ÇORODITJE
(Poezi-Satirë-Fabul )

-Autore: Dava Nikolli
-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha
-Kopertina: Alfred Gjoka
-Botim i parë

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

ISBN: 978-9928-223-30-2
Përgatiti për botim: Roland Lushi
© Të gjitha të drejtat janë të autores

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Nasi Pavllo Nr.20
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, tetor 2016

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Nikolli, Dava
Çoroditje : poezi, satirë, fabul / Dava Nikolli ;
red. Vjollca Shurdha. – Tiranë : Ada, 2016
180 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-30-2
1.Letërsia shqipe 2. Poezia satirike 3.Fabula
821.18 -17
821.18 -191

Parathënie

Krejtësisht e vetëdijshme e funksionit civil të satirës dhe detyrës etike, autorja Dava Nikolli, prezanton librin e radhës me satirë-fabula-poezi, titulluar Çoroditje. Perçeptimi i disa momenteve satirike impresioniste, na bën që nëpërmjet tyre të kujtojmë situatat universale të njeriut. Intuita, kapaciteti dhe mënyra e të dëshmuarit të fakteve nëpërmjet fabulave, shprehin dhe paraqesin aspektet më kurioze në këtë vepër! Kontradiktore e aspekteve negative, në fabula gjejmë argëtim të realitetit që mund të rrisë një të qeshur dhe buzëqeshje, me pjesëmarrje të kafshëve që simbolizojnë njeriun. Libri është shkruar me bindje në mirëkuptim dhe simpati (dhe jo vetëm për argëtim e kënaqësi për pakënaqësitë intelektuale apo morale, të cilat janë karaktere të veçanta, përkatësisht në komedi, fabul dhe satirë).
Krijimet e drejta, moderne në varg dhe në metrikë, të pasura në figuracione; janë një mjaftueshmëri për t’i dhënë embrion të vërtetë satirës. E përfshirë, bërë njësh me realitetin, me pjesëmarrjen e saj letrare autorja u drejtohet të gjithëve që kanë stilolapsin si një armë, për ta ndryshuar atë (realitetin) brenda kufijve të mundshëm. Për të mos humbur identitetin –atë të të qënurit – NJERI-:
“ U habita, mbeta pa mend! /Pazari i tërë gjuhën e kafshëve fliste. /Djathtas kishte çakej, majtas plot qen,
udhës së drejtë askush s’lëviste, /njerëzit, të gjithë në koma kishin rënë!”
E qartë pra aftësia e saj krijuese edhe në këtë kontest–artistik, sepse thith origjinën e temës së satirës, në sintezë të caktuar me botën! Edhe pse kjo botë shpesh “ec mbi kërcinj të tharë e po vdes në hirin e saj”
Dava Nikolli nuk përjashton asnjëherë luftën kundër fenomeneve negative në të gjithë krijimtarinë e saj poetike. Ka manifestuar gjithmonë deklaratën e karakterit dhe artin; jo si moraliste por me siguri si një përvojë njerëzore në shërbim të të tjerëve. Njeriu që jeton në mesin e njerëzve e jo në xhungël, duhet të sillet si i ka hije një qytetari të botës e kultivojë dashuri për gjithçka që e rrethon.
Autorja është në gjendje që të ngjallë në lexuesin e ditëve te sotme vlerat e fjetura dhe të vjetëruara (siç i quajnë disa individë).
Për së shumti; realitetin të cilin e ka lëvruar në këtë vëllim shkon përtej kufijve të përvojës individuale. Në çdo krijim hap dyert e mbyllura të ditëve, për të hetuar më tej!
Kemi të bëjmë gjithashtu në disa fragmente me një udhëtim fantastik, përmes heshtjes së madhe të kozmosit të marrë më afër dritës hyjnore! Të gjithë janë në gjendje për të kapur rrugën e Zotit, Vëllazërisë, Paqes, Dashurisë, nëse dëshirojnë! Por fatkeqësisht shumica i largohen kësaj rruge dhe…
“ Urrejtje! Urrejtje! Në vend të një lutje! /Turma merr para revanshin agresiv. /S’ka forcë t’i ndalojë, krejt janë me ngutje, /për të shqyer paqen, s’kanë tjetër alternativë”
Nuk gjejmë vetëm satira e fabula në këtë vepër por dhe një gamë të gjërë temash; një përzierje e vërtetë, e përsosur, e ushqyer edhe me kontestin historik:
“Kur vdes historia, varroset një Komb. /Shqipëri e sakrifikuar, varrosur për së gjalli. /Komplet një popull i zënë në çark, rob, /Kjo: sepse në pushtet është i keqi, vetë djalli!”
