Gëzimi vjen më i plotë si poet, me një frymëmarrje më

të gjërë poetike, me një varg më elegant, më filozofik në

vështrimin e jetës me ngjyrat e saj, me një gjoks më të

sigurtë poetik, shenja këto të një pjekurie poetike, që i

bëjnë nder atij dhe poezisë së tij.

 

Titulli: MALLI I BRIGJEVE

Autor: Gëzim Buna

Redaktor: Basir Bushkashi

Arti grafik: Artan Kurti

 

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

 

ISBN: 978-9928-326-71-3

 

Tirazhi: 150 kopje

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, prill 2021

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Buna, Gëzim

Malli i brigjeve : poezi / Gëzim Buna ;

red.

Basir Bushkashi. – Tiranë : Ada, 2021

124 f. : me foto ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-71-3

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

PARATHËNIE

ME RRËNJËT E SHPIRTIT NË ATDHE

Nga Basir BUSHKASHIJ

 

“Gaz e hare, ti, Prrenjas, na dhe.

Aty lindën ëndrra të bukura,

Zogjtë këndonin bashkë me ne,

Për dashurinë e çastet e lumtura.

Beteja të reja na presin, shokë,

Udhë e vështirë e jetës troket,

Na presin malet me minerale,

Atdheu atje, na thërret…

Prrenjas, 1983”

Jo më kot e nisa këtë parathënie me një poezi të

shkruar në moshën e bukur rinore, plot ëndrra e dritë,

për jetën, për Atdheun. E të mendosh pastaj shembjen e

diktaturës, ardhjen e shumëpritur të demokracisë dhe

plot zhgënjime prej saj, gjer te braktisja e Atdheut për një

jetë më të lumtur, diku nëpër botë. Në këtë këndvështrim,

Gëzimi-njeri dhe Gëzimi-poet, plotësojnë njëri-tjetrin në

gëzimet dhe zhgënjimet e jetës njerëzore.

Vëllimi poetik “Malli i brigjeve” është libri i tretë i tij,

pas vëllimit poetik “Krahë dashurie” (1998) dhe vëllimit

me tregime “Amaneti i emrit”(2016), i mirëpritur nga

lexuesit, me ngjarje që lidhen sa me Shqipërinë, aq me

Amerikën.

Në lidhje me vëllimin e parë poetik “Krahë dashurie”

po sjell disa mbresa, nga një vizitë, në janar 2001, që

bëmë me kompozitorin e përmendur, Naim Gjoshi dhe

Gëzimin te personaliteti i ndritur i kulturës e i letrave

shqipe dhe njeriu aq shpirtmadh, Dritëro Agolli, i cili, në

atë kohë, kishte kaluar një sëmundje të rëndë. Dritëroi

na priti me aq ngrohtësi, bashkë me bashkëshorten e

tij të rrallë, Sadijen. Bëmë disa fotografi me ‘të, që sot

marrin ngjyra përmalluese. Dritëroi na dhuroi vëllimin

e tij poetik “Gdhihet e ngryset”, një nga vëllimet më të

bukura të tij. Gëzimi i dhuroi librin e tij të parë. Kur pas

disa muajsh shkova te Dritëroi, ai më foli për Gëzimin:

“E lexova librin e tij. Më pëlqeu se shkruante ngrohtë. Në

Prrenjas, kishte mbaruar? Më erdhi mirë se kishte biografi

poetike”. Diku, më vonë, lexova një thënie të poetit të

madh rus, Jevgenì Jevtushenko, që thoshte: “Biografia

e një poeti është poezia e tij. Të gjitha të tjerat janë

poshtëshënime.”. M’u kujtua Agolli dhe qesha…

Nga vëllimi i parë poetik, deri tek vëllimi më i ri, me

një titull domethënës, janë në mes dy dekada e ca jetë:

Punë e përpjekje, gëzime e zhgënjime, por ajo që dua

të theksoj, që në fillim, është se në këtë vëllim poetik

Gëzimi vjen më i plotë si poet, me një frymëmarrje më

të gjërë poetike, me një varg më elegant, më filozofik në

vështrimin e jetës me ngjyrat e saj, me një gjoks më të

sigurtë poetik, shenja këto të një pjekurie poetike, që i

bëjnë nder atij dhe poezisë së tij. Dëshira njerëzore për

një jetë më të bukur e hodhi në Floridën e dielltë, atje

në Amerikën e largët, ku ai jeton e punon e ku shkolloi

fëmijët e tij të dashur, pra e preku “ëndrrën amerikane”.

