ËNDRRAT NUK MË PYESIN…

Autor: HANA XHIHANI

Redaktor: DEMIR GJERGJI

Kopertina: Përzgjedhur nga autorja

©Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe dhe të huaj, brenda dhe jashtë kufijve të vendit i përkasin autores.
ISBN: ISBN 978-9928-244-26-0

Botimi i parë, 2017

Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 14x21cm

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, korrik 2017

Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë Botuese ADA

FANTAZI ME FËMIJËRI

Dihet se fëmijëria është pjesa më e rëndësishme dhe vendimtare në jetën njeriut. Si vazhdim i paralindjes, me gjenet dhe memorien e qelizave të paraardhësve, ajo është përcaktuese e karakterit tonë, e sjelljes, ndjenjave, prirjeve, talentit, fatit dhe formatit tonë. Mjafton të marrim shembullin e ëndrrave që i shohim pas moshës dyzetvjeçare. Pothuajse të gjitha ato na vijnë në gjumë me rrugët që kemi shkelur në fëmijëri, me pamjet dhe peizazhet e vendlindjes, me ngjarje të saj të veshura me mantelin e përditshmërisë. Këtë na e thonë psikologët dhe sociologët, por në një farë mënyre, këtë e vëmë re edhe në art e letërsi, te piktorët, muzikantët, shkrimtarët e poetët sidomos. Tek këta të fundit, talenti i trashëguar pasurohet dhe bie në sy që në fëmijëri, aq sa të gjithë e besojmë me lehtësi se dhuntia e të krijuarit të poezisë është hyjnore dhe bën pjesë në “punët e Zotit.”
Në rastin e poezisë së Hanës, talenti poetik është plotësuar edhe me një rrethanë që asaj ia ka ofruar jeta, si shumë prej shqiptarëve në një pjesë të mirë të historisë së ekzistencës së tyre. Ka vite që Hana jeton larg atdheut, larg qiellit, larg gjuhës, larg aromës dhe klimës së tij, për më tepër larg vendlindjes, larg njerëzve të dashur, larg varreve të të parëve, larg Kavajës së saj. Pra fëmijërinë, atë moshë, që siç thamë më sipër, gjithsekush prej nesh e ka brenda shpirtit, ashtit, rruazave të gjakut, qelizave dhe cirkovolucioneve të trurit, e ka në të folmen, në zërin dhe në frymëmarrjen e vet, për paradoks poetja e ka gjithashtu larg jo vetëm larg në kohë, por edhe në hapësirë. Por pikërisht kjo është arsyeja që kjo moshë përcaktuese në jetën tonë të mëtejshme, të bëhet një prani tronditëse atje ku është, në sheshet e parqet e gjera të qytetit të madh të botës, në viset me erë, shira, nëpër ditë e net dhe pamje të tjera, mes një gjuhe tjetër, mes përshëndetjeve ndryshe, pra fëmijëria e saj në këtë rast t’i bëhet frymëmarrje e thellë, lot e ngashërime, duke e afruar kështu me hyjnoren, që në këtë rast është poezia.
Është kjo arsyeja pse poezinë e Hanës nuk e afron asgjë me butaforinë, me maninë për t’u dukur e për të marrë poza moderniste apo kushedi se çfarë! Janë këta faktorët dhe rrethanat që e bëjnë poezinë e Hanës një bashkëbisedim të ngrohtë e plot emocion me lexuesin, është malli për vendlindjen, për vitet e vegjëlisë që ia japin një shtrirje të gjerë motiveve të saj:

Si një tingull dua të fluturoj,
Mbi horizont të çliroj shpirtin hutuar,
Akoma më larg mendjen ta mërgoj,
Nga kjo botë e çmendur, mjegulluar.

Vini re: “Akoma më larg mendjen ta mërgoj”, thotë autorja. Përfytyroni për një çast të kundërtën, sikur ajo të ishte fëmijë, te rruga e saj, te qyteti i saj, Kavaja. Si do të tingëllonte vargu i mësipërm? Ku do ta mërgonte mendjen poetja? Natyrshëm përgjigja është: atje ku e çon fantazia: në botën e largët përtej detit, në historinë e të parëve, në vendet e fantazuara nga përrallat dhe ëndrrat e fëmijërisë. Po fati atë e ka vënë në një pozicion të kundërt, larg për të nuk është bota, por pragu i shtëpisë, vendlindja, Shqipëria, kukullat, larg është Hana vogëlushe. Ndjenja e kureshtjes në këtë rast, sundohet nga ndjenja e mallit, një mall i thekshëm, që ndrit në një pikë loti, që merr frymë te psherëtima, që ndizet te dëshira për të “kundërmërguar”, pra për t’u kthyer edhe një herë te fëmijëria e saj.
E ngarkuar me një peshë të tillë emocionesh, poezia e Hanës vjen e natyrshme deri tek e zakonshmja, si një ligjërim në një bisedë normale, ngrihet deri te tronditja që të jep mungesa e madhe dhe ai mozaik ëndrrash që na ndjek gjithë jetës me pamjet dhe ngjarjet e fëmijërisë, në krijimtarinë e poetes vjen e bëhet larmi motivesh që fillojnë nga dhembja për nënën që s’është më, nga krenaria për atdheun e saj, nga sinqeriteti për të thënë pa komplekse detaje nga jeta e saj, deri te motivi sublim i dashurisë, që bëhet gjithnjë e sundues!
Gjatë leximit të përsëritur të poezive të këtij libri, bindesh se gjithçka e kësaj bote është poezi, mjafton të dimë ta shohim si të tillë, mjafton t’i afrohemi muzikës me regjistrin poetik. Hana e di këtë dhe është kujdesur për ta realizuar, duke na befasuar me rima e ritme tradicionale, por edhe me një përmasë e formë që synon modernen.
Ajo që është kryesorja në poezinë e kësaj poeteje ka të bëjë me sinqeritetin e ndjenjës, që me siguri është pasojë e fëmijërisë së saj, e fantazisë së kësaj moshe.
Demir Gjergji
Tiranë, qershor, ‘17