Mjegulla e bardhë/White fog

Poetry

Shqipëroi: Delo ISUFI

Redaktor: Viron KONA

Recensent: Sadik BEJKO

Kopertina : Rajashree Mohapatra

 

First Edition: 2021

 

ISBN: 978-9928-326-97-3

Format: 14x20cm

 

Copyright©️2021 by Delo ISUFI

All rights reserved.

 

Prepared for publication: Roland Lushi

“ADA” Publishing House

Address: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cell: 068 22 190 16

 

Tirana, November 2021

 

Printed at the printing house of the “ADA” Publishing House.

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Mjegulla e bardhë : poezi indiane = White fog / shqipër.

Delo Isufi ; red. Viron Kona.

– Tiranë : Ada, 2021

312 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-97-3

1.Letërsia indiane (anglisht)      2.Poezia

821.111(540) -1

 

“Mjegulla e bardhë”,

libër me poezi indiane

 

1.

Poeti i njohur dhe i talentuar shqiptar Delo Isufi, i vlerësuar për nivelin e lartë të poezive të tij, kësaj here na befason me përkthimin anglisht të një sërë poezish nga India, nga ky vend i madh i botës, djep i qytetërimit botëror, i pasur në vlera kulturore, tradicionale, filozofike,  letrare dhe poetike si rrallë vende të tjerë.

Kush është poeti Delo Isufi?

Ai lindi në fshatin Brataj të Vlorës, më 15 korrik të vitit 1944. Mbasi mori mësimet e para në vendlindje, në vitin 1962 filloi studimet e larta në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore, Vlorë, ku u diplomua pilot gjuajtës – bombardues. Për 26 vjet me radhë, deri në vitin 1992, me aeroplanin ushtarak reaktiv mbizanor, ai përshkoi qiejtë dhe,  duke  u shquar mes pilotëve më të mirë, meritoi gradën e lartë “Kolonel”. Në vijim u emërua pedagog i Akademisë  për fluturimin, ku me pasionin dhe aftësitë e tij të veçanta përgatiti shumë pilotë të rinj. I etur për dije, Deloja vijoi studimet e larta për Jurisprudencë dhe në vitin 1972 u diplomua jurist. Prej vitit 1992 e në vazhdim, ai punon me profesionin avokat. Gjatë karierës, ka punuar, edhe Avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit dhe Avokat i Shtetit Shqiptar.

Hobi i veçanë  i Delo Isufit  është poezia. Deri më sot ai ka botuar 7 libra aristikë,  6 prej të cilëve janë me poezi. Ndër librat e tij më të përmendur janë: “Magjia e syve”,   “Kur lahet hëna”, “Tavolina e rezervuar” dhe ”Vajza e manaferrave”,  e cila ka dalë në qarkullim kohët e fundit. Me poezitë  e tij më të bukura, Delo Isufi është bërë pjesë e festivaleve poetike botërore, të zhvilluara vitet e fundit në Indi. Disa nga poezitë e tij janë përfshirë në antologjitë poetike periodike, që botohen në Andha Pradesh të Indisë. Siç shprehet ai, ndërsa dikur, mbrekullinë e qiejve e shijonte përmes fluturimeve, me supersonikun krahëhekurt, tashmë, figurativisht, mjeti më i sofistikuar “fluturues” është poezia.

Poezitë e Delos përcjellin mesazhe të vyera jete, shprehin ndienja të bukura  humane, ato janë realiste dhe të mbrujtura me filozofinë e thekur popullore. Ai i thurr himn veçorive më pikante të jetës, portretizon tipa dhe karaktere origjinalë, shquhet për kolorin popullor, humorin e shëndetshëm, tolerancën dhe ëmbëlsinë e vargut…

Përveç vlerave si poet, Deloja njihet edhe si përkthyes letrar në disa gjuhë të botës: anglisht, frëngjisht, rusisht… E, pikërisht, kësaj here kemi rastin të përcjellim në gjuhën angleze vlerat e krijimtarisë së rreth 50 poeteshave dhe poetëve indianë, nëpërmjet përkthimit mjeshtëror të poetit Delo Isufi.

