Në krijimtarinë e mikut tim kam ndjerë prirjen romantike të poetëve, si Hajne, vargun elegant të Lermontovit dhe shpirtin e lirë të Eseninit. Kam rijetuar flladin dhe aromat pranverore të poezisë së Lasgushit të pavdekshëm, ngahera poet i poetëve.
Ajo e Basirit ashtë poezia e dashurisë njerëzore dhe e të vërtetës. Ashtë poezia e poetit gjithmonë në lulen e rinisë… kështu shkruan ndër të tjera në parathënien e librit “Qiejt e brengave”… Prof. Dr. Albert Frashëri, botim që vjen sërish nën logon e shtëpisë botuese “ADA”

Titulli:
Autor: Basir Bushkashi
Redaktor: Kujtim Stana
Recensent: Gegë Tusha
Kopertina: Agron Sejamini
Arti grafik: Artan Kurti

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Bushkashi, Basir
Qiejt e brengave… : poezi / Basir Bushkashi ;
red. Kujtim Stana. – Tiranë : Ada, 2020
144 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-92-4

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

POETI I SË VËRTETËS
Mbi harmoninë mes lirisë dhe krijimtarisë njerëzore
në veprën e Basir Bushkashit.
Nga Prof. dr. Albert Frashëri

Në ditët e para të kësaj vjeshte të zymtë, trishtuar
nga dy tërmete të pafajshëm, lexova vëllimin e
fundit me poezi të poetit Basir Bushkashi. Ashtë
libri i fundit në vargun e shumë e shumë vëllimeve
poetike të këtij poeti tejet origjinal dhe një nga
lirikët më të shquar të horizontit letrar të gjuhës
shqipe. Vlera e tij nuk ashtë vetëm cilësia artistike
e vargut, por edhe aftësia për të depërtuar pamjet
më thelbësore të jetës njerëzore. Dhe këtë ai e ka
bërë në saje të talentit, të ndjeshmërisë artistike
dhe koherencës si qytetar patriot i një kombi të
lashtë dhe bir i përunjur i njërës nga krahinat më
interesante të vendit: Mati, ky thelb i shqiptarizmës,
vatan i Kastriotëve dhe i humanistit të shquar të
botës shqiptare, Pjetër Budit.
Pas leximit të librit “Zjarre dhe… Fllad” (Botues
“Ada”, Tiranë, 2019) vendosa të shkruaj këtë
përsiatje duke menduar për njerëz, rinia e të cilëve
nuk perëndon kurrë. Për karaktere që nuk përkulen
e nuk konformohen. Në këto raste kemi të bëjmë me
qytetarë të veçantë, me individualitete që shpesh i
mungojnë shoqërisë dhe, sidomos, me krijues të
pashtershëm. Këto do të ishin modele që i japin
dritë e nur jetës sonë, sepse krijimtaria, artistike
apo shkencore, përbën një nga pamjet më sublime
të ekzistencës së Njeriut.
Shpesh herë mbizotëron prirja për të krijuar
të ashtuquajturat vipa apo yje të faqeve të para
të revistave e të ekranit. Në koridoret gjysëm të
erreta e të heshtura pallatesh të ngjyrosur sajohen
personazhe të suksesit për të befasuar vëmendjen
e qytetarit me ngjarje dhe aventura që të shumtën e
herëve nuk kanë vlera reale për shoqërinë. Një plak
i urtë i shekullit të kaluar, kur e pyetën se ç’donte
të bëhej kur të rritej, u përgjegj: “Nuk dua të jem
simbol i suksesit, por thjesht Njeri me vlerë”. Ishte
plaku Ajnshtajn, ky Qytetar i Madh i njerëzimit. Një
njeri i ditur i lashtësisë, Konfuci, kur e pyetën se
ç’ashtë dituria u përgjegj: “Të kuptosh të afërmin.”
Pyetjes se ç’ashtë virtyti iu kthye me dy fjalë: “Të
duash të afërmin.”.
