Autore: Irena Gjançi
Titulli; Pertej dritares

Redaktor: Arqile V. Gjata
Korrektore: Phd. Shpresa Gjergji (Fundo)
E-mail: iregjanci57@gmail.com
Skicat : Hendri Duraj

Botimi i parë, 2017
ISBN: 978-9928-223-73-9

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, mars 2017

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Gjançi, Irena I.
Përtej dritares : vëllim poetik / Irena I. Gjançi ; red. Arqile Gjata. – Tiranë : Ada, 2017
92 f. ; 20cm
ISBN 978-9928-223-73-9
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Pak fjalë për poezinë e Irena Gjançi

“Përtej driteres” vjen në duart e lexuesit me hapsira të tjera, me një lloj dimensioni poetik të lavdërueshëm që kërkon vëmendje dhe një sy lexues të dashur për poezinë.
Që në titull, Irena na sjell një frymë më liberale, kërkon më tepër “ajër” për ta sjellë poezinë e saj më të freskët, kërkon “qiell” ku pafundësia e stisjes së fjalës të mos ketë dimensione të kufizuara. Kërkon “dritë” ku shpirti poetik, të ndjej sigurinë e reflektimit të tematikave të shumta që lëvron në këtë vëllim poetik.
Dikur për të drejtën e fjalës dhe bukurinë e saj, për të shprehur mendimin, thuhej “përtej mureve të gurta”… Fjala ishte e ndaluar dhe poezia ishte pa krahë… sot cilido që e dashuron poezinë dhe fjalën, mund të shkruaj e të derdh ndër vargje mendjen, shpirtin, jetën e vet. Edhe Irena e përcjell atë “përtej dritareve” me shumë ndjenjë.
Irena Gjanci sjell në këtë vëllim një tufë poezish të mrekullueshme ku shpirti i saj poetik prek ëmbël dashurinë, mallin, natyrën, stinët, dëshirat, brengat, gëzimet etj., duket sikur gjithë bota funksionon në hapsira ndjenjash dhe rahjesh zemre, ku shpirti i poetes herë e ka forcën dhe bukurinë e shprehjes, herë ndihet i plogët brenda përjetimit të saj emocional… Ajo është e vërtetë, jeta e saj vjen me shi, me diell, me puthje e lotë…”Në jetë / shiu njërrokësh më troket në vesh, / dielli me gjithë gjuhët e botës, / hëna me ngjyrat e dashurisë, / yjet me dëshifrime të ngatëruara, / puthje e lotë bashkë.”
Koha është vetëm një iluzion. Universi nuk ka nevojë për kohë. Për të nuk ekzistojnë as koha dhe as dimensionet. Jemi ne që e krijojmë dimensionin, në me jetën, me shpresën, me punën, deshirat, realizimet e mos realizimet etj. Jemi ne, që nëpërmjet gjuhës i japim tonin jetës, i japim ritëm asaj.
Arsyeja na bënë ta jetojmë këtë botë me një besim në vetvete për të realizuar e konkretizuar gjithcka mundemi në këtë pjesë të universit ku jetojmë. Kreativiteti, shpalosja e talentit, përdorimi i zgjuar i gjuhës në ligjerimin letrar e vecanërisht në atë të poezisë, na bënë më të ndjeshëm, t’i prekim gjërat ndryshe, pa droje, shpesh me një stil vetijak ku spikatin vecori të stilistikës e te leksikut si pjesë e shprehjes së saj.
Poetja jonë në këtë buqetë poezish takon hapsirën shpirtërore, vjen e kuptueshme me lexuesin, është e hapur në mendimet e saj, nuk ka stërhollime, shpesh, nëpërmjet përsëritjes, kërkon të qëndrojë fort, të theksojë atë që e bren…kjo nuk do të thotë se ajo anashkalon përdorimin e figurave të tjera letrare aq të dashura për poezinë… Ajo di të përdore bukur krahasimin: “mbështjellë tek njëri-tjetri si burbuq i sapoçelur; si deti perlat e vyera; ëndrrat janë si drita; si aromë e luleve; heshta me heshtje varri, si një e vdekur etj. dhe ajo që do të doja të theksoja si një vecanti në strukturën e frazës, ndihet dukshëm një lloj krahasimi me lidhëz të rënë: “Nata e stërgjatur, fshikull akulli. Minutat, këmbana që s’pushojnë…” etj.

Metaforat janë të goditura: “mos i trego për sytë e mi të gjakosur!”; “melodia e valëve hap poret e trupit”; “pa aromën tënde, është e zhveshur qenia ime”; ata që na shkelin ëndrrat” etj. Irena di të simbolizojë e të vlerësojë veçanërisht natyrën, diellin, hënën, detin, shkëmbin, lulet, vjeshtën, dimrin, pranveren duke i futur ato nën kurthin e fjalës se gjetur dhe thur vargje ku brendashkruhet këndshëm motivi i dashurisë, malli, dashuria për nënën, për vendlindjen etj. që zënë vend në strofat e poezive të saj.

Ajo poezon në vetën e parë, gjë që e bën më të vërtetë dhe komunikuese poezinë, shpesh thërret dhe fraza merr karakter imperative: “Kërkoje dielli im, “Kopshtin e qiparisave”; “Nxirrmë nga ëndrrat e tua!- të thashë. Urremë !Urremë si nuk urrehet njeri !Urremë siç urrehen të dashuruarit!”, duket bindshëm forca e mendimit, forca e vargut që godet…Shpesh në vargjet e Irenës kuptimi vjen i plotë, pavarësisht vargut me një gjymtyrë të rënë: “Çdo vështrim një breg i ri,/çdo qeshje një liman i ëndërruar,/çdo joshje një parajsë me dashuri.

Gjithashtu do të prekja pak edhe pyetjen retorike e cila e përdorur në poezi gjykon me arsyetimin e lexuesit, ka vend për interpretim, të cilin vetë lexuesi ia jep me çka ai nënkupton: “Në do t’ngrihem një mëngjes/dhe s’të kam më mes syve,/përse t’i dua sytë e mi,/përse ta dua frymën?; Ç’pate moj dritë, që sytë më hape në këtë botë pus të verbër? etj.

Do të ndalesha paksa edhe tek lloji i vargut, i cili shpesh vjen me rimë, duket se i tingëllon me bukur, por vjen edhe i lirë kur vetë Irena ndihet më e sigurt pa rregulla strikte në bërjen poezi. Duket se është e lirshme në mendimin dhe shpirtin e saj poetik, gjë që e bën atë me individualitetet e saj në krijimtarinë poetiko-lirike, në këtë prezantim fisnik dhe të ndjerë thellësisht. Retiçenca shpesh e ve lexuesin ne përfytyrime qe është gjeja me e bukur të të ndodh kur lexon poezi.
“Dallëndyshja” një nga poezitë e Irenës, më ka lenë mbresa se sa thjesht ajo sjell këtë lajmëtare në vargjet e saj…ajo pret në parvazin e dritares dhe përtej, fluturimin e saj, lajmin, mallin ta shuaj me të, dhe kaq bukur e stolis poezinë me pyetjet retorike në fund të çdo strofe për të gjetur dilemat e saj, për t’i ndare ato me lexuesin e saj të dashur.

Phd Shpresa Gjergji (Fundo)