2.

Republika e Indisë, është e shtata në botë për nga sipërfaqja dhe e dyta për nga ana e popullsisë. Ajo është bashkësi e 28 shteteve dhe 7 njësive federale të përbëra nga territore të bashkuara. India është djepi i kulturës së lashtë, i civilizimit dhe i disa besimeve. Ngritjet dhe zbritjet e perandorive në këtë vend janë bërë shumë më përpara se në Evropë. Mongolët ishin të parët që e pushtuan Indinë. Portugezët ishin evropianët e parë që arritën në Indi, Vasko De Gama në vitin1498 arriti në brigjet Kerala. Në vitin 1803 i gjithë rajoni i Indisë ishte nën pushtimin e anglezëve.

 

Ne këtu në Shqipëri, njohjen për Indinë e kemi nga shkolla, ndërkohë që kemi parë filma dhe kemi lexuar libra, veçanërisht  për Mahatma Gandhin (1869-1948), prijësi politik, shpirtëror dhe i lëvizjes çlirimtare të Indisë. Ishte ai që formoi rezistencën kundër anglezëve, duke përdorur rezistencë pasive, duke bojkotuar shpërndarjen e padrejtë të kripës dhe produktet e tekstilit anglez.  Gandi thoshte:”Jam kundër dhunës pasi edhe nëse në dukje  bën mirë, e mira është e përkohshme, ndërsa e keqja që bën është e përhershme.” Apo “Me mirësjellje ti mund të trondisësh botën.”

Në vitin  1948 India fitoi pavarësinë. Ajo konsiderohet një ndër shtetet që në dekadat e fundit ka arritur zhvillim të madh ekonomik. Atje ka rritje industria e automobilave, elektronikës, minierave, naftës, ajo ushqimore, farmaceutike etj. India është prodhuesi më i madh në botë i kallamit të sheqerit, çajit jutes dhe ndër shtetet më të mëdhenj  të prodhimit të orizit, duhanit, pambukut dhe mëndafshit. India është vend i pasur me shumë qymyr, hekur, magnez, boksit, titanium, krom, gaz natyror, diamant, naftë. Nga transportet, më i zhvilluari është ai hekurudhor. India përshkohet nga lumenjtë: Brahmaputra (2.900 km), Gang (2.700 km), Indus (3.200 km).

Nëpërmjet leximeve kemi njohuri për udhëheqësin e madh shpirtëror dhe mësuesin Buda, jeta e të cilit shërbeu si bazë për fenë budiste. Megjithëse ai jetoi gjatë shekullit të 6-të para Krishtit, mendimet dhe thëniet e tij janë ende me peshë dhe frymëzojnë miliona njerëz në mbarë botën  edhe sot. Nga ai dijetar i madh, kemi mësuar qindra fjalë të mençura, midis tyre dëshiroj të nënvizojë thëniet: “Mijëra qirinj mund të ndizen nga një qiri, dhe jeta e qirit nuk do të shkurtohet. Lumturia kurrë nuk zvogëlohet duke u ndarë. ”, “Tri gjëra nuk mund të fshihen gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta”,”Nëse vërtetë do ta doje veten tënde, s`do të lëndoje kurrë askënd”.

Ne shqiptarët kemi fatin e madh se në Indi, Nënë Tereza (1910-1997) i dha jetë e zhvillim misionit të saj të madh të  bamirësisë, ndaj, zakonisht ajo është e njohur si “Nënë Tereza e Kalkutës”. Mes të tjerash ajo  shprehej:”Kam lindur në Shkup,jam shkolluar në Londër,jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Apo: ”Në jetë mos fajëso askënd, njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japin mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme.” ,“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Emri dhe mësimet e saj adhurohen në Indi.

