… Autori i këtij libri, nuk ka patur, as ditar dhe as shënime, por një kujtesë brilante. Kjo kujtesë e tij dhe shkrimi i tij me fakte të rëndësishme dhe të detajuara si të kishte qënë historian i arsimuar, ka ngjallur edhe të vdekurit, ku i ka patur dhe ku nuk i ka patur, duke marrë një rëndësi të veçantë edhe për saktësinë, po ashtu brilante…

 

Titulli i librit: Monografi e jetës sime

Autor: Ibrahim Sefa Ahmetaj

Redaktore: Zyra Ahmetaj

Kompjuterizimi: Zyra Ahmetaj

© 2021 autori

Botimi i parë, 2021.

 

ISBN: 978-9928-326-88-1

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 17x24cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

 

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2021

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Ahmetaj, Ibrahim

/ Ibrahim

Sefa Ahmetaj ; red. Zyra Ahmetaj.

– Tiranë : Ada, 2021

132 f. ; 24 cm.

ISBN 978-9928-326-88-1

1.Gjenealogjia 2. Autobiografia

  1. Rrëfime vetjake

929.5(496.5-3) (093.3

 

PARATHËNJE

 

E lexova këtë libër të autorit Ibrahim Sefa Ahmetaj që është libri i vetëm, i shkruar prej tij; një libër i thjeshtë, i kuptueshëm dhe shumëi i vertetë.

E vlerësoj shumë që ka shkruajtur jo thjeshtë një monografi të një familje, por monografinë e krejt fshatit tonë dhe rrënjëve të Fisit tonë të Bytyçit, në të gjithë brezat e vet, duke paraqitur gjithë panoramën e jetës së Fshatit tonë, Kepenek që nga fillimi i jetës në të.

Është një surprizë e madhe, se me nxjerrjen në dritë të vuajtjeve të pallogaritshme dhe shpesh tronditëse të familjes së vet, ka treguar gjithë kalvarin e vuajtjeve të të gjithë fshatit tonë në breza.

Autori i këtij libri, nuk ka patur, as ditar dhe as shënime, por një kujtesë brilante. Kjo kujtesë e tij dhe shkrimi i tij me fakte të rëndësishme dhe të detajuara si të kishte qënë historian i arsimuar, ka ngjallur edhe të vdekurit, ku i ka patur dhe ku nuk i ka patur, duke marrë një rëndësi të veçantë edhe për saktësinë, po ashtu brilante.

Ibrahimi është treguar modest dhe nuk i ka paraqitur edhe disa vlera të mëdhaja të familjes së tij që unë si më i vjetri i katundit tonë, i di:

a-Shtëpia e Sefullah Ramës është quajtur si një “Shtëpibletë” që nuk pushon duke bajtur; dikush hyn dhe dikush del, duke punuar gjithmonë.

Sefullah Rama, e mbaj mend mirë që i ka patur 6 kuaj si dhe dy pendë qe me saj, me të cilët bante krom pa pushuar, nga majat dhe kodrat dhe e lëshonte pranë rrugës automobilistike.

b-Kjo shtëpi është quajtur “Shtëpi e Hallallit”, pasi ka punuar vetëm me djersën e vet.

c-Është quajtur “Shtëpi Bujare” mbasi edhe pse ka pas rënie dhe ngritje prej fatit, bujaria nuk i ka munguar kurrë. Për bujarinë po ju tregoj një gjë që unë e mbaj mend:

-Kur Sefullah Rama, e zbriste bylmetin nga bjeshka, menjëherë ua ndante një pjesë, të varfërve duke ju dhënë djathë, tlyen dhe lesh të deleve të tij.

Përveç kësaj, në festat fetare, familja e tij, i prenin nga tre kokë berre në një festë dhe ua jepnin atyre që nuk kishin gjë për të prerë.

d- Është njohur si “Shtëpia e Kreut të Katundit”.

E dija që Familja Ahmetaj është njohur e tillë dhe i ka patur do nderime të veçanta, por ky libër më tregoi historikun e trimërisë së Syl Osmanit në luftime me bandat sllave që dhunonin dhe plaçkitnin në Nokshiq, Plavë dhe Guci, që kjo shtëpi e ka trashëguar këtë titull.

