Titulli i librit: M’THËRRET GJENEZA

Autor: Pranvera Drita GJONI

Kopertina: Ana Gashi & Ludovic Paronetto

Redaktor & Korrektor: Pranvera Drita Gjoni

Sponsor: Ana & Ergys Gashi ( fëmijët e mi)

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2017

TË GJITHË LIBRAT E BOTUAR TE SHTËPIA BOTUESE “ADA” GJENDEN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Gjoni, Pranvera
M’thërret gjeneza : poezi / Pranvera Gjoni.
– Tiranë :Ada, 2017
184 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-96-8
1. Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

LIBRI ËSHTË SHTYPUR NË SHYPSHKRONJËN E SHTËPISË BOTUESE “ADA”

GJAKIMI POETIK PËR ITAKËN SHPIRTËRORE DHE SAGËN E FËMIJËRISË

Refleksion i vëllimit poetik të Pranvera Drita Gjoni ‘‘M’THËRRET GJENEZA’’.

Çdo krijues mbartë në vetvete Itakën e tij shpirtërore, mbartë kujtesën dhe gjenezën, mbartë lotin dhe qiellin e tij të mendjes, ndryn në vete shumë margaritarë dhe fjalën e tij ‘prej guri’ që synon t’i rrëfej botës së shurdhët, botës që aq keqazi di të jetë indiferente para dhimbjeve moraliste që pikojnë gjak e uthull në ndërdijen e krijueses, që me zërin e heshtjes e shkronjës tenton t’i përndritë rrugët e saj të gjakosura të jetës. E po të njëjtit dimension na ofrohet edhe libri poetik i autores Pranvera Drita Gjoni ‘‘M’THËRRET GJENEZA’’. Libër i cili, nisur vetëm nga forma e thirrja, ngjallë kureshtje për lexim që në fillimet e tij, kurse përsa i përket përmbajtjes e thellimeve ideo – artistike të mahnitë me vlerat e saj unike në krijimtari. ‘‘Gjeneza m’thërret me zâ epokash, ngreh prej vetit si bijën e vet’’ shprehet autorja. Këto janë vargjet që në vete ngërthejnë Kaliogoskopinë rrëfimore poetike, ideore, artistike e përmbajtësore të mesazhit poetik që lexuesin natyrshëm e zhysin në kozmosin lirik të krijueses Gjoni, e cila edhe me parë me botimet e saj ka dhëne dëshminë se është një poete e niveleve të larta dhe e dëshmuar në botën letrare shqiptare.

Genet e saj krijuese janë skalitje poetike në mendjen e lexuesve.
Autorja di të ligjëroj për kohërat e burgosura, e mençurinë e shekullit të etnisë, që shëndritë, por edhe për indiferencën e harresën tonë individuale e kolektive, ku përmes sinjalit e qortimit poetikë, ngre kumtin përndritës e vetëdijësues përmes vargjeve ‘‘ndiq gjurmët e trokthit tand, trungut t’pa thinjur’’ duke ushqyer embrionin e ëndrrës, për të mos i harruar kurrë gjurmët e të parëve dhe gjenezës që nuk zhbëhen kurrë.
Poetja Gjoni është krijuese e frymëzimeve të fuqishme ku e shoqëron një botë e pasur e përjetimeve dhe refleksionesh krejtësisht origjinale.
Pritja për autoren nuk është disfatë as molisje, sepse poetja e shpirtëzuar e kupton shumë mirë tharmin e ‘‘Meshës metafizike’’ të gjetheve ngulitur në altarin e gjoksit të saj, që herë pas here gufon si vullkan i gjakimit poetik, e herë si lutje Psalmiste për hijet elegjiake se ku i shkeli këmba dikur.
Autorja përmes fjalës e shkronjës, ndjesisë e përceptimit, rigjallërimit shpirtërorë e poetik, shpërfaq para lexuesit gamën e gjerë të përjetimeve, vizioneve, e melankolive, shqyrtimeve dhe empirizmit të saj jetësorë, por pa e cenuar hapësirën e tjetrit.

