Miku ynë Basir Bushkashi sot ka ditëlindjen. E ne i urojmë edhe shumë vite të tjera të lumtura. Në këtë ditë të bukur për të, shtëpia botuese “ADA” publikon edhe librin e tij më të fundit.

 

Titulli: PSHERËTIMAT E ËNDRRAVE…

Autor: Basir Bushkashi

Redaktor: Kujtim Stana

Recensent: Gegë Tusha

Kopertina: Agron Sejamini

Arti grafik: Artan Kurti

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

 

Shtëpia Botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7 Tiranë

www.botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, 2021

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

 

Bushkashi, Basir

Psherëtimat e ëndrrave… : poezi / Basir Bushkashi ;

red. Kujtim Stana. – Tiranë : Ada, 2021

144 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-59-1

 

1.Letërsia shqipe   2.Poezia

 

821.18 -1​

 

 

MJESHTËRIA ARTISTIKE

DHE FIGURACIONI POETIK

NË POEZITË E BASIR BUSHKASHIT

Disa mendime rreth librit më të ri të poetit të shquar,

“Eseninit matjan”, Basir Bushkashi,

titulluar “Qiejt e brengave…”

Nga Mevlud BUCI

Studiues e publicist

Cilido lexues, veçanërisht, studiues e

publicist, kur rilexon krijimtarinë e poetit

matjan e mbarëkombëtar, Basir Bushkashi, do të

ndjente peshë të rëndë në shpirt e në mendje, do të

meditonte e, pse jo, edhe të shkruante e argumentonte

për lirikat filozofike, të thjeshta e domethënëse, të

cilat të japin kënaqësi, të frymëzojnë e, mbi të gjitha,

të mësojnë sesi është vlera, drita e shpirtit, mençuria

e, mbi të gjitha, njeriu i kohës, njeriu i mirësisë, sesi

është dashuria e vërtetë, bukuria e madhështia e

jetës njerëzore. Pa mëdyshje e pa aspak hiperbolë

e nostalgji, e themi qysh në fillim të këtij studimi

të thjeshtë, se poeti Bushkashi është një vlerë e

shtuar për kombin, i përket një brezi të shquar e

gjurmëlënës, një poet me dritëlirì, me frymëzim

dhe, mbi të gjitha, i kuptueshëm e frymëzues për

lexuesit e çdo moshe.

Mati i barotit, vendlindja, Mallunxa e fisnikërisë,

shokët, ngjarjet, momentet a gjurmët e jetës,

fisnikëria njerëzore e, mbi të gjitha, drita e shpirtit

dhe e zemrës pasqyrohen me tërë bukuritë në

çdo varg e poezi, me flladet e lulet e Dejës, me

rrezatimin e hijeshinë e lëndinave, me dritësimin

e atdhetarisë e të dashurisë së vërtetë njerëzore.

Basir Bushkashi gdhend petalet e jetës,

dukuritë e zërit të zemrës, pasqyron me mjeshtëri

të rrallë atë çka gëlon në zemrën e njeriut, atë që

ngjan me mineralet e thellësive, me artin e fjalës

së mençurisë. Sa e thjeshtë, aq edhe e thellë,

sa e bukur, aq e madhërishme, sa lakonike, aq

drithëruese është poezia e këtij poeti dritëlirì.

Përse?

Në të gjithë librat e Bushkashit, të cilët janë

pasqyrë e dritës hyjnore të shpirtit njerëzor e deri

tek i fundit “Qiejt e brengave…” pasqyrohet trinomi:

Jetë-dashuri-dhimbje. Në këtë trinom bashkëjeton

fjala e mençur, mjeshtëria artistike, lirizmi i hollë

drithërues dhe mbi të gjitha filozofia, e cila bëhet

moto frymëzuese e krenari për lexuesin.

Për poetin Bushkashi, për librat e tij, ku i

afrohen të pesëmbëdhjetëve, kanë shkruar

shumë, janë botuar disa shkrime e janë gdhendur

mendime të qarta të argumentuara. Sidoqoftë, ne

dhe cilido, ka vend për të shkruar në pafundësi

për krijimtarinë e këtij poeti të vërtetë, i cili

me genin, me provat e botimet brilante, i ngjan

kurorës së Dejës e të Koratës së Matit.

Të tillë janë studiues të talentuar, si Albert

Frashëri, Ndue Dedaj, poetët Lindita Doda,

Bajram Canameti, Kujtim Stana e plot të tjerë.

Krijimtaria e poetit Basir Bushkashi flet me

filozofinë e vargut, me gjetjet artistike, flet me

sinqeritetin krijues e thellësinë e mendimit, flet

me filozofinë matjane, me mallin e bukuritë për

vendlindjen, për jetën, për vlerat e, mbi të gjitha,

për enigmat e dashurisë së vërtetë.

