Nga botimet më të fundit

BRENGA E QELBEZUAR E KOHES

Autori: Dr. Selman Mëziu

Redaktore: Emrie Skuka (Mera)

Korrektor gjuhësor: Adrian Skuka

Arti grafik: Robert Guçi

Botohet me rastin e 100 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar:

27.01. 1923 – 27.01.2023

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, prill 2023

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Mëziu, Selman

Brenga e qelbëzuar e kohës / Selman

Mëziu ; red. Emrie Skuka (Mera).

– Tiranë : Ada, 2023

436 f. : me foto ; 20 cm.

Botohet me rastin e 100 vjetorit

të Shërbimit Pyjor Shqiptar :

27.01.1923 – 27.01.2023

ISBN 978-9928-398-13-0

1.Letersia shqipe 2.Reportazhe

3.Kujtime

821.18 -82

 

P A R A T H Ë N I E

Nuk ndriçon vetëm dielli. Ndriçon edhe njeriu. Ndriçon i dituri dhe dituria. Dituria vjen nga libri dhe libri ndriçon si dielli. Nga koha në kohë, realja dhe e vërteta si postulate, vjen tek ne shprehja gjeniale:

“Çdo libër që lexon, të çel një dritare të re, për të parë botën”.

Për të parë botën, për të njohur realitetin, për të mësuar e kuptuar shumë të vërteta, të thëna e të pathëna. Selman Mëziu rishfaqet para lexuesve me librin, “Brenga e qelbëzuar e kohës”. Në këtë libër me treqind faqe, të shkruar me pasion, vullnet, durim, përkushtim dhe përgjegjësi, gërshetohen harmonishëm reportazhi, skica, meditimi, portreti dhe tregimi, ku autori, Dr. Selman Mëziu, me përvojë shumëvjeçare me shkrime në fushën e gazetarisë, pasqyron anë të ndryshme të jetës dhe kohës.

Boshti i këtij libri është historia, kultura, tradita, ngjarje të ndryshme reale: jeta dhe puna, flaka dhe prushi i dashurisë, por edhe brenga e prindërve të vetmuar dhe malli i mërgimtarit e kurbetqarit, por dhe loti i trishtimit, si tek “Loti i një mëngjesi”, i cili nuk është lot malli e dashurie, as lot fëmijë për një lodër, për një top, për një çokollatë a akullore, … Por është lot trishtimi i një masakre në familjen plot vuajtje e brenga… Nuk shuhet vetëm një familje shqiptare, por vritet e shkatërrohet jeta, shoqëria.

Autori, Selman Mëziu është nga Muhuri i bukur dhe i shquar i Dibrës. Me profesion është inxhinier pyjesh dhe prej shumë vitesh jeton dhe punon jashtë atdheut, në Itali. Por, vitet e gjata larg atdheut dhe kushtet e jetesës që ka krijuar atje, nuk i’a kanë shuar dhe as nuk i’a kanë zbehur mallin dhe dashurinë për vendlindjen, vendin e atdheun. Nga Italia, ku Selmani jeton e punon, ai ka ndjekur dhe ndjek zhvillimet në vendin tonë, dhe me shpirt e zemër është preokupuar, me mendje ka menduar dhe me penë ka punuar e kontribuar, ka shkruar e botuar mjaftë shkrime, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në shtypin e shkruar, kryesisht në gazetën “Rruga e Arbrit”, por edhe në gazeta të tjera.