Po nuk ndjehet aq i plotë në jetën e tij shpirtërore, sepse

mbeti “bir i botës”, siç thotë diku në një poezi, sepse

e bren meraku se nuk i shërben vendit të tij, ndaj dhe i

kërkon falje aq çiltërsisht Atdheut për këtë, sepse rrënjët

e shpirtit i ka në vendlindjen e tij të dashur, në Mat dhe në

Atdheun e shtrenjtë e të pazëvendsueshëm.

Vëllimi poetik “Malli i brigjeve” ka larmi tematike,

ku mbizotëron malli i zjarrtë e dhimbja për të afërmit e

shpirtit, nderimi për figura të ndritura të vendit të tij, që

nga Pjetër Budi e Nënë Tereza, dhembja për shokun e tij,

Tahir Sinani, që ra për lirinë e trojeve shqiptare, motivi

i dashurisë, ku ndjehet më i sigurtë e i suksesshëm

poetikisht e ku ka edhe ndonjë poezi antologjike, që

do ta kishte lakmi çdo poet. Por jashtë vëmendjes së tij

nuk është natyra me ngjyrat e saj dhe poezia me temë

sociale, ku ai thotë fjalën e tij, që të vë në mendime për

jetën, realitetin, njeriun. E sërish më erdhi në mendje

Jevtushenko që thotë: “Vetëm atje, ku ndjesia e dhimbjes

për të tjerët fillon, atje fillon poeti”. Dihet që arti mbi të

gjitha është dhimbje…

Gëzimin e njoh që në moshën e tij djaloshare, si një

djalosh të edukuar, të çiltër e human, që ishte poetik dhe

pa shkruar poezi… I tillë ka mbetur edhe sot. Dallgët e

egra të jetës nuk e kanë tjetërsuar, ka mbetur vetvetja.

Poezia e tij, veç të tjerash, ka dhe një frymë edukimi,

meritë jo e vogël kjo. Pa dashur ta teproj me citate, nuk

mund të lë pa përmendur dhe afrikanin e famshëm,

kalorësin e lirisë, Nelson Mandela, i cili ka thënë dikur:

“Edukimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret

për të ndryshuar botën.”

Kur më erdhën poezitë e tij nga Florida dhe nisa t’i lexoj,

me një frymë, u emocionova, vërtet, dhe, për një çast, gati

harrova që jeton atje larg. Më ndodhi kështu, sepse m’u

duk sikur ai jeton këtu, mes nesh, mes gëzimeve e halleve

të përditshme. Kjo ndjeshmëri njerëzore reflektohet

e shpërfaqet në shumicën e krijimeve të tij poetike, me

një ligjërim poetik të këndshëm, që të bën për vete me

sinqeritetin e vargut, me butësinë e ndjenjës, por herëherë

dhe me përshkrimin e ndjenjës së dhimbjes apo të

revoltës, çka shpreh shpirtin e tij të trazuar prej poeti.

Poezia e tij është e çiltër, e kuptueshme dhe me mesazhe

domethënëse. Edhe kur ndonjë poezi nuk është aq e arrirë

artistikisht, siç ndodh me çdo poet, mesazhi që përcjell të

mbetet në mendje dhe shpirt. Figuracioni poetik, që i jep

hir poezisë, përdoret me masë, ku spikasin epitetet dhe

krahasimet, por dhe “mbretëresha” metaforë, që i jep më

dinjitet vargut, poezisë.

Tjetër tipar pozitiv i këtij vëllimi poetik është se ai

përdor forma të ndryshme vjershërimi, e kam fjalën për

strukturën, duke shmangur kështu monotoninë poetike.

Ndjehem i nderuar që ai më besoi mua redaktimin e

këtij libri. Për mua, ky vëllim poetik, është një ngjitje e

suksseshme në rrugën e tij krijuese, është një përmbledhje

e këndshme, që lexuesi i dashuruar pas poezisë, do ta çmojë

e herë pas here do t’u kthehet t’i rilexojë disa nga poezitë

më të bukura të këtij vëllimi, që nuk janë të pakta. Kjo

përbën një sukses për autorin, që meriton të përshëndetet

sinqerisht. Personalisht ndjehem tepër i gëzuar, që poezia

në shpirtin e tij ka marrë flatra të reja, çka premton edhe

për krijime të tjera dinjitoze në vazhdimësi të jetës, në

vazhdimësi të poezisë. Me që e nisëm këtë parathënie me

një poezi, po e mbyllim po me ca vargje të një poezie, për

ta kuptuar edhe më mirë Gëzimin si njeri e si poet, atje

larg në Florida, ku i urojmë mirësi e poezi.

“Nënave u mungon,

Një puthje fëmije.

Baballarët kanë mall

Për bijtë.

Fëmijëve u mungon

Përqafimi i prindërve.

Emigrimi-plagë për të gjithë…”

Burrel, mars 2021