Të rralla janë revistat letrare që kanë një jetëgjatësi në kohë dhe cilësi si “Revista Obelisk”. Në një moment kur teknologjia ka zëvendësuar pjesën më të madhe të formave tradicionale të përcjelljes së letërsisë tek lexuesi, mundësia që të botohet në format shtypi sa vjen dhe bëhet më e rrallë dhe veç pasioni dhe përkushtimi shpirtëror mund t’ia dalin mbanë që të çojnë përpara botimin e një reviste si “Obeliks”.

Për mua, si poet që ka nisur të shkruajë që pesëdhjetë vite më parë, botimi në faqet e një reviste është gjithmonë një emocion i bukur. Të marr në duar revistën, ta shfletoj faqe për faqe, të gjej materialin ku jam edhe unë, e gjithë kjo është si plotësim dalëngadalë i dëshirës së botimit. Pikërisht ky element, i kohës që ngjan të ngrijë e t’i japë përhershmëri tekstit të shtypur në revistë, e bën botimin tradicional që të ketë një nuancë poetike, thuajse të idealizuar, e që përngjan me përmbushjen e misionit të krijuesit: të botojë dhe bota e tij letrare të shkojë në duart e lexuesit.

“Obeliks” e përmbush plotësisht këtë mision dhe botuesi i revistës, miku Roland Lushi është nga të rrallët që beson sinqerisht te ky mision dhe ndikimi i tij në shoqëri. Në këtë rrugëtim pesëmbëdhjetë vjeçar, kam pasur mundësi të shfletoj autorë dhe tekste që janë shprehi e bashkëkohësisë, por edhe klasikë dhe vepra që kanë jehonë universale për mesazhet që përmbajnë. Revista “Obelisk” është kthyer kështu në një mikrokozmos, ku gjallon mendimi dhe ndjeshmëria krijuese, ku është e mundur të gjesh kontribuues pasionantë që përcjellin krijimtarinë e tyre letrare, përkthime të zgjedhura, kritika dhe recensa që janë kaq të dobishme për lexuesit. “Obelisk” me këtë mision, është dëshmi që letërsia mund të ketë ende rëndësinë e faqes së parë në shtypin e shkruar,  sepse misioni i revistave letrare i tillë duhet të jetë: ato duhet t’i japin dritë autorëve të njohur dhe më pak të njohur, për lexuesit që besojnë se përmes formatit fizik, është e mundur që të ruhet jo vetëm kultura, por edhe kujtesa letrare në vendin tonë.

Në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të “Obelisk”, vëmendja ime shkon për të gjithë krijuesit, përkthyesit, kritikët që komunikojnë me shtëpinë botuese “Ada”, e në veçanti me botuesin e revistës. I imagjinoj kur përgatisin materialet, sa kohë i kushtojnë çdo teksti që maten ta dërgojnë për botim. Si është vëmendja e tyre deri në përzgjedhjen e formatit përfundimtar, e pas dërgimit të materialit, qëndrojnë në pritje, me emocionin e bukur nëse materiali do të botohet në numrin e radhës apo jo.

Ky emocion, është i papërsëritshëm, e falë “Obeliskut” letrar, nën kujdesin e Roland Lushit, mund ta provojmë, kohë pas kohe, të gjithë.

 

Faleminderit dhe gëzuar pesëmbëdhjetë vjetorin e lindjes, “Obelisk”!

 

Marrë nga numri i fundit i revistës “OBELISK” Nr.262, Maj 2023