Në kujtesën e ne shqiptarëve kanë mbetur filmat artistikë të Raxh Kapurit, të shfaqur në vitet 60-të të shekullit të kaluar: “Vagabondi” dhe “Zotnia 420”. Ata magjepsën shikuesin shqiptar, duke sjellë një kinema krejt të panjohur, me subjekte sentimentale tërheqëse, me personazhe të dashur. Edhe sot mbahen mend nga shumë njerëz melodia dhe teksti i këngës së Raxh Kapurit: “Këpucët i kam japoneze, /Pantallonat inglize, /Kapelen e kam ruse, /Por zemrën e kam indiane.” Dekadat e fundit kanë hyrë në Shqipëri një sërë telenovelash indiane, që trajtojnë jetën sociale, kulturore, tradicionale dhe shpirtërore të popullit indian. Kemi pasur rastin që nëpërmjet vezullimeve të ngjyrave, tingujve të magjishëm të veglave muzikore indiane, subjekteve dhe episodeve mbresëlënëse, bukurisë shpirtërore dhe botës së ndienjave, të njihemi me fisnikërinë, zakonet dhe besimet e rralla indiane, me shpirtin e gjerë dhe të pasur, me episode e  ngjarje që pasqyrojnë përditshmërinë e jetës, problematikat e  saj. Nga literatura indiane e përkthyer, kemi mësuar për pasurinë e madhe folklorike dhe zakonore, rrëfimet dhe legjendat e lashta, fjalët e urta dhe proverbat popullore, për heronjtë e popullit indian.

Kemi mësuar se në Indi fliten qindra gjuhë dhe dialekte të ndryshme. Atje lopa është e shenjtë, ajo identifikohet si Devi (perëndeshë), simbol i natyrës nënë. Çdo indian do të ngadalësojë për të lënë një lopë të kalojë, por jo të gjithë do të lejonin një këmbësor të kalojë. Në Indi ka shumë tempuj,të cilët nderohen shumë. Kemi dijeni për zakonin më të njohur në Indi, “bindi”, një nishan i vogël i kuq, që është pikturuar në ballin e grave të martuara si një simbol i angazhimit. Ndonjëherë edhe burrat e mbajnë këtë shenjë, kur shkojnë në punë si simbol për fat të mirë. Kemi mësuar gjithashtu edhe përshëndetjen më tradicionale në Indi, bashkimin e pëllëmbëve të duarve, duke i sjellë ato drejt gjoksit dhe duke thënë: Namaste!( “Unë ju përshëndes!”). Njerëzit në Indi janë të mirë dhe miqësorë. Pothuajse kudo dhe gjithmonë ata të përshëndesin duke të dhuruar buzëqeshje. Ndonëse ka varfëri të dukshme, ata mund të përpiqen të të shesin diçka, por nuk pranojnë të bëhen lypës. Këto janë vetëm disa nga njohuritë që kemi për Indinë, teksa po vazhdoj me detyrën që më është caktuar.

Libri poetik “Mjegulla  e bardhë” me poezitë e tij shpreh jetën indiane dhe problematikat që e shoqërojnë, shfaq tipa dhe karaktere njerëzore, fate njerëzish, episode dhe  drama sociale, ndjenja të brendshme të njeriut: gëzime, dëshpërime, zhgënjime, bindje dhe besime. Mbi të gjitha, shfaqet respekti për njeriun, vlerat e tij morale, fuqinë e karakterit dhe inteligjencies për t`i ndryshuar gjërat në dobitë të jetës. Poezitë shfaqen përpara lexuesit herë si pishtarë të zjarrtë, që flakërijnë në errësirë, herë si prush e thëngjijë të ndezur që zbulohen kur trazon hirin në vatër. Janë poezi të shkruara nga mendje të talentuara, me ide dhe mesazhe, që përcillen nëpërmjet fjalës së bukur dhe të figurshme, nëpërmjet metaforave, krahasimeve, simboleve, të cilat harmonizohen me pamjet e natyrës, me traditat e vyera dhe jetën sociale. Ato evidentojnë vlerat dhe bukurinë e zemrave dhe të shpirtit të bukur indian.