Pak kohë më parë, ai erdhi me pushime në Shqipëri dhe para se të nisej me ardhë, në rrjete sociale njoftoi që do të vinte e kur do të vinte. Gjithashtu shkruajti atje edhe numrin e tij të kontaktit, se ishte përmalluar e donte të takonte njerëz: të afërm, miq e shokë, bashkëvendas dhe ish kolegë, etj. … Dhe, në një nga ditët e pushimit të tij në Shqipëri, erdhi edhe tek Mali i Robit, në Golem. Nuk erdhi për pushime në plazh, por erdhi vetëm për pak kohë, për disa orë, vetëm sa për t’u takuar me shokë. Ndërsa po pinim kafe e bisedonim, kur shihja sa me shpirt dhe pasion diskutonin e debatonin Abdurahim Ashiku dhe Selman Mëziu, në shpirt ndjeja dhimbje, që këta dy intelektualë, këta dy shkrues e botues në fushën e gazetarisë, të përkushtuar për Dibrën e dibranët, për vendin e atdheun, jetonin e punonin jashtë atdheut e larg njëri tjetrit, njëri në Greqi e tjetri në Itali. Sepse, politikat qeverisëse të pas pluramizmit politik shqiptar, nuk u kujdesën për in­teligjencën, nuk i mbështetën dhe nuk u krijuan mundësi intelektualëve që të jetonin në atdhe, të punonin e të kontribuonin për vendin e tyre, për atdheun tonë.

Unë pata rastin dhe falenderoj Dr. Selman Mëziu, që më dha rastin, që librin e tij “Brenga e qelbëzuar e kohës” t’a kem në dorë pa u botuar, ta lexoj në dorëshkrim. Gjithë libri është një befasi e bukur dhe jam mrekulluar nga çdo temë, nga çdo pjesë e nga çdo faqe e këtij libri. Edhe më parë, unë kam lexuar mjaftë shkrime të tij dhe, ashtu si më parë, edhe tani me këtë libër, është mbresëlënës stili i tij i shkrimit, gjuha dhe përdorimi me kujdes i një gegënishtje të bukur, të ëmbël, …Gjithmonë e kam lakmuar dhe e lakmoj stilin e tij të shkrimit, mënyrës së trajtimit të temave dhe lëvruesit të dialektit gegënishte të gjuhës.

Gazetari e shkrimtari, Selman Mëziu është njeri energjik dhe e jeton jetën me intensitet maksimal. Kjo duket dhe shihet edhe në këtë libër. Ai, edhe në një udhëtim urgjent, të pa parashikuar, të befasishëm, nga Italia në vendlindje, nuk kalon i heshtur dhe indiferent. Gjatë gjithë rrugës, ai vështron, sheh, mendon, mediton, analizon e konkludon për çdo gjë, për fushat djerrë e mbeturinat në këmbësore (trotuar), për urën e Milotit, Shkopetin e hidrocentralin e Shkopetit, për Qafën e Buallit e Bulqizën. Evidenton, zbërthen e shpjegon toponimet. Takon e flet me njerëz. Me njerëzit komunikon edhe në distancë, pa i takuar, por vetëm duke menduar e medituar për t’a, për hallet e problemet që kanë. Se, dikush mund të mos ketë bukë, dikush mund të ketë një borxh për të shlyer, dikush vuan nga vetmia, dikush mund të ketë probleme me shëndetin. Dikush ka mall, dikush ka dhimbje, trishtim dhe lotë. … Jo vetëm për shkak të profesionit, por më shumë për shkak të dashurisë për vendlindjen, Muhurin dhe Dibrën, vendin dhe atdheun, ai flet edhe me natyrën. Flet me barin dhe lulet, lisat dhe shkurret, shëmbenjët dhe gurët. Dhe lisit i’a ndjen frymëmarrjen, i’a lexon zemrën, i’a kupton brengën. Dhe gurit i’a sheh i’a njeh dhe i’a din plagët.

Te Selmani e për Selmanin, dashuria për vendin dhe njerëzit është bërë pasion, pasioni është bërë vullnet, vullneti është bërë përkushtim dhe këmbëngulje për të punuar dhe kontribuar për atdheun

Libri “Brenga e qelbëzuar e kohës” është sukses i korrur i një pune dhe kontributi të çmuar, të intelektualit të përkushtuar dhe botuesit në lamin e gazetaris e shkrimtarit të apasionuar, Selman Mëziu. Çdo faqe dhe çdo rrjesht e çdo radhë e këtij libri, të tërheq si një fushë manjetike e nuk shëputesh dot pa e lexuar e rilexuar.

Shaqir Çerpja

poet