Titulli: “MURI BUROKRACI”

-Autor:Dedë Nikollë Luca( DENILU)
-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha
-Kopertina: Agim Sulaj

-Botim i parë 2017
-NB/Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 13.5x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, maj 2017
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Luca, Ded N.Muri burokraci :
epigrame / Denilu ;
red. Vjollca Shurdha.
– Tiranë : Ada, 2017
116 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-97-5
1. Letërsia shqipe 2.Epigrame
821.18 -193.2

Parathënie

Në vëllimin epigramistik të radhës titulluar “Muri burokraci” autori Dedë Nikollë Luca (DENILU)prezanton një përmbledhje kushtuese. Duke qenë epigrami një formë e satirës ( karakter të cilin e mori në periudhën perandorake) krijimet në libër marrin edhe këtë karakteristikë, përpos shkurtësisë e gjallërisë. Vëzhgohet nga epigrami në epigram një arsenal i pasur, i konservuar, i mbledhur nga origjina në shënime të shumta, konverguar në moderne dhe bashkëkohore. Lidhje të jashtme a politika asnjëherë nuk e kanë devijuar poetin,romancierin, epigramistin (DENILU) të heqë dorë nga rrugët e pavarura;ndaj ngre zërin në :
“Viktima të përhershme /të murit burokraci”.
Në këtë zhanër letrar interesant e bëjnë vëllimin pluralizmi dhe leksiku i pasur; me të cilin shpesh hasim në një trimetër jambik, hekzametër epik a pentametër.Aftësia e ndërthurjes në mënyrë të përsosur së metrikës është tregues i intelektit të autorit, që njëkohësisht ,parashtron dhe zhanrin aforistik –epigramik në të gjithë operën e tij. Në fakt vëllimi ka frytet e veta të zgjedhura,dedikuar një specializimi me variacion të konsiderueshëm tematikash, ku shquhet scoptico (satirike, shpesh me “sulme” politike) , apo letrare-kritike:
“Të flas mbi politikën? Aspak e rëndësishme!/Ka një lloj alergjie ndaj planifikimeve të hollësishme/E njëjta burokraci që zvarrit shtetin… /një prirje për të kryer veprime të rastësishme.”
Përshkrimi elegant me të cilin poeti dëshiron të nxjerrë në pah vende dhe vepra të artit, përbëjnë stilin virtuoz, të zhvilluar në vite e vite eksperience letrare, që konkurrojnë për forcën ekspresive ,frut ky i njohurive të tij në këtë lëmì. Epigramisti bazohet edhe në ndjenjat e thjeshta e natyrën:
“Bisedoi për gjëra që i dinim,/Tha: Të bëhemi si pemët./Të ndërrojmë gjethet,/por mos braktisim rrënjët.”
Bazohet në simpoziumin dhe sofistikimin letrar,bazohet në një ngrohtësi e harmonizim të hollë në : Rrugët e aktualizimit:
“Ajo çfarë është e trashëguar nga kohrat,/ndodhet brenda nesh e me ngrohtësi na flet./Shpërthen të gjejë rrugët e aktualizimit,/duke jetuar në harmoni me kohën e vet”.
Në mesin e shkrimtarëve qëndron dhe shkrimtari -epigrams Dedë Nikollë Luca, i cili fragmentet satirike i ka përdorur jo vetëm si rrufeja, por edhe si shprehje intensive e ndjenjave.Epigrame filozofike dhe disi autobiografike, shkruar me ton të mprehtë e të shpejtë.Në “ Personazhet e romaneve te mia “ ndër të tjera shkruan :
“Personazhe, si dy gjysma që kërkojnë njëra-tjetrën,/duke kërkuar jetën dhe të vërtetën./Të njëjtë dhe të kundërt që bisedojnë me Dedën./Të bëjnë njeriun, që ka nevojë!/Të njohë botën, të vlerësojë vetveten.”
Një filozofi më vete epigrami që perifrazova më sipër. Bashkëbisedimi me vetveten e thellësia e mendimit të autorit më solli ndër mend filozofin e shquar Johann Gottlieb Fichte me teorinë e tij “ L’io pone il non Io per essere io” (Unë (vetja ) i vendos jo unë ( jo vetes ) të jem unë ( vetja ).
Duke qenë psikolog epigramet e autorit Dedë Nikollë Luca marrin ngjyra më metafizike