Në hyrje, të librit shfaqet përpara lexuesit poezia plot ndjenjë dhe emocion “India ime”, e shkruar nga autori i shqipërimit, Delo Isufi:

” Në Vijayawada takova Indinë,

Poetë kishin ardhur nga e gjithë bota,

Aty  përqafova madhështinë,

Madhështinë që nuk e njeh Evropa.

 

Një vend i lashtë dhe po aq i ri,

Djepi i qytetërimit botëror,

Për Ty i thurr këto vargje, Indi,

Për tempujt e Tu shekullorë….”

 

Në vijim përcjellin shumë dashuri te lexuesi vargjet e  poezisë “Fjalët e  fundit të nënës sime”, shkruar nga Priyatosh Das. Janë vargje të ngrohta dhe plotë ndjenjë, ku lexuesi ndjen besimin që ka autori tek e ardhmja, ai  i gëzohet dashurisë së vëllezërve Borda dhe Jitu, birit të tij Poumit, bashkëshortes Mampi, e cila i dhuron vetëm dashuri. Vargjet ndjekin ritmin real të jetës, e cila si dallgët e detit që s`kanë fund, vete dhe vjenë me ritmin e saj, herë duke shkaktuar dhembje dhe trishtim, e herë gëzim e lumturi, teksa përherë e pa u ndalur, ajo përcillet te brezat që vijnë, te gëzimet dhe emocionet që sjellin fëmijët, nipërit dhe mbesat…Kurse te poezia “Një familje e lumtur”, autori  e gjen artistikisht këtë lumturi te dashuria që ekziston tek anëtarët e  saj, si të dojë të na kujtojë thënien e Nënës Terezë se:” “Për të promovuar paqen në botë, shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde.” Poezia shprehet me një figuracion të pasur dhe ritëm, kurse idetë dhe mendimet, të shoqëruara me krahasime e metafora mbresëlënëse, vijnë si gonxhet që janë gati të çelin lule plot ngjyra të ndezura dhe aromëshumë, duke përcjellë mesazhin:

“Ta bëjmë familjen të lumtur shembullore,

Dhe botën një shtëpi të mrekullueshme qiellore”.

 

Krijon një situatë krejt tjetër poezia “Në vdekjen time”, ku autori shpreh respektin dhe nderimin për poetin, dijetarin e mendimit, njeriun fisnik, që nuk i lë njerëzimit pasuri materiale, por ai lë trashëgim mendimin e mençur, të bukur, të urtë e paqësor, i cili u vlen njerëzve si një dritë që ndriçon erësirën, i orienton drejt mirësisë, dashurisë, bukurisë dhe vlerave të tjera të jetës. Poeti Delo Isufi, i cili në Shqipëri njihet ndryshe edhe si “poet i dashurisë”, duket se bën një shqipërim tepër joshës të poezisë “Dashuria ime” të poetes Rainy Sarmistha, ku ndjenjat poetike shkrihen dhe harmonizohen me dashurinë:

“Ëndërroj kur s`të kam pranë,

Zjarri më përvëlon në gji,

Zemra dhimbjen nuk ma mbanë,

Këtë poezi e thurr për Ty…”

 

Po kaq e fuqishme është ndjenja e dashurisë edhe në të gjithë poezinë “Burri i iluzionit”, ku shfaqet dhembja që shkakton dashuria, por dhe ndjenja e qetësisë, e paqes, e besimit e shpresës. Nga kjo poezi po veçoj vargjet:

“Oh, burri i ëndrrave të mia,

Zjarri më ka bërë të vuaj,

Luaj me pëshpëritjet e tija,

Me zemrën  e tij unë luaj…”

Si një peizazh i freskët vjen te lexuesi poezia e Kalpana Mallick e titulluar “Në sytë e mi”, ku peneli krijues i poeteshës rrëshqet mbi telajon-hapësirë duke pikuar metafora dashurie:

“Kur muzgu zbret ngadalë,

Mendimet notojnë mbi valë,

Bashkohen me pamjen hyjnore,

Nga buzëqeshja jote pranverore.

