…Në këtë libër mjafton pak që protagonistët të zgjohen nga ëndrrat dhe magjia e një ekzistence të tërë dhe të përballen me realitetin, të nisin të zbulojnë sekretet e të shkuarës, që ngjan të jetë përherë si një plagë e papërtharë nga koha, e cila sapo ngacmohet, shkakton dhimbje në shpirt…

 

Titulli: Sythi i dashurisë

Autore: Floresha Zyberi (Qyra)

Redaktor letrar: Eris Rusi

 

Botimi i parë, 2023

Tirazhi: 100 kopje

ISBN: 978-9928-398-45-1

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, 2023

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Sythi i dashurisë / Floresha Zyberi (Qyqa).

– Tiranë : Ada, 2023.

ISBN: 978-9928-398-45-1

1.Letërsia shqipe

2.Tregime dhe novela

821.18 -32

 

Parathënie

 

“Sythi i dashurisë” është novela e re e autores “Floresha Zyberi (Qyra), një rrëfim që sjell ngjarje të lidhura me botimin e mëparshëm të saj, “Hije që mbeten pas”. Duket sikur koha përshpejton hapat e saj, personazhet e dikurshëm tanimë kanë shpëtuar nga dhimbjet, fatkeqësitë, vuajtjet e pështjelluara nga koha e dikurshme, dhe të gjithë ngjajnë të marrin frymë lirisht. Dashuria duket të jetë elementi kyç i kësaj novele: dashuria për njeriun e zemrës, dashuria për familjen, pasioni për punën, përkushtimi për t’i dhënë të ardhmes formën e dëshiruar në ëndërrime.

Por, me mjeshtëri artistike, njëlloj si në novelën pararendëse, edhe në këtë libër mjafton pak që protagonistët të zgjohen nga ëndrrat dhe magjia e një ekzistence të tërë dhe të përballen me realitetin, të nisin të zbulojnë sekretet e të shkuarës, që ngjan të jetë përherë si një plagë e papërtharë nga koha, e cila sapo ngacmohet, shkakton dhimbje në shpirt. Ndryshe nga teksti i mëparshëm, ku fatet njerëzore kryqëzoheshin mes absurdit, të papriturës, fatkeqësisë dhe gëzimit, në këtë libër të ri ne jemi në bashkëkohësi, me protagonistët të shpërndarë në vende të ndryshme të botës: Në Itali, në Turqi, në Ukrainë, në Amerikën e largët. Libri ka një frymëmarrje të re, shkrimtarja Floresha Zyberi e ka prekur nervin e zbuluar të Shqipërisë së sotme: largimin e njerëzve deri në cepat më të largët të globit, duke bartur mbi shpinë një trastë të vogël kujtimesh, shumë mall, por edhe pikëllim. Me këtë lloj ritmi, të krijohet menjëherë ndjesia e gjendjes së trazuar që po kalon vendi ynë sot: të rinj të shkëlqyer të cilët mundohen të gjejnë vetveten, të krijojnë kushtet e një të ardhmeje të bukur, të një jete më të mirë, por që nuk ia dalin dot dhe i kanë sytë drejt emigrimit.

“Profetin nuk e duan asnjëherë në vendin e tij”, ngjan sikur do të thotë autorja e këtij libri, e i tillë është fati i një prej protagonistëve të veprës, Arelit, i cili tërheq vëmendjen e shtypit të shkruar në Shqipëri, si një student i shkëlqyer, por që arrin të dalë në dritë dhe të prekë majat e karrierës profesionale, vetëm pasi largohet drejt Amerikës. Në Shqipëri ai është veçse një djalë jetim, një fëmijë  braktisur që nuk i ka njohur kurrë prindërit e tij. por Areli nuk e di se çfarë e pret në të ardhmen. Jeta për të ka rezervuar surpriza të habitshme, lot dhimbjeje, por edhe lot gëzimi. Gjendja e tij na shpërfaqet si një pasqyrë ku reflektohet jo vetëm fati i Arelit, por i shumëkujt që jeton e përpiqet në vendin tonë:

“Ka në këtë botë gjëra, që ne krijesave të vetmuara edhe mund të na hapet një faze shtegu apo edhe një rrugëdalje, por nganjëherë jeta na hedh edhe para dyerve të errëta.”

