…Nuk mund mos të them që gjatë leximit të këtyre poezive ndjeva se jeton shqiptari, kudo që të ndodhet, në çdo situatë që ndodhet, shpirti shqiptar nuk vdes. Poezia shqipe, e trajtuar nga poetë të tillë si Pranvera Gjoni, me librin e saj më të fundit, tregojnë se krahas ruajtjes së fizionomisë dhe traditave artistike e kulturore shqiptare, janë integruar mjaft suksesshëm në kulturën dhe traditat europiane…

Titulli i librit: NOMADJA E DRINIT
Autor:  Pranvera Drita GJONI

Kopertina:  Ana GASHI

Redaktor & Korrektor:  Pranvera  Drita  GJONI

Botimi i parë, 2021

 

ISBN: 978-9928-326-70-6

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë,  mars 2021

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Gjoni, Pranvera

Nomadja e Drinit : poezi /

Pranvera Drita Gjoni.

– Tiranë : Ada, 2021

160 f. : me foto ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-70-6

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

DUKE SHFLETUAR “NOMADEN E DRINIT”

 

-Refleksion rreth librit “Nomadja e Drinit”

të poetes Pranvera Drita Gjoni-

 

Duke ndjekur me vëmendje poezitë që përmbledh libri më i ri i poetes Pranvera Drita Gjoni “Nomadja e Drinit”, arrijmë menjëherë në disa konkluzione, siç mund të themi:

-Një stil i kombinuar mjaft bukur me trajtat bashkëkohore të krijimit metaforik, poezi të gjetura dhe të përndritura artistikisht, një përdorim novator të gjuhës në variantin gegërisht, çka mbahet si traditë rezistuese edhe ndaj ndryshimeve dhe lënjes pas dore prej shumë kohësh, që erdhi deri tek një eksperiment i dështuar mohimi i saj, motive me sens malli dhe dashurie për vendlindjen dhe atdheun e saj, një shqetësim real i demonstruar artistikisht dhe gjuhësisht për humbjen e vlerave reale, mohimin e figurave atdhetare historike, që kanë qenë dhe janë ashti i atdheut, përmes një revolte eksklamative, shpeshherë brenda një pasioni racional artistik dhe demaskues për tradhëtarët dhe mohuesit e identitetit kombëtar etj.

Nuk mund mos të them që gjatë leximit të këtyre poezive ndjeva se jeton shqiptari, kudo që të ndodhet, në çdo situatë që ndodhet, shpirti shqiptar nuk vdes. Poezia shqipe, e trajtuar nga poetë të tillë si Pranvera Gjoni, me librin e saj më të fundit, tregojnë se krahas ruajtjes së fizionomisë dhe traditave artistike e kulturore shqiptare, janë integruar mjaft suksesshëm në kulturën dhe traditat europiane, duke reduktuar shumë diversitetin mes kulturave në kostelacionin kulturor europian në të gjitha variantet, mbase dhe duke dominuar. Në këtë libër poetik shikojmë një vizion më të gjerë të përballjes kulturore në kulturën europiane, si një dëshmi e aftësive intelektuale të krijuesve shqiptarë lidhur pashmangëshmërisht me përvojat e ndryshme të fituara si rezultat i lëvizjes së lirë të popullsisë.

Por shpirti i poetes nuk është i qetë për asnjë moment kur shikon se si maltrajtohen atdheu, njerëzit, vlerat individuale dhe kombëtare, se si “Atdheu a vdes, kur prehëni /s’përkund ma pasardhës…?”. Kjo pasqyrohet mjaft qartë tek poezia “A VDES ATDHEU…?”, me të cilin hapet dhe libri: “Kur bijtë e braktisin frymën / Atit i shterrojnë fjalët, / i plasaritet buzëqeshja, / i paralizohen gjymtyrët… / Hedh mbi supe plafin e trishtë / e tkurret brenda vetes, / dritës zbehtë të madhështisë… / Kur bijtë kthejnë shpinën / Ati shpërfytyrohet…”.

