e dimë të gjithë që fillojnë me “Nëse zgjidhem …”

Populli priste daljen nga tronditja, vuajtja ekonomike, shpirtërore, priste normalitetin! Eh popull, o populli ynë i shumëvuajtur! Sa krime, masakra, ndëshkime u bënë përgjatë historisë në tëndin emër! Demokracia -vetëm emrin pati të tillë. Nuk u ndoq një linjë udhërrëfyese, përkujdesje, mirëqënie e mbarëvajtje  mbasi shumë syresh drejtues duheshin instruktuar edhe moralisht jo vetëm politikisht. Pasojat qenë katastrofike! Korrupsion, gjakderdhje, prostitucion! Karshi dramës e tragjedisë  popullore në këtë ndërrim sistemesh u aplikua nje indiferentizëm total! Nuk u ec drejt progresit por u nis një stil jetese i pa kontrollueshëm, i papranueshem, si në anarki; nervozizëm, mizerje e mungesë thelbësore!  Për arsye të këtij çorientimi, të pushtuar nga pasiguria e së ardhmes u bënë shkas dhe  eksode të mëdha të shqiptarëve prej tokës mëmë! Morën krahë e patën influencë të madhe në neodemokraci fenomene të këqia, të papara, të cilat gjithësesi çdo shtet e çdo sistem në fuqi i dënon kategorikisht e rreptësisht në ligje! Pra mburrjet verbale për të ashtuquajturin ndryshim të vendit, mbetën së tepërmi teorikisht! Fallimenti humanitar është më i pakapërdishëm sesa fallimenti politik!

“E gjithë bota i ktheu sytë nga vendi ynë. Ishte koha kur vendi kërkonte me çdo kusht, lirinë e fjalës,pluralizmin. Të gjithë prisnin një sistem të ri demokratik. Në ndërrim sistemesh nëpër botë, ka patur fraktura politike. Ka patur dhunë civile, madje edhe luftë civile në disa shtete të botës. Ndërrimi i sistemit në Shqipëri, ishte i pa model me asnjë vend të botës së qytetëruar. Fatkeqësisht, filloi një masakër e vërtetë në mes të njerëzve. Nuk hynte fare në punë logjika! Me hapa marramendëse triumfoi injoranca. Përjetuam një kohë, totalisht të përçundueshme. Në duar keqbërësish,kaloi pothuajse i gjithë shteti shqiptar, jug-veri e lindje-perëndim. Rrugëve doli zemërimi njerëzor. Përditë ngjitej në mure kronika e zezë: RTV-shqiptar nuk kishte lajme të tjera vetëm kështu kronikash që të linin pa teks. Kishte të lodhur nga të dyja kohët, nga diktatura komuniste, e nga kjo tjetra që s’di ç’emër t’i vë!. I mjeri popull, iku nga shiu e ra në breshër. Koha bëri sikur s’dëgjon, O Zot, sa njerëz përpiu koha e ndërrimit të sistemeve! Përditë pamë në parlament që u hoqën ligje dhe u miratuan antiligje. Na u servir një pseudo-demokraci, në skenën tonë të jetës!“

Gjejmë ndër shkrime edhe forma të monologuara si tek “Ditari i jetës sime” ku autorja në mënyrë të përsosur në një fragment pyet e vetpërgjigjet, klasikë kjo e monologut.

“A do të isha më e qetë, sikur të mos kisha filluar të shkruaj? JO! Madje do të isha shumë e lodhur nga stresi” Të shkruarit është si ushqimi i përditshëm! Unë nuk jetoj dot, po nuk bisedova me dikë. E pikërisht, po flas përmes vargjeve me gjithçka që më rrethon. Unë tashmë jam pjellë e këtij realiteti, që sodis jetën dhe vdekjen përmes metaforës. Poezia është vet jeta ime”

Nuk ka rëndësi klasifikimi, nëse hyn në roman në formë ese, novelë a silogjizëm. Personalisht i ve rëndësi vlerës artistike -letrare së një vepre, përmbajtjes tematike. Parimi  themelor i vëllimit është social-shoqëror, ka brenda sentimentalizëm, didaktikë, politikë, psikologi. Dëshiron të trajtojë gjerësisht kritikalitetin aktual, problematika të së kaluarës pa trillime, duke iu përmbajtur vetëm fakteve që janë në -dominio pubblico-. Përshkon e përshkruan me penën e saj; skandale, dashuri, xhelozi, tradhëti, sekrete. I përmbahet kohës subjektive  përkatëse pa ndërlikime, dhe krijon kështu një prespektivë të palëkundshme! Hap një sagë të re të paharrueshme, emocionuese, me kthesë skenarësh të padyshimtë. Shkrimtarja Dava Nikolli prezantohet në vëllimin “Vjeshtë mendimesh“ e patëmetë, mbi të gjitha në rindërtimin historik që do të magjepsë lexuesit! Nuk ka  synim të zgjasë paradën e operave për të rritur zhurmën e gjithanshme nëpërmjet kësaj gjinie letrare! JO! Por me vetëdije i jep një penel personal lidhur me kujtimet e largëta deri në ditët e sotme! Një vëzhguese e pamëshirëshme e realitetit historik, denja e kalibrit të saj, si poete ashtu edhe shkrimtare! E shtyrë nga dashuria për njerëzit e shumëvuajtur shkon përtej paraqitjes! Tregimet e saj i përkasin një harku kohe …jo vetëm një kohe! Disa krijime janë të motivuara nga urgjenza e çështjeve aktuale, na “dikton” kundërpërgjigjen e pa dështuar! Na përcjell herë në atmosferë të ëmbël të shkujdesur, herë në atmosferë vjeshtake, na çon në…“Vjeshtë mendimesh”!

 

Vjollca Shurdha

Poete Shkrimtare Përkthyese

Itali

14/09/2023