Poetja Gjoni është vetë ndërgjegjja e përjetimeve të poezive të saj.
Ajo rri varur mbi dritën e hënës dhe me forcën e penës sfidon pohimet absurde, ngujimet në kala, parkun e paqes, guacat e fanitura në oxhak, dhe botën që papritmas shuhet në horizontet e kuqe. Autorja e ka sensin e të kuptuarit se çfarë i është dhuruar që nga paralindja e saj, por penën e idetë, artin e refleksionet shpirtërore i ka ‘‘plumb për t’mshiruemit’’ sepse jeton më këshillat e babës dhe të zërave të traditës ku ata zëra kumbues edhe sot e thërrasin ‘‘mos u dorëzo’’. Autorja Gjoni nuk di të sfilitet para misionit të saj, sepse e ka një qëllim: – përndritjen e shpirtit e vizioneve të saj poetike.
Është kodi i mirësisë shpirtërore dhe artistike që ngreh zërin në shkretëtirë për cenet e cektësitë tona jetësore, kolektive e historike por edhe artistike. Mbi të gjitha është zëri i frymëzimeve poetike e letrare që mundohet të lë gjurmë kulturore në hapësirat tona mbarëshqiptare.

Pra, kryetemë e gjithë këtij libri e ligjërimi poetik, është dashuria. Por dashuri e shpërndarë në shumë rreze e dimensione poetike, si ajo ndaj atdheut, mërgimit, familjes, prindërve, asaj Agape, Amor , Karita, njerëzve me të cilët autorja e kaloi jetën, si dhe raporteve ndërpersonale dhe përplasjeve që i ofron jeta. Autorja di të meditoj e reflektoj poetikisht përmes “Agut t’lindun n’djepin e natës”, e kur “terri hijet e kujtesës i mbulon”, por mbi të gjitha shpirti i saj stoik, di ti përvetësoj e përqafoj edhe shkëndijat e jetës që nuk mbarojnë kurrë. Pranvera i këndon vargut poetik të pranverës edhe pse e mbërthyer në prangat e dashurisë, por edhe di të agjëroj për amësinë , ashtninë e fëmijninë e dikurshme.

Ajo nuk është indiferenca, por dhimbja moraliste që vetëflijon fëmijërinë, kujtesën e joshjet e shekullit për një jetë të dinjitetshme edhe pse hijet e paftuara shpesh ia trazojnë jetën e ylberin e ëndrrave.
Kjo është spektri i saj magjik që e bënë një poete origjinale, të konsoliduar dhe vizionare, përballë botës ngatërrestare e ‘mizantrope’ që përmes buzëqeshjeve ‘bizantine’ mundohet tinëzisht t’ia vjedhin buzëqeshjet fisnike dhe t’a gozhdojnë si Jezusin dikur në mes cubash, jo pendestar.

Letërsia e poetës Gjoni, na vjen si dëshmi e ekzistimit të parajsës së saj të brendshme.
Ajo tanimë e ka krijuar profilin e saj letrarë dhe “ritualin,” jetësorë , ideorë, artistikë, por edhe atë publicitarë.
Gjakimi poetik i autores Gjoni ka një dimension krejt tjetër nga autorët tanë, pothuajse të rëndomtë, sepse gjenetika e psikika e saj kanë rrënjë e fryte Palme që furtuna i lakon deri në rrënjë, por ajo nuk di të thyhet e dezorientohet kurrë para qëllimit të saj artistikë e jetësorë.