Në të gjithë 118 poezitë e këtij vëllimi ka një linearitet, ku përvijohet gjithnjë, herë me tone më të lehta, herë më të ashpra, një revoltë e poetes ndaj shumësisë së antivlerave në kontekstin social dhe familjar, ku predominon zëri i saj kumbues, që përmes tropeve letrare dhe sidomos përmes metaforës, ekspresionizmit racional dhe një eksklamacioni rrënqethës, kërkon që të kuptojnë të gjithë se ç’po ndodh në të vërtetë në këtë botë: “M’ka vdekë drita e paqes, / qyshkur eprorët bërtasin n’emën të saj, / e vetë e vrasin luftnash të projektueme / në agjendë përfitimi mbi popuj t’urtë, / mbi kultura mëndafshta që kurrë s’ankohen… / mbi qiej t’ndritshëm / që shuhen para syve tanë çdo ditë…” (Poezia “Dija është robnimi i vetes”). Apo tek poezia “Fuqi e kushtëzueme”: “… sapo mbërrina n’zemrën e gurit! / Zot sa dhimbje preka, / me sa lotë u njoma, / me sa tradhëti u ndesha…”

Pranvera Gjoni, duke qenë një emigrante, nuk e lejon veten që të tërhiqet zvarrë mes shpresës dhe dëshpërimit, pavarësisht se ajo jeton çdo çast pranë vendit të saj, pranë trojeve ku lindi, por me një shpresë këmbëngulëse që gjithçka e bukur atje do të jetë përsëri vlerë në rritje. Besimi i saj i ka rrënjët tek edukimi që ka marrë, por dhe pse ajo e ka shijuar me shpirt vendlindjen e saj, atdheun e saj dhe në shpirtin e saj përvijohen motivet më të bukura të ligjërimit poetik. Kështu përmes një enumeracioni poetik, na jep realitetin brilant sëbashku me mallin dhe dashurinë e saj tek poezia “NDERI DO ESHTËN KRESHTE!”: “Kush ka moshën e Tropojës, / t’rrahi gjoks / n’tan gjatsinë e trojeve / që flasin, urojnë e ngushllojnë shqip… / Kush e ka rrajën që i âsht’ ushqye / me Valbonë e Drin, / shtrat t’mbluem me qiell, / fytyrë prej toke, / zemër malesh, / trup të gdhendun me lavdi, / e ka erzin e duhun / të shpalosin librin e lashtë / e të bërtasin sa shekujt kanë histori, / e kam dashni kët’ truell…! / E kush faqen e zezë e ka, / merret me shtriga të shformueme / t’linduna në fjalë ere, / sofrash pa kambë, / të shtrëngojnë gurmazin, / të lidhin nyje ushkurin, / se koha çjerr e bjerr keqëdashsit / e i len në qoshe turpnuem, / me damkën e mjeranit… / Kush ka veshë shpirtin e Tropojës, / ka diellin e papërlyem me famë të shtirun…/ në shtatë epoka!”

Me një elegancë vargu dhe mendimi, përmes një logjicioni poetik dhe kulturor, na sjell para nesh përmes poezisë “Fare pak duhet…!”, mësimin e artë të suksesit në çdo kohë se “Durimi asht çelësi i artë bashkëjetues”: ku shprehet: “E ngreha demin / nga arena e zjarrit, / lidhun buzëqeshjes / e paqes blu… / Kishte harrue trimi / çdo të thotë: / – të jesh triumfues / pa derdhun gjak, / të jesh kryelartë / pushtetit të brendshëm / pa ndërsymje, / cinizëm e pa luftë…! / Durimi âsht’ çelsi i artë, bashkëjetues!”. Kjo është një trajektore tipike ideale e njeriut që kërkon të mirën, paqen universale.

Kur flasim për prurje dhe në fushën e gjuhësisë, mund të paraqesim disa nga fjalëformimet që poetja i sjell në vendin e duhur, ku mendimi përforcohet, por dhe ngjyroset poetikisht nga vlera e këtij fjalëformimi, që lexohen si një fjalë e vetme dhe me kuptim artistik shumë kuptimplotë e funksionalë, siç janë: gijotinosur, llafazanagjëruesit, natëzinjtë, potereshumtit, vendalitë, Krishtlindvdekjeve, riniliria, demoeuropë, bukurivrasëse, të virgjunish, shqyeshmërisht, tejkohës, qiellfrymësh, hekureshtrish, shpirtkombit, kohëlirisë, rrënimfrikës, vdekjesgjallë, rrezeputhjesh, silikonist, opiumizues, plagëshpresë, lutjefestimit, buzëtrishtueshëm, mirëpërtypet, flamuratdheu, demopartisë, të shpirtmendjes, fatrrjedhës, fundfillimin, pengpërfituese, ndërdije, plotmbushi, gjoksnudot etj.

