… Poeti, me pendën e tij shëtit gjithandej, madje deri matanë Atlantikut, qëmton grimca jete dhe i thurr në vargje. Në poezitë e autorit gjen mall, dhimbje, kujtime, dashuri për familjes, prindërit, nipa e mbesa, për shokë e shoqe e, mbi të gjitha dashuria për atdheun qëndron si aureole në këtë vëllim poetik…

 

 

Titulli: “Një erë e dalldisur” – Poezi

Autor: Lutfi Brami

 

Redaktor: Delo Isufi

Recenzent: Viron Kona

Kopertina: Foto nga Google

 

ISBN: 978-9928-398-98-7

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, shkurt 2024

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Brami, Lutfi

Një erë e dalldisur : poezi / Lutfi

Brami. – Tiranë : Ada, 2024.

100 f. ; 20 cm

ISBN: 978-9928-398-98-7

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

DEDIKIM

 

Këtë vëllim me poezi ia kushtoj bashkëshortes time, Engjellushe në 50 vjetorin e martesës.

Mirnjohje për pjesën tënde të madhe në krijimet e mia. Në jubileun e këtij udhëtimi të përbashkët 50 vjeçar, mirënjohja e pakufishme imja dhe e fëmijëve tanë është për ty, e dashur. Me dashurinë, përkushtimin, mirësitë e sakrificat e tua ke qënë dhe mbetesh mbështetje e jashtëzakonshme dhe ilaçi magjik për lumturinë e jetës sonë.

Një urim të përzemërt dhe mirënjohje të thellë për ju miqtë tanë kudo që jeni, që me miqësinë tuaj i keni dhënë jetës sonë dimensionin më njerëzor, më fisnik e më social të saj.

E dashur Lushi !

Ne sapo e kaluam pragun e 50-vjetorit të martesës. Përgëzojmë veten për këmbënguljen dhe guximin me të cilin kemi mundur të mbijetojmë me sukses çdo vit. Ne ndërtuam një shtëpi me gurët e gdhendur të dashurisë. Urojmë suksese në arritjen e qëllimeve dhe Zoti e ruajtë familjen tonë!

Dashuria e fëmijëve, të afërmve, shokëve e miqëve tanë na frymëzojnë dhe na japin shpresë për një të ardhme të lumtur, që do të na  zgjasë jetën për një dashuri të gjatë dhe të zjarrtë!

50 vjetë dorë për dore kemi ecur nëpër jetë, përkundër viteve të nxituara me shpejtësi, duke u përplasur me shkëmbinj nënujorë dhe ajsbergë në një oqean dashurie të pafund. Për gjysmë shekulli, së bashku, ne përqafojmë njëri-tjetrin me dashuri. Është shumë e vështirë të ruash për një periudhë kaq të gjatë të madhe kohore ndjenjat, që digjen si një flakë e përjetëshme dhe ngrohin fëmijët, nipërit e mbesat. Kemi vënë re ndryshime në pamjen e njëri-tjetrit, rrudhat e para dhe flokët e thinjura, por kjo nuk na ka penguar të dashurojmë me besnikëri dhe butësi..

Pra, le të shumëzohen pesëdhjetë vjet me një shekull, dhe jeta jonë  familjare do të jetë plot harmoni dhe ditë të lumtura me diell, duke mbajtur një qëndrim pozitiv  gjatë gjithë kohës, respektuar, vlerësuar e dashuruar. Bota është e rrethuar me bukurinë e saj.

Le t`i japim njëri-tjetrit buzëqeshjet e shpirtit dhe me dëshirën e Zotit, me shëndet cilësor le të festojmë edhe përvjetorë të tjerë !

 

Dhe tani vjeshta është në pragun e derës.

Ta lëmë jetën të ziejë e vëlojë pa u ndalur,

Si përrenjtë e maleve në ditët e pranverës.

Që nesër askujt të mos i kërkojmë të falur

 

 

Dy  fjalë për jetën dhe veprimtarinë e autorit

 

Lutfi Brami u lind më 10 Mars 1948, në zonën e Roshnikut, në Kostrenin Nr.2 , e cila  ndodhet disa kilometra nga qendra e qytetit të Beratit, nën këmbët e malit të Tomorit dhe së bashku me Kostrenin, Bogdanin, Vojnikun, Dukovën dhe Karkanjozin, përbëjnë grupin e fshatrave, që kanë në krye si mburojë, malin e Tomorit.