Në krijimtarinë e mikut tim kam ndjerë prirjen
romantike të poetëve, si Hajne, vargun elegant të
Lermontovit dhe shpirtin e lirë të Eseninit. Kam
rijetuar flladin dhe aromat pranverore të poezisë së
Lasgushit të pavdekshëm, ngahera poet i poetëve.
Ajo e Basirit ashtë poezia e dashurisë njerëzore dhe
e të vërtetës. Ashtë poezia e poetit gjithmonë në
lulen e rinisë.
Basir Bushkashi, poet i Matit, ka shkruar poezi
që në bangat e shkollës, madje jo pak herë ato janë
shndrruar në tekste këngësh fituese në festivalet
kombëtare. Lirika e tij përqafon temat e randësishme
të jetës. Nga ana tjetër ai ka shprehur pikëpamjen e
vet jo vetëm në vargje, por edhe si qytetar, nga ata
që rrallë herë gjejmë midis nesh.
Nga pikëpamja qytetare do të konsideroja si
kryevepër të tij letrën që ai i shkruajti me guxim
dhe vetëdije të plotë diktatorit antikombëtar Hoxha
në dhjetor 1981. Për atë letër e dënuan të shtynte
vagonat në galeritë e minierave të kromit. Me atë
letër Basiri denoncoi gjëndjen e rëndë, varfërinë e
popullit dhe shprehu nevojën urgjente për reforma
radikale në jetën e vendit. Ky zë i vetëm në një
realitet që të zinte frymën, buronte jo vetëm nga
logjika dhe morali i qytetarit patriot, por edhe
nga zemra dhe ndjeshmëria e poetit. Ajo letër
i kushtoi punë të detyruar në minierat e kromit,
në të cilat ai njohu thellë vuajtjen njerëzore dhe
njeriun e thjeshtë. Basiri e dinte fare mirë që pak
vite më parë regjimi kishte pushkatuar dy poetë të
rinj, sepse në intimitetin e ditareve të tyre kishin
shprehur pesimizëm e pakënaqësi ndaj regjimit
totalitar të asaj kohe. Ai i njihte mirë dy poetët e
pushkatuar: Vilson Blloshmi e Genc Leka. Pas viteve
’90, Basiri nuk u josh nga tundime karrieriste për t’u
bërë njeri i politikës, sikundër i ofruan, por rifilloi
jetën normale të qytetarit me pasionin e mësuesit
të brezit të ri, pa iu ndarë mallit për poezinë. Ai
mbeti poet, ashtu siç kish lindur, i lirë, vëzhgues
i rafinuar i ndryshimeve shoqërore, pa trazuar
asnjëherë objektivitetin e artistit me interesa
meskine të çfarëdo lloji.
Duarlidhur nga rutina e nga një lloj mediokriteti
që shpesh herë errëson shumë pamje të jetës sonë,
njerëzit heshtin dhe anashkalojnë virtytin që shpreh
vepra e qytetarëve. Pikërisht, duke menduar për
këtë heshtje të fajshme vendosa të shkruaj disa
mendime për poetin matjan Basir Bushkashi.
Poezia e tij ka si temë qëndrore dashurinë dhe
rreth saj vëmendja e poetit vëzhgon natyrën, njerëzit,
virtytin, miqësinë dhe mediokritetin. Por bukuria në
filozofinë e poetit Bushkashi nuk ashtë ajo që duket
së jashtmi, por diçka tjetër që buron nga shpirti, nga
natyra njerëzore për të cilën ai ka një ndjeshmëri
të madhe e të pashtershme. Kjo krijmtari i ngjan
një piramide në krye të së cilës poeti ka kurorëzuar
perëndeshën e bukurisë e të dashurisë, Afërditën, që
popujt mesdhetarë adhuruan si pamjen më të vyer
të jetës. Kështu edhe poeti ynë, lirika e të cilit nuk
mund të bënte ndryshe. Edhe në këtë vëllim të fundit
gjejmë pikërisht shpirtin poetik që ka karakterizuar
krijimtarinë e tij që nga rinia e hershme. Nga kjo
pikëpamje, mendoj, që edhe libri “Zjarre dhe… Fllad”
konfirmon këtë karakter të një krijimtarie që prej
kohësh ka konsoliduar identitetin tepër origjinal e
thellësisht të freskët të saj. Fjala vjen, në poezinë
shumë të ndjerë, “Hesht pylli” poeti shpreh me
ndjenjë dhe elegancë trishtimin e pyllit, kur zogjtë
shtegtarë me bilbilin mbret largohen:
Ikën zogjtë shtegtarë
Ikën e bënë shteg…
Mbi të gjithë bilbili
Këngëtari mbret.
