Titulli i librit: Pa atdhe
Autore: Irma Kurti

Korrektor letrar: Ilir Kanini
Fotoja e kopertinës: Biagio Fortini

© 2017 Irma Kurti
Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Botimi i parë, 2017
ISBN 978-9928-223-79-1

Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati: 13.5x20cm

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, prill 2017

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Kurti, Irma
Pa atdhe: poezi / Irma Kurti. – Tiranë: Ada, 2017
96 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-79-1
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Parathënie

Jemi gjethe të rrahura nga era, udhëtarë pa destinacion që fati përpiqet më kot t’ua shkulë rrënjët. Më kot, sepse kujtimet më të dashura, pas të cilave kapemi do të mbeten përgjithmonë të gdhendura në zemër. Më kot, sepse identiteti, zakonet, aromat dhe ngjyrat e vendit që na dha jetën përfaqësojnë kontraste thelbësore që formojnë kornizën e jetës sonë.
Megjithatë, jemi edhe heronj pa atdhe që kur bota, e aftë për të na magjepsur me armët e joshjes, na ka hedhur në një arenë pa fitues dhe humbës.
Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një shumëllojshmëri ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale.
Përmbledhja “Pa atdhe” përbëhet nga dy pjesë, të cilat shënojnë kalimin nga një vizion më i përgjithshëm dhe kaleidoskopik i jetës tek dashuria për njerëzit e afërm. “Kujtimet në vargje” është titulli që etiketon 37 poezitë e para të cilat fokusohen tek udhëtimi, ritmi frenetik i kohës, forca e kujtimeve dhe e përfytyrimeve emocionale të përjetuara nga autorja e të dhëna në një mënyrë aq delikate, saqë çdo lexues mund të njohë një imazh të ruajtur në kujtesën e tij.
Pjesa e dytë titullohet “Kjo dashuri” dhe përmban 23 poezi të përqendruara tek dashuria; në veçanti, tek lidhja e përjetshme midis prindërve dhe fëmijëve, të cilën as vdekja, as rrethanat më tragjike nuk mund ta prekin.
Ekziston dhimbja e ndarjes dhe forca e ndjenjave, ekziston një ndjesi marramendjeje përpara vetmisë së botës dhe, në të njëjtën kohë, dëshira e papërmbajtur për të rigjeneruar shpirtin duke u strehuar në vende larg nga kaosi i përditshëm; ekziston dashuria e paanshme për tokën amtare dhe vështirësia për të njohur plotësisht, pas shumë vitesh, kujtimet e një të kaluare të turbulluar nga kalimi i kohës.
Krijime të shkurtra, që shprehin të gjitha kontradiktat e ekzistencës njerëzore me vetëdije të kthjellët dhe të ekuilibruar, larg tendencës për të rënë në mëshirë dhe përdëllim.
Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, duke hedhur poshtë si gjithmonë idenë se poezia është një mjet i zgjedhur për disa, sepse format narrative të mbushura me zbukurime dhe artifice letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj. Atëherë është emocioni vetë që e merr fjalën përmes një kujtimi, një imazhi, një mendimi, të përshkruara në mënyrë kaq të saktë saqë ta lejojë lexuesin të hyjë në majë të gishtave në jetën e autores, duke ruajtur ndërkohë identitetin e tij. Është pikërisht poezia që i jep titullin pjesës së parë të vëllimit që shpjegon funksionin poetik: “Po mundohem të transformoj kujtimet në vargje, që të mos humbin në mendjen time plot shqetësime, të mos i shoh kur si flluska sapuni plasin”. Atëherë poezia bëhet një formë arti e aftë për të ndalur kohën dhe kujtesën si një përcjellje e menjëhershme fjalësh që çdo lexues mund ta pasurojë me universe pafund kuptimesh.

Grazia Pia Licheri
Gazetare