Përdorimi në vendin e duhur dhe me kolorin e duhur të këtyre fjalëve, tregon aftësinë e poetes për t’i dhënë poezisë së saj etnitet dhe pasuron gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe me fjalë të tilla, të cilat ja rrisin emocionin poezisë, por dhe mbajnë një peshë të madhe në etnopluralizmin kulturor, në një sistem global botëror. Gjithashtu tregon elasticitetin e gjuhës shqipe, e cila ka gjithnjë prezencë dhe mundësi jo vetëm dialoguese, por dhe për të shprehur emocione përmes kuptimit të saj artistik.

Por tek poezia e kësaj poeteje gjejmë dhe një tjetër të veçantë, e cila lidhet me sentencat metaforike brenda çdo poezie, që janë themelore dhe konkluzion i zgjuar, ku përvijohen të gjitha vlerat e poezisë dhe në total të të gjithë librit, siç janë: “Në shkresat e gjith’kohëshme / bardhësia zhytet n’komplot, / trusteve struciane t’diplomacive!”, “E të jetosh me vdekjen në gji, / âsht’ si skllavi që pranon n’heshtje fatin e tij…!”, “Sublimët, s’ushqehen me ankesa…!”, “Intoleranca e gjith’pushtetshme, / shfaros njeriun si minjtë…!”, “Të qofsha fal edhe kështu si je, / dje, sot e nesër në ty baj bé…!”, “… kjo pranverë vdiq pa ardhë, / e bashkë me të
nji pjesë e koshiencës tone / u varros si heretikët / me dhimbje e pa kujë…”, “Atit ia shkulën zemrën, / (për t’shumtën herë) / vorrëmihësit e historisë!”, “…e kur dita t’çel vetveten / e t’bajnë diferencën me natën,  / t’këndojë kushtrimin-hymn… / – O rilinda, o u ngjalla… / unë refugjati pa tokë t’hipotekueme!”, “(Shkarravinat e demo-diktaturave / të bahen pleh për muze…)”, Drejtësia çliron jetën prej makthit…!”, “Lutja âsht’ plotnia e dashni-shpirtit / në dhimbje e falenderim…!”, “Grykësia pjell jonjeriun. / Sinonimi i tij rrit mizerjen, / e kryet tymos ekstremin.”, “Ndiej… veç ndiej, e qaj!”, “Zot, Ti e di ça âsht’ dhimta e pasosun…!”, “Duhet plazmë e vjetër,  / për të (ri)mbjellë / lahutarët biometrikë…!”, “… rebus konfiktual e nesërmja!”, “E përveçmja âsht’ si dielli, e vetme ndrin’!”, ” … heronjtë s’belbëzojnë!”, “Valbona s’rrjedh ma ujë, veç lot idhnimi!”, “Shkuem tejet larg…, e kthimi s’ka shpëtim!”, “Çfarë s’e zan’ pluhuni, rilind…!”, “Ataku, âsht’ pickim kujtese…!”, “Toka âsht’ kthye / në vrasëse të vetëvetes…/ …qyshkur në mitrën e saj / ngjizi ëngjëllin, dhe djallin… / … s’ka ku ta kërkojë fajin!”, “Drama n’demokracinë e dështueme,
sektin e demonëve i bani mbretën…!”, “Nana…! / Ah Nanat…! / Pushtet jetësh / që shkëmbejnë veten, / triumfit të vazhdimësisë!”, “… fike at’ dreq cigarje, / të sotmen po e djeg tymi!”, “…e na ecim krenar në t’kundërtën e kohës!”, “Përbindshat e botës mefshtë, / furnizojnë falë, ferrin e Dantes…!”… etj.

Këto shprehje dhe të tjera që gjenden brenda librit, janë tregues të një ngritje shumë të madhe të nivelit poetik në krijimtarinë e Pranverës, që sjellin kumte reale jo vetëm nga shpirti i një poeteje, por është një estetizim, që të grish të mbash lidhjet me realitetin, duke të dhënë të kuptosh esencën e ekzistencës përmes thellësisë së të shprehurit poetik me konkstruktime jo vetëm kombëtare, por si një sistem vlerash të qëndrueshme.

Unë i uroj poetes Pranvera Gjoni suksese të vazhdueshme, duke e falënderuar që na ka dhënë një krijimtari të realizuar mjaft bukur, me qytetari, kulturë poetike, ku shpirti i saj sjell dritë dhe dashuri mbi çdo mendje. Çdo bibliotekë do ta kishte për nder të kishte këtë libër brenda saj dhe çdo individë do të ishte i fituar ta kishte në dorë këtë libër.

Suksese, Pranvera!

Miqësisht, Ndue Dragusha, Lezhë