Titulli: Flaka e shpirtit
Autori : Servet Gjyzeli
Redaktor: Demir Gjergji

Botimi i parë, 2017
ISBN: 978-9928-244-36-9

Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tetor, 2017

Të gjithë librat e shtëpisë botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Gjyzeli, Servet
Flaka e shpirtit : poezi / Servet Gjyzeli ;
red. Demir Gjergji.
– Tiranë : Ada, 2017
60 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-244-36-9
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

PËRMENDËSH

I pasur dhe i bukur. Kështu vjen në shqip emri i mikut të jetës dhe bashkëvendasit tim,
Servet Gjyzeli. E njoh mirë dhe përsëri kam ç’të njoh tek ky mik, sepse brenda shpirtit dhe karakterit të tij ka plot kthina, ngjitje, zbritje, përmasa, dritë, hije, ka kaltërsi e zemërim dallgësh, ka dhe fëshfërima e gjelbërime toke, ka edhe nisje rrugësh të gjata, ka edhe mbërritje të dështuara, por më së shumti, triumfuese, ka psherëtima, ashtu siç ka frymë këngësh e muzikë. Zbulimi i tyre tek Serveti është e mundshme në disa mënyra, por më e mira e tyre është ajo nëpërmjet qëndrimit me të në një bisedë të zakonshme, duke hyrë në poezinë e tij.
Në fakt, poezia te Serveti nuk shfaqet me mëtimin e poetit. Madje, do të thosha se ai, më mirë do t’i vinte ta quanin, bie fjala, detar, se sa poet. Gjatë gjithë jetës së tij ai ka shkruar pothuaj vetëm këto poezi që ju, të dashur lexues, keni mundësi t’i shijoni në këtë libër, për botimin e të cilit, më shumë ka ndikuar këmbëngulja ime, se dëshira e tij. Poezia për Servetin nuk është mani për t’u dukur, përkundrazi, është mënyrë për të fshehur dhimbjen ose lotin, mërzinë apo zemërimin. Ai ka një lidhje të ngushtë me detin, po aq sa me tokën dhe me natyrën në përgjithësi. Mbase kjo lidhje e ka mësuar se si ta shfryjë zemërimin, ta shfaqë bukur mallin, ta shuajë brengën, apo ta zbusë dhimbjen e shpirtit. Në kohë zemërimi, furtunash dhe stuhish, deti përplaset pas bregut zhurmshëm e me forcë duke nxjerrë prej thellësive të tij shumë nga misteret e veta: alga, korale, guaska, madje dhe perla. Kështu dhe Serveti, në çaste emocionesh të forta thërret poezinë dhe, nëpërmjet saj, në vend të lotëve, psherëtimave, dënesave e rënkimeve, që nuk i shkojnë për shtat paraqitjes së tij, nxjerr nga shpirti poezinë. Ja një gjendje që na ndihmon ta ilustrojmë këtë që sapo thamë:

Sytë hap e tjetër botë,
Më rishfaqet krejt papritur.

Paralelizmi është sa i prekshëm, aq edhe i gjetur me finesë poeti. Fakti që Serveti gjatë gjithë jetës së deritanishme ka shkruar vetëm këtë libër, është shprehje e karakterit të tij të fortë prej burri që di të dashurojë, të vlerësojë shpirtin dhe bukurinë jo me tra-la-la-ra dhe lustër të jashtme, por me gjithë zemër, pa shtirje e komplimente bajate. Kjo është edhe arsyeja që poezia e tij është e thjeshtë dhe njëherësh e ngarkuar me ndjenjë dhe emocione të fuqishme. Hapësirat e universit, hëna, yjet, dallgët, rruga, stinët, shiu, era, gjethet, ëndrrat, plagët, zogjtë, ditët, netët, retë janë elemente që i japin krijimeve të tij atë limfë të domosdoshme jetësore për të shprehur dhe për të komunikuar. Veç kësaj, forma e këtyre poezive ka brenda harmoninë e muzikës, ritmin e frymëmarrjes dhe lëvizjes që e afron me poetikën e traditës sonë, duke i dhënë njëherësh atë sharm bashkëkohor që e bën të mirëpritur dhe të dashur për të gjithë brezat e lexuesve. Vetë autori i mban mend përmendësh pothuaj të gjitha poezitë e këtij libri, sepse, siç kam vënë re më lart, ai e “shkruan” më parë në mendje poezinë, pastaj e hedh në letër. Kjo mënyrë krijimi u ka dhënë këtyre poezive privilegjin për t’u mësuar lehtësisht përmendësh edhe nga lexuesi.

Do t’i sjell dallëndyshet,
Veshur me petkun e zi,…

Vargje të tilla plot ritëm, ndjenjë e muzikalitet, të mbeten në mendje për të mos u harruar që në leximin e parë.
Me një fjalë, kjo poezi, ashtu siç është shkruar gjithkund e në rrethana interesante: në rrugë, në breg të detit, në shtrat, para gjumit, në tryezën e ngrënies apo në kuvertën e anijes, po ashtu mund të lexohet edhe gjatë udhëtimit, edhe gjatë ëndërrimit, në pritje të diçkaje të bukur apo të trishtuar.
I pasur dhe i bukur. Kështu vjen në këtë libër miku i jetës dhe bashkëvendasi im Servet Gjyzeli.

Demir GJERGJI

TIRANË, GUSHT, 2017