Metaforat e saj në këtë libër, kapin një dimension krejt meta – psikologjik e etnik që e mahnitin edhe krijuesin me të avancuar në letrat shqipe.
Ajo ka afinitetin që përjetimin t’a shndërroj në simbol, e simbolin në mesazh, dhe ketë mesazh artistik aq bukur të artikuluar, t’a transformoj në model e kod letrarë krejtësisht unik në substancën e tij. Reminishencat për autoren nuk janë Elegji e thjeshtë, por forcë gjallimi e humanizmi letrarë. Poezia ‘‘Gjithësia ime’’ e argumenton gjithë këtë diskurs poetik, sepse ajo është e vetëdijshme për rolin riprodhues evolutiv që ia ka dhuruar natyra dhe ia dikton shpirti e vetëdija e saj e lartë. Ana është shpirti i saj i shpirtëzuar. Prandaj poetja shkruan me shpirt duke sublimuar kështu bagazhin e saj të pasur poetik dhe Epistimiologjik. Dimensioni e refleksionet e saj poetike janë një kolorit mbresëlënës për lexuesit, sepse e përbërë dhe shumë dimensionale është bota e saj krijuese. Poezia e autores Gjoni ‘‘Iliria’’ është një baladë vertikale për etnosin, e logosin shqiptarë, vendlindjen dhe vlerat në shuarje që i mbartë me vete mallkimi i emigracionit, shuarja e brezave, zbehja e traditës dhe virtyteve, ku këto fenomene kulmojnë e sublimohen me poezinë ‘‘Vatër e fikun’’ e cila zbërthen pothuajse krejt preukopimin letrarë e ideo- artistik të poetes. Ajo ka një mesazh të qartë për lexuesit :- “mos u dorëzo para mahallës s’ujqëve, botës s’paradokseve, akujve t’ mendimit, baladave t’gjithkundshme, as para sfidave e destruktivitetit njerëzorë”. Autorja Gjoni ushqen Olimpin e saj të mendjes, zemrës, syve e shpirtit pa u trembur nga bota tinëzare, edhe atëherë kur ngreh kumtin e ikjes pa kthim në tokën që dikur ishte “katedralja e shpirtit” të saj . Edhe pse autoren e preukopon fenomeni simbolik i “qirijve t’fikun” dhe “kryqeve t’ngulitun n’tym” ajo prapë në vete ushqen ndjenja shprese e optimizmi deri në kufinjtë e pasosur, sepse shpirti i saj i lirë kërkon lirinë nga prangat që ia vunë vetes kjo pjesë e botës shqiptare. Përmasa e saj metaforike, dhe talenti i saj letrarë arrin t’a shndërroj autoren në ‘‘Hyjni t’lotit’’, “mendime t’kryqzueme”, t’a bëj konfuze e me plot dilema, ku shpesh në vete mallkon fatin e mekur, dhe këngën e jetës të këputur në gjysmë, por jo shpresën e saj që gjallon para “ndërkamzave” të shekullit .

Vargjet e saj nga ana tjetër, simbolizon forcën e thelbin e jetës. Në kozmosin e saj letrarë e poetik, mishërohet betimi e përkushtimi i pastërtisë e virgjërisë së shpirtit, dëlirësisë, thjeshtësisë, bekimit e harmonisë.
Autorja dhe uni i saj poetik nuk di t’i bëj lajka, as joshje, ritualeve të verdha… përtyp fjalën e ndrydh shpirtin përballë kërthinjve të saj, në mënyrë që perdja e hekurt e dhimbjes mos t’ua zënë çepallat e lotit, e plasaritjen e akujve të zemrës . Me zërin e arsyes dhe talentit të saj poetikë, klith për destruktivitetin tonë njerëzorë.

Në aspektin horizontal, poezitë e saj hynë në rrethin thumbues për të hapur kështu më pas shtigje të lumtura për shoqërinë, kombet, individët.
“Eh…t’lindësh Shën Gjon tokës s’pabekueme kryqzue mes stuhish…” shprehet poetja, por ajo shkruan edhe për “sindromën gri, sokolat e flijimit, varfninë, shpresën e përgjithshme sociale, kortezhet ulun n’tabanin e stinve t’vuajtuna, uverturat e ditëve t’mëdha, e gëzimeve t’heshtuna t’dikurshme, bijtë e shekullit t’ ri, bijtë e shekullit 21 t’mbytun e t’mbyllun n’robninë e tyne, pjellë mortajash e robotësh pa ndjenja”, që vetëm konsumi e indiferenca për ta, është motiv e ushqim jete.