…Ndaj pylli i brengosur
Veç hesht e hesht…
Janë të paharrueshme motivet e poezive si, fjala
vjen, “Sa gjëra”, “Si nëpër erë”, “Më thërret pulëbardha”.
Stili i tij fjalëpak, elegant e thelbësor arrin të shprehë
në pak vargje fenomene, ide dhe probleme të kohës
sonë. Një e tillë është poezia “Kaltërsi dhe zjarre”,
ku spikat pa mëdyshje logjika e matematicienit dhe
vargu si fllad pranveror i artistit.
Poezia e Basirit, qëndisur me durimin e një
gjysëm shekulli, ashtë e pashtershme, sepse buron
nga njeriu që e do fort jetën e që mendon me
kokën e vet. Pikërisht siç ashtë në natyrën e poetit,
të artistit. Në këngët për tokën, për mikun e për
dashurinë ai nuk humbet në gurrën e ndjenjave
vetiake, sepse ka një vështrim të mprehët e kritik
mbi të gjitha problemet e shoqërisë. Në togun e
vargjeve “Syri i ditës”, gjejmë dhjetë fjalë të skalitura
nga shpirti i poetit në pak vargje:
U mvrenjt syri i ditës, u pikëllua.
Përpara një lypësi rrugës rrëzuar.
[Vërshimet e gjelbëra, faqe 49]
Ky tog vargjesh krijon një imazh thellësisht realist
e njerëzor. Përfytyroj një lypës të mjerë që gremiset
dhe rrezja e dritës në dramën e tij shndërrohet në
një hije që depërton thikshëm kalimtarët. Basirit
i mjaftojnë dhjetë fjalë për të rrëfyer dhimbjen e
madhe të varfërisë. Një dhimbje universale përpara
të cilës drita humbet shkëlqimin e saj, sikur të
ndjehej fajtore për vuajtjen njerëzore. Probleme
të tilla dramatike të kohës sonë në vargun e Basirit
shndrrohen në një urtësi kristaline për ditët tona.
Poezia “Plagët e Lurës” denoncon shkatërrimin e
pyjeve e të ambjentit dhe këtë e shpreh sikur Lura
të ishtë një bijë e vetme. Vargu i poetit e tejkalon
propagandën e politikës, sepse edukon te brezi i ri
ndjeshmërinë përmes magjisë që krijon poezia.
Mrekullisht, poezia e Basirit shpreh një thelb
fizik natyror të mjaft problemeve të kohës sonë. Ai
ndodhet në Çéçina (Toskana), në detin Tirren. Më
befasoi mjeshtëria më të cilën ai shpreh një arsye
të bashkësisë dhe harmonisë mes njerëzve. Ndërsa
njerëzit shpesh ndërsehen njëri kundër tjetrit dhe
shpikin absurditete për t’u fshehur pas diferencave
të tyre, ai bën të kundërtën në vjershën “Në detin
Tirren”. Vargu i kësaj poezie shpreh me një thjeshtësi
befasuese mendimin e poetit. Kur noton në detin
Tirren të Toskanës, ai ndjen edhe ujrat që Lusa,
lumi i fshatit të tij të lindjes, ka derdhur në këtë
det të Italisë. Ky det, në ndjeshmërinë e poetit,
në madhështinë e vet bashkon në një qënie dhe
harmoni të vetme ujrat e dhjetra lumejve të largët
dhe njerëzit e tyre. Mendoj që kjo poezi na jep një
gjetje gjeniale të autorit, sa reale, aq edhe filozofike.
