…Që në momentin kur ata marrin mbi supe përgjegjësin e ruajtësit të jetës dhe veshin bluzën e bardhë, janë të detyruat të bëjnë me vetëdije të quajturin “betim të Hipokratit”.Këtë betim e bëri me vetëdije dhe besim të plotë edhe studenti i vitit të fundit të Mjekësisë në Tiranë, Pavllo Kallojeri. E këtë na e thotë bukur e artistikisht në këtë libër mjeku e autori TOMORR DHRIMO…

 

Titulli: Një jetë në ruajtje të shëndetit

– Dr. Pavllo Kallojeri

Autor: Tomorr Dhrimo

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Dhrimo, Tomorr

Një jetë në ruajtje të shëndetit dr. Pavllo Kallojeri /

Tomorr Dhrimo. – Tiranë : Ada, 2022

168 f. : me foto ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-63-6

1.Mjekësia 2.Mjekë 3.Biografia

4.Kallojeri, Pavllo 5.Shqipëri

61(496.5) (092)

929(496.5) [Kallojeri, Pavllo]

 

NJË FJALË  E  NGROHTË  E  MJEKUT

VLEN MË SHUMË SE NJË BARNATORE

 

Mjeku dhe shkrimtari Tomorr Dhrimo këtë herë shfaqet tek lexuesit dhe bashkësia e punonjësve të shëndetësisë me një botim interesant për ta. Domosdo, ai nuk merr përsipër të shkruaj për të gjithë radhazi siç do të dëshironte se ashtu nuk do t’i sosnin vitet. Jo, vepron ndryshe duke hedhur gurin në ujë dhe prej këtij gjesti krijon një varg të madh rrathësh koncentrik. Nëse do ta shprehja mendimin me termat e stilistikës letrare, atëherë do të thosha se shkruesi i librit përdor formën metonimike të rrëfimit. Kjo do të thotë se ai krijon raporte të qarta varësie mes njëjësit dhe shumësit, mes pjesës dhe të tërës.

Në këtë mënyrë, ndërsa shkruan me dashuri dhe hollësisht për Doktorr Pavllo Kallojerin, krijon edhe nëntekstin kuptimor për mjekët e tjerë me emër pozitiv të Spitalit të Sarandës në vite. Kjo mënyrë e të rrëfyerit e bën Tomorrin jo vetëm individualizues, por edhe tipizues situatash e portretesh.Profesioni i mjekut e ka veçantinë që në fillesë të udhës së vet humane e sakrifikuese.

Që në momentin kur ata marrin mbi supe përgjegjësin e ruajtësit të jetës dhe veshin bluzën e bardhë, janë të detyruat të bëjnë me vetëdije të quajturin “betim të Hipokratit”.Këtë betim e bëri me vetëdije dhe besim të plotë edhe studenti i vitit të fundit të Mjekësisë në Tiranë, Pavllo Kallojeri. Pa këtij betimi solemn e human, iu drejtua garderobës për të veshur bluzën e bardhë për t’u bërë më pas një roje shembullore e jetës njerëzore.

Këtë që sapo shënova, autori i librit “NJË JETË NË SHËRBIM TË SHËNDETIT”, shkrimtari Tomor Dhrimo e jep me hollësi të shumta e fakte konkrete duke i nxitur lexuesit respekt e mirënjohje për këtë mjek të shquar të Spitalit të Sarandës. Ashtu si bleta që jep mjaltë për vit, edhe njeriu duhet të përsërit vazhdimisht e vazhdimisht mirësitë. Kjo e thënë është e vërtetë për cilindo, por mendoj se veças qëndron për imfermierët dhe mjekët .

Mendoni si do të ndiheshin banorët e një fshati apo qyteti nëse punonjësit e shëndetësisë nuk do të prodhonin e shpërndanin për ditë barin çudibërës të “mjaltit të shërbimit e të mjekimit “. Domosdo, të braktisur nga “dora e jetës”, në mëshirë të fatit e në humnerën e fatalitetit. Sipas librit të autorit për Doktorin, por edhe sipas mendimeve të shprehura nga kolegët në vite e veças nga pacientët të cilëve u shërbeu, mjeku Pavllo Kallojeri ka “prodhuar” vazhdimisht e pa u lodhur mjaltë për të tjerët duke u shërbyer me sakrificën e njeriut të pa përtuar.