Fytyra shkëlqen me rrezet e shafranit,

Nga pëlhura e kuqe e sofrës qiellore,

Një madhështi, bukurie engjëllore.”

 

Poezia vërshon si një përrua pranveror me ujë jetëdhënës:

”Dhe muzgu rrëshqet ngadalë,

Yjet e argjendit në qiellin pa anë,

E shpalosin parajsën në tokë…”.

 

Plot figuracion shpaloset përpara lexuesit poezia “Petale dashurie”, ku dashuria si prushi i fshehur në gji, sa herë shfaqet, ka fuqinë të ndryshojë gjithçka, duke e frymëzuar njeriun të bëj të pamundurën për atë që do. Figuracioni artistik dhe figurat që ofron autorja e bëjnë jetën dashurore të begatë e plot gjallëri, ku e pamundura bëhet e mundur, kurse lexuesi si pa kuptuar sjellë në kujtesë e përjeton thënien  e Mahatma Gandhit se “Bukuria e vërtetë është zemra e pastër”:

“Më jep një vend të vogël në zemrën tënde,

Unë do të freskoj me dushe hyjnore,

Kopshtet e bukurisë do të mbjell në mendje,

Dhe ngjyrat e ylberit përrallore.

 

Tek ty do të derdh oqeanet e lumturisë,

Zemrën tënde do të kem fole përgjithmonë,

Përherë ta ndiesh aromën e dashurisë,

Dashuria ime do të jetë për ty një ikonë”.

 

Nxit mendime e përfytyrime poezia “Çfarë është e përsosur?, ku gjatë gjithë leximit ndihet mendimi realist dhe filozofik i autores Reshma Ramesh, e cila shprehet artistikisht se “të bukur, të përsosur, të mrekullueshme botën  e bëjnë njerëzit kur japin dashuri, kur bashkëjetojnë në harmoni dhe respektojnë e vlerësojnë njëri-tjetrin”, teksa, strofa e fundit e poezisë, na vë në mendime për ta jetuar jetën me përgjegjësi, ta pranojmë dhe të gjejmë te jeta anët më të bukura, më të begata që na bëjnë të lumtur:

“E përsosur është drita që mbush shtëpinë time,

Dhe dashuria që prindërit e mi kanë derdhur mbi ne,

E përsosur kjo jetë mes gjithë papërsosmërive,

Sepse vet e kam zgjedhur, si të vetmen fole.”

 

Vargjet e poezisë “Mjegulla e bardhë”, e poetes Ranjana Sharan Sinha, duken sikur duan të na kujtojnë thënien se “çastet e bukura nuk i ndjen kur i jeton, por kur i përkujton me mall”:

“Unë veten time këtu e gjej,

Duke bredhur në kujtime,

Mbrapa kthehem në atë kohë,

Në fëmijërinë e rininë time,

Është dhimbja që më ngroh.”

 

Tërheq vëmendjen në vëllim poezia e  Rohini Kumar Behera ”Paqe për njerëzimin”, ku poetesha i këndon me pasion dhe dashuri paqes, e cila është gjendja dhe situata sociale-politike  më e kërkuar nga shoqëria njerëzore. E ndien dhe e përjeton këtë, veçanërisht ai popull që e ka përshkuar rrugën e jetës së tij në luftëra të vazhdueshme për liri e pavarësi. Poetesha këndon me pasion dhe ngre zërin e saj që tingëllon si një sentencë:

“Paqja është e ëmbël dhe adhuruese,

Një botë paqeje është e admirueshme,

Në një botë të trazuar që jetojmë tashti,

Unë e ëndërroj paqen si një mrekulli…

 

Ta ushqejmë veten me paqe të kulluar,

Dhe njerëzimi do të jetë përherë i lumturuar.”

