…Poezinë e tij e karakterizon vargu i ngjeshur, artistikja dhe figurativja. Gjilpëra e tij është misterioze dhe misterin e tij, ky poet, nuk ia tregon askujt. Poezia e tij edhepse e shkruar në formë klasike, është moderne, e shkruar me kokë dhe do shterrim të kokës, se ajo është e shkruar me rimë dhe është aq e bukur…

 

Titulli: Rënie e lirë – Poezi

Autor: Xheladin A. Çitaku

 

Redaktore: Jonida Sheholli

Recensionist: Bekim Blaku

Kopertina: Aurora Rrustemi

 

Botimi i parë: 2022

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, tetor 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Çitaku, Xheladin Rënie e lirë : poezia

Xheladin A. Çitaku ; red. Jonida Sheholli.

– Tiranë : Ada, 2022

108 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-76-6

1.Letërsia shqipe

2.Poezia

821.18 -1

 

Jonida Sheholli: MOZAIK NGJYRASH

(Vështrim Redaktorial)

Poeti Xheladin Çitaku, është një ndër ata poetë, prej të mirëfilltëve në letërsinë e sotme shqipe, nëse askush nuk e ka thënë kështu dhe nëse kjo e vërtetë e madhe, ende nuk është konstatuar nga ndonjë ekspert i fushës së letërsisë, do e konstatoj tani unë, edhepse këtë mund ta kenë thënë dhe e kanë thënë edhe disa profesionistë tjerë, të cilët sapo ta lexojnë këtë që kam shkruar, kam bindjen se do rrumbullaksojnë mendimin tim, këtu, si të përbashkët dhe të pajtueshëm. Talenti dhe dashuria e Xheladin Çitakut, për t’u marrë me shkrimet dhe pasioni për leximin, kanë bërë që ky krijues, të jetë një mjeshtër vargu. Xheladin Çitaku, ç’është e vërteta, është një prej të rrallëve atyre poetëve, poetëve tamam poetë, që lexojnë, lexojnë pa ndalë. Leximi i ka sjellur pasurinë më të madhe, këtij poeti: Mjeshtërinë dhe mosshterrimin. Talenti është sikur një gur i çmuar diamanti, të cilin po s’e përpunove, ai qindra e mijëra vjet do të qëndrojë ashtu dhe ndoshta edhe do zhduket, pa iu vënë re fare, vlera e tij. Xheladini, është libër në jetë dhe në poezi.

E them kështu, ngase bota e tij shpirtërore dhe ajo krijuese, letrare, artistike, janë aq të buta, aq të qëndrueshme dhe aq të lidhura me njëra tjetrën. Ky është Xheladini i vërtetë, në jetë dhe në poezi, ky i ndërlidhshmi apo i bashkdyzuari. Poezia e Xheladin Çitakut, nganjëherë më ngjet me poezinë e Dritëro Agollit, të cilin poeti me aq sa e kam vënë re, e ka mjaft të preferuar. Brenda kopertinës së këtij libri, do të shfletoni ca faqe në fillim dhe do të gjeni poezinë e poetit Xheladin, me titull, “Kujtimet e natës”, poezi, në të cilën, poeti, ka si pikënisje në varg dhe si nxitje në tematikë e frymëzim, shkrimtarin Agolli. Poeti Xheladin, teksa në poezi e thotë: “Mbrëmë, natën vonë, afër mesit të natës, m’u kujtua Dritëroi, që kur dritëronte, kur mprihte penën si tehun e shpatës, dhe veset e njerëzve me të i shkurtonte”. Ky është poeti Xheladin, i cili di të thurë vargje të tilla, porse duke harruar se një Dritëro i papërsëritshëm vdiq, por na e la një pasardhës së tij, që ky pasardhësi në fjalë, t’ua shkurtojë edhe ky veset e liga, njerëzve. Po, sepse poeti Xheladin, është një lloj mjeshtri unikat, e që ua pastron maskat dhe ua heq ato. Këtë e bën me penën e tij, të cilën e mpreh në tehun e tryezës së përkushtimit, punës dhe kapacitetit krijues.

