Sot fillon  PANAIRI I LIBRIT 2021  por nga shtëpia botuese ADA  vijnë Botimet më të fundit.

 

Titulli i librit: Shelgu lotues

Autore: Irma Kurti

Redaktor: Sejdin Cekani

Kopertina: Biagio Fortini

Cypyright © 2021 Irma Kurti

 

Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Botimi i parë, 2021.

ISBN: 978-9928-362-09-4

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 14x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, nëntor 2021

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kurti, Irma

Shelgu lotues : poezi për nënën / Irma Kurti ;

red. Sejdin Cekani.

– Tiranë : Ada, 2021

96 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-09-4

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

Shënime nga autorja

 

Është një datë që do të doja ta fshija nga kalendari – 25 tetori 2006 – kur nëna ime, Sherife Mezini – Kurti, u largua përgjithnjë nga kjo botë. Pas kësaj, përjetova një furtunë e një trandje të vërtetë shpirtërore. Ngjyrat e vjeshtës u bënë më melankolike dhe fillova udhëtimin brenda vetes, për ta njohur atë më mirë përmes dhembjes dhe vuajtjes… Do të doja ta fshija, por kushedi pse, kjo datë, këmbëngulëse, kthehet sërish e sërish në harkun e viteve, por edhe më shpesh në mendjen time, për të më kujtuar se tanimë kanë kaluar plot 15 vjet që kur Nëna nuk jeton më.

Po të kishim qenë në apartamentin në rrugën Bardhyl në Tiranë, në atë hapësirë të vogël, me siguri do të prisnim njerëzit që ruajnë ende kujtimin e saj dhe ata, në vajtje-ardhjet e tyre, do të shqiptonin shkarazi fjalë të pakta që do të mbeteshin pezull në hapësirë, por që nuk do të arrinin tek unë, sepse, në të vërtetë, e kanë humbur forcën e ngushëllimit.

Unë nuk dua ta kujtoj Nënën me fraza standarde, të ftohta e pa emocion, por përmes poezisë, sepse të gjitha brengat, vuajtjet dhe dëshpërimin për ikjen e saj i kam derdhur në vargje dhe ato reflektojnë si në një pasqyrë trazirat e shpirtit tim.

Poezitë janë përzgjedhur nga librat e botuar nëpër vite, duke filluar nga i pari, me titull Puthja e fundit (2007) e deri te vëllimi më i ri, Grimca gëzimi (2020). Nga çdo përmbledhje kam shkëputur disa nga krijimet që ia kam kushtuar Nënës, pikërisht ato që i kam më për zemër dhe e shpërfaqin më mirë gjendjen time shpirtërore.

Duke i lexuar vargjet përsëri, vë re sesi dhembja për ikjen e Nënës, në çastet e para është e thekshme, e fortë, e papranueshme dhe, me kalimin e viteve, bëhet një realitet i prekshëm, i pamohueshëm, i dridhshëm si teli i një kitare, një boshësi që shndërrohet shpeshherë në dialog me të, me miken dhe njeriun që më dhuroi gjënë më të shtrenjtë: jetën.

Qëllimi i botimit të librit Shelgu lotues nuk është që të emocionojë lexuesin, ta prekë e t’i shkaktojë lot, por të shërbejë si një letër dashurie në vargje, drejtuar Nënës. Për t’i thënë se ajo është dhe do të jetë gjithnjë pjesë e së përditshmes sime, e frymëmarrjes sime, deri në takimin tonë të mbramë.

Irma Kurti