…Në këtë botë ku shpeshherë jemi të mbingarkuar me dyshime dhe frikë, poezia ofron mundësinë për të rigjetur veten dhe për të marrë frymë, të pashqetësuar nga vogëlsitë e ditës…

 

Titulli: Eh, moj Hënëz e beharit – Poezi

Autor: Gurali Spahillari

 

Redaktor letrar:     Prof.as.dr. Eris Rusi

 

Recezentë letrarë:  Petrika RIZA

Klaudeta RIZA

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, prill 2024

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Spahillari, Gurali

Eh, moj Hënëz e beharit : poezi /

Gurali Spahillari ; red. Eris Rusi.

– Tiranë : Ada, 2024.

144 f. ; 21 cm

ISBN 9789928823083

1.Letërsia shqipe       2.Poezia

821.18 -1

 

Parathënie

 

Poezia që çel librin e ri me poezi të poetit Gurali Spahillari, ka një titull që lidhet me botën e brendshme të tij: “Brenda jetës ndodh gjithçka”. Është një botëkuptim filozofik dhe njerëzor i ekzistencës, i ditës që e lë diellin të agojë e të përskuqë qiellin e botës, i kohës kur gjërat ecin mirë dhe i kohës kur gjërat shkojnë keq; i momenteve kur njeriut i duket vetja i pamposhtur, sikur i ka të gjitha, e pastaj i asaj kohës tjetër, kur njeriu nuk i gjen më kuptimin ekzistencës, ndjehet i lodhur, i tradhtuar, ka dëshirë vetëm të mbyllë sytë dhe të mos dëgjojë asnjë tingull që e kthen në zhurmë të pakuptimtë jetën. Ndaj më mirë të gjesh strehë tek natyra, aty ku shkrihet kujtimi i atyre që kanë qenë dikur, me jetët tona sot, e me ëndrrat e atyre që do të vijnë nesër.

Përfytyroni pak magjinë e çastit: ndërrimin e stinëve, lulëzimin e barit në fusha, këmbimin e natës me ditën, pastaj cicërimat e zogjve, rrahjet e flatrave që nuk lodhen derisa e ndërtojnë folezën e tyre të përkohshme në pemë apo nën strehët e çative.

Një botë që zgjohet ëmbël, ku nuk ka vend për dorën e njeriut, sepse gjithçka është përsosmërisht e bukur si natyra vetë:

 

Brenda jetës ndodh gjithçka,

ikën dimri, vjen pranvera,

ikën nata – dita vjen,

mbushur plot me luleshqerra.

 

Do këndojnë dhe nesër zogjtë,

përmbi dardhën e shtëpisë,

folezën do ngrejë bilbili,

në degëhollat e qershisë.

 

Flladi i erës kur të fryjë,

zogjtë e vet do çelë ai,

si lavjerrës do tunden degët,

dhe lulet do çelë bliri.

 

Kjo poezi bart ëmbëlsinë baritore, që ngjan ta kemi harruar se ekziston në jetë. Dhe vetë titulli i librit të ndërmend një atmosferë të tillë: “Eh, moj hënëz e beharit”, si për t’i thënë lexuesit që ta ngrejë kokën ndonjëherë e të shikojë draprit e ngrënë të hënës, që noton në një det të thellë, të ngjyer në të verdhë, qiell e parajsë bashku, ku shëmbëllen gjithësia.

Ky është vëllimi i dymbëdhjetë me poezi i poetit Gurali Spahillari, e mund ta themi me bindje se ky poet i cili këmbëngul të tregojë te akti i krijimit poetik atë spirale drite, pas së cilës mund të kapet kushdo që gjen akoma shpresë tek ndjesia e së bukurës dhe estetikes që ka krijimi letrar.

Por poeti është një njeri i lodhur që i ka parë të gjitha, që i ka dëgjuar të gjitha, që nuk pranon më kompromiset boshe me njerëz që njehsohen me pozicionet e tyre, e që madhështinë e kanë të lidhur pas kolltukut ku fundosen butë, për të fundosur me shpërfillje totale më tej, jetën e njerëzve të zakonshëm.

Poeti është një njeri që edhe rebelimin nuk e përjeton si dikur: nuk ka kryengritje, as piskama që çajnë ajrin, në përpjekje për të denoncuar të keqen, shëmtinë që i është vënë pas atyre që jetojnë në këtë vend. Rebelimi i tij është sa i veçantë, aq edhe unik: i kundërvihet jetës bajate, duke shkruar për natyrën, refuzon të hyjë në kompromis me të keqen dhe ngroh zemrën me kujtimet e dikurshme të tij. Edhe miqtë, ata që dikur mbushnin orët dhe ditët me praninë e tyre, tanimë ngjajnë gjysmakë në mirësinë, në miqësinë e tyre. Edhe miqtë të lodhin, e s’të kuptojnë a s’të kanë kuptuar ndonjëherë, se të tillë miq kanë qenë:

 

 

Brenda shpirtit

 

Më keni lodhur miqtë e mi,

Madje më keni lodhur shumë,

Me ca mesazhe që po më çoni,

Më keni lënë edhe pa gjumë!