Në poezitë e saj vërehet një lloj urtësie e pa masë. Por edhe zëri kumbues i desidencës Iluministe që tund edhe malet. Poezia për autoren është ngushëllimi më i bukur. Është katarsisi që e çliron nga ngricat e ngurtësimet, nga barrët e jetës. Ajo ka në vete shumë testamente shpirti, e shumë balada të gjakosura… por, kurrë nuk pranon “murgun e rrëfimit” t’a takoj në ishujt e harmonisë së rrejshme – mashtruese.
Kjo është epiqendra Elegjiake poetike, refleksive, meditative e autores Gjoni, e cila nuk di të vajtoj vetëm fatet e saj personale, por më shumë ato kolektive që e kanë veshur këtë shoqëri, por edhe botën letrare e artistike. Kategori njerëzish të cilët mikun e dashamirin dinë t’a gozhdojnë në kryq, për interesa personale e Miope që askund nuk mund t’ua gjesh adresën e motiveve të tyre të errëta. Shkurt e qartë, autorja Gjoni nuk di të bëj kompromis me të keqen. Sepse ashtu ia dikton uni i saj poetik, gjenetika e prejardhja e saj fisnike, ia dikton zëri i thirrjes së gjenezës së saj prej malësoreje fisnike, që fjala e virtyti e lidh për besë e jo intrigat e shekullit beronjë. Ajo aq bukur di të ligjëroj poetikisht edhe për lindjet e vdekjet e mëdha Shekspiriane, nevojat e rrëfimeve shpirtërore, martesat imagjinare e të heshtura shpirtërore, netët e gjata plot mistere dhe magjitë dehese të prerjes në besë. Gur stralli e gur amshimi reflekton shpirti i poetes. Ajo bekon shtigjet e veta përmes skicash e reminishencash përvëluese e dhimbjesh moraliste që si zë i dytë i dykohësisë e përjetimesh, vërtetojnë plagët e heshtura duke reflektuar aq poetikisht “dhimbja âsht’ motivi, ku shpirti ngrihet mbi ta, si Feniks për t’rilindun”. Kjo është stina dimëruese e autores që jetën, dimensionin shpirtëror e poetik e ka pranverë , por edhe mision të pashuar. Vetëm ajo mban sekretin e pikturës që ia ka gravuar jeta e saj personale, por mbi të gjitha misioni poetik i saj e humanizon, frymëzon dhe e përtërit në jetën e re, jetën pozitive që ia dëshiron edhe të tjerëve, e jo vetëm egos së saj. Autorja përmes frymës poetike që e ka armë shpirtërore, mundohet t’i vrasë maskat, t’a rilindë e bekojë botën e shtigjet e saj jetësore, përballë “maskave t’globalizueme”. “Disa njerëz kanë një zjarr të madh në shpirt, dhe askush nuk vjen kurrë të ngrohet tek ai zjarr”, thoshte Van Gogu dikur. Kjo urtësi poetike e personale në kohë të rënda është sfida më e madhe për poetën. Ajo shtegton përmes shtegut të shpirtit. Prandaj imazhet poetike që na i ofron ajo, janë aq mbresëlënëse duke na shpërfaqur një personalitet e poete, plot vlera dhe virtyte. Poetja Gjoni është “gadishull i heshtun” përballë “zotërinjve 1,2,3,4,5,6,7…” cikli i saj, që mbyll vëllimin poetik ku përmes sarkazmës, metaforës, ironisë e intuitës së saj letrare e poetike, na shpërfaqet si nuhatëse laserike e shpirtrave hipokritë që kinse në emër të artit e miqësisë, mbjellin lloj- lloj intrigash e komplote pothuajse krejt instiktive që nuk kanë të bëjnë asgjë me arsyen e shëndoshë njerëzore, e aq më pak me artin letrarë e poezinë që autores aq fort i pushon në zemër. Poezitë e autores Gjoni, na bëjnë t’i ndjejmë ritmet e jetës, frymëmarrjen e autores, britmat e idetë e kohës së saj, botëkuptimet e gjykimet e rrethit se ku ajo jeton, por edhe kontestin kohë, hapësirë, ku ajo jeton e vepron. I gjithë diskursi i saj poetik ngërthehet në një bërthamë.
Është klithja për një dashuri të sinqertë, të përbotshme në gjithë dimensionalitetin e saj, e cila di të të lëndoj plazmën e ashtin…, por mbi të gjitha misioni i autores kurrë nuk ka të ndalur, përpara sfidave që koha e pakohë ofron në bombardim të vlerave të njeriut- njeri, me mesazhet e saj transparente poetiko- humane.
Në fund të kësaj kumtese, mund t’a them bindshëm se libri poetik i Pranvera Drita Gjonit ‘‘M’THËRRET GJENEZA”, është flakërimi e ndezja shpirtërore, e autores më terë të kaluarën jetësore, përshkruar në këtë vëllim poetik që krijojnë tabllonë e dialektikën e përjetimeve, ku kjo përvojë di të mahnitë dhe të shndërrohet në legjendë të syve që shijuan e përjetuan një epokë personale e kolektive.

Mr. Vilson Culaj – Kosovë