 

Mendoj se ka një kuptim të thellë, deri mistik, poezia “Dashuria është dashuri”, e shkruar nga Bijoy Bhakat, ku shfaqet me besim e optimizëm mesazhi se, kur njeriu bie në dashuri, bëhet i fuqishëm dhe arrin të pamundurën:

“Ajo është më e lulëzuar se pranvera  e blertë,

Dashuria e bënë lypsarin të ndihet mbret”.

 

Kurse te poezia “Sytë e mi kërkojnë ty”, mesazhi vjen përmes krahasimeve të bukura, që harmonizohen hijshëm dhe shfaqin mendimin erotik të autorit, me të cilin ai shprehë ndjenjat e thella të dashurisë. Te vjersha “Gjumi i qetë”, autorja Rumpa Ray-Ghosh, denoncon artistikisht realitetin e dhimbshëm të jetës. Poetja dëshiron të mos zgjohet, sepse “gjumin  ajo e konsideron si “ishull paqeje në detin mjerim”. Pas shprehjes poetike, ku rrëfen se çfarë  e djeg përbrenda shpiritn e saj, poetja shpërthen:

”… Dhe dua të rri në këtë ishull imagjinar,

Të dremis larg kthetrave të botës së trazuar,

Të përvidhem nga ky sistem i egër planetar.”

 

Të mbush me emocion poezia “Gruaja”, e cila është një himn i vërtetë kushtuar gruas nga poetesha Kalipada Ghosh. Ia vlente t`i citonim të gjithë vargjet e kësaj poezie, por për ilustrim zgjodha:

“Gratë janë si valët e oqeanit,

Janë qumështi i mirësisë njerëzore,

Janë si malet poshtë borës shekullore…

 

Nënat, gjyshet, bijat, motrat, gratë,

Janë sublime, përtëritja e jetës pa kufi,

 

Të përjetshme si lumi Ganga në mitologji.

…Unë përkulem thellësisht përpara amësisë,

Ato nuk janë kukulla, por drita e bukurisë.”

 

Është një vizatim me bukuri tronditëse poezia “Rrugica  e errët”, ku poetesha Rajbanshi Manmohan portretizon një lypës të pastrehë, që fle në trotuar. Me vargje të dhimbshme, që shprehin trishtim, poetesha shkruan një “protestë” poetike lidhur me qëndrimin që mbahet ndaj njeriut, të cilin e kanë lënë në mjerim të thellë dhe askush nuk do që t`ia dijë për hallin dhe fatin e tij:

“Me rrobat lecka në trupin e tij,

Me një shkop për t`u mbështetur,

Me barkun bosh, pa dritë e qiri,

Në errësirën e  tij të heshtur”.

 

Te vjersha “Një ditë”, poetesha Paramita Mukherj Mullick shpreh përmes vargjeve besimin se një ditë gjërat do të ndryshojnë për mirë dhe se bota do të jetë ndryshe. Me vargjet e saj, ajo duket se dëshiron të na sjellë në kujtesë thënien e Budës: “Fjalët kanë fuqinë për të shkatërruar dhe shëruar. Kur fjalët janë të vërteta dhe të mira, ato mund ta ndryshojnë botën tonë“:

“Një ditë gjithë luftërat do të mbarojnë,

Bota do të jetë në paqe, popujt do të gëzojnë…

Një ditë do të ketë dashuri dhe vetëm lumturi,

Të tërë do të jenë vëllezër, do të jenë në harmoni…

Një ditë urrejtja do largohet e miqësi do të ketë,

Nuk do të ketë më armiq, por miq të vërtetë.”

 

Duke pëfunduar, përgëzoj poeteshën Rajashree Mohapatra, që ashtu si në poezitë e saj dhe në kopertinën e këtij libri, pasqyron me realizëm dhe artistikisht botën e bukur shpirtërore indiane.

Urime poeteshave dhe poetëve indianë për këto poezi kaq mbresëlënëse!

Urime poetit dhe shqipëruesit Delo Isufi!

 

VIRON KONA

Shkrimtar