Ajo shpreh me urtësi poetike një nga problemet e
mprehta të shoqërive moderne. E kam fjalën për
ato vende, që përjetojnë migracioniet njerëzore,
shpeshherë me përçmim dhe me paragjykime të
papranueshme…
Gjetje të tilla mund të jenë edhe spontane.
Shkencëtari ka një përqasje racionale, të arsyetuar
në zbulimin e të vërtetave. Artisti kur shkruan poezi,
kur thur vargje, nuk bën një arsyetim e prej tij të
deduktojë vargun. Pra, aftësia krijuese, përqasja
e artistit, ashtë më e pajtueshme me thelbin
trashendental të Natyrës e të krijimtarisë njerëzore.
Për këtë arsye vargu, melodia burojnë lirshëm prej
shpirtit të poetit. Ato na fisnikërojnë e na përtërijnë
si ujët e burimit pa deklarata e pa daulle. Këto dy
përqasje, racionale njëra e trashendentale tjetra,
janë dy kërkime alternative dhe komplementare
të së vërtetës nga ana e Njeriut. Mendoj që kjo
lloj aftësie e lindur karakterizon krijimtarinë dhe
urtësinë e Basirit.
Sa thashë më sipër do të meritonte një kuvendim
të plotë. Por unë mendoj ta orientoj këtë meditim
kah thelbi i vet, d.m.th. kah raporti mes lirisë së
individit dhe aftësisë krijuese të tij. Sepse kjo
e dyta ka nevojë për të parën. Për të qenë më të
saktë duhet të konsiderojmë dialektikën mes lirisë
dhe krijimtarisë apo instinktit krijues të Njeriut.
Natyrisht liria i jep krahë krijimtarisë. Por kjo nuk
do të thotë që pa lirinë Njeriu nuk mund të krijojë.
Këtu ndërhyn një parametër tjetër: individualiteti,
karakteri dhe pavarësia e artistit.
A keni patur rast të shihni ndonjë lule në plasaritjet
e shkëmbit? Aty kushtet që fara e sjellë nga era e
malit, të mbijë e të krijojë lulen, janë minimale.
Mungon dheu, drita dhe ngrohtësia. Megjithatë
instinkti i jetës, i riprodhimit e tejkalon këtë rrethanë
që i kundërvihet jetës dhe krijimtarisë. Fara edhe në
prani të kushteve të rrepta, mund të krijojë një jetë
të re. Dhe këtë e bën fara e zgjedhur, ajo që shpreh
më mirë potencialet e species. Krijimtaria e Basirit,
jo sot por ngahera, i ngjan asaj fare të zgjedhur,
që mbin e lulëzon edhe kur era e akullt e vërvit në
plasaritjet e pajetë të shkëmbinjve.
Në kushtet e totalitarizmit komunist nuk mbeti
poet pa i kënduar Oborrit. Basiri, përkundrazi, i
këndoi jetës. Në të tilla raste, nga pikëpamja fizike,
regjimi synon ta asfiksojë prirjen krijuese të artistit,
kur ky kërkon të rrëfejë të Vërtetën. Por ka prej tyre
që pranojnë dhimbjen fizike dhe ruajnë të paprekura
bindjet e tyre. Një artist i tillë fiton ndaj të Keqes,
e mposht atë sepse nuk tjetërson thelbin e vet. Ai
vuan privacionin e lirisë nga pikëpamja fizike, por pa
tjetërsuar idetë personale dhe krijon në përputhje
me bindjet vetiake. Pra, forca e tyre e shndërron
në pozitive dialektikën mes lirisë së individit dhe
aftësive krijuese të tij. Pamja njerëzore, intelektuale,
e një artisti të tillë fiton mbi të Keqen, edhe pse
fizikisht ai vuan.
Në një poezi të tij, poeti Basir Bushkashi rrëfehet
si një “Lis i vetmuar”, sikur të donte konfirmimin e
lexuesit.