Lexuesi, a studiuesi, tek vargjet e Bushkashit

zbulon dritën e altarit, mirësinë, bukurinë e

virtytit, zbulon dritën e thjeshtësisë, zëlirinë,

mallin e dhimbjen.

Me të drejtë, shkrimtari dhe studiuesi i

talentuar, prof. dr. Albert Frashëri, që nga Italia,

midis të tjerash shkruan: “Basirit i mjaftojnë

dhjetë fjalë për të rrëfyer dhimbjen e madhe

të varfërisë. Një dhimbje universale përpara

të cilës drita humbet shkëlqimin e saj, sikur të

ndjehej fajtore për vuajtjen njerëzore. Probleme

të tilla dramatike të kohës sonë në vargun e

Basirit shndrrohen në një urtësi kristaline për

ditët tona.” (“Qiejt e brengave…” ADA 2020).

Një poet që zotëron mjeshtërinë, figuron e

laton fjalën, një poet, e sitë e kohës, një poet që

njeh jetën, njeriun, shpirtin, psikologjinë e, mbi

të gjitha, karakteret e dukuritë jetësore. Pra,

në poezitë e tij, lexuesi i thjeshtë, politikani a

shtetari, nxënësi a mësuesi, studiuesi a historiani,

bariu apo akademiku mëson se ç’është jeta, si

është e si duhet të jetë njeriu, sesi rrezatojnë

vlerat, drita a shpirti, djersa dhe drita e zemrës.

* * *

Përse gabova?!

Para pak kohësh, kur rilexova librin brilant:

“Zjarre dhe fllad…”, të të shquarit Bushkashi,

i thashë: “I shtrenjti Basir, “Esenini i Matit”,

mos boto më, se ky libër është kulmor!”. Basiri

nënqeshi dhe nuk m’u zemërua. Kur mora librin

“Qiejt e brengave…” meditova, vendosa të shkruaj

se e pashë se kisha gabuar nga dashamirësia

dhe krenaria për botimet e tij. Ky libër, “Qiejt e

brengave…”, m’u duk një kurorë krijimtarie, një

pasqyrë drite e jete, një galeri e mjeshtërisë dhe

figuracionit poetik.

“Qiejt e brengave…” janë qielli i dhimbjes,

i dritëlirisë, i varfërisë, janë jeta e një populli

shpirtëdritë që vuan nga politika shterpë,

politikanët fallco të etur për karrierë e pasuri, të

etur për padrejtësi.

Qysh në titullin alegorik, poeti Bushkashi,

shpërfaq enigmën çnjerëzore, betimin e kupolës

të etur e të përbetuar për dredhì, shpërfaq mall e

dashuri, virtyte e, mbi të gjitha, krenari legjitime

me vendlindjen, kombin, breznitë dhe dritën e

vlerave bashkëkohore.

“Fluturat e mallit”, me të cilën hapet botimi

brilant “Qiejt e brengave…”, shpërfaq kontrastin,

antitezën njerëzore në një shoqëri të vetëquajtur

demokratike (në fakt demoshkërdhatë M.B.)

“…

Fluturat e mallit

Malli vetë

Herë i ëmbël,

Herë i helmtë…” (Fluturat e Mallit” fq. 13)

Poeti Bushkashi është mjeshtër i vargut, një

“mjek” i jetës, një psikolog i thellë e real i kohës, ku

në poezi zbulon realitetin e hidhur që kalojmë:

“…

Se kjo është bota

Me të mirë e të këqinj

Lum kush në zemër

Nuk fsheh gjarpërinj…” (“Ndjehem i ngazëllyer”

  1. 15)

Metafora dhe simboli, epiteti metaforik,

kontrasti antiteza, krahasimi e, mbi të gjitha,

përshkrimi mjeshtëror poetik shpërfaqen në

poezitë e librit brilant “Qiejt e brengave…”.

Poet i mesazheve të fisnikërisë, i dashurisë

për Matin, Dibrën e kombin, për vendlindjen.

Penda e tij sikur pikon dritë, dashuri e fisnikëri

njerëzore:

“Sikur të ndodhë,

Që s’do të ndodhë kurrë:

Që të gjithë matjanët

Të iknin turrë…

Unë s’do të lëvizja

Do t’rrija këtu:

Me malet dhe fushat,

Do të flisja për Ju…” (“Me malet dhe fushat” fq. 17).

Mjeshtëria artistike e Bushkashit buron nga

zotësia profesionale, si pedagog letërsie, si bir

i Matit, që njeh e don vendlindjen, traditat,

njeriun, që nga fija e barit, a flladi i malit, zbulon

dritësimin e mineralit, dritësimin e shpirtit

njerëzor, të vërtetat, mirësitë, vlerat e virtytet.

