… Një jetë e vështirë është një shkollë e madhe.

Ju sugjeroj të mësoni nga kjo shkollë ku “Rrugëtimi i vështirë”  ju sjell këshilla jetike për ju dhe fëmijët tuaj…

 

Rrugëtim i vështirë

Autore: Fatbardha Bianca Dushaj

Redaktor: Niku Ramollari

Korektore: Denada

Kopertina: Niku Ramollari

 

 

ISBN: 978-9928-823-02-1

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, mars 2024

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Dushaj, Fatbardha Bianca

Rrugëtim i vështirë/ Fatbardha Bianca Dushaj ; red. Niku Ramollari.

– Tiranë : Ada, 2024.

76 f. ; 20 cm

ISBN: 978-9928-823-02-1

1.Letërsia shqipe 2.Thënie

821.18 -84

 

PARATHËNIE

 

Fatbardha Bianca Dushaj këtë herë vjen ndryshe nga dy botimet e para. Nëse dy vëllimet e para ishin kryesisht aforizma ajo këtë herë i forcon ato më tepër duke na i paraqitur si Këshilla jetike. Ky botim i tretë i saj me titull “Rrugëtim i vështirë” vjen tërësisht si një eksperiencë e fortë e cila është pasuruar në etapa tejet të vështira të jetës së saj. Vuajtjet gjatë Rrugëtimit të vështirë të jetës e kanë bërë atë më të pjekur dhe më largpamëse.

Në biseda me Fatbardhën ajo tregon:

Unë isha fëmija më i madh i një familjeje të thjeshtë por me taban e kulturë. Ne ishim katër fëmije unë, vëllai dhe dy motra.
Si fëmija më i madh i kam përjetuar të gjitha situatat e vështira familjare si ato ekonomike ashtu edhe ato shëndetësore duke u rritur përpara kohe. Këto momente me vështirësi ekonomike më bënë një fëmijë të stepur dhe sentimental. Nga kushtet ekonomike më ka takuar të privohem herët nga lodrat duke u kujdesur për vëllanë e dy motrat. Kur unë isha nëntë vjeçe, nënën e kisha të sëmurë në spital, unë u kujdesa për vëllanë e dy motrat për ushqimin, pastërtinë, duke i ndihmuar edhe për mësimet. Këto momente aq të vështira gradualisht më bënë më të fortë për jetën. Ne u përballëm me situata të vështira si ngrënë e pa ngrënë, gjumë e pa gjumë e mua më takoi të bëhem amvisë shtëpie para kohe.

Vuajtjet e hallet nuk kanë të mbaruar për jetën time kur unë u njoha dhe u martova me një djalë i cili ishte familje e persekutuar dhe mua më hoqën nga puna në arsimin fillor duke filluar punën në fabrikën e tullave në shkodër.
Aty unë u ndjeva më e persekutuar se ai, më vrau shumë opinioni dhe m’u larguan të gjithë familja, shoqëria e miqësia.
Asnjë nuk më përkrahu, u larguan të gjithë, ngela e vetmuar veç me dashurinë time të parë e çdo ditë po më përmbysej edhe qielli.

Erdhi dhe dita më e errët për mua, bëra një operacion ku dhe ngela pa fëmijë përjetë. Bota më ra përsipër, e vetme, pa mbështetje dhe më e keqja ish burri filloi të pinte e të vinte dorë mbi mua. Ai filloi të më dhunonte fizikisht aq sa vendosa të divorcohesha. Kjo ishte e pa pranueshme për opinionin, ndaj filluan paragjykimet e diskreminimet, si femër e divorciuar e vetme dhe pa mbrojtje. Këto ishin momentet më të vështira të jetës time.

Ato kohë u transferova me punë në Tiranë. Nëna si fanatike që ishte nuk ishte dakord që të shkoja në Tirane e vetme, por unë këmbëngula, fillova jetën nga e para nga luga e piata. Luftë me jetën dhe me vetminë, në shtëpi me qira dhe pa përkrahje.
Edhe shoqëria e re nuk më përkrahnin, sepse nuk më njihnin, kjo situatë më bëri të kuptoj se sa e rëndësishme është vetvetja.
Përballova plot dallgë, tufane e uragane jete, por kurrë nuk u përkula, qëndrova e vrarë dhe ballë lartë, pa ngrënë por e ngopur e plot optimizëm, e persekutuar por guximtare, e indinjuar në shpirt por e buzëqeshur në sytë e të tjerëve. Vlerësoja të mirën dhe rendja që të bëhesha kjo që jam sot.

Kam hasur pengesa plot indiferentizëm por kam ecur e heshtur. Institucionet më kanë anashkaluar duke më lënë pa punë. Me pretekstin se kriteri kryesor që nuk të pranojmë në punë është mosha. Unë nuk isha e re dhe me minifund. Ky ishte diferencimi në dyert e dikastereve të ndryshme sa që vendosa të marrë rrugët e kurbetit.

Greqi, Angli, Itali dhe kudo që shkova nuk refuzova asnjë punë sado e rëndomtë që të ishte. Në Londër fitova konkursin, në vitin 2005, për një të drejtë studimi të gjuhës Angleze të avancuar. Fillova studimet duke qëndruar gjashtë vite dhe u ktheva në Shqipëri me shpresë se do filloj punë, por përsëri u përballa me korrupsionin qeveritar dhe askush nuk ma hapi derën, sot ndodhem prapë udhëve të kurbetit…

Fatbardha ka shumë episode nga jeta, aq sa të shkruhen Romane me qindra faqe, por ne shpalosëm vetëm pak për të mos qënë të mërzitshëm me lexuesin por ta drejtojmë atë të lexojë këtë libër me këshilla. Një jetë e vështirë është një shkollë e madhe.

Ju sugjeroj të mësoni nga kjo shkollë ku Rrugëtimi i vështirë i Fatbardhës ju sjell këshilla jetike për ju dhe fëmijët tuaj.

Nga Niku Ramollari