…Poezia e vërtetë është shpirt, është ndjenjë; vende – vende është brengë, apo ankth; sikurse në rastin më të mire është edhe ëndërr, edhe shpresë, edhe gëzim, edhe optimizëm. Kësisoj gjatë leximit asaj i shijon ritmin, muzikalitetin, ngrohtësinë, apo ashpërsinë, ndërsa pas leximit  i përjeton sygjestonin, magjinë, etj…

 

 

Titulli i librit: Ikje përtej ikjes

Autore: Xhuljeta Kondi

Redaktor: Çelik Petriti

Kopertina: Autorja         

© 2021 Xhuljeta Kondi

Botimi i parë, 2021

 

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kondi, Xhuljeta

Ikje përtej ikjes : poezi / Xhuljeta Kondi.

– Tiranë : Ada, 2021

164 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-79-9

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1​

 

Porsi në një vallëzim

 

Pak vite më parë nga dikush më ra në dorë përmbledhja me poezi “Shpërthime shpirti” e autores Xhuljeta Kondi, botim i vitit 2016, nga Shtëpia Botuese “ADA”.

E kam në natyrën dhe edukatën time që në raste të tilla, në respekt të atij që ma servir librin dhe veçanërisht në respekt të autorit të tij, të filloj ta lexoj atë, pavarësisht se me ç’tekst do të përballem, pavarësisht se ç’mbresa do të më lërë, pavarësisht se ç’opinion do të krijoj për të me mbarimin e leximit.

Qysh në përcjelljen që ajo i bënte librit të vet për  te lexuesi  nëpërmjet një parathënieje të shkruar (sa modestisht, aq edhe poetikisht e emocionalisht) në një stil tërheqës bisedor, më bëri të mendoja se në atë përmbledhje do të gjeja poezi të vërtetë; edhe pse autorja në atë përcjellje me modesti deklarohet se nuk është poete dhe se ato vargje ka filluar t’i hedhë në letër si shpërthime shpirti, mbas ngjarjesh tronditëse në jetën e vet; veçanërisht mbas konstatimit të sëmundjes  vdekjeprurëse që e kërcënonte nga çasti në çast si “Shpata e Demokleut” përmbi kokë, të cilën për fat të mirë e kish mposhtur me moton më tepër se optimiste: …Ti më ke dënuar, o fat/ Po unë s’e pranoj dënimin…/

S’është për t’u çuditur. Shumë poetë në Botë poezitë më të ndjera e më të bukura (sado që të dhimbshme) në rrethana të tilla haluçnante i kanë shkruar; ashtu sikurse edhe dy nga poetët tanë më të mirë nën ethet e Tuberkulozit i kanë shkruar: Naim Frashëri në Stamboll e Migjeni në Torino, edhe pse ata që të dy s’e patën fatin ta fitonin betejën me atë armik të tyre, sikurse e fitoi fatlumtura Xhuljeta.

Prandaj isha i bindur që, nëse ajo nuk do t’i ndahej Poezisë, një ditë do të hynte në radhën e poetëve. Dhe, për fat të mirë, s’paskësha gabuar. Konkludoj kështu duke shfletuar librin e tanishëm të saj me titullin mjaft intrigues “Ikje përtej ikjes”

Dhe tani, për t’u paraprirë opinioneve të mia mbi librin e tanishëm të autores, më vjen të sjell ndërmend faktin që Poezia (e vërtetë) për nga forma nuk është një vargëzim përditshmërirash siç për fat të keq  ndodh rëndom, duke gjeneruar me rima të sforcuara dhe gatuar me lulka figurash stlistike të rëndomta.

Poezia e vërtetë është shpirt, është ndjenjë; vende – vende është brengë, apo ankth; sikurse në rastin më të mire është edhe ëndërr, edhe shpresë, edhe gëzim, edhe optimizëm. Kësisoj gjatë leximit asaj i shijon ritmin, muzikalitetin, ngrohtësinë, apo ashpërsinë, ndërsa pas leximit  i përjeton sygjestonin, magjinë, etj.

Nga ky këndshikimi Poezia nuk komentohet me teknicitete të rëndomta skolareske, gjë që ta pështiros këtë krijesë të pakrahasueshme shpirtërore që ka shpikur njeriu. Natyrisht kjo, përveç komenteve shkollore të pashmangshme në zbërthimin e performancave të saj, me qëllim  që të aftësohen nxënësit, jo vetëm ta ndjejnë, por edhe ta shkruajnë atë, nëse i kanë dhuntitë. Jo më kot në këto procese e dukurí të kaheve të kundërta: Me mësues që i nxisin nxënësit ta shkruajnë, nëse u vlon në gjokset e veta dhe me (anti)mësues që ua largojnë e ua pështirosin Të rinjve deri në atë shkallë saqë, jo vetëm të mos e shkruajnë, por edhe të mos lexojnë poezi të të tjerëve.

