Titulli: Shpresën time s’po e gjej

Autor: Gurali Spahillari

Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

Recezentë letrare:

Petrika Riza

Klaudeta Riza

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 13.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

 

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Spahillari, Gurali

Shpresën time s’po e gjej : poezi /

Gurali Spahillari ; red. Eris Rusi.

– Tiranë : Ada, 2022

112 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-22-3

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

Parathënie

 

Ky libër vjen me një domethënie të veçantë për jetën e gjithsecilit prej nesh. Në një kohë kur gjërat kanë nisur të marrin formën e së keqes dhe njerëzit e kuptojmë sa lehtë po formësohen trajtat e një shoqërie antivlerash, të kërkosh shpresën dhe ndryshimin ngjan si një sfidë e pamundur për të gjithë. “Artisti”, -thotë Frojdi, “është në themel një njeri që nuk e pranon realitetin, sepse nuk mund të pajtohet me shëmtinë dhe të keqen. Me dhuntinë e veçantë që ka, ai gatuan një realitet të ri dhe njerëzit rreth e rrotull pranojnë ta njohin atë si pasqyrim të realitetit të vërtetë.”

Ngjan të jetë mision i poetit që të kërkojë dhe të gjejë shtigjet ku duhet të orientohet zemra e njeriut. Nuk është një rrugëtim i lehtë, por gjithçka fillon nga nevoja për t’i folur botës me zërin që ushqehet nga e vërteta. Në këtë libër, me titullin që është thuajse një shuplakë ndaj realitetit, “Shpresën time s’po e gjej”, ne njihemi më thellë me anën sociale, poetike dhe njerëzore të poetit Gurali Spahillari. Ky poet ka një peshë dhe domethënie të madhe sepse nuk është lloji i njeriut  të aftë për kompromise në jetë dhe në krijimtari. Këmbëngulja e Gurali Spahillarit ilustrohet me poezitë e këtij libri, ku nuk mungon në asnjë rast nevoja e brendshme dhe guximi për të sulmuar sharlatanët dhe karrieristët; politikanët dhe njerëzit e lidhur pas interesave të ngushta; sajesat qesharake, që marrin emërtimin e ngjarjeve festive ku tymi dhe alkooli janë sfond i një shoqërie pa rregulla e në degradim.  Duket sikur e veçanta e këtij libri, lidhet me faktin që poeti merr përmasat e një luftëtari me grushte shtrënguar në emër të së vërtetës, që kërkon me këmbëngulje t’ua tregojë vendin atyre që “luftojnë me bërryla”.

Kjo lloj klime e bën të njohur menjëherë për lexuesin atmosferën e këtyre poezive. Lexuesi i sotëm mund të orientohet menjëherë tek ky autor, sepse ne vazhdojmë ende ta përjetojmë një dinamikë të tillë antivlerash, ku “lufta e bërrylave”, përpjekja për të arritur diçka, për t’u ngjitur diku, jo falë punës dhe talentit, por rrugëve të shkurtra që kalojnë nga kompromiset dhe format e tjera tinëzare, e veshin shpesh përditshmërinë tonë.

Vetë poezia që i jep titullin librit, është një drithërimë shpirti, një gjëmim, një muzg që pështjellon lexuesin në çdo fjalë, në çdo varg, hije dhe errësirë, pasiguri:

 

E kanë lodhur shpresën time,

E kanë shtyrë me egërsi

Sa me bërryla, sa me grushte,

Sa me shkelma o njeri!

 

Më kot pres gjithë natën zgjuar,

Prapa derës si qiri,

Ku ka shkuar është ngatërruar,

Ta shikoj me sytë e mi!

 

Erë pranverë vargjet s’bien,

Edhe kjo më bën të vuaj,

Përse shpresën ma kanë vrarë,

Përse dhimbjet m’i kanë shtuar!

 

Edhe shaj me rrënjë e degë,

Dhe më dridhen gishtat sot,

Dhe ca vargje dot s’i shkruaj,

Edhe syri m’pikon lot!