Siç ka thënë edhe autori i këtij libri, fshati ynë ka pas një harmoni të jashtzakonshme, në mes njëri tjetrit. Këtu e kemi shëmbullin kur kjo familje e Ahmetaje, e bënë një kullë trekatëshe, më të madhen në Bytyç. U desht ta transportojnë gelqeren nga Bujani për ta sjellë në Kepenek. E bajtën i gjithë fshati së bashku dhe kishte rast që bëheshin me nga 30kuaj të ngarkuar me gelqere. Kështu vepronin gjithnjë, kur dikush bënte shtëpi apo edhe punët në fshat që i bënin së bashku.

Nuk mund ta lë pa përmend rastin shumë fisnik dhe njerëzor të Sefullah Ramës, kur Sefullahi, bashkë me babën tim, Rrustem Ukën dhe gjyshen time Gjyke Kameren, i patën arrestuar gjermanët në vitin 1944 dhe i patën çuar në Kampin e përqëndrimit në Prishtinë dhe kur e morën vesh në Kamp, siç ka treguar Idriz Dini që vuante edhe ai me ta në atë kamp, që Ajdin Zeneli po përpiqet ti nxjerrin vëllezërit e vet, Sefën dhe Ahmetin nga Kampi, qoftë edhe me kushtin që të dorëzohet vetë, babai im Rrustem Uka i thot Sefullahit që ju po ju nxjerrin prej këtu, se Ajdini njeh personalitete të nalta, ndërsa mua nuk ka kush më bjen mbrapa.

Sefa i tha:

-Rrustem, ne bashkë kemi hy këtu. Jemi kan si vëllezër gjithë jetën dhe unë për të gjallë nuk dal prej kësaj dere, pa dal’ bashkë me ty!

Për fat të keq, të dy e gjetën vdekjen së bashku, kur u varën prej gjermanëve te Kullat e Lumës.

Kjo shtëpi ka qënë dhe është një shtëpi me karakter të fuqishëm që nuk ka ndryshuar dhe nuk është gjunjëzuar asnjëherë para regjimit komunist.

Unë e kam parë dhe bllokun e shkruar me dorë nga Ibrahimi dhe jam çuditur që e ka filluar dhe mbaruar këtë libër, pa i rënë vizë asnjë rrjeshti, përveç ndonjë shkronje në të rrallë, apo një dyfjalëshi dhe jo më shumë.

Më ka befasuar përdorimi përgjithësisht, i shkronjës së madhe në emrat e përveçëm, duke e ditur që ai shkrim do të shkruhesh në kompjuter. Mendoj që të zbatojë, qoftë edhe disa rregulla drejtshkrimor, në shkrimin me dorë, një person i moshës 86 vjeç, është një gjë e madhe.

Shkrimin e tij e ka bërë përgjithësisht në gjuhë standarte që i ka ardhur përshtat edhe redaktores së këtij libri, vajzës së tij, Zyra Ahmetaj. Megjithë këtë Zyraja i ka lënë, në pak raste, disa mënyra të shprehuri në gegnisht, sidomos disa folje në zgjedhimet e përdorura, do shprehje zonale si vlerën e lekut me të vjetrën, apo shkruarjen e mbiemrave sipas zakonit që i thërritnim në emër të babës, mbiemrat e personave, mbaresa e ndonjë emri të gjinisë mashkullore, të trajtës së shquar siç i ka shkruajtur vet Ibrahimi etj.

Këto shmang’je krejt të lehta, ndaj standartizimit absolut të librit, i kan ruajtur pak nuancat e të folurës së përditshme në gegnisht, në fshatin tonë.

E përgëzoj autorin e këtij libri për vlerat njerëzore dhe historike që ka përcjellë!

Ky libër historik duhet të njihet nga brezat tanë me radhë që të mësojnë ta ndërtojnë jetën dhe ta ngrenë atë edhe kur rrezikon të shuhet, nga përplasjet që të sjell jeta dhe kushte kaq të vështira historike!

Jeta merr kuptim kur jetohet, gjithmonë me dinjitet!

 

Ali Mulaj, Tiranë.