Te gjitha botimet e shtepise botuese ADA mund t’i gjeni ne Biblioteken Kombetare, Tirane.

Parathënia

Poezia është vendi ku emocionet marrin hapësira të paana, por poezia është vërtet e tillë kur melodia e drithërima e saj përjetohet. Poetja Dava Nikolli në “Rilindi dielli im”, prezanton një ditar personal shpirti mbushur me ide lëvizëse, që prekin si racionalisht dhe emocionalisht. Fati e fakti i dy protagonistëve (nënë e bir ) është real i formuluar në funksion të asaj që konsiderohet ngjarje dramatike e jetës (në këtë kontest; aksidenti) Krijimet e kanë zanafillën në vitin 2012, dedikuar djalit të saj që pas shtatë ditëve në koma, u rikthye në jetë! Shumica e poezive janë të dhimbshme! Janë lufta e shpirtit të poetes-nënë dhe e shpirtit të birit për ta mposhtur vdekjen, kur shpresa qëndronte varur në fill gati në këputje. Nëpërmjet vargjesh ndërthur dy botët shpirtërore të cilat rreken përmes dramës për së shumti me nota trishtuese.
14 Tetor 2012! Këtë datë mbajnë shumë krijime! Të shkruara sigurisht jo në një ditë por i dedikohen asaj date duke shkruar e shndërruar mjeshtërisht në vetë të parë dhe fjalën e tij!
Ka rënë në heshje ora ime, /I numëronte në heshtje tik-taket e zemrës, /i dëgjova kur më thanë mos fli! /Vetëm sot s’të duhet gjumi në sy!
“Netëve të shtrira në bregun e heshtjes, mendimet komunikojnë e litarë dhimbjesh shtrihen në “Rilindi Dielli im”! Titull që shpalos fletën e parë, që mban vetë libri, që e ka vënë vetë shpirti i poetes!
Me ngarkesë të fortë emotive fryma kërkon ngrohtësinë në një qiell të kthjellët për të ngrohur sadopak brendinë e akullt:
“Dielli…/ka zbritur mbi supet e mia. /Nuk e ka ngatërruar udhën sot! /Rrezet e tij ma ngrohën shpirtin,
ndriçuan më tepër se kurrë këtë botë! /Sot prej gëzimit, /zemrën s’ma nxë kraharori. /Shpirti i lumturuar, sytë m’i përlot! /Goja e Fatlumit këto fjalë nxori: /“Mos qani, kam rilindur sot”!
Nga ajo pritje e gjatë spitaliere ku ngjyra e bluzave të bardha ishte bërë si mjegull që i merrte frymën; shpërthen me zgjimin e birit nga koma! Me lot lumturie në vend të bojës shkruan më tej :
“Fatlumi e rifilloi këngën! /Jeho o këngë, kurrë mos ndalo! /Malli im i djegur /që ma rizgjove zemrën, /të gjithë sa janë këtu, fort m’i përqafo! /Rilinde me rrezet e diellit sot! /O buzëqeshje, ndizi flakë të gjithë /e ti o zemra ime, kësaj jete dashuro! /Dashuro Fatlum, qënke vërtetë jetëgjatë, /Oh, ç’lumturi shpirt i nënës…oh, ç’fat!”
Gjysma e librit i kushtohet dhimbjes. Pjesa tjetër jetës së djalit, shkollës, punës, vajzës së ëndrrave të tij e realizimin me frutin e parë të dashurisë (lindja e vajzës së tyre në shtator 2015).
Vëllimi shfletohet etshëm sepse ndër krijime gjejmë personifikimin e çdo nëne, në momente tragjike! Rruga që i jep mendimit është paralele e jetës, mbyllur në vargje poetike të cilave u vesh xhaketën e gjëndjes shpirtërore…ndërsa fjalët, i fluturojnë me krahët e imagjinatës dhe realitetit.
Dritarja nga e cila poetja hedh vështrimin duhet të jetë një lloj diafragme e cila e ve në një pozitë për të kapur imazhet e predispozuara. Bukur dialogu me elementët -diell-yje-ditë:
“ Sot e nisa ditën me Yllin e Dritës, /me rrezen e diellit syqeshur, /Këtë ditë e desha vite të gjatë. /S’dua errësirë…/ajo kurrë mos ardhtë!
Shpalosen fletë me nënkuptimin e dialogut të përditshëm, me natyrën me lutjet e pafund dhe peshën që mbajnë për të mbështetur shpresën:
“Kur të zgjohem kësaj bote, /me radhë do ta marr qiellin me yje. /Do të nis vrapin rreth kësaj toke, /ku ndriçohet me hënë e diell, /madhërishëm nën këtë qiell!”