Na ishte një herë, aty nga fillimi i shek. XX, një
matematikan dhe filozof i madh. Bertrand Rasëll e
quanin. Ishte profesor, titullar, pikërisht i katedrës
që kish patur Isak Njuton në Kembrixh. Rasëll, një
shpirt i pavarur, nuk rreshti së kritikuari qëndrimet
pak demokratike të fuqive te mëdha të asaj kohe.
Përfundimi? E dënuan me burgim si pacifist i
bindur. Më pas e thirrën si profesor dhe, kur gjakrat
në Angli ishin ftohur, i ofruan sërish katedrën në
Kembrixh. Rasëll, vuajti fizikisht dënimin, por i
mposhti me urtësine e vet ata që donin t’i privonin
lirinë e mendimit.
Abdyl Frashërin patriot, e dënuan me vdekje.
Ai vdiq i sëmurë pa i mohuar bindjet e tij. Sami
Frashëri, vitet e fundit të jetës, i dënuar nga
perandoria turke të mos dilte nga shtëpia, vdiq pa
tjetërsuar përmbajtjen e krijimtarisë së tij. Edhe ky
ishte farë e zgjedhur dhe krijoi me koherencë deri
ditën e fundit të jetës, jo sipas kanuneve të Oborrit,
por sipas prirjes dhe bindjeve personale.
Pjetër Budi, intelektuali i madh, më interesanti
dhe më origjinali i humanizmit të hershëm
shqiptar, thellësisht njeri dhe artist, dijetar e
patriot, përcaktoi gjuhën amtare për të kuvenduar
me Zotin, edhe pse kjo bindje e çoi në një vdekje
të papritun. Atë e mbytën, por nuk vdiq, sepse
ideja e tij për liturgjinë në gjuhën amtare, parapriu
deri edhe iluminizmin europian. Ky qytetar i madh
i Arbërit dhe i të gjithë kombit shqiptar, përbën
një nga parabolat më interesante e dramatike të
lirisë e të pavarësisë individuale, nga një anë, dhe
krijimtarisë njerëzore, nga ana tjetër.
Përmenda disa emra qytetarësh të ndritun,
simbole që dëshmojnë thelbin e lirisë, aftësitë
krijuese të Njeriut dhe vendosmërinë e tij. Poeti
ynë Basir Bushkashi i përket kësaj fare artistësh,
që mbijetojnë, e mposhtin të keqen dhe krijojnë si
njerëz të lirë edhe pse të papërkrahur nga sistemi,
dje dhe sot. Shoqëria u detyrohet artistëve të tillë
që janë të rrallë në panoramën e letrave shqiptare,
njerëzve që sakrifikuan dhe krijuan si njerëz
thellësisht të lirë e të pavarur.
E përfytyroj poetin të vetmuar në majën e një
mali të lartë, ku mediton e kuvendon me horizontin
e pafund të qiellit të kaltër, me erën dhe pyllin, me
dritën dhe errësirën, pikërisht aty ku nuk e ndikon
askush përveç se dashuria, lumturia, vuajtja apo
mjerimi i njeriut të thjeshtë, aty ku nuk mund ta
zdrugojë e as ta adaptojë mediokriteti i kohës sonë.
“Përse këtu?”, e pyes, “Përse i vetmuar?” “Sepse që
këtu” – më thotë – “ndjej urtësinë që më rrëfen udhën,
atë urtësi që më bën të vetëdijshëm për jetën dhe për të
shprehur e gëzuar lirinë, timen e të sivëllezërve të mij.”
Shkruajta me një frymë dhe me emocionin e leximit
të librit “Zjarre dhe… Fllad” mbi çfarë mendoj për
poezinë e poetit Basir Bushkashi, tashmë jo vetëm
të luginës së Matit. Janë mendime të një miku që u
detyrohet shumë ish nxanësve të vet, mes të cilëve
edhe Basiri, për mirësinë që i kanë dhuruar, gjysëm
shekulli më parë. Ajo miqësi e mbikaloi largësinë që
i ndan njerëzit së gjalli dhe u ripërtëri në këto vite
të fundit me vizitën time në Mat. Ajo miqësi tani
ndjehet më e vyer dhe…, Perëndia më ndjeftë, si
rakia e zjerë dy herë.