Jo rrallë, poeti Xheladin, ua ç’veshë sedrat e marrëzisë të marrëve, me vargje, që bien e i godasin si rrufe mbi kokat e atyre të cilët vërdallisen në këtë jetë, si gjahtarë të rrezikshëm, duke i shkuar me të rrjepur fytyrat e tyre, deri në satira, sarkazma e parodi, të cilat i shkruan për vlerësim. Poeti Xheladin është i papajtueshëm me qarqet tona rrethuese në këtë kohë “moderne” të shekullit 21, ku ndodhin ligësitë dhe turpshmëritë më të mëdha. Ai në satira, shprehet rrept e me mllef, duke i rënë çdo pike, me delikatesën e tij. Ngjashëm, me delikatesë, vepron edhe në çdo poezi të llojit tjetër, qoftë edhe kur krijon poezi epike, por qoftë edhe kur krijon atë lirike, e cila është krejtësisht ndryshe se që shfaqet dhe krijohet nga krijuesit tjerë. Epikën, e arrin me sukses, se ka mjeshtëri dhe arrin në nivel artistik, por lirika e tij, është e tëra një lirikë e pa rastisur ndonjëherë, nga mënyra se si e shtjellon dhe ia ofron, lexuesit. Ndonëse është njeri si të gjithë të tjerët, që përjeton, sheh, dëgjon, përcepton, parandjen, mohon, pohon, qanë e qeshë, ai në poezi është një botë specifike edhe në krahasim me poetët tjerë, këtë e thashë apo ceka edhe pak më lart. Lirika e tij është e ndjeshme, aq e brishtë, aq e prekshme për ta lexuar, në aspektin letrar, por aq e prekshme edhe për ta përthithur në aspektin shpirtëror, saqë të bën ta lexosh të tërën me një vrull prej lexuesi apo lexueseje. Lirikat e tij kanë diçka specifike dhe kur e them kështu, do ta arsyetoj dhe sqaroj përse. Ngase, poeti në fjalë, lirikën, të cilën e nxjerr të freskët e plot vullkan nga kazanët e shpirtit, kur e hedhë në vargje, e përpunon dhe e lë vetëm atë artistiken, atë të bukurën e të ndjeshmën. Poeti Xheladin Çitaku, nuk shkruan poezi dashurie, unë do thosha, jo përse nuk di të shkruajë, por ndofta se nuk i pëlqejnë. Ai i shkruan lirikat e dashurisë, tejet të lehta. Të cilat vetëm sa ta ledhatojnë dhe ta zbusin shpirtin. Lirikat e hareshme e me motive të lehta të dashurisë, rrallëherë me elemente romantike, gjithnjë, gjithnjë i lidhë me natyrën. Kjo është aq sa interesante dhe e këndshme, aq edhe tërheqëse. Poeti Xheladin Çitaku, ka një magji në vetvete, ai arrin që çdo lloj tematike, ta sjellë vetëm në mënyrë artistike, e jo në atë që veprojnë shumë të tjerë: Retorike a deklarative apo diçka tjetër, e cila është e ftohtë si akulli e s’preket fare, se po e lexove, ka për të të ngrirë shpirtin. Poezia e tij është e ngrohtë dhe e ëmbël, e përthithshme dhe mbresëlënëse. Jo edhe e lehtë për ta kuptuar dhe definuar në tërësi, veçanërisht nga ata të cilët nuk e njohin edhe aq artin letrar.

Megjithëse, secili ka të drejtë ta sheh dhe përceptojë nga këndi i vetë. Por këndi i një profesionisti do të thoshte kështu. Poezia e poetit Xheladin, lirika veçanërisht, di të jetë shumë herë pesimiste, ku bosullë në poezi, poeti e ka: Shpirtin. Por shpirti sikur po i qarkullon pa bosullë e gjithandej poetit Xheladin dhe po i sjellë në poezi nganjëherë, nota pesimizmi, malli, ëndrra të parealizura, ambicie rinore të paarritura e shumçka tjetër, që e shpien gjer në melankoli. Kjo nuk është e tëra, poetit melankolinë ia krijon edhe kontakti i tij i përditshëm me njeriun dhe “njeriun” e padenjë, jo të drejtë. Nuk janë të rralla rastet, kur poeti përbin dhe mbërthehet në vetvete, në mbërthecka, nga ndjenja të atypëratyshme ankthi, zhgënjimi e mërzie dhe nisë për t’i përbirë a pirë një nga një, ato gëllënka pelini, të cilat i bëhen frymëzim, poezi dhe ia ofron edhe lexuesit. Xheladin Çitaku, jeton me hallet, brengat, preokupimet e përditshme, mirësitë, ligësitë, vlerat, antivlerat, virtytet njerëzore, të metat, mangësitë, turbullirën e kësaj kohe, mjegullën aktuale, thuajse në çdo rrjedhojë të jetës sonë, ai i ka reflektorë në poezi, ai i ka vese dhe fiksime. Por, poezia e poetit Xheladin, duhet të lexohet dy a tri herë, për ta kuptuar lexuesi mirë, ngase nuk është poezi e rëndomtë.