Në sajë të krijimeve të bollshme dhe origjinale duke njohur personalisht shkrimet e tij mbi 40 vjeçare shprehem me bindje e përgjegjësi se: Dedë Nikollë Luca mbizotëron si autor epigramesh për excellence, si një klasik i vërtetë, model poetik per të gjithë epigramistët, në mënyrë të pashmangshme, për shkak të pjekurise letrare-filozofike. Në vëllim trajtohen argumente të ndryshme me tone delicate, trishtimi, shakaje.Herë gazmor e herë i zemëruar por kurrë i shthurur,vulgar dhe askurrë agresiv.
Dëshiroja të pyesja autorin; çfarë e shtyn të vazhdojë të shkruajë përpos pasionit ?Përgjigjen e gjeta të thjeshtë e të kristaltë( ashtu siç është vet ai në fisnikërinë e mirësinë që i mbështjell shpirtin )në këtë epigram-Lexuesi dhe leximi :
“Të shkruajë libra të shumtë/çfar e shtyn epigramist Dedën?/Gjatë leximit kuptohet/se lexuesi nuk është vetëm”.
Me karakterin e duhur komik titulli dhe teksti formojnë një binom, në mënyrë të përkryer me strukturën e gjinise epigramatike . Formulimi figurativ i mendimit kritik të autorit mund të përdoret nga lexuesi edhe si aforizëm i karakterit filozofik për jetën.Dedë Nikollë Luca me eksperiencën e tij letrare-artistike rimëkëmb këtë traditë poetike me origjinalitet: Shkurt dhe drejtpërdrejtë, preferon tema me humor dhe të ashpra e lë të kuptohet përshkrimi . Gjuha e DENILU është e afërt me të folurit thjeshtë dhe qartë, lidhur me aktualitetin.Në të vërtetë nuk gjejmë në operat e tij imagjinazioni përtej të mundshmes.Duke patur kompletësisht aromë njerëzore në krijimet e tij bëhet fjalë për jetën e përditshme përfshirë këtu edhe emigracionin. Në: A mundemi :
“Nëse ikim diku si mërgimtarë/a mundemi të mos kemi pjesë/nga aty ku kemi qenë më parë”?
Në :Një Odise i dytë
“Emigrant–shtegtari është një Odise,/që mban mend gjithçka përmes mallit,”
Me ndërtimin tragji-komik godet mostrat e vërtetë të njeriut: spiunët, profiterët, konsumatorët ,të cilët jetojnë si parazitë,hajdutët,etj.Kete e gjejmë në :Mbipopullim i pushtetit
“A mundet ta përceptojmë politikën/me sëmundjen e pashërueshme kancer?/Si fillim kjo sëmundje e ka një fazë;/Sëmundja është mbipopullim i pushtetit/me vjedhës,mashtrues dhe matrapazë”!
Denoncon degjenerimin e një bote pa shkarë nga hijeshia poetike duke qëndruar gjithmonë afër tradicionales, metodologjikamente e leterariamente:
“E vërteta është një zonë e minuar./Shpesh të kërkosh të vërtetën/është si të lexosh një libër në errësirë./Mashtrimi quhet një alternativë e mirë/E vërteta në parlamentin e Shqipërisë;/Ankthi dhe asgjëja i përkasin vazhdimësisë.
Për t’i dhënë zgjidhje vazhdimësisë, me një regres të frymëzimit të lulëzuar autori evidentohet duke riprodhuar çift elegjiak në rima të përputhura.Dualizmi i mendimit të autorit mund të konsiderohet në mënyra të ndryshme (të brendshme o relative në sektorin e një realiteti unik shpirtëror –idealist) nga secili lexues.Në- Kapitalizmi dhe virtytet ndër të tjera shkruan:
“U krijuan kushte, ku gjithçka varej nga përpjekjet personale/e jo nga siguria e prestigjit të tij tradicional. /U lëkundën të gjitha themelet e jetës tradicionale, /virtytet dhe respekti u hodhën në kanal.”
Prek me dhimbje në shpirt autori temën e papunësisë,kësaj plagë të madhe globale: Papunësia tregon se nuk je i lirë.
“Në parim, papunësia ka cënuar lirin e individëve./Këtu qëndron zanafilla e humbjes së lirisë. /Aq e fuqishme është frika e humbjes së vendit të punës,/sa njerëzit heshtin përballë padrejtësive politike të dhunës. /Në një shoqëri ku personi është i kërcënuar prej papunësisë,/mund të themi se nuk ekziston nocioni i lirisë.”
Dukuri e veçantë në këtë vëllim është estetizmi në radhitje i epigrameve nga tema në temë, pa kapërcime akrobatike (siç ndeshim rëndom nëpër disa libra) gjë e cila ç’orienton lexuesin emocionalisht.
Me përkushtim njerëzor autori Dedë Nikollë Luca hyn nëpërmjet fjalës në kufijtë e ndërgjegjes humane,për të lidhur një bashkëpunim ,për të kapërcyer muret e shumtë ngritur mes njerëzve ,ndër të cilët dhe… Muri burokraci !

Vjollca Shurdha
Shkrimtare –Poete-Përkthyese
Itali