 

Më keni kërkuar t’iu jap një dorë,

T’ju çoj më lart, edhe më mirë,

Por dhe Mesia të kisha qenë,

Do ta kisha mjaft të vështirë.

 

Më janë zemëruar disa prej jush,

Dhe kokën mënjanë po e mbajnë,

Më kujtoni kafet që kemi pirë,

Dhe këngët që kemi kënduar bashkë!

 

 

E ndjeni dhe ju shkëputjen e njeriut nga një botë ku e ndjen që nuk i takon ta ketë vendin? E dëgjoni si kumbojnë hapat, teksa ndahet nga ajo pjesë e jetës, ku gjithçka ishte hipokrizi dhe absurd? Ai i shihni trajtat fisnike të njeriut që reflekton përvojën njerëzore me dhimbje dhe trishtim? Poeti përballet me vetminë dhe sfidën e të qenit i ndershëm me veten në një botë që shpeshherë kërkon kompromise. Ai e përçmon konformizmin dhe mediokritetin e jetës së përditshme, jo përmes veprimeve të mëdha dhe të zhurmshme, por përmes akteve të heshtura të kundërshtimit dhe krijimit.

Poezia gjithashtu shfaq një kritikë të thellë filozofike ndaj natyrës së miqësisë dhe marrëdhënieve njerëzore. Çfarë përpjekjesh të mundimshme u dashkan që të jesh i vërtetë, në një botë që shpesh promovon maskaradën, fanfarat e pushtetit dhe sipërfaqësinë.

Ah, poet, të vjen të thuash kur lexon këtë poezi. Por në mendje nuk të fanepset pamja e një njeriu të lodhur. Përkundrazi, poeti është gjithmonë i përkushtuar e bën përpjekje të vazhdueshme për të ndihmuar të tjerët. Reflekton dhe është gjithmonë atje ku duhet, për ata që kanë nevojë, megjithëse kjo mirësi e tij shpeshherë nuk vihet re apo mbetet e pashlyer. Ai merr frymë me shpirtin e tij, e ajri i të mirës del si fllad, përkund ëndrrat, nxit ëndrrat e botës që pret të zgjohet nga poezia:

 

Nëse ti e ke një ëndërr

 

Nëse ti e ke një ëndërr,

jepi dritë nga shpirti tënd,

jepi frymë nga fryma jote,

dhe për të mos pyet askënd.

 

Sepse ëndrra është e jotja,

s’ke pse pret ti nga të tjerë,

ndryshe ëndrra humb kuptimin,

si humb rrugën një pranverë.

 

Mos e lerë të ta marrë era,

ta përplasë nëpër shkëmbinj,

dhe të mbetet si boheme,

dhe pa shpirt edhe pa ndjenjë.

 

Jepi ëndrrës pakëz shpresë,

mëkoje me dashuri,

jepi ëndrrës pakëz krahë,

dhe nga ajri që ke ti.

 

 

Kjo poezi e ndërtuar me një gjuhë të mbushur me metafora, nuk është vetëm një ftesë për t’u dhënë pas ëndrrave që përkundim në zemrat tona, por kërkon ta shndërrojë jetën në një univers të gjallë imazhesh e dëshirash, ku asgjë nuk është e pamundur të arrihet. Fjala ka fuqinë të shndërrojë rrjedhën e jetës, poeti e beson këtë gjë, ndaj ky mesazh duhet të përcillet tek lexuesit. Në këtë botë, ëndrrat nuk janë vetëm pjesë e imagjinatës por bëhen pjesë e pandarë e realitetit njerëzor, shndërrohen në hapësira ku edhe më dobëtit mund të rriten dhe të ndërtojnë të ardhmen sipas dëshirës së tyre. Përdorimi i elementeve natyrore – drita, ajri, flladi i pranverës – jo vetëm që e lidh përvojën njerëzore me ciklet e natyrës por gjithashtu simbolizon rilindjen, rinovimin dhe fuqinë e pashuar të jetës që vjen nga ndjekja e ëndrrave. Në këtë botë ku shpeshherë jemi të mbingarkuar me dyshime dhe frikë, poezia ofron mundësinë për të rigjetur veten dhe për të marrë frymë, të pashqetësuar nga vogëlsitë e ditës. “Jepi ëndrrës pakëz krahë” nuk është vetëm një ftesë për të ëndërruar, por një urdhër për të vepruar – për të marrë iniciativën dhe të fluturuar lart, përtej kufijve që na i tregojnë çdo ditë ata që kërkojnë të na gjymtojnë ëndrrat dhe dëshirat.

 

Në përfundim, mund të themi që ky libër i ri i poetit Gurali Spahillari përmban poezi që kthehen në fllad të ëmbël për shpirtin e lexuesit. Poezitë e radhitura në këtë vëllim, janë jo vetëm pasqyrë e botës njerëzore, por edhe një dritare drejt mundësive të reja që presin të zbulohen nga ata që kanë guximin të ëndërrojnë dhe të veprojnë, sepse njeriu i gatuar me dashurinë e Zotit, ka nevojë të marrë frymë e të jetojë sipas shëmbëlltyrës fisnike të Krijuesit të tij.

 

Prof.as.dr. Eris Rusi