Ajo ka strukturë gjuhësore dhe stilistike. Poezinë e tij e karakterizon vargu i ngjeshur, artistikja dhe figurativja. Gjilpëra e tij është misterioze dhe misterin e tij, ky poet, nuk ia tregon askujt. Poezia e tij edhepse e shkruar në formë klasike, është moderne, e shkruar me kokë dhe do shterrim të kokës, se ajo është e shkruar me rimë dhe është aq e bukur. Duket dhe shihet qartë se poeti Xheladin Çitaku, rimën e ka të përzemërt. Rima e tij është AB/AB, që krijon një muzikalitet të puthshëm, por edhe në rastet kur është pa rimë, gjithnjë ka lidhjen organike dhe ritmin e brendshëm, që i jep gjallëri dhe e bën të mirë edhe poezinë pa rimë. Poeti Xheladin Çitaku shkruan universalisht. Për në fund, poezia e tij shpesh është e shkruar aq mirë, saqë nuk mund ta lëkundë koha dhe çdo varg është i thënë: Sikur me thënë jeta, se poeti Xheladin, ia del në këtë mënyrë, falë mjeshtërisë dhe filozofisë që posedon. Mbi të gjitha këto që kam shkruar, ia vlen ta theksoj se, e rëndësishme është që ka arritur të jetë origjinalitet krijues dhe kjo është për t’u përgëzuar e vlerësuar vërtet dhe se është poet tipik. Unë prej këndit të redaktores së librit, ku bëra këtë analizë të gjatë dhe vlerësova përgjithësisht poezinë e tij, në këtë vështrim kritik e fjalë timen, them:

Lexues i dashur, lexoje librin e poetit Xheladin Çitaku, vëllimin poetik “Rënie e lirë”, titull që përkon me poezitë e këtij libri dhe një gjetje e duhur. Lexoje se qysh prej poezisë së parë që poeti ia ka dedikuar nënës, që nuk e ka parë asnjëherë, në të cilën ka qarë fatin e tij, e që është një poezi aq prekëse, e deri tek poezia e fundit, ”Rënie e lirë”, do shijoni artin e njëmendtë dhe disa prej poezive edhe do i veçoni, se janë për t’i veçuar, ngase kanë frymëzimet e veçanta, në çastet kur janë shkruar. Lexoje, lexues i dashur, se është artistike. Lexoje se në të do gjesh veten, jeten, mallin, brengën, hallin, zilinë, injorancën, hipokrizinë e tjetrit, xhelozinë, urrejtjen, pengesën për të qenë i lirë dhe për t’u ndier qetë, do e gjesh mendjemadhësinë, do gjesh dukuritë natyrore, jetën me diellin, qiellin, hënën, fluturat, erën, valët, detin, furtunat, uraganet, ëndrrat si procese të vazhdueshme jetësore, ambiciet, dëshirat, të gjitha këto të trajtuara nga dorë e këtij poeti. Pa hidhja një sy se është poezi e mistershme. Është surprizë për ty. Nuk të trondit, nuk të bëhet e bezdidshme, nuk të zjarrmon, nuk të lodhë, nuk krijon monotoni, por është e tëra e lirë, që rrjedh në varg qetë-qetë dhe qeton nëpër rrugën e letërsisë e qetësi i sjellë lexuesit. T’i hap dyert dhe dritaret e jetës, dyert e së drejtës, të vërtetës, të mirësisë, të bamirësisë, të bardhës, të dlirësisë e çiltërsisë.

Poeti veç ka mëtuar t’ia ofrojë lexuesit të tij një “Rënie të lirë”, ku ai (lexuesi) me shpejtësi ose ngadal, prap se prap do bie në të dhe do ta gjejë veten në poezitë e poetit Xheladin Çitaku, i cili vetë është i tërhequr nga graviteti i letërsisë, nën forcën tërheqëse të poezisë, që e lëvron vazhdimisht, duke fluturuar dhe rënë vargu i tij në kohë, tokë, hapësirë e horizont që asnjëherë nuk mbaron as s’ndalon, por vazhdimisht ndodh kjo rënie e lirë…

 

Jonida Sheholli, shtator 2022, Podujevë-Llap.

 

Bekim Blaku: FOKUSI NË NJË HORIZONT POETIK

(R e c e n s i o n)

“Nëpër rrugët tona, ne dhe koha brodhëm

si ujëvarë e ftohtë a si magmë e prushëruar,

dhe farërat e krenarisë, anës tyre i mbollëm

që mbinë virtyte, si në kopështin e bekuar. “

– Bredhjet e jetës nëpër rrugët e kohës lënë gjurmë, herë-herë lënë vrragë, por gjithnjë, një puhi në trasetë e tyre, e cila valëvitet thellësive të përjetimit dhe kaplon ndjenjën, qoftë si imazh, qoftë si vegim i së kaluarës, që përthyhet pasqyrave të ndërdijes, qoftë si kujtim që përtërihet heraherës, me raste e me shkas. Është ky ngjyrim, nuancat e të cilit shpërfaqen në varg, shquhen në thurje të veçanta, ku ravijëzohen shkallaret e ngritje-zbritjeve të ndërtuara në kantierin artistik të poetit, aty ku zbërthehet planimetria e skicuar në shpirt, e sprovuar në ndjenja, e transmetuar në përçuesit emocinal përmes shprehjes poetike:

“Në petalin e shpirtit

vesën shijon

një flutur…”

………………..