Të diturit në vite e shekuj janë autorët edhe të apostulës së mençur që thotë: “Mos beso gjithçka që thuhet dhe mos thuaj gjithçka që di”. E solla në shkrim këtë thënie për të dalë tek mendimi se Doktori Pavllo Kallojeri gjatë gjithë viteve të shërbimit ndaj njerëzve i ka besuar shkencës dhe shkencëtarëve dhe jo bestytnive e sharlatanëve. Përherë ishte në kontakt me arritjet e mjekësisë shqiptare dhe botërore, gjithmonë lexonte e thithte dituri, pa synuar apo lakmuar gradat e “dijetarit” të gjithëdijshëm. Si kudo, edhe në shërbimin shëndetësor ka patur dhe ka edhe disa sharlatanë që marrin rolin e tutorit dhe gjithë ditën mbeten duke u thënë të tjerëve se çfarë duhet e çfarë s’duhet bërë. Doktorriishte nga ata specialistë të fushës së tij i cili u thoshte më të rinjve pa poza madhori, por thjeshtë si një vëlla më i rritur: “Hajde djalë (apo vajzë) të bëjmë këtë se u duhet jo vetëm pacientëve, por në radhë të parë na duhet ne mjekëve”. Mendimin e të diturit dhe të urtit Sokrat se shëndeti është më i çmuar se pasuria, Doktorri e kishte si bazë e motiv të punës, të bisedës apo këshillës, ndryshe nga disa të tjerë që kanë patur dhe kanë moto pune e jete babëzinë e shfrenuar dhe pangopësinë e fryrjes. Nuk e ziejnë fjalët orizin, por zjarri, thoshnin me të drejtë të parët tanë.

Sipas librit të Dhrimos, por edhe sipas fjalëve e mendimeve të specialistëve dhe gjithë atyre që e kanë njohur, doktor Pavllo Kallojeri ishte njeri i veprimit dhe i punës këmbënulëse, i bindur se vetrëm kështu u shërbehet njerëzve dhe vetëm kjo është udha drejt rezultatit pozitiv. Durimi është i hidhur, por frutin e ka të ëmbël.Doktorr Pavllo Kallojeri ishte specialist durimtar jo për një orë, për një ditë, por edhe me vite. Durimi ishte një nga çelsat e punës së tij të suksesshme. Intelektual i lexuar, shumëplanësh, i kulturuar e mbi të gjitha i ditur. Pak vlejnë sytë nëse mendja është e verbër, pra, mendja është perëndesha e trupit, shkruanin mjekët e shquar arabë. – Sjellja shembullore dhe edukata e lartë njërëzore qenë cilësi të tjera të vyera të doktorr Pavllos. Ashtu si thotë populli ynë, mjeku i mirë të shëron me fjalë. Një fjalë e ngrohte e njerëzore e mjekut vlen sa një barnatore e tërë, ndërsa fjala e tij si akulli, e shton dhjetë fish të keqen. Doktorri e kishte si natyrë të vetën fjalën e ngrohtë e të ëmbël, ndaj dhe pacientët dhe qytetarët e donin sinqerisht dhe e respektonin për çdo mement.

Parimi bazë i Doktorit të nderuar ishte i prerë. Ai u thoshte kolegëve e kolegeve:”Të shpëtosh jetën e një njeriu është shumë herë më mirë se sa të ndërtosh një pallat shumëkatësh” . NJERIU është e ardhmja e njeriut, shkruanin iluministët francezë që në shekullin e tetëmbëdhjetë. Fjala emër Njeri dhe fjala mbiemër Njerëzore janë dy shënjimet magjike që na ndajnë nga fjalët kafsha dhe kafshërore. Kuptohet, çdo individ e bën pikturën e vetvetes me sjelljet e veprimet e përditshme përgjatë gjithë jetës. Doktor Pavllua për vetëveten ka realizuar mjeshtërisht një pikturë të mahnitshme si ato të Ticianit e Mikelanxhelos në kohën e Rilindjes europiane. Për njerëzit me krenari të sëmurë, mediokër, por fodullë, populli ynë i ditur thotë: “Malosia do buza, por s’e lë hunda”. Pëkundër të tillëve që e matin veten me hijen e mëngjezit, Doktor Pavllo Kallojeri, sipas rrëfimit të çiltër të autorit Tomorr Dhrimo, ishte dhe është fotoja ideale e njeriut të thjeshtë e mirëkuptues, të sinqertë dhe komunikues.

Mbyllja: Një fjalë e vetme falenderimi arrinë deri në qiell, thonë japonezët. Atëherë, me një libër të tërë vlerësimi e falënderimi autori, mjeku shkrimtar Tomorr Dhrimo, arrinë qiejt.

 

PAJTIM ÇAUSHI