Titulli: Mik me ajrin
Autori: Arqile V. Gjata

e mail gjata.arqile2@gmail.com
Tele.0030.6947544199
Korrektor- Novruz Abilekaj

Dëshira ime:

Ky vëllim poetik të mbetet si kujtesë…

Ua kushtoj familjes sime, fëmijve, nipërve dhe mbesave me rastin e 75 vjetorit tim të lindjes!

Botimi i parë, 2017
Vargje
Nga kujtimet e ditarit të jetës

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, Mars 2017

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Gjata, Arqile
Mik me ajrin : poezi / Arqile Gjata.
– Tiranë : Ada, 2017
98 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-65-4
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

DISA MENDIME RRETH VËLLIMIT POETIK
“MIK ME AJRIN” TË POETIT A.Gjata

Zoti Gjata,
E lexova me endje vëllimin tuaj poetik ‘Mik me ajrin’. Çmoj veçanërisht thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e vjershave tuaja, faktin qe ato rrjedhin lirshëm si në një bisedë miqësore, ku folësi/poeti nuk kërkon të çudisë bashkëbiseduesin dhe t’i thotë: shih sa mirë e sa bukur di të flas unë, shih si e përdredh frazën dhe si e ndërtoj metaforën. Përkundrazi, uni ose heroi lirik i vjershave tuaja, ngjan me një mik të njohur, që kërkon më së pari të ndërtojë një marrëdhënie intime me lexuesin dhe pastaj t’i përcjellë edhe mesazhe.
Mesazhet që përcjell poezia juaj i mbeten besnik tiparit të thjeshtësisë dhe humanizmit, që përmenda më lart. Në fakt, vlera më e madhe e vjershave të vëllimit tuaj, sipas meje natyrisht, është humanizmi, njerëzillëku që mishërohet sa në mënyrën e shprehjes, në tonet e përgjithshme të ligjërimit aq edhe në mesazhet që përcjell.
Vendin kryesor ndër këto mesazhe e zë dashuria, e konceptuar gjerë. Në radhë të parë dashuria për femrën, pastaj dashuria për njeriun, për tjetrin, për natyrën, historinë/të kaluarën, vendin etj.
Dashuria dhe mosha, kjo mbase është një nga sythet që të bën të meditosh kur lexon këtë vëllim. Nga mijëra e mijëra vepra letare që kam lexuar për dashurinë, në poezi dhe prozë, shpesh më ndërmendet ‘Behari i vogël i një Forsajti’. Jo tani që jam në moshën e tretë dhe tek Xholioni plak gjej pak nga vetja, por e kam kujtuar dhe rikujtuar edhe shumë e shumë vite më parë. E kujtova edhe duke lexuar vjershat tuaja.
Por ka një dallim, në vjershat tuaja, has të njëjtin ngashënjim që më ngjall proza në fjalë, por pa tragjizmin e saj. Sipas poezisë suaj dashuria, edhe në moshën e tretë, është ndjenjë e bukur, fisnikëruese, gjithë poezi dhe optimizëm. Madje njerëzore dhe pa ahe e uhe mbetet edhe kur flet për vdekjen: ‘Eja në funeralin tim, thjesht me fustan veror/ dhe pse do jetë e dhimbshme/ ti, me buzët e kuqe do puthësh heshtjen./ Të pres, eja!’ Trupi i femrës së dashur, veshur me fustan veror, gjithë forma dhe aroma në funeralin e poetit. Bukur!
Përshtypje gjithashtu më bëri edhe një frymë e lehtë sureale me elementë hera-herës makabër, që shquan në vjersha të ndryshme si ‘Kafka gjeni’, ‘Hija e tij’ etj. Edhe këtu mbetesh besnik i tiparit të përgjithshëm: thjeshtësisë dhe natyrshmërisë. Zakonisht surealja dhe elementi makabër të ndjellin drejt pamjeve gotike dhe duhet të kesh një individualitet poetik të formuar që t’i shpëtosh kësaj ngasjeje.
Edhe një gjë të fundit, duke lexuar këtë buzëmbrëmje vëllimin tuaj poetik, ju pata një çikë zili. Në fakt, fjala ‘zili’ në shqip ka një ngarkesë negative se jep e merr me fjalën ‘cmirë’. E pra ju pata zili, por jo cmirë: Duhet të ndihesh mirë me veten, të ndihesh i realizuar dhe pa pishmanllëk, që të shkruash kaq lehtë dhe kaq njerëzishëm. Edhe sikur poezia juaj të shërbente vetëm për të realizuar këtë, do t’ia vlente barra qeranë të shkruhej.

Nga Pr.Dr Çapajev Gjokutaj