Roshniku njihet si vendlindja e Mehmet Qyprili Roshniku (1578-1661), një nga figurat e mëdha të historisë sonë, ku falë zgjuarësisë e aftësive u bë  Kryevezir (Kryeministër) i Turqisë për më shume se 5 vjet,Nga dinastia e Qyprilinjve, me origjinë  nga Roshniku, dolën dhe pesë Kryevezirë, Kjo dinasti, drejtoi Turqinë, për më shumë se 27 vjet. jo vetëm në kohën e Perandorisë Turke, por edhe në Turqinë moderne.

Lutfiu rrjedh nga një familje e madhe me tradita patriotike e atdhetare, bazë e luftës Nacional – Çlirimtare. Nga kjo familje ka edhe Dëshmorë të Atdheut.

Familja e Lutfiut, në vitin 1957 largohet nga zona e Roshnikut dhe vendoset ne Duhanas e më vonë në qytetin e Beratit.  Shkollen fillore e kreu në Duhanas, ndërsa arsimin 7-vjeçar në qytetin e Beratit. Shkollën e mesme e ka kryer në Pedagogjiken “Babë Dudë Karbunara”,  ku u titullua “Mësues”.

Mbas mbarimit të shkollës së mesme, emërohet mësues i gjuhës shqipe e letërsisë, në shkollën 8-vjeçare të bashkuar Duhanas – Qereshnik.Më vonë ka kryer edhe detyrën e Drejtorit të shkollës.

Ndonëse e filloi punësimin me mësimdhënien, pasi mbaroi Akademinë e Policisë, u titullua oficer, ku punoi për më shumë se 43 vite të jetës.

Ka  vazhduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji, dega Gjuhë – Letërsi, ku fitoi titullin  “Mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe”. Në vitin 1983 – 1984, ka kryer studimet  pasuniversitare, në filozofi.

Mbas vitit 1977, emërohet në Digasterin e Ministrisë së Brendshme. Gjatë punës në këtë ministri, kualifikohet në disa kurse trajnimi, duke u paisur me dëshmitë përkatëse, nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA, për hetimet kriminale, nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, nga Ambasada Angleze, si dhe në kurse të gjuhëve të huaja, për rusisht, frëngjisht e anglisht.

Në Ministrinë e Brendshme, ka mbuluar funksione të ndryshme. Në vitin 1984 – 1988 ka punuar në Degën e Punëve të Brendshme Kolonjë në detyrën e Sekretarit të Komitetit të Partisë të kësaj Dege.

Mbas vitit 1988, rikthehet përsëri në Ministrinë e Brendshme, ku ka mbuluar disa funksione si: Nëndrejtor i shkollës së edukimit në Tiranë, Drejtues i kurseve të kualifikimit të kuadrove të Ministrisë së Brendshme, Oficer drejtimi i parë në sektorin e informacionit, Specialist në sektorin e gadishmërisë e informacionit (përgjegjës grupi me gradën N/kolonel), Kryespecialist drejtimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Përgjegjës në sallën e drejtimit e koordinimit të emergjencave, me gradën Kryekomisar, deri në dhjetor 2013, kur doli në pension të plotë pleqërie.

Gjatë punës është vlerësuar me fletë nderi e lavdërimi, medalje e urdhëra, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të kohës. Ka qenë aktiv në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, si dhe në revistën “Në  shërbim të popullit”, ku ka shkruar reportazhe e artikuj problemor si dhe ndonjë poezi të thjeshtë. E ka patur pasion letërsinë dhe që në ato vite ka shkruar poezi .

Që prej vitit 2010 banon në Filadelfia të Pennsylvania, USA, së bashku me bashkëshorten e fëmijtë. Janë me shtetësi amerikane.

Në Filadelfia merr pjesë aktive në jetën e veprimtaritë që zhvillon shoqata “Bijtë e Shqipes”, si antarë kontribues të saj.Eshtë dhe anëtar i Forumit të Ushtarakëve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe i zgjedhur Sekretar i tij. Për ndihmesën e dhënë, është  vlerësuar me Certifikatën “Nderi Ushtarakut”, nga kryesia e Forumit të Ushtarakëve dhe me Certifikatë “Mirënjohje” nga Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Gjithashtu është vlerësuar me Certifikatë edhe nga Organizata e veteranëve të luftës së UCK në SHBA “ Për merita të vecanta ndaj kauzës dhe indentitetit kombëtar shqiptar “

Lutfi Brami, tani vjenë para lexuesit me librin e tij të pare me poezi të titulluar “Një erë e dalldisur”.