“Në delirin ëndërrues

dallgëzohen pasionet,

në lundra ndjenjash

lundrojnë…”

Dhe, vazhdon tutje shtrirja e motivit, apo motiveve, të cilat shtytin dhe preokupojnë botën krijuese, e alternojnë atë në semantikë të figurëzuar (kryesisht) dhe e plasojnë atë në faqet e nxira me shkronja e fjalë. Këtë shndërrim, bota letrare e quan transponim realitetesh, riformësim të ndjesive a përjetimeve, riintonim të zërit të shpirtit, por edhe impulseve imagjinare, të cilat zbrazen në një rrjedhë të re të reflektimeve të poetizuara:

“Mendimet flatrojnë, andej rreth e qark,

herë bëhen llafe, të thëna e të shkruara,

herë ëndrrat fluide, si ylber i bëjnë hark,

ambicien ushqejnë në shpresa të vesuara.”

Kështu mund të duket një peisazh i tillë poetik, një strukturë, që ofrohet si pasojë e këtyre refleksioneve, persiatjeve, konceptimeve dhe receptimeve të kohës, të ditëve të jetuara, por edhe të konstrukteve të sajuara nga realja dhe irealja.

Por, mund të duket edhe në një kornizë tjetër, nga një këndvështrim i ndryshëm, si profilizim i specifikuar i përshkrimit të dilemave, të cilat shfaqen në një çast të caktuar, në një përpëlitje emocionale të imponuar:

“Nëpër film kujtimesh, gjithë koha rishfaqet,

të bëra e t`sajuara, mbamendjesh defilojnë,

në shujtat e shijuara egoizmi nuk kënaqet,

kërkon, fund e kokë, në narcis ta mbulojnë.”

 

Tek reprodukohet koha në vrushkuj kujtimesh e momentumi s`e ka forcën e mjaftueshme për ta kënaqur egoizmin, mbi tëbanin e mbamendjes shtrohen ambiciet, shtohen orekset, deri në skajshmëri, deri në delir. Këtë e proklamon vargu, qoftë edhe përmes kamuflimit figuracional apo aluzionit të nënkuptuar. Këtu deklamohet edhe pozicionimi shpirtëror i subjektit (eventual) poetik:

“Shpirti rrëmbehet

befasishëm,

n`ofshama patrajtësie

përpëlitet,

në dallgë iluzive

vërshon lakmia…”

Ky pra është nivelimi i emotivitetit ku mbështetet në gjerësinë e mundshme të tij.

Pastaj, pozicionimi nuk rreshtë, sa në një kuotë, sa në një tatpjetë, ashtu siç ofrohet relievi në ecje e sipër. Poezia i gjenë shtigjet, sepse i eksploron ato; gërmon thellësive e ngjitet lartësive, pa harruar krahët, anët dhe dimensionet tjera të jetës. Kështu, në këtë përmbledhje poetike, dimensionimi është i shumanshëm, gunga-gunga dhe palë-palë, ashtu siç e sheh mendja e autorit, siç e ndjen bota e padukshme e tij. Ëndrrat, shpresat, aspiratat, dëshirat, ëndjet. Të gjitha në një vend; të gërshetuara e të ndërndikuara, të radhitura e të shpërndara nëpër tituj, në stilizime e intonime; në konvenca jo të balancuara, por ashtu siç dalin nga guva e shpërthyer e shpirtit; varg lirik, varg tradicional, me rimë e pa rimë, por gjithsesi në një ritmikë të përshtatur:

“Pranverë në frymëzim,

shenjtëri muze

shpirtin përshkon,

si vetëtimë mahnitëse

zbarkon ëndrrat

në molin e shpresës…”

Ose:

“S`e di si më ndodh, për një çast, ngazëllehem,

nga deklamimet e ngjyruara të hipokrizisë,

pas tij esëllohem dhe, një jetë zhgënjehem,

tek shoh shpërfytyrimin e vërtetë të njerëzisë…”

“Rënie e Lirë” tatpjetës së sajimit vargëror, deri në përmbyllje, deri në shkëputjen a prerjen e frymëzimit për ta epiloguar edhe përshkrimin në vëllim, po me këtë titull, që shoqëron (apo u prinë) kuptimet e shtegëtimit që kalojnë nga të vërtetat, nga sajimet, nga iluzionet, nga transformimet formale e përmbajtësore.

Ky është vëllimi i radhës që i ofrohet lexuesit të mundshëm, jo vetëm për ta lexuar, por edhe për ta gjykuar.

 

Bekim Blaku, shtator 2022, Berlin.