Në këtë koleksion të bukur, poezish satirike e fabulistike rimëkëmbet gjithçka e kaluar e mbushur me emocione, plot trillime, plot ndjenja e shpeshherë edhe me dridhje e mendime të bëra lëmsh:
“I tjerr hollë të miat mendime, /me fillin e tyre bëj çorape për shpresën. /Mijëra herë në ditë, /topin e fillit ndër gishta kaloj. /Duke mbushur me të dhimbjet e jetës sime…/nga e para sërish filloj!
Me shajak i vesh yjet e krejt ushtarët e qiellit, /pastaj ulem e pushoj në prehër të mbrëmjes. /Përmbi këmishën e kuqe të diellit! /Mendjen e godas fort me lëmshin magjik, /Lëmshin, oh përsëri nis ngatërroj!
O Zot më ndihmo! S’po di nga t’ia filloj!”
Nuk është poezi e kujtesës, çka citova më sipër, nuk është autobiografike-romantike, as crepuscolarismo dekadent; është e pastër me spontanitet por shumë më pak naivitet.
Në çdo poezi është derdhur në fletë një qëllim pak a shumë i fshehur ideologjik-didaktik apo idealist i çliruar. Autorja është -në mend para e pas kuvendit -të një trashëgimi të pandërgjegjshëm ose ndonjëherë të vetëdijshëm. E vështirë për të’ të konsiderojnë poetin si një komunist, a çfarëdo ngjyrë partie tjetër tradizionale politike, në shërbim të përhershëm: Kjo është një nga arsyet e mospajtimit, ndaj u bën thirrje e shkruan:
“I dashur poet! /Sa herë të kam shkruar ty! /Rri sa më larg mediave dhe politikës. /Faktikisht opozita duhej të ishe ti, /ndërsa u bëre qesharaku më i madh i ditës! /Të shoh pas gazetarëve, përditë, /duke i ndjekur hap pas hapi. /Për një kockë të errësohën sytë. /I ziu ti, të lodhi kaq shumë vrapi! /Mbete natë e ditë, pas kockës politikë! /Larg përrallave me mbret rri, /mijëra herë, miqtë e shokët të thanë. /Të shtrydhen si limoni, e pa poezi të lanë! /Shkrove për partinë komuniste,. /Pas reformatorëve të lëvizjes socialiste, /të idealistëve pa ideal, dhe u bëre një me to! /Habitem që ende s’e ke kuptuar. /Një jetë ngjitur mediokritetit e hipokrizisë.
Pas turmave që s’i njohe as vetë, /por asnjëherë në shërbim të njerëzisë. /Si s’u lodhe duke arnuar këmishën e tradhëtisë!”
Shkruan për përkujdesjen e bimëve-njeri që kanë shkuar shtrembër në rritje:
“ Oh, sa tipe e karaktere ka bota sot! /Pas punëve të huaja gjithë ditën turren.”
Me gjuhë metaforike…asgjë e mirë nuk vjen kur bëhen kokë më kokë dhelpërinjtë e kunadhet. Sigurisht e bëjnë për të “ngrënë” dikë aq më tepër kur bashkohen me ujkun:
“Dhelpra dhe ujku, dy miq të pandarë, /dhelpra shumë dinake, ujku grabitqar. /U vendosën të dy, në një qendër qyteti, /dhelpra bënte magji, gjahun kapte tjetri!”
Kjo është në vend të një hetimi psikologjik, i sondazheve të brendshme të një udhëtimi, për të shpëtuar njeriun nga një bashkim i tipit exquisitely -psikoanalitike.
Në realizmin e kalimeve të zymta të caktuara, poetja bëhet epikë e të varfërve, të mjeruarve, të shpronësuarve.Vargu pas vargut shpaloset dhe rritet arti i saj, nga heronjtë e përditshëm deri në historitë mite:
“Kalin e Trojës e ruajti koha, /madje deri në ditë të sotme erdh’ i gjallë. /S’ia hoqën patkojtë motet, as bota
trokun, ia ndjej trojeve të mia vërdallë! /Sot më tepër së kurrë ia krehin bishtin, /i bejnë lavazh zorrëve me djem të rinj. /Në trojet e mia, jugu-veri hingëllin, /si në komunizëm, po ashtu në demokraci!”
Duke shfletuar fletë mbas fletë këtë përmbledhje të shkëlqyer ndeshim gjithmonë në; ditë të parë, vështrim të parë, dënimi të parë, regjimi, lufta, vdekja…me pak fjalë, historinë njerëzore!
Ankthi i paqes ushqen pesimizëm me shumë myk, megjithatë, për të ushqyer shpresën poetja përballet e përballon vështirësitë! Për Historinë njerëzore, në tragjedinë e saj të sotme, të një brezi që po përjeton luftën edhe pse duan paqen shkruan kështu:
“Në zemër të Europës godet çmenduria, /dolën monstra, të etur për gjak. /Vritet paqja, egër dënohet pafajsia, /”Nëna e djallit” ka dalë botës të marrë hak!”
Në mënyrë satirike poetja Dava Nikolli parashikon idenë e gënjeshtërt të progresit, paralajmëron krizën e njeriut, është në gjendje të shikojë pyjet e oxhaqeve, fushat e deteve, shiringa të naftës, retë e smog; e diellin që po vdes nga profecitë e reja absurde:
“Hajde shoqëri moderne, he t’u shoftë fara!”
Autorja është kundër çdo karakteristike negative të epokës teknologjike! Po ashtu dhe për integrimin e tepruar të njeriut në kuadër të strukturave! Teknologjia duhet konsideruar progres e jo të përdoret për qëllime të errta, aspak progresiste!
“Përditë ndjenjat zbarkohen laptop-ësh, /Sa mesazhe shkruhen sekondash. /me çiftet që rendin në apstraksion kabllosh! /Webcam fiksojnë zbehjen e natës. /Mallkojnë kohën, mallkojnë veten trishtueshëm që lindën në një epokë pak të modernizuar. /kohë e pa kohë do të rrinin…ngjitur kabllosh dashuruar!”
Duke qëndruar në temë në një tjetër satirë shkruan:
“Eh, në Facebook pa ra shi dalin kërpudha! /janë bërë pleqtë e plakat e Facebook-ut, si fëmijë”!
Rruga e poetes, e çdo poeti është e gjatë, e pafund, dhe e ushqyer gjithmonë me ankth e dhimbje.
Dëshpërohet poetja kur ndesh në sy që nuk e kuptojnë, në buzëqeshje të trishtuara, në buzë të zbehta që flasin në heshtje. Konsumohet për të parë buzëgaz njerëzor!
Momentet e fotografuara në mendje, përshtypjet, ndjenjat, ndihen fuqishëm në shpirt! Duke mbetur të pashlyeshme; shpalosen njëra mbas tjetrës në satira, fabula e poezi, të arritura nga bashkimi mes materies së jetuar dhe subjekteve të mbuluara.
Në aspektin e përmbajtjes dhe stilit, autorja Dava Nikolli rrezaton në një shumëllojshmëri të shquar, të kujdesshme, në trajtimin e temave të ndryshme! Satirizon e fabulizon aspektet e përbashkëta dhe të përditëshme (dashuri, oportunizëm, ngjarjet aktuale dhe politika), të cilat korrespondojnë me shumëgjuhësinë dhe hibridizimin stilistik.
Libri nuk është qetësues si opium përkundrazi; na bën të reflektojmë shumë. Nuk është as monoton, ka brenda tipe e karaktere njerëzish të lëkundur, (persona të ç’thurur nga çdo pikëpamje). Përshkruar në mundësitë e gjuhës njerëzore, pa rënë në ofendime e volgarizime, përdor nga; sermo plebeius në fabula (ku protagonistët kafshë prezantojnë veset humane) e deri në një stil kaleidoskopik mahnitës në poezi.
“Më ka pëlqyer shumë Dante Aligieri. /Kur, komedinë e vuri udhës së Purgatorit. /Si pikënisje, mori teorinë nga Aristoteli, /pikëmbërritjen sipas teorisë së Platonit! /Rrathët e njerëzimit, kanë vargun poetik, /kanë mëkatin, krejt botën të shfrenuar. /Ferrin dhe parajsën, në vargun filozofik, /duel me njëri-tjetrin, fajet për të pagëzuar.”
Mbyll veprën e saj me poezinë “Politikani“ ku ndër të tjera shkruan:
“Për hir të karrikes, shpirtin shet, /me fjalën plumb pafajsi vret. /Në jetë i vetëshpallur mbret, /Shpesh ka dëshirë të japë dhe meshë, /Ky është politikani i vendit të mjerë, /i njerëzve; që nuk zgjohen asnjëherë!”
E ardhur me ndërgjegje, në mënyrë të thjeshtë, duke ndjekur fillin e realitetit, autorja është përpjekur të shpjegojë qartë mesazhin. Konfermon kështu që: nuk mendon vetëm…sukses apo jo: Nuk mendon; nëse nuk lexohet nga askush e lexon vete. JO! Me punë të palodhshme, me thellësi mendimi, vë veten tërësisht në shërbim të publikut artdashës, për të paraqitur diçka të vlefshme për të gjitha kategoritë. Një vëllim fabulo-satirik-poetik që sigurisht; nuk do ta lërë indiferent lexuesin, pikërisht për vërtetësinë, sinqeritetin, naivitetin. Plus: Vihet re aftësia për të ndërtuar struktura sintaksore të jashtëzakonshme. Vjen kështu poetja Dava Nikolli para lexuesve të saj të adhurueshëm; me krijime satirike parametrikisht në mënyre inteligjente, ku çdo personazh merr “goditje” me “Çoroditje”.

Vjollca Shurdha
Poete–Shkrimtare–Përkthyese
Itali