Tek Bushkashi bleron thjeshtësia, ajo sesi

e çfarë të kërkojë njeriu-njeri e jo dredharaku

i posteve e pasurive. Poeti ka një mendësi të

thellë, të gjerë reale, njerëzore:

“…

Në do të mendoni

Për bustin tim

Mos u shqetësoni

Se ku do të jetë…

Mjafton, ju lutem,

Një hije bliri

Ndër fllade të ëmbla

Të prehem i qetë…” (Ndër fllade të ëmbla” fq. 21)

Poeti Bushkashi është mjeshtër i lirizmit

poetik, i portretizimit të vlerave. Ai ngre

monumente përjetësie më të mëdha se dekoratat

fallco presidenciale, me orientime të partive

shterpë. Ai skalit ato që i rrezatojnë kombit,

historisë e brezave:

“…

Me Matin në shpirt, që nga lashtësia,

Dhembshur u ndave, një ditë, nga kjo botë…

E thellë në gji t’mori përjetësia

Parajsës së shenjtë me borzilokë…” (“Dilaver

Kurti” fq. 25)

E veçanta e vargut dhe e poezisë së Bushkashit

është stuhiargjend, me mjeshtëri artistike dhe

figuracion të rrallë poetik. Ai flet me njeriun, me

kohën, me vlerat, ai flet me dritësimin e brezave.

Është nder i madh për të gjithë ne, për kohën,

për Matin e për kombin, krijimtaria brilante e

poetit të shquar e talent i rrallë i Bushkashit.

Në këtë kohë katrahure e “demokratike”, shteti

e shtetarët s’kanë kohë të lexojnë e të mësojnë

nga i talentuari, Basir Bushkashi. Ai s’ka nevojë

për lavde, as shkrime a vlerësime. Atë e vlerëson

koha, e vërteta, talenti, mjeshtëria prej poeti të

shquar, që i thur himne kombit, shpirtit, figurave,

vlerave e, mbi të gjitha, dritësinë, fisnikërinë

matjane, kombëtare e atë bashkëkohore.

Figuracioni poetik i Bushkashit është i veçantë,

origjinal, frymëzues e real. Ai përdor fjalë e

togfjalësha të rrallë filozofikë si në poezinë

“Tërbimi”: “…përlotur një qen…”, “…tërbuar nga

dhimbja…”, “…si të qe luan…”, “…n’çmendurinë

e vet…”. Poeti veron përtej kohës: dje, sot dhe

nesër. Ai është si mjeku që diagnistikon kohën,

të vërtetën, atë që populli i thjeshtë a i drejtë

nuk i shikon:

“…

Ata që ishin…

Ata janë,

Dhe ata do të jenë…

Gjersa helmi

T’groposet thellë…” (“Ata” fq. 30)

Epiteti metaforik, simboli, krahasimet,

antitezat e, mbi të gjitha, përshkrimet poetike e

filozofike mbizotërojnë në poezitë e poetit Basir

Bushkashi. Gati te çdo poezi bleron dashuria,

njerëzorja, fisnikëria, e bukura, e thjeshta e,

mbi të gjitha, dlirësia e shpirtit poetik, që veçse

një mendje e zemër, si Bushkashi, e dritëson.

Malli dhe dashuria, dlirësia e shpirtit prej poeti:

amanet atdhetar, hyjnor, njerëzor:

“…

Eh, sa të dashura më janë ato vende,

Ku gjysh-stërgjyshërit flenë n’përjetësi!

Kur sytë të mbyll, atyre dherave të ëmbël,

Dua të tretem, diku, përbri…” (“Eh, sa të

dashura” fq. 27)

Poeti Bushkashi shikon në horizont, ai

portretizon kohën, ai shpërfill politikanët,

deputetët, sharlatanët e antivlerat:

“…

Dhe shiu i mallit

S’di ku do t’bjerë

Pandërprerë.

E sërish qielli

Do të çelë blu

Harkuar

Me ylberë…” (“Sërish qielli” fq. 29)

Poeti i ndjesisë, i mjeshtrisë artistike, i

realitetit kohor, parë në një vështrim dinjitoz e

real. Përdorimi mjeshtëror i fjalës dhe i figurave,

gjetjet artistike e përshkrimet poetike jepen

nëpërmjet thellësisë së mendimit, lirizmit

frymëzues. Poezia e Bushkashit na jep mesazhe

njerëzore, vrullon dashuri dhe të bën të

meditosh, të ndjehesh sikur je mes flladesh, mes

gjelbërimesh plot aromë. Në vargjet e thjeshtë

me ngarkesë emocionale, na jepen ide filozofike,

ku pasqyrohet artistikisht njerëzorja, realja dhe

jeta në zhvillim:

 “Syri,

Sheh gjithçka.

Dhe gjithçka ruan.

Po heq e vuan:

Se një mërzi

Keqas e vret:

S’sheh veten e vet…” (“Syri” fq. 57)

Poezi të arrira, të frymëzuara e, mbi të gjitha,

jepen me tone lirike, me figuracion të larmishëm,

të shkruara me mjeshtëri të rrallë artistike.

Urime e penda dritë, poeti-mjeshtër i Matit e i

kombit, Basir Bushkashi!