Një unitet i dhimbshëm por njëkohësisht i jashtëzakonshëm poetik, përshkruar më së miri në minime detaje. Fjala depërton sepse është e motivuar nga forca themelore për mbarëvajtjen e jetës dhe historisë së njeriut. Nëse vendoset distancë ndërmjet tyre dhe kjo distacë zgjerohet në përmasa të pakalueshme, arti humb vlerën në vetvete!
Kjo nuk ndodh absolutisht në krijimet e poetes Dava Nikolli:
“Kaproj mendimesh përleshen gjatë ikjes, /kaproj të lodhur nga ç’njerëzorja. /Nga ngërdheshjet poshtëruese të përtypjes. /më ngurtësohej në akuj shtatorja! /Grushtat e kataklizmës trurin sulmojnë, /godasin fort, sa apokalipset e botës. /Kur nën tingujt funebër vijnë e shkojnë /me varre pyllëzojnë, çdo pëllëmbë të tokës!
Faktikisht autorja nuk paraqitet si një vëzhguese e thjeshtë, por rigjykon një udhëtim emocional! Netëve të gjata përpiqet të ngazëllejë ëndrrat, duke iu shtrënguar shpresave për t’iu shmangur lotëve. Krijimet përsa mund të dëshmojnë tragjedi nuk duhet të jenë angoshante ndaj shpërthen si vullkan në:
“Këtij qielli mbushur plot me yje, /i hapa krahët të fluturoj sot. /Dola nga kthetrat e asaj të zeze hije, /e qiellit tim anembanë, /ia shterrova currilat me lot!
Dëshiron poetja që jastëku qiellor t’ia lexojë ëndrrat kaltëroshe, të arratiset në horizontin e paanë duke u trasformuar në ylber të praruar!
“Sot jam Ylberi, më shtatë ngjyra. /Ngjyrat i zgjodha në shtatë qiej. /Ngrohtësinë e shpirtit e ka natyra, /sot e mora krejt unë në shtatë diej”.
Origjinale dhe e admirueshme është mënyra e përballimit të situatës së vështirë me përvojë të dhimbshme (akt guximi për të dy nënë e bir). Së bashku bëjnë udhëtimin e gjatë, të cilin po me atë autenticitet e skalit në letër:
“Sonte një zë të trishtë bilbili, /këtë mesnatë të zymtë e dëgjoj. /Deti i shpirtit m’i përplasi trillet, /për shumë orë fort më trazoi…/ Më oshëtinin veshët plot zëra, /këtë mesnatë, vetëm një zë e dalloj. /Një pendë pëllumbi ma la tek dera, /dikush e mori, dikush tjetër e ledhatoi…/Jo! Përgjithmonë, s’guxonte dot! /Prej duarsh kësaj mesnate i shpëtoi. /Bashkë me bilbilin, ia nisën me zë të fortë, /kësaj mesnate çati mbi çati, fluturoi…”
Vijnë si sonetë e këndshme hyjnore e patjetërsuar edhe vargjet për bimët e zemrës së saj :
Për vajzën:
E njoma penën në buzëqeshjet e tua, /………/I mblodha lulet që natyra ka shpërndarë, /me pika vese shkrujta emrin tënd bija ime. /Sot shpirti im ka urime për ty, pandarë. /Gëzuar ty lulja e parë e pranverës sime!
Për vajzën që lindi në Belgjikë shkruan kështu:
Shqip shkruaj e lexo o bija ime! /Shqipja është gjuhë Perëndie. /Shqip të fola kur linde ti e shtrenjta ime!
Të rrita po në djep Shqipërie.“
Për nusen e djalit :
“Buzëmbrëmjes ajo erdhi tek ti, /zbriti e heshtur, është ulur tek zemra. /Mbi ëndrrat tuaja ngjyrë gri, /të hodhi ty, gërshetin që ia fali hëna! /Erdhi të të sillte dritën magjike, /të t’i pastrojë mjegullat e qiellit. /Të të dhuronte fjalë flladike, /të ta bënte ty dhuratë, rrezen e diellit…”
Për mbesën e vogël:
“Sa gëzim ka zemra ime sot?/…/Lotët e gëzimit nuk ndalojnë, /sytë e mi kur ty të shikojnë. /Mirë se erdhe princesha jonë! /…/Ti je mjalti i mjaltit të jetës, /moj shkëndia e parë e shpresës. /Nuk e përshkruan dot pena,
/lumturinë që sot ndjen zemra”.
Për ditëlindjen e birit përpos të tjerash shkruan:
“Erdhe ti rreze dielli, për t’më ngrohur zemrën. /Larg, përtej miteve ma fluturove ëndrrën.”
