… Autorja ka vendosur të shkruajë historinë e dashurisë së saj. Mund të ishte një ditar, mund të ishte një bllok shënimesh, përmes të cilit ajo flet me djalin e saj, Matteon. Por paraqitja në formën e novelës, e bën atë më interesante dhe nuk mbetet më një bashkëbisedim me djalin, por merr forcë narrative dhe fjalët e zemrës ndahen me një auditor më të gjerë, ndahen me lexuesin…

 

 

Autore: LORI NDRECA

Titulli: Profecia e luleshitëses

La Profezia della Fioraia

Redaktor&Korrektor: NDUE LAZRI

 

Botimi i parë: 2020

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

ISBN: 978-9928-326-24-9

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2020

 

PARATHËNIE

 

Atë ditë, bashkë me Mozën, po shkonim për pushime në Alpet e Sudtirolit,pranë kufirit midis Italisë e Austrisë. Rrugës u dëgjuam në telefon me mbesën time, Lorin, e cila banon në Rovereto pranë Trentos dhe po shkonte të punonte në aeroportin e Veronës. E lamë që të takoheshim në dalje të autostradës në Verona Nord, fare afër aeroportit. E kemi gjithnjë për kënaqësi të takohemi me Lorin, se është një vajzë e gjallë e gazmore dhe krijon një atmosferë të gëzueshme me atë dinamizmin e saj e me energjinë rinore që e karakterizon.

Biseduam shpejt e shpejt, se ajo ishte për në punë. Kur i përmendëm datën e kthimit, që i binte 3 gusht, dhe i thamë që edhe mund të ndaleshim për një kafe në Rovereto, ajo na tha: Atë ditë kam dy gëzime: kam ditëlindjen dhe do të martohem. Dhe pastaj shtoi me një ton që e zvogëlonte entuziazmin që zakonisht karakterizon evenimente të tilla si martesa: Nuk do bëjmë ndonjë dasëm, është një ceremoni martese në komunë, me praninë e një numuri të vogël personash. Nëse dëshironi mund të vini.

Ne i bëmë urimet tona paraprake, duke i thënë që urimet më të plota do ja dërgonim në ditën e caktuar, duke shtuar se nuk e dinim orarin kur do të zbrisnim nga Alpet, kështuqë nuk do të ishim prezentë në atë ceremoni.

Pikërisht më 3 gusht, ne ia dërguam urimet tona të përzemërta me mesazhe dhe për ta shprehur në mënyrë edhe më të ndjerë urimin, i kushtova këtë poezi:

 

SYTË E LUMTURISË

 

-Lorit në ditën e martesës së saj-

 

Sot sytë e tu janë mbushur me shumë dritë

e nga çdo pore e trupit të buron lumturia,

shkëlqim të veçantë merr papritur kjo ditë,

kur në dy zemra kurorëzohet dashuria.

 

E ç’duhen fustani i bardhë e ceremonitë pompoze,

me priftin që rri e citon biblën në altar?

Ju ditëve dini t’u jepni përherë ngjyrë roze,

a nuk është Matteo më i miri dëshmitar?

 

Ndaj, tek rri e shkruaj për Ty ndonjë varg,

do të doja të vija me shpejtësi rrufeje,

por ndonëse urimin ta dërgoj që nga larg.

zemra rreh ngrohtësisht aty pranë teje.

 

Por jeta ka të papriturat e saj. Qoftë ne, qoftë Lori, nuk e dinim që ajo martesë do të zgjaste vetëm një muaj. Na erdhi shumë keq, kur mbesa ime e dashur na e komunikoi këtë gjë, duke folur në telefon përmes lotësh të hidhur.

E kemi përjetuar edhe ne me dhimbje këtë gjë, por gjithnjë duke i dhënë kurajo mbesës e duke i thënë që të vështrojë gjithnjë përpara, sepse është vajzë e re, ka një djalë frut të asaj dashurie, e jeta do i ofrojë mundësi të tjera më të mira për të qenë sërish e lumtur. Padyshim, në mënyrë më intensive e ka përjetuar këtë ngjarje vetë Lori. Mbesa ime nuk është shkrimtare. Megjithatë shpirti artistik nuk i mungon e kur është rasti për të shkruar diçka të përjetuar me emocione të forta, është vetë zemra që di t’i zgjedhë fjalët për të përshkruar situatat. Kështu, para ca kohësh, më erdhi në dorë nga Lori, kjo novelë, të cilën unë kam kënaqësinë t’ia prezantoj lexuesit. Natyrisht, unë kam luajtur rolin e redaktorit, kam lëmuar ndonjë frazë apo paragraf, por mund të them që intensiteti i ndjenjës me të cilin ajo e kishte shkruar këtë histori, më befasoi.

Autorja ka vendosur të shkruajë historinë e dashurisë së saj. Mund të ishte një ditar, mund të ishte një bllok shënimesh, përmes të cilit ajo flet me djalin e saj, Matteon. Por paraqitja në formën e novelës, e bën atë më interesante dhe nuk mbetet më një bashkëbisedim me djalin, por merr forcë narrative dhe fjalët e zemrës ndahen me një auditor më të gjerë, ndahen me lexuesin.

Unë nuk kam ndërmend të bëj komente rreth veprës. Dëshiroj  t’ia lë lexuesit ta shijojë në qetësinë e tij e të shikojë që edhe një nënë apo vajzë e thjeshtë, kur flet me fjalë zemre, mund të veshë petkun e tregimtares.

 

Ju uroj lexim të këndshëm

 

Ndue Lazri

Bolonjë, Itali.