Një fat i ngjashëm është edhe për protagonistët e tjerë, për Sergein, për Valentinën dhe nënën e saj Martën, për Andrinin, për inxhinier Arjanin dhe bijën e tij Sarandën e shumë të tjerë. Në çdo rast, ngjan sikur jeta është e gjitha një mister i madh, ku protagonistët ecin symbyllur dhe nuk e dinë nëse po shkojnë drejt greminës apo drejt lumturisë së shumëpritur gjithë jetën. Çelësi i shpëtimit në çdo situatë është dashuria. Sythi i saj lulëzon edhe në momentet më të vështira. Dashuria përfaqëson sfidën e përpjekjes për të kuptuar dhe interpretuar thelbin dhe natyrën e jetës, ekzistencës dhe marrëdhënies së njeriut me botën që e rrethon, me njerëzit që ka pranë, me të kaluarën që mund të lërë shenja që nuk shuhen asnjëherë në shpirt. Këtë atmosferë, autorja e librit e sjell në një kuptim më të gjerë, në një mënyra të veçantë dhe subjektive, duke përdorur imazhe të mrekullueshme, simbole dhe metafora për të eksploruar misterin e jetës dhe për të krijuar emocione të thella tek lexuesi.

Nën këtë dritë, çdo vështirësi, çdo sfidë, çdo përpjekje për t’ia dalë mbanë  filtrohet si një mision për jetën, si një përballje me zgjedhjen e madhe: të mbash kokën prapa e të brengosesh nga e kaluara, apo të shohësh përpara, të shpresosh dhe të dashurosh? Kjo dilemë bën që Floresha Zyberi të depërtojë thellë në detajet e rrëfimit dhe të arrijë gjëra të fshehura ose të pazbuluara nëpërmjet tyre. Protagonistët e novelës shprehin ndjenjat e tyre në mënyrë të fshehtësisë dhe kështu e inkurajojnë lexuesin të reflektojë dhe të krijojë kuptime të reja për jetën. Nuk mungojnë skenat ku personazhet vendosin të tregojnë të gjithë të vërtetën për një çështje që ka mbajtur brenda vetes për shumë kohë. Ata shprehin frikë dhe shqetësim për mënyrën sesi do të pritet ky rrëfim intim i shpirtit të tyre, por e vërteta çliron dhe jep mundësi për t’ia nisur edhe njëherë nga e para rrugëtimit të jetës. Dashuria të jep shpresë dhe forcë për të mos u fshehur më prapa së shkuarës dhe kur personazhet e kuptojnë këtë të vërtetë të madhe, vuajtjet dhe brengat e tyre i lënë vend pastrimit dhe çlirimit të zemrës. Përmes kujtimeve, shkrimtarja Floresha Zyberi përcjell tek lexuesit një atmosferë të mbushur me emra, fytyra dhe ngjarje të kaluara që shfaqen para syve si trajta të tejdukshme, që mund të ndjehen me dorë dhe me të cilat mund të luash dhe të komunikosh.

 

Në përfundim, Kohëzgjatja e rrëfimit ndjek ritmin e ngadaltë të orës, derisa lexuesi dëgjon në fund, “tik-takun” e gëzimit. Ky moment simbolizon një ndryshim të rëndësishëm dhe një fillim të ri për protagonistët e kësaj novele, të cilët më në fund ia dalin mbanë të provojnë emocione të mëdha dhe njohje të thella në rrugën e tyre drejt gëzimit dhe lumturisë. Falë këtij kombinimi, lexuesi mund të shijojë përmbajtjen e tekstit, duke e interpretuar atë si një përvojë e përcjellë mjeshtërisht përmes rrëfimit artistik. Atje ku çel sythi i dashurisë, ka vend për shpresë e gëzim dhe dashuria është e vetmja që mund t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë më mirë misterin e jetës dhe të ndërtojnë lidhje emocionale me botën që i rrethon.

 

Eris Rusi

 

Klubi i shkrimtarëve “Bota e Re”,

Korçë