Për rrjedhojë, poezia duhet të rrjedhë e çlirshme (pa korniza e korsí) nëpërmjet ritmesh, siç edhe rrjedh vetë jeta: e harmonishme, pa uniformitet. E tillë është  poezia e librit në fjalë.

Le të përqëndrohemi  te disa tituj, bie fjala, si “Të falënderoj, vetja ime”, me vargje si  këto …Dhe dhimbjen/ Si një copë akulli/ E shkriva në diell…/ Për të vazhduar rrugën/; si “Jeta” me vargje të tilla:…S’e kuptova/ Se jeta/ S’është gjë tjetër/ Veç një zinxhir pa fund gënjeshtrash/ Si në ëndërr./

Për të vazhduar me vargje si këto të mëposhtmet nga poezia “Sillma atë kohë: …Pra, eja/ Se heshtja e shurdhët e ikjes/ Është një terr/ E pangjyrë/ Një heshtje mënxyrë…etj, etj.

Dhe, duke u përthithur në vargjet e tyre, të duket sikur je në një Mbrëmje Vallzimi që kërcimin e nis, bie fjala, me një Tango, befas kalon në Fokstrot, apo Rumba, deri sa shtrohesh në Vals e kështu me radhë.

Dhe kjo ndodh në poezitë e të gjitha natyrave si “Sillma atë kohë”, “Të falënderoj, vetja ime”, “O nënë”, “Mandolina e babait”, “Mos e ler veten të lëngojë”, etj, në stil kuvendues nëpërmjet apostrofave, metaforave, epiteteve, antitezave…; Por edhe në ato të një stili meditativ si  “Pse ky fat pa kuptim?!”, “Ndoshta”, “Jeta”, “Mbrëmë në ëndërr”, “Ah!”, “Shpresat mos i grisim”, etj. Për të vazhduar me ato të natyrës polemike “Ai dhe ajo”, “Aroma e zhgënjimit”, apo edhe me ato të një fryme optimiste si “Qyteti im”, ndonëse tërë zhgënjim e dhimbje  në tërësi.

I rreshtoj të gjitha këto si mbeshtetje për Kredon Poetike të kësaj autoreje, shpërfaqur veçanërisht në poezi  si “Poezia, shpëtimi im”.

Mbi të gjitha më duhet të evidentoj sygjestionin që të pushton e të rrëqeth pas çdo poezie në veçanti e pas vëllimit në tërësi, porsi me poezitë e poetit ruso – hebreo – amerikan Josif Brodski, i cili vargun e lëshon të vallëzojë fare lirshëm, ashtu siç i vjen në çast; madje herë- herë aq tejskajshmërisht lirshëm, saqë vende – vende e ndan në rrokje në cep të fletës së librit. Dhe të gjitha këto ti, si lexues, i harron fare para sygjestionit që të krijon poezia e tij deri në hipnozë…Jo më kot Hebrejtë në gjithë Botën vargjet e tij i përzgjedhin për epitafët e gurëve(mermerëve) të varreve.

Nuk e di nëse autorja ka pasur rastin të lexojë poezi nga ky nobelist i famshëm, por krijimtarië e saj e shoh në ato ujëra stili dhe dëshiroj që ashtu të vazhdojë.

Për më tepër  e theksoj këtë sepse libri  vazhdon edhe me një varg maksimash e impresionesh në ciklin e tretë  që ajo i quan “Ese në vargje”, të cilat, për mendimin tim, përveç një vlere të shtuar, shpërfaqin nevojën e krijueses në fjalë që (në një stad rritjeje e pjekurie) kërkon e përsiat forma të reja shprehjeje.

Në të njejtën kohë më duhet të theksoj se jo pa qëllim u ndala në ciklin e dytë, që është përfaqësim i natyrës poetike të përhershme të autores, ndryshe nga cikli i parë që shpërfaq  përjetimin poetik të një periudhe jete të pazakontë për gjithë Njerëzimin, kur s’mbeti njeri pa i thirrur optimizmit me këngë nga ballkonet e banesave, me poezi  në Rrjetet Sociale, me vizatime e piktura, etj, etj, që në këtë rast, përveç vlerave poetike, kanë edhe vlera dokumentare historike.

I uroj autores edhe hapa të mëtejshme të tilla në krijimtarinë e vet.

 

Tiranë, 28.IV.2021

Çelik Petriti