…Teksa ndalesh e vështron nëpër vargjet e poetes Zyra Ahmetaj, domosdo se bëhesh shtegtar i pashmangshëm nëpër atë udhë muzash, ku laryshia e temave dhe estetika e vargut padyshim se të shpie të përballesh me emocione të pafundme…

 

Zyra AHMETAJ

 

 

poezi-poèmes

 

Zyra Ahmetaj, copyright©

 

Redaktimi dhe përkthimi në frengjisht:

Adem XHELADINI

 

Botimi i parë, 2024

Tirazhi: 200 kopje

 

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë,  2024

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Ahmetaj, Zyra

Për të gjitha dashuritë : poezi = Pour tous

les amours : poèmes / Zyra Ahmetaj ;

përkth. në frëngj. e red. Adem Xheladini.

– Tiranë : Ada, 2024.

192 f. ; 20 cm

ISBN: 978-9928-823-07-6

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

Të gjitha dashuritë në gërshetën e përjetimit dhe pamposhtësisë nëpër kohë!…

(Vështrim mbi përmbledhjet poetike “Për të gjitha dashuritë” dhe “Udhët e jetës” të Zyra Ahmetajt)

 

Teksa ndalesh e vështron nëpër vargjet e poetes Zyra Ahmetaj, domosdo se bëhesh shtegtar i pashmangshëm nëpër atë udhë muzash, ku laryshia e temave dhe estetika e vargut padyshim se të shpie të përballesh me emocione të pafundme.

Dy krijesat (përmbledhjet poetike) tashmë shohin dritën të botuara edhe në gjuhën frënge si version dygjuhësor (shqip-frengjisht), ku lexuesi tanimë edhe frankofon dhe me shije frankofone do të hasë në vlera të një përkushtimi të pothuajse një jete të tërë, duke e mbrumur atë me ngjyrat e larmishme që i sjell vetë ajo dhe që autorja i sjell kaq besueshëm përpara lexuesit sqimatar. Të dy përmbledhjet nisin me poezi që burojnë nga thellësia e shpirtit, domethënë asaj sublimes, që me fjalorin e së përditshmes do ta quajmë sfida e dashurisë përmes fjalës së bukur, ku autorja vargënon me kaq pasion.

Mëtej karvani i emocioneve na shpie tek motivi i atdhedashurisë, koncept i kultivuar për një kohë të gjatë, ku autorja përmes rrëfimit të saj poetik na shpie nëpër ujërat e trazuara të kohës së sakrificës, ku shqiptari jo rrallëherë ka qenë i degdisur dhe ka bërë sakrifica të skajshme për të arritur tek liria e shumëpritur që nga lashtësia e gjer në kapërcyell të mileniumeve që lamë para dy dekadash.

Nëpër vargjet e autores Zyra Ahmetaj lexuesi mund të hasë edhe historinë e bujshme të traditës, ku vargu dedikues, sidomos ai që i përket epikës së Maleve, është spikatur me finesë të hollë, duke filluar nga kreshnikët e atyre bjeshkëve krenare, ku krenaria dhe pamposhtësia e plisit të bardhë bashkëjetoi me shqiponjat dhe bardhësinë e maleve duke motivuar brezat të radhiten në karvanin e pamposhtësisë.

As folklori tejet i pasur i vendlindjes së autores as tradita, as heroizmi, nuk është se nuk na dalin në spikamë!… Me një origjinalitet gjuhësor dhe një mjeshtëri prej rrëfimtareje, autorja na sjell tradita e ngjarje, të mbështjellura me  petkun e vargut artistiko-estetik, duke sjellë në letërsinë e vargut edhe prurje të reja gjuhësore (përveç transmetimit me besnikëri) të vlerave të trashiguara.

Pjesë e këtyre dy përmbledhjeve nuk mbetet pa u bërë as vargu për më të vegjlit, duke e joshur lexuesin e moshës së njomë përmes formës së fabulave, që në poezinë e sotme, jo se edhe kultivohet aq shumë, por autorja përmes kësaj forme të të rrëfyerit, tenton të rifreskojë traditën e leximit tek më të rinjtë duke i joshur ata me temat e tyre të adhuruara, siç janë edhe fabulat dhe bota e kafshëve, përmes të cilave autorja mëton që të nxisë masën lexuese, si kundërvënie të parimeve të teknologjisë të cilat më së shumti i japin peshë imazhit se sa mesazhit. Pra, autorja ndodhet përballë sfidës që të joshë përmes fjalës së shkruar dhe njëkohësh të ndjellë dëshirën tek mosha e njomë.

Gjatë shtegtimit nëpër vargjet e poetes Zyra Ahmetaj, lexuesi do të hasë edhe një botë të tërë shpirtërore të një shpirti të vuajtur, ku tabllotë e përditshmërisë që jetojmë na shfaqen me gjithë zymtësinë dhe shkëlqimin që ngërthen jeta më vete. Shumica e temave tek shtegtimi kësoformë ka personazhin e njohur që është vetë autorja me gjithë vuajtjet dhe gëzimet e jetës përnjëherësh. Pra ajo, autorja, mjeshtërisht na shpie dhe na bën bashkëpjesëmarrës të këtij përjetimi.

Përvoja e gjatë e leximit dhe hapërimit nëpër situata të ndërlikuara të jetës ka bërë që autorja të ketë ruajtur stilin e saj, i cili i përket rrëfimit tradicional, ku shumica e vjershave dalin të rimuara po megjithatë me mendim të thellë.

Në pjesët përmbyllëse të të dy librave me poezi të zgjedhura, lexuesi do të hasë edhe në poezi përkushtuese, që shumë krijues ia kushtuan vetë autores, të cilët e klasifikojnë dhe e krahasojnë me figurat sublime nga mitet dhe si një Malësore e fuqishme, me plot bagazh qëndrese, ashtu siç janë përgjithmonë edhe kreshtat e maleve ku autorja frymon e bërë njësh me vendlindjen e saj, Kepenekun e Bytyçit në Tropojë, duke ndarë të gjitha zezonat e bardhësitë që u gërshetuan nëpër kohë.

Në aspektin teoriko-estetik letrar, autorja ka sjellur një mori figuracioni ku në të shumtën e rasteve spikat edhe poema, spikat vargu përkushtues, po njëkohësh spikat edhe ai shpirtëror.

Me një fjalë në vargun e autores Zyra Ahmetaj gjejmë gërshetën e estetikes, romantikes dhe epikes, të trajtuara me kaq finesë e me kaq përkujdesje, sa lexuesi besoj se do të mbetet i mahnitur nga përvoja dhe talenti i saj krijues.

Adem Xheladini, Kërçovë, prill 2023