Në imagjinatën e saj e përçon mendimi të fluturojë larg, nëpër erë, në mes reve, mbi ajrin e ëmbël të mëngjesit. Në vesën kristal të agut i pëshpërit ëndrrave, të cilat dalin nga shpirti, dhe si një këngë misterioze i bashkohen profumit të jetës. Perceptohet një ndërmarrje autoritative, e përgjegjshme, në formë poetike thellësisht njerëzore. Me vargje befasuese autorja në mënyrën më të thjeshtë i afrohet rezidencës transparente të ndjenjës.
Cilësitë leksikore, grada e dëndësisë së duhur në simbole, alegori e melodicitet bëjnë të mundur të mos kufizohet drita natyrale-origjinale e fjalës metafizike.
“Pa mëshirë, hëna në gri veshi çdo yll! /Krejt e habitur pyes veten ! /A mos është çmendur sonte ky qiell,
që grindet e lufton me vetveten? /Loti gjunjëzohet, ulet në prag, /kur asgjë, s’dëgjohet jashtë.”
Duke ndjekur një trajektore reflekton, i jep mbikuptim hapave të saj nëpërmjet fjalës së shkruar me një logjikë rrjedhimore. Shpalos një hartë dhimbjeje mbi fletë e vuan edhe për gjëndjen e vështirë që i krijohet njerëzimit.
Meqënëse ka brenda artin, dhimbjen, ndjenjën, mallin, vlerat, që në kohën e sotme i gjejmë tek pakkush, edhe pse në formë ditari personal; personalisht e konsideroj një vepër të arrirë artistike. Autorja banon gjerësisht në çdo poezi, i skalit ato si një skulptor që dëshiron t’i japë veprës së tij pushtet.
Shprehur me një gjuhë metaforike ndeshemi me psherëtima dhe emocione. Lexojmë shpresa, lot e ëndrra mes vargjesh të shndërruara ato në një prelud dashurie (prindërore).
“Atë ditë trishtimi s’kishte kufi. /Ah! Ankthi ky shpirtzi. /Më kishin zhytur krejt në humnerë. /Hija ime ishte strukur pranë tij, /dhe lutej e lutej pa ndërprerë. /Ai shpirt lutesha të mos ikte atë ditë, /por të kthehej pranë meje menjëherë!/…/Shpirti përtypte në heshtje vetveten… /…I mblodha forcat brënda meje /e shpirtit aq fort i bërtita. /Mjaft se plasa mjaft! /Deri në kupë të qiellit, /vetvetes i thërrita!
Libër progresist drejt pjekurisë, drejt një mirëqenie psiko dhe vlerës së dhuratës më të madhe- JETËS-!
Gjurmët e linjave mjeshtërore të ndjekura reflektojnë duke dhënë një pasqyrim ndërsubjektivitetit relacional.
Nga përdorimi i elementeve të ndryshëm të bashkuar në një sintezë del një realitet i ri, natyra e të cilit është e pamundur nëse shqyrtojmë ndaras fragmente të ndryshme!
Tashmë në brendësi të ekzistencës, poetja ka përgjigje të nënkuptuara, të strukturuara në pyetjet e vazhdueshme për kuptimin dhe rëndësinë e jetës! Madje edhe kur situatat, janë pengesa në perceptimin e përmbajtjes së thellë të saj!
Momentet emocionuese në këtë vëllim janë të lidhura në shumë terma, disa sinonime dhe të tjera me domethënien mesazh-përcjellëse. Secila poezi është shkruar sipas kriterëve të thellë subjektivë, e secila jep kuptim të veçantë.
“Nuk e imagjinoj jetën pa muzikë, /pa serenata dashurie, pa meloditë. /Pa muzikën “pop” me plot gjallëri,/s’jetoj dot, pa të ëmblën simfoni!
Rilind-Kjo fjalë e shumëkuptimtë, me një përdorim të gjerë në të dy gjuhët filozofike, si në sociologjike dhe psikologjike! Këndvështrimi: Jeta si projekt dhe lumturia si hulumtim Poetja në këto fletë të bardha ka metaforizuar e konfiguruar një pjesë të dhimbshme në jetën e birit të saj, dritës së saj të syrit, bimës së saj të zemrës. Pikërisht kësaj ofshame rënkimi, dalë nga thellësia e shpiriti të lënduar e së fundi të lehtësuar, vendosi t’i verë emër. E ktheu në art, e bëri të pavdekshme në -”Rilindi Dielli Im” -ku autorja Dava Nikolli dëshmon si përherë tejkalimin lartësisht të procesit të identifikimit, duke konfirmuar një portret autentik të stilit të saj!

Vjollca Shurdha
Poete –Shkrimtare –Përkthyese
Itali