 

Ky mendim, përkon me mënyrën si orienton lexuesin poeti Gurali Spahillari. Gjithçka vihet në dyshim, kur shpresa nis edhe e mpak dritën dhe shkëlqimin e saj. kur ëndrrat nuk janë më të tilla, por kthehen në relike të dëshirave që kishim pasur dikur. Një shoqëri pa shpresë, është një hon i errët, ku jep shpirt e ardhja e një vendi. Ç’duhet të bëjmë për të dalë nga ky realitet i kobshëm? Nga duhet të shkojmë? Kush është rruga që na risjell trajtën e shpresës që feks tutje, në fund të horizontit?

Ajo që na ofrojnë poezitë e këtij libri, nuk janë një realitet i vetëm, por një shumësi realitetesh: në familje, perditshmëri, punë, shoqëri, që mbivendosen dhe bëhen realiteti ynë. Ndjenjat, pështjellimet, reflektimet mbi botën dhe marrëzitë me të cilat na duhet të përballemi çdo ditë, janë të hidhura, por vijnë me një gjuhë të poetizuar, me një frazë e cila është e mbushur me përfytyrim dhe kërkon të gjejë rrugëzgjidhje.

Përfytyrimi i poetit në këto poezi paraqet një tjetër-botë shpirtërore, ku njeriu rebelohet dhe ndjehet i braktisur nga institucionet, ku ata që duhet t’i japin formë dhe shpresë të ardhmes, shndërrohen në gjymtues ëndrrash për ne të gjithë. Në këtë kohë, që ngjan të jetë e lirë, duhet sikur shtyrja masive po ia heq liritë e një ekzistencë të paqtë, secilit prej nesh. E kjo është sa paradoksale, po aq edhe e dhimbshme, deri në pikëllim:

 

E kish marrë ferra uratën,

Kur atëherë s’kish liri,

Kur dhe fjala s’kish kuptim,

Kur s’kish kisha as xhami!

 

E ka marrë ferra uratën,

Dhe tani kur kisha ka,

Kur ka Pashkë dhe Bajram,

Për shqiptarin fukara!!!

 

Ju të urtët nëpër zyra,

Pashallarë a çfarë jeni,

Si s’iu skuq njëherë fytyra,

Keni besë apo nuk keni?!

 

Shqipëria ngjan të jetë sot, më shumë se kurrë një vend i gozhduar në shkëmbin e shpresës së thyer, ku shumëkush dëshpërohet kur guxon të përfytyrojë çdo të ndodhë më vonë. Dhe kjo nuk është vetëm ndjesia e njeriut që i druhet politikës: përkundrazi, lidhet edhe me kulturën masive, me modelet e gabuara që zënë vendin qendror, në trajta groteske të emisionesh ku degradon inteligjenca dhe dinjiteti i gjithkujt. Brenda këtij përjetimi, të kërkosh diçka më tepër nga ajo që të ofron realiteti, ngjan të jetë mekanizmi që vë në lëvizje përfytyrimin e lexuesit. Këto nuanca, mund të gjenden tek botëkuptimi i autorit, ku çdo krijim poetik është një esencë mendimi i cili përkundet mbi ato që janë çështje dramatike të shoqërisë sonë: që e zbehin shpresën dhe e përhumbin rrugën për të shkuar drejt saj.

A ka një fatalizëm në këtë mes? Ndoshta edhe po. Botë antivlerash, e mjegullt,  e humbur, ku heshtja është diçka më tepër se terr i natës a palëvizshmëri. Por në fund të  librit, çdo lexues, për habi, do të përballet jo me humbjen e shpresës, por me dëshirën për ta rigjetur atë. Sepse rrugëtimi i poetit nuk ka ndalur: si një Diogjen modern, ai hedh grimca drite prej shpirtit të tij, e të kërkosh shpresën në shtegun e ndriçuar nga shpirti është dhunti, bekim, që edhe kërkimin e lehtëson, edhe jetës i jep kuptim.

 

Eris Rusi

Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve

“Bota e Re” Korçë