Ndoshta treva ku u lind poeti, ndoshta bukuria e tij shpirtërore kanë bërë që poezitë e këtij libri të jenë si një orkestër e harmonizuar ku çdo varg ka melodinë e tij..Poeti, herë-herë shfaqet “delikat” kur i kendon bukurisë dhe herë-herë i “matur” kur i këndon atdheut. Vargu i tij është përherë në rritje dhe plot emocione. Tematika e këtij vëllimi është e larmishme por të gjitha poezitë  pasqyrojnë shpirtin delikat te poetit. Poeti bisedon me lulet, me rrezet e diellit, me hënën, me zogjtë dhe vargjet e tij i qëndis me petale të freskëta e plot vesë mëngjesi. Ja si shprehet në poezinë “Me rrezen e diellit bisedoj”

Rrezja e diellit të  marsit çdo mëmgjes,

Pa  trokitur ajo erdhi në dhomën time,

Solli një tufë trëndafilash me vesë,

Më zhyti thellë, në të largëtat ëndërrime.

 

Poeti, me pendën e tij shëtit gjithandej, madje deri matanë Atlantikut, qëmton grimca jete dhe i thurr në vargje. Në poezitë e autorit gjen mall, dhimbje, kujtime, dashuri për familjes, prindërit, nipa e mbesa, për shokë e shoqe e, mbi të gjitha dashuria për atdheun qëndron si aureole në këtë vëllim poetik.

Muza e poetit e ku nuk shkon, në gjithë trojet Arbërore dhe, përsëri kthehet atje ku puthi dritën e diellit për herë të pare.

Për Përmet’ e Mezhgoran’ ndiej mall,

Aty ku Rilindasit ndriçuan me dije,

Por Beratin e kam shpirt dhe xhan,

Berati im është dritë bukurie.

Delikatesa në shpirtin e poetit ka bërë që edhe në ndonjë poezi “kritike” të mos vihet re vrazhdësia ashtu si edhe në poezitë lirike të mos ket teprime.

Ti vajzë e bukur me syrin e zi,

Do doja të të puthja një çast,

Në zemrë do e vija si hajmali,

Atë puthje plot zjarr e afsh.

Dhe, me dhimbje i shkruan kohes se pandemise ku kontinente të tëra u mbyllën brenda.

Trishtimi në shpirtin tim këmbëkryq rri,

Kontinente të tëra ngujuar në rrethim,

Rrugë të boshatisura, të mbyllur në shtëpi,

S’kendon  asnjë zog, s’dëgjohet cicërimë.

Vargu i poetit lodron në kujtimet e kohës, merr krahë e shëtit nëpër re, kthehet në petale dashurie.

Sa herë kam trokitur në zemrën tënde,

Ajo më ka kthyer veç buzëqeshje,

Nuk më ka dhënë kurrë premtime,

Ka dhuruar vetëm dashuri në heshtje.

Autori në vargjet  e tij, ndonnëse shprehet në vetën e pare, lexuesi e gjen veten aty. Pra, është poezi për të gjitha moshat ku, edhe ndonjë kujtim “i humbur” rikthehet freskon mendjen. Sa bukur e pershkruan poeti nje dashuri të largët në kohe.

Kërkova vizionin tënd mes ditë kujtimesh,

Kërkova buzëqeshjen e zbehtë e të harruar,

Më kishe humbur në vranësirë mendimesh,

Unë i çmendur s`e kuptova, isha i vonuar.

Poeti njeh mirë gjuhën e bukur shqipe, përdor me mjeshtëri metaforën dhe figurat letrare. Ai përcjell mesazhe dashurie për atdheun ku ndonëse i mungon disi, ai përsëri atje larg, në Amerikë, punon për ruajtjen e vlerave të popullit e kombit tone.

Vargu i poetit është lule, është erë, është aromë mali, dallgë deti, stuhi, këshillë e qortim.

I nderuari Lutfi, i uroj rrugë të mbarë librit tuaj “Një erë e dalldisur”.

 

Le t’ia lëmë lexuesit që të shijojë nektarin e këtij vëllimi poetik

 

Delo Isufi