“Oh, Padre Pio! Shenjtor i rrallë!!!
Shenjti im Nënë!!!”
Aspekti nostalgjik kalon përmes një shenjti, sepse e tillë është figura e nënës, shenjtore dhe përmendore që pushton çdo kështjellë shpirti, e cila mbetet përjetë në mendje dhe në zemër sikurse është, e dlirë, mbretëreshë e gjithë dashurive të kësaj bote, referusese dhe shembëlltyrë e gjithë rrugës tonë të ndjekur.
“Kalë i bardhë,
jele të mbetura erës së tokës”
Tek poezia “Kalë i bardhë” kemi simbolikën e gjithë psikolgisë dhe filozofisë jetë, pasi ai vjen si mishërim i asaj krenarie që na shoqëron në demarshin e shekujve luftra, por na çon dhe drejt qiejve kozmikë, ku engjëjt takojnë perënditë për të zbutur zemërimin e tyre, gjithashtu na çon dhe drejt ekzaltimit të jetës, dashurisë njerëzore të tërhequr fort pas madhështisë së jeleve të bardha.
“Unë e pashë dje atë fytyrë
e shoh dhe sot,
zbritur nga fushëbetejat e humbura,
si në mjegull,
ku veç shpirti
krahët e këputur,
gjymtyrët pa kokë
regëtijnë plagët e jetës!”
Sigurisht që autores nuk mund ti shpëtoje ana dramatike e jetës, ku njeriu humb shpresën, i vritet e nesërmja dhe ai pa kokë, regëtin si shpez i plagosur në të fundit jetë. Plagët shoqërore të një vendi, sikurse është varfëria, produktojnë kaos dhe ekstremitet të kufijve më të fundit, prandaj poetja nuk mund të qëndrojë indeferente, por me bisturi të hollë operon dhe sensibilizon shoqërinë për më shumë humanizëm, më shumë përkrahje dhe shumë më tepër angazhim ndaj këtij fenomeni, sa tronditës kaq dhe shpërfytyrues.
“Sa hijshëm shfaqesh
inkuizicionit tim të ndjenjave
e unë…
nëse të arrij një ditë
trupin mbi tela gjembash
do të ta gris
nudo
duke shqepur të linjtat
e lexuar tatuazhe misterioze
shenjë gjurmësh mbetur nga persishtja e lashtë
deshifruar lëkurës tënde
e gërmëzuar heshtur në gjak.”
Në këto vargje dashuria vjen me elokuencën e vargjeve përmes intimitetit inkuzicon simbolik, i cili deshifron kode dhe gjuhë gërmëzuar deri në gjak. Kaq e fortë është kjo ndjenjë sa që shenjat e gjurmëve mbeten në memorie e nën lëkurë dhe njeriu si fantazmë e ndjek atë verbërisht, për ta mbrojtur e përjetësuar në më të thellin shpirt.
Qëllimi i këtij kalimi të shpejtë përmes vargjeve të autores Sonja Haxhia është përnjohja e lexuesit me thellësinë e mendimeve dhe nocionet poetike, si shprehi e asaj bote emocionale dhe e atij shpirti poetik që di të grishë pareshtur, të lançojë të bukurën, të sjellë fluiditetin e muzës krijuese, si dhe të proklamojë universin e asaj bote artistike, që reflektohet pas gjuhës së imazheve dhe ideve filozofike për jetën.
Agron Shele, shkrimtar, poet
